Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Në anën tjetër të fajit

Tregim

Dhoma e qetë, dukej sikur reflektonte bardhësinë e mureve të klinikës nën dritën e një llambe këndore. Në një karrige të rehatshme, me një batanije të lehtë në prehër, ndihesha ai fëmija i humbur që më në fund kishte gjetur një strehë.

Përballë meje, psikologia, Entela, një grua e qetë, me flokët e thinjur e të lidhur në një bisht të lirë, me sy të butë e të kthjellët, që më vështronte pa gjykuar. Ishte një lloj pranimi që shpërbënte dhe vetmbrojtjet më të vogla.

Pas një çasti heshtjeje, erdhën fjalët e saj të para për atë seancë si për t’i mbajtur frymën ankthit tim.

– Uff… ia bëri, duke thithur ajrin me një pezullim të rëndë. Tani del edhe më e qartë tabloja. Sytë e saj shihnin pjerrtas nga aksi i syve të mi. Nuk e di pse në gjithë emisionet apo filmat që kisha parë, psikologët të jepnin idenë e një njeriu të skajshëm e të pavëmendshëm ndaj rrëfimit të pacientit në dukje… Ndoshta ky këndqëndrim e bënte pacientin të harronte praninë një të dyti e të përhumbej në rrëfimin e plotë. Nuk di si dilej nga ky qerthull mendimesh që i shtrëngonte prej fyti “paragjykimi”. Njeriu ka gjithmonë një zonë eksentrike në trurin e tij dhe është pikërisht kjo zonë që e largon atë nga vetja për tu marrë me “bashkëpunëtorët”.

– Yt shoq, pra ra në grackën që vetë ngriti, u duk sikur më shumë se foli, mendoi me zë të lartë Entela.

Besoi se mund të lundronte në dy varka njëherësh pa cënuar ekuilibrin e asnjërës dhe kur nuk ia doli kërkoi një fajtor të jashtëm. Jo veten, jo pasiguritë e tij, por ty, sepse është më e lehtë të projektosh fajin jashtë vetes, sesa të përballesh me pasojat e veprimeve të tua…Ë shtë kaq vështirë të marrësh përgjegjësi me kah vektori nga jashtë-brenda.

Dëgjoja mendueshëm, Entelën herë duke tundur kokën lehtas, si një lëvizje në dukje e vogël, por mbështetëse, e herë duke gëlltitur ndonjë ngashërim të vjetër. Ngashërimet e vjetra ngjajnë me atë mykun që krijon lagështira në një shtëpi të paajrosur e harruar nga drita që mund ta mbulosh me bojë por jo ta shmangësh hijen e tij nëse kthehet drita.

– Im shoq përpiqet të shpëtojë imazhin e vetes, – shtova, – para dikujt që i riktheu frymëzimin për pikturën, një hobi e braktisur prej vitesh.

I përplasen mungesat si shkulm fytyrës. Dhe unë, jam gjithmonë aty, vazhdova zëmekur, por pa ia ushqyer dramën. Pa e ndihmuar në ngjitjen e një jete të rrëzuar e bërë copë-copë.

– Deri këtu e vërteta është kjo që ke kopsitur ti, Entelë, përveç një hapit tim shterpë. Reagimi im ndaj akuzave të tij me nota shfajësuese si “Shpjegim”.

A shpjegohet pafajësia?

A ka nevojë për prova dashuria?

– Më fol për të, nxiton të japë më shumë besim në seancën e sotme Entela.

– Shpesh psikoanalizat e vetes janë më të vërtetat pasi ato zhyten aq thellë sa ngulen në nëvetëdije.

Po vetes, vallë, sa kohë kisha që ia fshihja ato justifikimet e vogla të papranisë së tim shoqi edhe në festat familjare, ato artificet emocionale deri tek shtrati pa jetë?

Entela më shpëtoi nga autogjykimi:

– Çfarëdo të kesh menduar ma thuaj…

Njeriu ka prirjen ta mbytë dhembjen e një humbjeje e kjo jo gjithnjë për të lehtësuar veten nga mëshira e botës por për ta shpëtuar atë nga etiketa “dështim”. Një cikël i mbyllur keq në çift është thjesht një spirale më e lartë nga prekja e fundit. Drama jonë më e madhe është liria që nuk e duam si mundësi të re. Morali i fabulës mbetet pësimi bëhet mësim. Moralin nuk e shpikëm ne, por primiviteti i të konceptuarit të tij rebelon dy forma brenda nesh.

