Albspirit

Media/News/Publishing

Doktoraturë Honoris Causa për aktoren Eliza Dushku

Fundjavën e kaluar, aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, u nderua nga Universiteti Lesley me titullin Doctor Honoris Causa, një doktoraturë nderi në ceremoninë e diplomimit në vitin 2026.

Eliza Dushku u nderua për kontributin dhe punën e saj të jashtëzakonshme në fushën e shëndetit mendor, trajtimit të traumave dhe promovimit për terapitë inovative.

Pasi u largua nga aktrimi në vitin 2017, ajo u diplomua në po të njëjtin universitet për psikologji holistike (bachelor) dhe më pas për Këshillim Klinik të Shëndetit Mendor (master). Dushku është certifikuar dhe ka punuar aktivisht në kërkimin dhe aplikimin e terapive të asistuara me psikodelikë për trajtimin e personave që vuajnë nga PTSD dhe çrregullimet e sistemit nervor. Gjithashtu ajo punon si terapiste në programin Home Base dhe shërben në bordin e organizatës VETS, duke ndihmuar veteranët e luftës dhe familjet e tyre të kurojnë plagët e padukshme të traumës.

Lesley University e vlerësoi Eliza Dushkun si një shembull të fuqishëm të transformimit personal dhe përkushtimit për t’i shërbyer shërimit të komunitetit.

Dushku, e cila ka prejardhje shqiptare, u bë e njohur që në moshë të re në industrinë e filmit amerikan. Ajo fitoi famë ndërkombëtare me rolin e saj si Missy në filmin kult të viteve 2000, “Bring It On”. Më pas, aktorja zgjeroi karrierën e saj me role në filma të zhanrit thriller dhe horror, përfshirë “Wrong Turn”, si edhe me prezencë të vazhdueshme në televizion. Eliza Dushku u tërhoq nga karriera filmike në moshën 33-vjeçare.

“Kthimi në Lesley për t’u folur të diplomuarve të këtij viti dhe për të marrë këtë njohje nga profesorët dhe mentorët që ndihmuan në formësimin e atij udhëtimi, ishte mrekullisht emocionuese dhe diçka që do ta mbaj me vete për një kohë të gjatë. Sigurisht që sot ka një nevojë të vërtetë në botë për njerëz të kujdesshëm dhe të dhembshur, të gatshëm të ulen vërtet pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Eliza Dushku./atsh