Romani i Mircea Cărtărescut vjen në shqip nga Gersa Rrudha
Romani “Nostalgjia” është një vepër endërrimtare për kujtesën, fëmijërinë dhe fuqinë e imagjinatës.
Në faqet e tij, autori rumun Mircea Cărtărescu e shndërron botën e zymtë të Bukureshtit komunist në një hapësirë të mbushur me magji, ëndrra dhe vizione të çuditshme, ku realiteti përzihet vazhdimisht me mitin dhe simbolikën.
Në këtë mozaik rrëfimesh takojmë një burrë që sfidon fatin duke luajtur gjithnjë e më rrezikshëm ruletën ruse; një fëmijë enigmatik që ushtron fuqitë e tij të çuditshme nëpër apartamentet e blloqeve gri; një të ri që kërkon identitetin e tij duke eksploruar kufijtë e gjinisë dhe të vetëdijes; një grua që rikthehet në kujtimet e rinisë së saj; si edhe një arkitekt që fiksohet pas tingullit të borisë së makinës së tij të re, një mani që sjell pasoja të papritura.
Nëpër këto histori, qyteti bëhet një labirint kujtimesh, ëndrrash dhe obsesionesh. Edhe pse përbëhet nga pesë kapituj të pavarur, romani krijon një harmoni të veçantë tematike dhe stilistike.
Lexuesi përfshihet në një rrjedhë të dendur dhe hipnotike imagjinare ku shfaqen lojërat e fëmijëve, misteret e adoleshencës, muzika e sferave, krijimi i miteve të hershme të njerëzimit dhe jehona e një Bukureshti apokaliptik.
Ky botim në gjuhën shqipe, i botuar nga shtëpia botuese ‘Aleph Klub’ në bashkëpunim me rrjetin letrar TRADUKI, vjen i përkthyer nga Gersa Rrudha, e cila ka sjellë në shqip edhe romane të rëndësishme të letërsisë rumune si ¨Për dy mijë vjet¨ nga Mihail Sebastian dhe ¨Rini pa rini¨ nga Mircea Eliade, duke kontribuar në afrimin e kësaj tradite letrare me lexuesin shqiptar.