Entelë, gati sa nuk thirra – im shoq më këmbeu me një farsë personaliteti me formën më të shëmtuar të këtij të fundit pa shpirt, pa qëllime etj.

Të ka këmbyer me veten, mori revansh, për një paqtim aty për aty Entela…

E dëgjoja dhe mendja shkoi në çastin e njohjes me Entelën. Ishte viti 2020 kur qytetin e pllakosi epidemia. Në emër të njeriut, frikën e sa e sa pacientëve të infektuar e struku brenda klinikës së saj falas dhe duke shpërfillur vdekjen. Pyesja veten sa e madhe duhet të jetë një zemër që të akumulojë kaq shumë dhembje për ta kthyer në forcë?… Sdi pse e kam parë për shumë kohë si misionare këtë grua, si një religjion ku falen mëkatet, ku zgjidhjet i gjen tek meditimi yt me zë të lartë dhe roli i saj mbeti njëjtë udhërrëfyes me librat e shenjtë Bibël, Kuran etj..

Më dukej se Nënë Tereza nuk është një individ, por një rrymë me matrioshka pambarim. Po Entelën nuk e njihnin sikurse Nënë Terezën.

Entelën e njihja unë, ti, ajo që i kishim dorëzuar ndërgjegjen, shpirtin në dorë, por ne nuk na interesonte ta pranonim që shkonim tek ajo. Na dukej sikur bota do të na gjykonte arsyen. Pra ne nuk flisnim për Entelën, për të mbrojt egon..

– A kam mëkatuar, Entelë, duke u mbrojtur?

I dhashë shpjegime për pafajësinë burrit që kishte ngritur skenarë statikë në emër të epërsisë gjinore.

Ndoshta inkurajova kufirin e hamendjeve të tij dhe ankimova shurdhërisht lirinë e munguar prej shumë kohësh.

Ndoshta u bëra poligoni ku gjithë qitjet e tij kapën dhjetëpikëshin ose thënë ndryshe koefiçentin maksimal të dhembjes tek unë.

Do ta mallkoja veten nëse i shkaktoja dikujt sikur një re të hollë dhimbjeje, nga ato të bardhat, kalimtare e të pafuqi për të mbuluar kaltërsinë.

Heshta, prita e pashë që edhe sekondat punonin në kahun e kundërt. Mozaikët e lojës së tij më kishin zënë poshtë.

– Në fakt, heshtja jote, është mungesa e subjektit të kontrollit për të, – vazhdon psikologia 56-vjeçare që rrudhat e thella në qafë duket sikur i ravijëzonin numrin e pacientëve ndër vite. Ajo fytyrë e buzëqeshur në çdo kohë dukej sikur ndërtonte epilogë dhembjesh. Po dështime a kanë psikologët, rrëkëlleva këtë pyetje rrëqethshëm si një gotë tekila? Mos jam edhe unë një rast dështimi në punën e saj?

– Heshtja jote, – tha, – nuk është dobësi, por thjesht vërtitje e narrativës së tij duke të bërë pavullnetshëm dhuratë” bindjen, se nuk ke qenë kurrë ti, problemi. Kjo 56-vjeçare po rrekej të ngulte shigjetën në atë gjysëm zemre që më kishte mbetur.

Entela përshkroi më pas në vija të përgjithshme raportin tonë të pabalancuar, si drama që luhet vetëm nga një aktor dhe hija e tij. Dominimi emocional është çelësi për të mbushur zbrazëtinë për këta lloje burrash. Zbrazëtia e tyre është një hon në të cilin gjithçka hedhim nuk dihet se ku humbet.

– Por jeta, më drejtoi gishtin tregues Entela, si të më tërhiqte veshin me fjalë, – ka pamëshirën për të pluskuar në sipërfaqe iluzionet. Ti ke fajësuar veten, sepse ke dashur të shpjegosh një realitet që kurrë nuk ishte ndërtuar për të kuptuar ty. Në atë çast, që ti shtyve kufirin tënd të lirisë thjesht bëre një sakrificë që askush nuk ta kërkoi. E të shtysh kufirin e lirisë është më shumë një punë burrash në shoqërinë që jetojmë.

