Jani Malo: SHPËTONI USHTARIN RAMA!
Në fakt titulli i shkrimit duhet të ishte “Shpëtoni Partinë Socialiste”. Por realiteti shqiptar prodhon vetëironi dhe paradokse që as vetë Spielberg i “Saving Private Ryan” nuk do t’i imagjinonte dot. Këtu gjithçka bëhet për të shpëtuar ushtarin Rama. Dhe, për ta çuar paradoksin deri në fund, i vetmi që mund ta shpëtojë është vetë Edi Rama.
Sot në shesh nga njëra anë, kemi një festë jubilare të një partie që celebron jetëgjatësinë e saj në pushtet dhe nga ana tjetër – vetëm pak metra më tej – një brez të ri që nuk proteston për të ndërruar një stemë partie me një tjetër, por për diçka shumë më ekzistenciale: mundësinë për të ndërtuar të ardhmen këtu. Vendosja e festës partiake kaq pranë një vatre pakënaqësie ngjan si një shfaqje force apo, karshillëk i pastër që mund të interpretohen lehtësisht edhe si mesazh mospërfilljeje: “Ju protestoni, por ne festojmë”.
Kjo është karikatura më e shëmtuar e tranzicionit shqiptar dhe është një fenomen klasik i pushteteve të gjata. Kur festimet e brendshme dhe glorifikimi i logos bëhen më të zhurmshme se zërat e qytetarëve në rrugë, krijohet një lloj “shurdhësie” artificiale. Rinisë së sotme nuk i bën më përshtypje historia 35-vjeçare e një partie, por e shqetëson se si do të duken 35 vitet e tyre të ardhme.
Arti dhe estetika, që dikur ishin armët më të forta dhe më të freskëta të Edi Ramës, kthehen në skenografi të përsëritura, cinizëm të zhveshur dhe nuk janë tjetër veçse varfërim i fantazisë politike. Në vitet e tij të para, Rama përdorte një gjuhë vizuale dhe një narrativë që thyente tabutë e politikës së vjetër. Kishte një lloj freskie, qoftë edhe në arrogancën e saj. Sot, ajo fantazi duket e tharë. Përdorimi i të njëjtave skema, e njëjta propagandë vizuale, të njëjtat sulme ndaj kritikëve, i njëjta përbuzje ndaj revoltës, tregon se “revolucioni estetik” ka mbetur thjesht një rudiment, një gëzhojë e zbrazët, shenjë e një frike të veshur me drita festive.
Po le të kthehemi tek ushtari Rama. Kush duhet ta shpëtojë atë? Në një botë ideale, “Rajanin” tonë duhet ta shpëtonte brezi i ri brenda partisë, ata që do të duhej të kishin guximin t’i thoshin: “Kapiten, jemi në drejtimin e gabuar, busulla është prishur”! Por, ata një pjesë janë të magjepsur nga dritave LED të skenës, dhe pjesa tjetër bëjnë gati valixhet për të ikur nga “fronti”. Në realitetin e paparashikueshëm shqiptar Rajanin nuk ka kush e shpëton. As Spielberg. Mbetet ta shpëtojë vetë Edi Rama, sepse vërtet është ushtar, por do që të jetë edhe Spielberg.
Duke ditur këtë unë po përpiqem t’i jap një dorë dhe përmes alegorisë, t’i vijë në ndihmë Rajanit tonë.
Imagjinoni sikur sot kryeministri të marrë përsipër të mbaj një fjalim që të dëgjohet në të gjithë sheshin, një fjalim në stilin e oratorëve të lashtësisë, një fjalim që disa do t’i bëj të qajnë e disa të qeshin. Atëherë sheshi do të kthehej në një skenë tragjikomedie klasike.
Lideri suprem, me mantelin e oratorit mbi supe – një përzierje mes ftohtësisë së Mark Aurelit dhe ironisë therëse të Ciceronit – do i drejtohej sheshit:
“O qytetarë të këtij sheshi të ndarë, dëgjoni fjalët e një njeriu që është drita juaj edhe pasi dritat e këtij teatri të fiken përgjithmonë!
Ju shikoj sot, të rreshtuar në dy anët e të njëjtës baltë. Ju atje, nën dritat e mia, që thërrisni emrin tim me zërin e mbytur nga frika. Ju qani… po, unë i shoh lotët tuaj! Ju qani sepse e dini që ky triumf 35-vjeçar është thjesht një funeral madhështor. Ju qani sepse e ndjeni që pa këtë logo që ju ushqen me thërrime, ju nuk jeni gjë tjetër veçse hije pa emër në një qytet që po zbrazet. Ju duartrokisni për të mos dëgjuar rrahjet e zemrës suaj që ju thonë se liria juaj kushton sa një rrogë administrate. Qani, o të mjerë, sepse pushteti im është pranga juaj e artë!
(Kthehet ngadalë nga ana tjetër e sheshit, ku qëndron rinia e revoltës, dhe në fytyrë i shfaqet një buzëqeshje e hollë, e ftohtë).
Dhe ju… ju që më vështroni me përbuzje dhe më shani me QR e ngrini grushtet kundër meje. Pse qeshni? Pse zgërdhiheni me dështimin e festës sime? Ju qeshni sepse mendoni se duke më urryer mua, jeni të lirë. Naivitet! Qeshi, por mos harroni se unë jam skulptori i së ardhmes tuaj. Unë ju dhashë dhuratën më të madhe që një tiran mund t’i japë popullit të tij: ju dhashë një arsye për të ikur! Ju qeshni me cinizëm sepse e dini që biletat tuaja të avionit janë gati, dhe se kjo revoltë është thjesht balloja juaj e fundit përpara se t’i lini këto rrugë në dorën e pensionistëve dhe patronazhistëve të mi të mjerë.
O popull i dyzuar! Ne kemi tre dekada që vallëzojmë të njëjtin vals të mallkuar. Ju më jepni rininë tuaj, unë ju jap fishekzjarrë. Ju më jepni heshtjen, unë ju jap fjalime.
Prandaj, qani ju që qëndroni në dritë, sepse e nesërmja juaj varet nga unë. Dhe qeshni ju që jeni në hije, sepse e nesërmja juaj nuk ekziston fare këtu. Shfaqja u mbyll. Tani, kthehuni në shtëpi… nëse keni ende një shtëpi”!