Albspirit

Media/News/Publishing

“JAM ZËRI JUAJ” QË THYEN HESHTJEN PËRTEJ BREZNIVE…

(Meditime mbi vëllimin poetik “Jam zëri juaj” i poetes, Kozeta Zavalani)

Nga Raimonda Moisiu-SADE

Kur poezia fluturon me krahët e saj, sigurisht që do të kthehet në rrënjët e freskëta të origjinës, që ekziston brenda gjithckaje njerëzore dhe shpërthen nga bukuria e shpirtit artistik.

Për poeteshën Kozeta Zavalani, veprat e saj poetike, lirike dhe artistike i shërbejnë lexuesve dhe dashamirësve të poezisë, ngaqë i japin kuptim jetës, dashurisë, bukurisë shpirtërore e njerëzore, dhe përcjellin mesazhin e dashurisë, ndjeshmërinë e poetes, mprehtësinë e shkrimtares e gazetares dhe forcën e gruas së shoqërisë civile. Kam në dorë vëllimin poetik të titulluar; “Jam zëri juaj” shkruara nga intelektualja, gazetarja dhe poetja Kozeta Zavalani: “Jam po unë”- (nënkupto “Zëri Juaj”) – “Me vështrim ëndërrimtar si dikur…/ një grua që ende flet me dritën, /me kujtimet që nuk plaken/ dhe me shpresat që nuk dorëzohen.”

Vargjet lirike të mësipërme portretizojnë një figurë femërore që, megjithëse vitet kalojnë, gjallëria e saj e brendshme mbetet e paprekur, kujtimet nuk plaken dhe shpresat nuk fiken.

“Flet me dritën” një metaforë e fuqishme, -drita që shpreh optimizmin, të vërtetën, hyjnoren dhe  bisedën me shpirtin e poetes, ajo nuk jeton në errësirën e dëshpërimit, por kërkon dritë. Koha mund të plakë trupin, por kujtimet, përjetimet, dashuritë, sfidat mbeten po aq të gjalla dhe të freskëta sa ditën e parë që kanë ndodhur, ato kurrë s’plaken, -ato janë burim force dhe nostalgjie, dhe jo një peshë melankolie.

Ky vëllim poetik i “endur” me mjeshtëri nga një penë që merr përsipër të jetë zëdhënësja e shpirtrave të panumërt,

vjen si një monument letrar  dedikuar zërit dhe shpirtit femëror, intektual e krijues, vetëdijes e cilësive shpirtërore të gruas poete e shkrimtare me vizionin, pozitën dhe historinë e saj. I konceptuar nga autorja Kozeta Zavalani si “Një Buqetë me Poezi kushtuar mikeve të mia, poeteve”) –një dhuratë shpirtërore me rastin e 8 Marsit –Dita Ndërkombëtare e Gruas – datë që përkon në mënyrë simbolike edhe me ditëlindjen e vetë poetes; “Mars – Muaji im, Muaji i Grave, / Mars, ti je muaji im i lindjes, / rrënja e parë e pranverës në shpirtin tim.”

Atmosfera në këto vargje është sa intime aq edhe meditative, krijon imazhin e një gruaje në qetësi, ndoshta duke parë nga dritarja dhe në bisedë të heshtur me universin, muajin Mars e thërret “rrënja e parë e pranverës’– sepse autorja dhe Festa e Grave kanë lindur bashkë me pranverën, andaj edhe ky libër kapërcen kufijtë e një urimi të thjeshtë festash. Ai kthehet nga kauza te vargu shpirtëror, nga dimensioni qytetar dhe human në udhëtimin e një migratoreje të fjalës të lirë dhe portës së shpirtit: “Një portë e hapur me dritë e liri, / ku jetojnë ëndrrat pa kompromis, / Në çdo hap timin, në çdo mendim, / rrjedh dashuria si një burim, /dhe rruga ime bëhet bekim, / në këtë simfoni pa mbarim”,  nëpër kalvarin e dhimbjeve,, sakrificave,  triumfet dhe ndjenjat e gruas shqiptare.

“Jam zëri juaj” është një kushtrim, një urë shpirtërore dhe një dëshmi e gjallë e forcës së penës femërore shqiptare. Ky libër vjen si një mozaik i jashtëzakonshëm polifonik, ku poetja Kozeta Zavalani thyen heshtjen përtej breznive; “Ti je nga ata njerëz, / që edhe kur heshtin, /duket sikur shkruajnë poezi me shpirt.”/ –  për të rrëfyer të vërtetat e mëdha të ekzistencës së “gjysmë-bota” –sikundër e vlerëson gruan,  autorja në librin e saj publicistik, – “Gjysmë-Bota”.

