Bernard Zotaj: Mbi disa çështje ushtarake dhe historike
Jam i detyruar të bëj këtë sqarim në lidhje me një shkrim lavdërues të një avokati të nderuar, i cili ka reaguar ndaj një materiali timin të botuar në gazetën SOT më 24 gusht 2024. Në atë shkrim unë kisha tërhequr vëmendjen mbi një çështje të caktuar të terminologjisë dhe organizimit ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare: dallimin ndërmjet çetave partizane dhe çetave territoriale të fshatrave.
Pas dy vitesh, më 24 gusht 2026, avokati i nderuar ka botuar një shkrim me titull “Mbi dizinformimin dashakeqës të Bernard Zotaj për Çetën Myrselimi”, duke iu referuar materialit tim sikur ai të ishte shkruar e botuar në vitin 2026. Në fakt, shkrimi im është i datës 24 gusht 2024 dhe jo i 24 gushtit 2026.
Për më tepër, ky reagim është përcjellë edhe në gazetën e tij “Kushtrim Brezash” të datës 4 shtator 2026. E falënderoj, në njëfarë mënyre, që më rikthen në faqet e kësaj gazete pas një mungese të gjatë. Emri im, gjithsesi, nuk ka qenë i panjohur për këtë fushë: ai është i pranishëm në libra, në faqet e gazetave dhe botimeve të historisë ushtarake që prej vitit 1975.
Por le të lëmë mënjanë çështjen personale dhe të merremi me faktet historike dhe terminologjinë ushtarake.
Çfarë kam shkruar për Çetën e Myrselimit?
Në materialin tim kam theksuar një fakt të thjeshtë dhe të verifikueshëm: në dokumentacionin historik të hartuar nga strukturat dhe drejtuesit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Çeta e Myrselimit nuk figuron e përcaktuar si çetë partizane. Kaq kam thënë.
Nuk kam mohuar kontributin e njerëzve që morën pjesë në luftë, nuk kam mohuar sakrificat e tyre dhe as rëndësinë e veprimeve të armatosura kundër pushtuesit. Kam vënë në diskutim vetëm përcaktimin historiko-ushtarak të formacionit, duke u mbështetur në dokumentacion.
Dhe këtu qëndron thelbi i debatit. Historia ushtarake nuk mund të shkruhet mbi dëshira, interpretime të mëvonshme apo mbi mënyrën se si një formacion është cilësuar shumë vite pas përfundimit të luftës. Ajo duhet të mbështetet para së gjithash në dokumente, urdhra, raporte, struktura organizative dhe burime të kohës.
Çeta partizane dhe çeta territoriale nuk ishin e njëjta gjë
Gjatë LANÇ-it, në dokumentacionin ushtarak të kohës bëhet dallim ndërmjet formacioneve partizane dhe strukturave territoriale. Çetat partizane ishin formacione të armatosura të lidhura me strukturën dhe organizimin e forcave partizane, me detyra luftarake që përcaktoheshin në kuadrin e organizimit të UNÇSH-së.
Ndërsa çetat territoriale të fshatrave kishin karakter tjetër. Ato lidhnin mbrojtjen e territorit, të fshatit dhe të popullsisë vendase me nevojat e luftës. Ato mund të merrnin pjesë në veprime luftarake dhe të jepnin kontribut të rëndësishëm, por kjo nuk do të thotë automatikisht se çdo çetë territoriale duhet të quhet çetë partizane. Ky dallim nuk është shpikje e imja. Ai gjendet në dokumentacionin e periudhës dhe në botimet e historisë ushtarake.
Dokumentet janë dëshmitari më i mirë
Në Dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm, të botuara në dy vëllime, trajtohen edhe organizimi, detyrat dhe funksionet e formacioneve të ndryshme të luftës. Këto dokumente janë ndër burimet kryesore për të kuptuar se si e konceptonin vetë drejtuesit e luftës organizimin e forcave të armatosura. Për këtë arsye, kur diskutojmë nëse një formacion ka qenë apo jo çetë partizane, nuk mjafton që sot ta quajmë të tillë. Duhet të shohim si është emërtuar në dokumentet e kohës, në çfarë strukture ka bërë pjesë dhe cilat kanë qenë detyrat e tij ushtarake.
Unë këtë çështje e kam trajtuar pikërisht nga këndvështrimi i historisë ushtarake. Kam drejtuar Degën e Historisë Ushtarake në Akademinë e Mbrojtjes dhe për shumë vite jam marrë me studimin e organizimit, zhvillimit dhe historisë së Forcave të Armatosura shqiptare. Për këtë arsye, kur flas për terminologjinë ushtarake, e konsideroj të nevojshme që ajo të përdoret me saktësi dhe jo sipas përshtypjeve.
Çetat partizane janë evidentuar dhe studiuar nga komisione, institucione dhe autorë të ndryshëm që janë marrë me historinë e LANÇ-it. Ato gjenden në botime historike, fjalorë, atlase dhe studime të ndryshme. Një burim i rëndësishëm për këtë është edhe Fjalori Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, ku janë pasqyruar formacione të ndryshme të historisë ushtarake shqiptare. Prandaj, para se të përdoren akuza të rënda si “dezinformim dashakeqës”, do të ishte më e dobishme të kontrolloheshin dokumentet dhe burimet historike.
