Arben Braçe: Zvërneci, bërthama e hershme e qytetit antik të Aulonës
Besoj se askush që nuk ka interesa të d.p.d politiko-ekonomike nuk ka ndonjë kundërshtim që Zvërneci dhe Laguna e Nartës janë pjesë e një sistemi ekologjik me rëndësi të veçantë për biodiversitetin tone, por edhe të Mesdheut. Kjo zonë përbën habitat për qindra lloje shpendësh, organizmash ujorë dhe specie të mbrojtura, duke përfshirë popullata të rëndësishme të flamingove, çafkave dhe shumë specieve migratore që përdorin lagunën si pikë pushimi gjatë lëvizjeve ndërkontinentale.
Natyrisht që edhe nga këndvështrimi juridik dhe filozofik, Zvërneci Laguna e Nartës dhe Ishulli i Sazanit përfaqëson një pasuri të përbashkët publike (common heritage), ku interesat individuale dhe ato kolektive duhet të harmonizohen në mënyrë të qëndrueshme.
Mos harrojme se në teorinë bashkëkohore të së drejtës mjedisore pranohet se qytetarët gëzojnë jo vetëm të drejtën për të vizituar dhe përdorur hapësirat natyrore publike, por edhe të drejtën për të përfituar nga vlerat ekologjike, kulturore dhe shkencore që ato mbartin.
Të gjitha këto, do të ishte primitivizëm i madh sot që të diskutoheshin, por ajo që është edhe më e rëndë është fakti që askush sot nuk mban në konsideratë që në këtë dhurim bujar të qeverisë sonë nuk është marrë aspak në konsideratë dhe nuk është bërë asnjë studim mbi faktin e mirënjohur nga studjuesit e huaj që bërthama e hershme e qytetit antik të Aulonës paraardhësja e Vlorës së sotme, është e lidhur me zonën e Triportit dhe Zvërnecit, ku një pjesë e strukturave ndodhen edhe sot nën ujë.
Në një debat që zhvillova dje me nje ushtarak detar të vjetër që e njeh me pëllëmbë atë zonë më vuri në dukje që themelet e vjetra të Aulonës duken edhe sot në se kalon atje afër.
Studiues shqiptarë dhe të huaj kanë vërejtur me fakte se në zonën e Triportit, pranë Zvërnecit, gjenden mure fortifikuese antike, struktura portuale, rrënoja të zhytura nën det dhe lagunë, gjurmë të një qendre të madhe tregtare dhe ushtarake të periudhës romake dhe para-romake etj.
Ekspedita ndërkombëtare të arkeologjisë nënujore kanë zbuluar se kompleksi i Triportit është shumë më i madh sesa mendohej më parë dhe se ai funksiononte si një port i rëndësishëm që lidhej me rrugët tregtare të Adriatikut dhe me qytetet antike të rajonit. Disa arkeologë kanë sugjeruar se ky port mund të ketë qenë porti kryesor i Aulonës së hershme.
Sipas studjuesve qyteti i vjetër i Aulonës u fundos u fundos, sepse nga pikëpamja gjeologjike, brigjet e Gjirit të Vlorës dhe të Lagunës së Nartës kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme gjatë mijëvjeçarëve për shkak të lëvizjeve tektonike, tërmeteve, ngritjeve dhe ulje të nivelit të tokës si edhe avancim dhe tërheqje të vijës bregdetare në këtë zonë ku natyra ka bërë një mrekulli.
Pra, këto procese kanë bërë që një pjesë e qytetit antic, ose e portit të zhytet gradualisht nën ujë. Pikërisht për këtë arsye sot dallohen mure dhe struktura arkeologjike të mbuluara nga deti në zonën e Triportit e Zvernecit që e dhurojmë pa bërë asnjë studim të këtij lloji.
Triporti dhe zona e Zvërnecit kanë qenë me shumë gjasë porti kryesor dhe një pjesë thelbësore e kompleksit urban të Aulonës së hershme, ndërsa qyteti ka pësuar transformime të mëdha gjeografike dhe urbane gjatë shekujve, duke u zhvendosur gradualisht drejt territorit të Vlorës së sotme moderne.
Këtu mos harrojmë që kufizimet ndaj zhytjeve me skafandër dhe zhvillimit bregdetar gjatë periudhës komuniste, në mënyrë të pavullnetshme, i kanë ruajtur Shqipërisë disa nga trashëgimitë kulturore nënujore më të paprekura në Mesdhe. Por pikërisht këtë “fat” në se e konsiderojmë të tillë, po e kafshojme më dhëmbë oligarkësh, për shkak të etjes për fitime të menjëhershme.
Pra, përpos çështjes së rëndësishme të marrëdhënieve të pronësisë dhe të drejtës së pronarëve legjitime duhet të mbajmë fort në konsideratë që Zona e Zvërnecit, e vendosur në kompleksin ekologjik të Lagunës së Nartës dhe Gjirit të Vlorës, përfaqëson një nga hapësirat më të rëndësishme natyrore, historike dhe kulturore të Shqipërisë. Ajo përmban një ndërthurje të rrallë të trashëgimisë arkeologjike, dhe vlerave të identitetit historik kombëtar.
Për këtë arsye, debati mbi aksesin e publikut në këtë territor nuk mund të reduktohet në një çështje të thjeshtë pronësie apo administrimi, por duhet të trajtohet në raport me parimet moderne të së drejtës mjedisore dhe të menaxhimit të trashëgimisë publike.
Aulona e vjetër nuk mund t’i jepet askujt, përpos shqiptarëve si trashëgimtarët e vetëm të kësaj pasurie të papërsëritshme.