Vetëshpallja “Jam zëri juaj”  na rrëfen se poetja Zavalani merr përsipër misionin e vështirë  dhe flet në emër të gruas poete, shkrimtare, intelektuale e qytetare. Ky deklamim i fuqishëm ka karakter programatik, testamentar dhe shoqëror që mbart peshën emocionale dhe atë historike.

Vëllimi poetik “Jam Zëri Juaj”, është një himn për rininë e përjetshme të shpirtit, ku  lexuesi do të përballet me një univers ndjenjash të sinqerta, me shpirtin e një gruaje, pra “gjysmë-bota” në vargje, është ai, zëri që ndryshon botën, me lirikat e dashurisë dhe shpirtit, motivet sociale, paqja dhe të drejtat e grave. Poezia “Gruaja me kapele të kuqe” –një poezi mjaft e bukur evokative dhe medituese me vargje lirike që poetja Zavalani  menaxhon ndjeshëm, paralelizime figurative, të erotizuara me materjen lirike dhe konceptin filozofik të dashurisë njerëzore. Vargjet “Kapela e saj e kuqe, / si një petal trëndafili mbi flokët e natës,”– nuk përshkruan thjesht elegancën apo joshjen e saj të jashtme, por shërben si një simbol i fuqishëm për integritetin, dinjitetin, dashurinë  dhe botën e saj të pasur shpirtërore; “fsheh brenda rrudhave një histori dashurie,/ një jetë të mbushur me stuhira e diell.” Një dedikim i ndjerë  për një grua që rrezaton bukuri e mirësi, që jep e merr dashuri. Ngjyra e kuqe dhe kapelja përfaqësojnë guximin, stilin dhe prezencën e saj të pamohueshme në shoqëri, atë të një qytetareje model dhe një njeriu me zemër të madhe.

E vecanta te “Gruaja me kapelen e kuqe”, qëndron se poetja konfirmon forcën e energjisë shpirtërore përpos ngjyrës së kuqe që simbolizon dashurinë, sepse;  “është poezia vetë”- manifestimi i shpirtit të bukur: “me aromë trëndafili dhe forcë gruaje”,  -një shpirt i ndjeshëm, sensual, lirik, dhe romantik, -“që di të mbijetojë”-falë ambicjes së ndryshimit në botën e brendëshme shpirtërore, e rrethuar nga dashuria. Poezia e Kozetës është porta e shpirtit të një gruaje të shquar që vjen si stina e ndryshimit, me ndjeshmërinë e poetes, mprehtësinë e gazetares dhe forcën e gruas së shoqërisë civile.

Ajo i gëzohet pranisë së reales, asaj të dukshmes dhe emocionit spontan; “Lulja mbi xhaketë,/ si pranvera që nuk pranon të shuhet,/ dhe flokët e zinj ,/ ruajnë ende misterin e vajzërisë../ Ka njerëz që plaken me vitet…/ por ka të tjerë që mbeten ëndërrimtarë përgjithmonë!”.

Pra poetja Zavalani është e vetëdijëshme jo vetëm nga motivi dhe intensiteti emocional  i mesazhit që poezia mbart, porse ajo ndërton bazën poetike përmes nuancave shumëngjyrëshe dhe simbolizon mirësinë dhe paqen, gjuhën e dashurisë, ndjenjën shpirtërore të një gruaje, si nënë, mike, dhe gazetare; Kur flas në mikrofon,/ më këndon zemra, /si dielli që çel në agim,/ Kur flas në mikrofon,/ më dëgjoni e më shihni,/fjalët dalin prej meje si rreze”

Poetja ndërton një botë poetike edhe elegjike, ku nënkupton veten e saj, marrëdhëniet e dashurisë njerëzore, ëndrrat e dëshirat, dhe përjetimin personal e shndërron në përvojë universale: “ushqehen nga energjia ime/ dhe ushqejnë shpirtin tuaj.”

