Arben Kallamata: Çfarë do të doja të dilte nga protestat?
1. Dorëheqja e kryeministrit aktual.
2. Krijimi i një qeverie teknike ku të mos marrin pjesë asnjë nga figurat kryesore të PS dhe PD.
3. Ndryshimi i ligjit për zgjedhjet.
4. Ti kërkohet parlamentit të nxjerrë ligj ose të ndryshojë kushtetutën që të mos lejohet marrja e postit të kryeministrit nga i njëjti person më shumë se dy herë.
5. Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme.
6. Krerët aktualë të dy partive kryesore të mos lejohen të kandidojnë.
7. Krijimi i një komisioni të qëndrueshëm parlamentar shumëpartiak që monitorojë periodikisht korrupsionin e zyrtarëve të zgjedhur.
8. Shpallja e vijës së bregdetit shqiptar pasuri shtetërore jashtë kontrollit të individëve.
9. Ndalimi i policive private.
10. Paprekshmëria e zonave të mbrojtura dhe monumenteve. Abrogimi i ligjit 21/2024.
Shpjegim i shkurtër:
1. Dorëheqja e kryeministrit aktual. Kryeministri, pavarësisht votës që ka marrë, e ka humbur krejtësisht autoritetin për të qeverisur. Përmasat, shtrirja dhe kohëzgjatja e protestave të qytetarëve, të paorganizuara nga ndonjë forcë politike, e vërteton këtë. Kërkesa për dorëheqje nuk vjen nga opozita por nga nga qytetarët.
2. Krijimi i një qeverie teknike ku të mos marrin pjesë asnjë nga figurat kryesore të PS dhe PD. Në këtë qeveri mund të ketë të angazhuar politikisht, por jo funksionarë të lartë të partive. Është mirë të jenë njerëz të panjollosur politikisht.
3. Ndryshimi i ligjit për zgjedhjet. Të mos favorizojë partitë e mëdha.
4. Ti kërkohet parlamentit të nxjerrë ligj ose të ndryshojë kushtetutën që të mos lejohet marrja e postit të kryeministrit nga i njëjti person më shumë se dy herë. Kalimi i pushtetit nga Presidenti të Kryeministri ka qenë një nga manovrat politike më të pështira dhe më të dëmshme për demokracinë shqiptare, manovër e kryer për të siguruar sundimin sa më të gjatë të individëve të caktuar. Historikisht Shqipëria ka vuajtur nga sundimet e tejzgjatura dhe njerëzit që nuk shkulen nga karrigia. Është koha të hiqet dorë një herë e mirë nga kjo praktikë.
5. Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme. Bashkë me Kryeministrin edhe Partia Socialiste, kështu siç është, e ka humbur të drejtën morale për të administruar vendin. Bashkë me PD-në ato duhet të ripërtërihen si parti, të ndërrojnë krerët, dhe të vijnë në zgjedhjet e reja me shtëpi të pastruara.
6. Krerët aktualë të dy partive kryesore të mos lejohen të kandidojnë. Kjo është një nga kërkesat kryesore të protestët. Të dy krerët e kanë humbur aftësinë, prestigjin dhe fytyrën për të drejtuar. Ata e kanë provuar se janë të pakorigjueshëm, të lodhur, të mërzitshëm, pa ide të reja. Pavarësisht nga disa arritje, dëmi që i sjellin vendit është i pallogaritshëm. Ndoshta është e jashtëligjshme t’ua ndalosh atyre kandidimin, por kjo mund të arrihet si marrëveshje politike.
7. Krijimi i një komisioni të qëndrueshëm parlamentar shumëpartiak që monitorojë periodikisht korrupsionin e zyrtarëve të zgjedhur. Parlamenti duhet të ketë një komision ndërpartiak që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, shërbimet informative dhe policinë për kontrollin dhe monitorimin e vazhdueshëm të shtetarëve, duke përfshirë edhe kreun e shtetit. Kushdo që merr përsipër të drejtojë vendin duhet ta ketë të qartë që nuk është në asnjë çast përmbi ligjin.
8. Shpallja e vijës së bregdetit shqiptar pronë shtetërore jashtë kontrollit të individëve. Vija që ndan detin me tokën nuk i përket askujt. Ajo nuk duhet t’i përkasë askujt, ose t’i përkasë të gjithë shqiptarëve. Të njihet me ligj mungesa e pronësisë private të paktën për njëqind metra gjerësi toke.
9. Ndalimi i policive private. Në protestat e Zvërnecit u panë pjesëtarë të një trupe të armatosur private që përballeshin me protestuesit. Nuk e di sa e lejon kushtetuta dhe ligji shqiptar këtë. Për mua është absurde që t’iu lejohet oligarkëve krijimi i forcave paraushtarake private. Qytetarin shqiptar ka të drejtë ta ndalojë vetëm policia e shtetit, edhe kjo kur ka një autorizim nga gjykata.
10. Paprekshmëria e zonave të mbrojtura dhe monumenteve. Abrogimi i ligjit 21/2024. Zvërneci, Narta nuk janë të parat që preken. Në Durrës janë bërë masakra arkeologjike dhe nuk i ka hyrë askujt gjëmb në këmbë. Aeroporti i Vlorës po ngrihet në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë; rrezikohen parku kombëtar Divjakë-Karavasta, Parku Kombëtar i Nartës, Karaburuni dhe Sazani. Shkatërrime janë bërë edhe në zona të tjera të vendit. Pasuria më e madhe për Shqipërinë sot është natyra dhe historia. Këto duhet të ruhen me çdo kusht. NUK JAM KUNDËR INVSTIMEVE. Megjithatë, investimet duhet t’iu nënshtrohen, si në çdo vend të qytetëruar dhe të pakorruptuar, kritereve të ruajtjes së mjedisit dhe të pasurive të mbrojtura që ka vendi. Ligji 21/2024 duhet të zhbëhet urgjentisht dhe propozuesi i tij, Kryeministri aktual, të përgjigjet legalisht për arsyet përse e ka shtyrë miratimin e tij në Parlament. Po kështu të zhbëhet edhe e ashtuquajtura Paketa e Maleve, që i hap rrugë betonizimit të zonave pyjore të veriut.
Këto kisha unë. Jam i bindur që ata djemtë dhe vajzat që janë në krye të protestës janë shumë të mençur dhe po përpiqen të arrijnë shumë më tepër se kaq.