Sytë e mi, ngulur në një njollë të vogël në mur, ndiejnë djegien e vjetër të një ndjesie të deformuar.

Më dhimbte. Por më shumë se kaq, isha lodhur.

Por çuditërisht fjalët e Entelës nuk më ngjallën asgjë veç udhën që kishte bërë kjo martesë kaq vite. Fytyra e tim shoqi me dilte para syve tashmë e deformuar, si ata personazhet negative në filmat me kartona të fëmijërisë time.

– Tashmë ti e sheh me kthjelltësi teatrin e luajtur prej tij paralelisht në dy varka, dhe atë çka po ndodh pas siparit, për të shitur varkën që nuk i jep ndjesinë e kapitenit. E sheh dramën e logjikës së tij? I dorëzuar para një ndjesie imagjinare njëjtë si ti dikur, i përballur me të si me një pikë kontrolli emotiv pa e lexuar dot fundin që në fillim të saj, pikërisht tek shpengimi i saj i ftohtë si të ishte duke futur teshat në lavatriçe. Ti e sheh dramën e kuturusë në logjikën e tij në pakuptimin e fajësisë e mosfajësisë të të tretëve.

Kur nuk përpiqesh të shpëtosh zemrën, e vetmja dashuri që mund të mbash është ajo për pasqyrën që i përkulet iluzionit. Ti nuk e di fajin, kurse ai gjeti fajtorin.

Ndaj nuk ka nevojë të luftosh. Mjafton të mos jesh më aty për të as si spektatore. Nuk je rasti i parë që më bën të pyes veten pse tek ne gratë, guximi vjen si një teori e re realititviteti…

Heshtja ime, Entelë ndryshe nga ç’mund të dukej, u bë muri më i butë por edhe më i fortë njëherazi. Mjafton të dija si të injoroj lojën si forma më e pastër e lirisë.

Lehtas, ngrita batanijen mbi supe si një rrëqethje të fundit për atë seancë, drejtova sytë në korridorin e gjatë, ku drita binte si një premtim i ri. Nuk ndieja më nevojën për shpjegime. Çfarë do shpëtonin më shpjegimet? Shpjegimet, në këtë rast ishin si veprimi i alkolit mbi një plagë të hapur…

– A po më ndjek? – theu heshtjen zëri i Entelës?

Unë çoj në vendin e duhur mozaikët e thyer me një qasje të re, pa emocionin e aktorëve.

Kjo është pozita më e fuqishme që mund të dhuroj si psikologe. Kjo do të japë fuqinë e mpakjes së dhembjes duke i shterur avantazhet e kontrollit të tjerëve mbi ty. Ndoshta dikujt tjetër do t’i japë idenë që po garon me një fantazmë , ndoshta do të shpikë histori në kokën e vet ndoshta do të përpëlitet mes reteorikash si një dush i ftohtë elegant por nuk do harrojë kurrë të përdorë fjalë boshe si një mjet për të testuar terrenin apo për të parë nëse je ende aty, nëse je ende e hapur, apo sa gjatë mund të mbash lojën.

Fjalët boshe janë poezi me brinjë të thyera ku shpirti hyn e del zbuluar.

Por ti në këtë moment je larguar nga loja. rrjokëzoi fjalët e fundit të paguara Entela.

Në këtë moment ti je veç fantazma e tij.

Nuk ishte nevoja të fitoja një betejë që nuk më përkiste, as të hesht si dorëzim, apo frikë…

Ndihesha ai fëmija që mblidhte copat e thyera të mozaikut të vetes, e u gjente vendin e duhur për të qenë “një pazëll” në tregimet e së shkuarës..

Ai filmi me kartona me atë personazhin negativ ndizte një lloj triumfi, pasi unë isha gjithmonë në anën e kundërt të tij.

Nxitova hapat për të dalë nga klinika me marrinë e mendimeve se kushedi sa dhembjeve u janë dëshmimtarë muret e saj.

Po ndryshoja konceptin për dhembjen, si aksioma në jetet tona. Përpiqesha ta imagjinoj jetën si nje dhembje kolektive sa një pus ku hapi për të dalë ishte ai i kapërcimit të kësaj ndërtese.

Ishte vetëm një çast sepse ajri i ftohtë i mbrëmjes më nxorri “dhunshëm” nga këto mendime.

E premtja vjen shpejt për seancën e radhës. Por jo e premtja e zezë.