Poetja Zavalani është përherë në kërkim të një klisheje mjeshtërore artistike e filozofike, vecmas kur trajton varfërinë dhe dëshpërimin nëpërmjet kombinacionit poetik, vargjet lirike që gurgullojnë plot elegancë dhe elokuencë në varësi të rrethanave. Çdo varg është një hap drejt vetë-reflektimit, drejt kërkimit të kuptimit në marrëdhëniet njerëzore dhe në dialogun e vazhdueshëm me vetveten: “Zëri më ngrihet si dritë,/ fjalët më dalin si frymë,/ si petale drite në ajër”.

Dashuria në poezinë e saj nuk është e zbukuruar artificialisht, ajo paraqitet e plotë — me dritat dhe hijet e saj, është mister, është ankth, është mall, është përballje, është misioni njerëzor dhe i shenjtë i jetës njerëzore: Kur me del gjumi/ Çarçafi i bardhë tërhiqet nga zgjimi.”

Pikërisht kjo ndjeshmëri emocionale e bën poezinë e Kozetës të prekshme dhe autentike, simbole të udhëtimit poetik, që depërton në shpirtrat njerëzorë, me vargje plot muzikalitet dhe fuqi shpirtërore, të ndjeshme dhe emocionale: “Më lini pak, vetëm pak pas zgjimit, /T’i flas vetes si shoqe, / T’i flas vetes  si nënë,/ Edhe si grua…/ Pastaj çarçafi të fluturojë.”

Sigurisht, është fuqia e talentit të saj, që ajo zhvillohet dhe rritet më tej, por mbi të gjitha, një rol të rëndësishëm në krijimin e saj, i cili është përvetësuar nga shpirti i saj nomad, udhëtimi i një migratoreje të fjalës, ndërsa poezia e saj si pasqyrim i një jete në shërbim të ndryshimit, vetëdijes dhe mendjes njerëzore.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e krijimtarisë së saj është vetë-reflektimi. Pasqyra, kujtesa, ëndrra dhe realiteti ndërthuren për të krijuar një hapësirë poetike ku autorja guxon të përballet me brishtësinë, por edhe me forcën e saj të brendshme. Figura femërore në vargjet e saj nuk është viktimë e ndjenjës; ajo është e ndjeshme, por e vetëdijshme, e lënduar, por edhe dinjitoze: “Në shtëpinë e Anne Frank, imagjinoj fytyrën e saj, /kur jetoi në Amsterdam, /në kohën më të errët.” 

Gjuha e përdorur është e pastër, e drejtpërdrejtë dhe e çlirët, vargu shpesh i shkurtër, i prerë, krijon ritëm të natyrshëm dhe e bën poezinë të rrjedhë si mendim i sinqertë. Autorja nuk kërkon të fshehë emocionin pas teknikës; përkundrazi, ajo i jep përparësi ndjenjës, duke e bërë poezinë një akt të hapur shpirtëror, për të zbutur sadopak ato; streset, dhimbjet dhe ndjeshmërinë e  tyre nga problemet, dhe mosmarrëveshjet në të përditshmen njerëzore

“Në dritën e diellit je e qeshur,,/ecën e qetë, e plot hijeshi,/Me zemër të hapur dhe shpirt të pasur,/Si lule pranvere shpërndan dashuri.”

Këto janë vargje lirike me një ritëm muzikal dhe rrjedhës, të cilat i thurrin himn bukurisë shpirtërore, paqes së brendshme dhe ndikimit mirëbërës që një njeri pozitiv ka në botën që e rrethon.

Vëllim poetik “Jam Zëri Juaj”, është dëshmi e një zëri që ka zgjedhur të mos heshtë, është dëshmi e një shpirti që ndjen thellë dhe që e kthen ndjenjën në art.

“Në brigjet e Osumit të kthjellët,/ku ura legjenda ruan,/Vitorja ndalet e përhumbet,/me sytë ku largësinë e mallin.”  Këto vargje lirike dedikuar humanistes dhe shkrimtares Vitore Stefa Leka, mbartin një ngarkesë të fuqishme emocionale dhe kombëtare. Përmes imazhit poetik të brigjeve të Osumit dhe urës legjendare të Beratit, poetja rindërton zanafillën dhe rrënjët e thella të “Vitores” në atdhe. Figura e saj shfaqet në një gjendje meditative të përhumbjes, ku shikimi që “largësinë e mallin shuan” simbolizon jetën e saj në mërgim (Trieste) dhe lidhjen e pashkëputëshme shpirtërore me vendlindjen. Vargjet kthehen kështu në një homazh poetik për mallin e diasporës, duke e lartësuar Vitore Stefa Lekën si një urë lidhëse e gjallë midis historisë, kujtesës dhe dashurisë së pashuar për truallin shqiptar. Poetja Zavalani blasfemon në emër të instiktit njerëzor, dhe lexuesi që do të hyjë në këto faqe nuk do të gjejë vetëm poezi; do të gjejë fragmente jete, çaste të brishta, pyetje të pathëna dhe përgjigje që lindin mes vargjeve, mes realitetit, imagjinatës dhe kulturës poetike thellësisht humane, të shpërfaqura në mënyrë meditative,  magjepsëse, dhe  romantike të stilit frymëzues femëror. Dashuri që digjet e rilind,  mungesë që rëndon, nostalgjisë, mallit, dhe zhgënjimit që lë gjurmë, ëndrrës e dashurisë, paktin e shpirtit me intimen, por edhe shpresë që nuk shuhet. Kjo është poezia e Kozeta Zavalanit: e ndjerë, e sinqertë dhe njerëzore.