Debati shkencor fitohet me dokumente, jo me etiketime. Po dëshmorët e Çetës së Myrselimit?
Në aktivitetet përkujtimore të zhvilluara në gusht 2026, ku është trajtuar edhe historia e kësaj çete, është folur edhe për dëshmorët e saj. Por këtu lind një tjetër pyetje që kërkon përgjigje dokumentare.
Në librin “Dëshmorët e Peqinit”, ku janë përfshirë 36 dëshmorë të Bashkisë Peqin të rënë gjatë luftës, në kartelat dhe dokumentacionin e përgatitur nga organizata e Veteranëve, nuk rezulton që ndonjë prej tyre të jetë përcaktuar si pjesëtar i Çetës së Myrselimit. Në të njëjtin dokumentacion përmenden qartë dëshmorë të lidhur me Çetën e Pezës dhe me brigadat sulmuese. Nëse sot pretendohet se Çeta e Myrselimit ka qenë formacion partizan dhe se ka pasur dëshmorë të saj, atëherë pyetja është shumë e thjeshtë: Ku janë dokumentet e kohës që e provojnë këtë? Në histori, veçanërisht në historinë ushtarake, një pretendim i tillë duhet të mbështetet me dokumentacion konkret.
Nuk është rasti i vetëm. Përpjekje për të kaluar një formacion territorial në kategorinë e një formacioni partizan janë bërë edhe në raste të tjera, përfshirë raste të diskutuar në Lumin e Vlorës. Kur çështja është parë mbi bazën e dokumenteve dhe të organizimit real ushtarak të kohës, debati është sqaruar. Kjo tregon se problemi nuk është personal dhe as i lidhur vetëm me një emër apo një çetë. Problemi është saktësia e terminologjisë historiko-ushtarake.
Edhe çështja e 28 të masakruarve kërkon saktësi
Në një pjesë tjetër të debatit është folur për një fshat dhe për 28 persona të masakruar, duke u ngritur pretendimi se ata duhej të shpalleshin dëshmorë. Edhe këtu duhet të kontrollohet dokumentacioni. Sipas të dhënave që disponohen, 28 personat e masakruar ishin shpallur dëshmorë vite më parë. Për rrjedhojë, para se të kërkohet shpallja e tyre si dëshmorë, duhej verifikuar më parë statusi i tyre në dokumentacionin zyrtar. Kjo është një rregull bazë në çdo punim historik: më parë kontrollohet dokumenti, pastaj bëhet interpretimi.
Një këshillë për terminologjinë ushtarake
Meqë po flasim për historinë ushtarake, do të ishte mirë që termat të përdoren me kujdes. Në një nga shkrimet e botuara në gazetën “Kushtrim Brezash” haset edhe shprehja “Shtabi i Ushtrisë për Qarkun e Beratit”. Kjo terminologji kërkon sqarim. Nëse bëhet fjalë për strukturat ushtarake të LANÇ-it, atëherë duhet të përdoren emërtimet që kanë ekzistuar realisht në organizimin e asaj kohe. Nuk mund të krijojmë pas pesëdhjetë apo tetëdhjetë vjetësh struktura ushtarake që nuk kanë ekzistuar me atë emërtim. Historia ushtarake ka terminologjinë e saj, strukturat e saj dhe hierarkinë e saj. Ato nuk mund të zëvendësohen me terma të krijuar më vonë.
Një debat që duhet të mbetet në kuadrin e historisë
Unë nuk kam ndërmend të shkruaj historinë e avokatisë shqiptare. Nuk është fusha ime dhe, nëse do të provoja ta bëja pa njohuritë e nevojshme, ka shumë të ngjarë që të bëja gabime. Prandaj pres të njëjtën korrektësi edhe nga të tjerët. Ju jeni avokat dhe keni fushën tuaj të ekspertizës. Unë jam marrë për një kohë të gjatë me historinë ushtarake, organizimin e Forcave të Armatosura dhe dokumentacionin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Dëshmorëve të Shqipërisë. Mund të kemi mendime të ndryshme. Kjo është normale. Por ndryshimi i mendimit nuk duhet të kthehet në sulm personal.
Nëse ka dokumente që kundërshtojnë atë që kam shkruar për Çetën e Myrselimit, le ti vendosim mbi tryezë. Ti lexojmë, ti krahasojmë dhe ti analizojmë. Nëse dokumentet provojnë se unë kam gabuar, jam i gatshëm ta korrigjoj. Por nëse dokumentet nuk e provojnë pretendimin, atëherë nuk mund të zëvendësojmë dokumentin me etiketime si dezinformim dashakeqës.
Historia nuk është pronë e askujt. Ajo është përgjegjësi ndaj së vërtetës
Dhe sidomos historia e LANÇ-it, e cila po largohet çdo ditë e më shumë nga kujtesa e brezave, kërkon prej nesh më shumë seriozitet, më shumë dokumente dhe më pak polemika personale. Prandaj, le ti mësojmë mirë termat, le ti lexojmë dokumentet dhe pastaj të debatojmë. Dokumenti është ai që vendos. Jo zëri më i lartë, jo akuza dhe as lavdërimi.