Mevlan Shanaj: Të shoh në sy
Të shikosh një njeri në sy gjatë një bisede është një nga gjestet më të thjeshta, por edhe më domethënëse të marrëdhënieve njerëzore. Sytë nuk shërbejnë vetëm për të parë botën; përmes tyre njeriu zbulon praninë e vet, sinqeritetin, vëmendjen dhe respektin ndaj tjetrit. Kur dikush të dëgjon duke të parë në sy, të jep një ndjesi të heshtur sigurie, sikur të thotë: “Jam këtu dhe po të dëgjoj”.
Në atë çast krijohet një lidhje e padukshme që nuk ndërtohet nga fjalët, por nga prania. Shpesh një vështrim i vërtetë arrin të thotë më shumë sesa një fjali e gjatë. Ai përcjell besim, mirëkuptim, ndonjëherë edhe dhembshuri. Prandaj njeriu e dallon menjëherë kur kjo mungon.
Shmangia e syve nuk është gjithmonë shenjë mosrespekti. Ajo mund të vijë nga turpi, pasiguria, emocionet ose hutimi. Megjithatë, ka raste kur mungesa e vështrimit tregon diçka më të thellë: mungesë interesi, shpërqendrim ose paaftësi për të qenë plotësisht i pranishëm. Atëherë biseda vazhdon, fjalët qarkullojnë, por shpirti i dialogut ka humbur rrugën. Dy njerëz flasin, por nuk takohen.
Kur ekziston respekti i vërtetë, syri qetësohet. Nuk ka nevojë për role, për maska apo për teatër. Dy njerëz që e vlerësojnë njëri-tjetrin dëgjojnë me fytyrë, me mendje dhe me zemër. Ata kërkojnë në sytë e tjetrit jo vetëm atë që thuhet, por edhe atë që mbetet e pathënë: dyshimin, gëzimin, trishtimin, shpresën.
Sot jetojmë në një kohë të mbushur me shpërqendrime. Ekranet na thërrasin më fort se njerëzit, nxitimi na merr përpara dhe vëmendja bëhet gjithnjë e më e rrallë. Por, pavarësisht ndryshimeve të kohës, njeriu ruan të njëjtën nevojë të lashtë: të ndihet i parë dhe i kuptuar. Sepse të shohësh dikë në sy nuk është thjesht një mënyrë komunikimi; është një mënyrë për t’i njohur ekzistencën.
Ndoshta respekti fillon pikërisht aty: në aftësinë për të ndalur për një çast, për të lënë mënjanë gjithçka tjetër dhe për t’i thënë tjetrit, pa fjalë: “Ti je i rëndësishëm për mua dhe unë jam këtu”. Guximi për të parë në sy do të thotë se jeta jote ka vendosur një yll në ndriçimin e udhës për emrin tënd, për familjen tënde.Ylli yt nuk do të shuhet.Lidhur me këtë temë kam edhe filmin “Të shoh në sy”