Te poezia “E veshur me bardhësinë e mëngjesit”, poetja Zavalani shfrytëzon bindshëm mjeshtërinë e vet artistike dhe atë filozofike, jo vetëm në konceptimin e vargul poetik, por edhe fizionominë e tij,  që është një udhëtim i thellë mes dritës dhe errësirës, mes brishtësisë dhe forcës së brendshme. Ajo ka një dimension filozofik dhe ekzistencial shumë të fuqishëm. Bardhësia si fillim dhe pastrim, vargjet e para krijojnë një atmosferë të pastër, gati ëngjëllore. Bardhësia e mëngjesit nuk është thjesht ngjyrë – është gjendje shpirtërore, ndërsa  mjegulla, vesa, ajri i hollë – të gjitha janë elemente që simbolizojnë kalimin, transformimin, energjinë që ndryshon formë, por nuk zhduket, këtu ndjehet edhe një nëntekst filozofik mbi kohën dhe universin. Koha dhe qarku i saj “Faqja e orës së horizontit” është një metaforë shumë e bukur, aty koha kryqëzohet me dritën, është pika e ndërgjegjes, edhe kur gjithçka duket sikur tretet. Te “Dy botët paralele” poezia merr dimension dramatik; Bota e parë është e dhimbshme, simbolike, me imazhe të forta: humbje, batak, zhurma shpatash, është ajo bota e përballjes me padrejtësinë, me rrezikun, me ndjesinë e mbytjes shpirtërore. Por edhe aty ka dritë – pishtarët që ndizen e shuhen tregojnë se brenda teje ekziston ende flaka. Bota e dytë është thirrje,  është zgjim, është manifest jetësor dhe njerëzor; “Nga thellësia e akullit në vlim, poetja shpall mesazhin: “Gëzoni jetën,/Qeshni. /Mos e lini kohën të përqafuar.”

Ishte një kënaqësi e vecantë të punoja e të shkruaja për vargjet lirike dhe poezinë e poetes Kozeta Zavalani. Ato mbartin në vetvete ndjeshmërinë e gruas krijuese dhe intelektuale, poezia e saj  ka shpirt — dhe kur ka shpirt, fjala gjen gjithmonë rrugën e saj.

Kozeta Zavalani është një emër fort i njohur në krejt trojet shqiptare; Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Ajo konsiderohet sot një ndër 26 gratë e shquara në botë, përfaqësuese e denjë dhe produktive, rrëfyese serioze e origjinalitetit të zërit femëror, qytetar dhe intelektul. Përvecse e njohur  si shkrimtare dhe poete, -krijimtaria e saj shtrihet edhe në fushën e publicistikës dhe letërsisë dokumentare si gazetare e pavarur, ajo është aktiviste dhe promovuese e  shquar e gruas artiste, shkrimtare, poete, politikane, shoqërisë civile, dhe mbështetëse e kauzës së cështjes shqiptare, vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Nga Raimonda Moisiu –Sade

Author/ Freelancer

Jacksonville/Florida/USA

https://lexo.al/2026/09/jam-zeri-juaj-qe-thyen-heshtjen-pertej-breznive/?fbclid=IwY2xjawUKyDlwZG9mBWV4dG4DYWVtAjExAHNydGMGYXBwX2lkEDIyMjAzOTE3ODgyMDA4OTIAAR4sKmiNhSp6_B-G7Ys1XVPU7DKuLyCugOgJMHBKCf0Lga0l5zlNfzZMaUeOXA_aem_Eka8I5IfRSG6DCkrY9n_Ww