Luan Rama: Ju që protestoni, mos harroni Çamërinë
MOS HARRONI!… Ju nuk duhet të harroni!
Ju manifestues që keni mbushur rrugët e Tiranës dhe sheshet e qyteteve të tjera të Shqipërisë;
Ju, nuk duhet të harroni atë që politika nacionaliste e qeverive të njëpasnjëshme greke si dhe e politikës dritë-shkurtër të qeverisë shqiptare ka bërë duke e dëmtuar dhe kthyer në heshtje «çështjen çame». Ndërkohë që oreksi për toka dhe «pushtime» të reja të «partizanëve vorio-epirotë” për trojet e lashta shqiptare është shtuar, çështja çame duhet ti rikthehet debatit politik në nivelin e lartë por edhe atë popullor shqiptar, që çështja çame mos të vazhdojë të jetë e mbyllur në kalendrat greke.
Çështja çame konsiderohet sot nga të dy qeveritë si një çështje e mbyllur që i përket të kaluarës dhe që s’ke pse ti kthehesh, çka do të thotë ta harrosh gjithë tradicionin historik, identitar e kulturor të një pjesë të rëndësishme të trungut shqiptar që iu shkëput Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në 1913, ashtu siç iu shkëputën dhe trevat shqiptare të Kosovës dhe të trevave të tjera rreth kufijve aktualë.
Pra ju që manifestoni nuk duhet ta harroni Çamërinë e Shqipërisë dhe ëndrrën e çamëve të shkojnë të shohin shtëpitë e tyre dhe të drejtën për t’u kthyer si qytetarë evropiane, në një kohë kur Shqipëria nuk ka nevojë për ndryshime kufijsh, por për forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë me të gjitha vendet e rajonit.
Çamët e Shqipërisë kërkojnë që të mos fshihet nga tekstet e historisë apo realiteti shqiptar e ballkanik tradita e fuqishme dhe identiteti i një popullate që ka kontribuar në shekuj për këtë Shqipëri. Ju jeni ngritur kundër korrupsionit dhe arbitraritetit por mos e harroni çeshtjen çame në një kohë që bëhet çmos që të heshtet ; fondacionet dhe shoqatat e shumta të të Drejtave të Njeriut në vendin tonë nuk duhet ta harrojnë këtë, ndërkohë që vazhdimisht flasin për të Drejtat por për Çamërinë nuk guxojnë të flasin.
Nëse ekstremistë grekë përtej kufirit e deri në «tempullin» e Athinës klithin për luftë, ne klithim për paqe; nëse ata bërtasin për «Vorio-Epirin» ne bëjmë thirrje për mirëkuptim, solidaritet e bashkëpunim të siqertë. Ne e shohim ekzistencën e solidaritetit të hershëm dhe të kontributit arvanitas në Revolucionin Grek, të emigracionit të sotëm si dhe të zgjidhjes së çështjes çame, (pasojë e spastrimit etnik) si një bazë dhe urë lidhëse për të nesërmen tonë të përbashkët.
Popujt kërkojnë gjithnjë paqen dhe fqinjësinë e mirë. Mos harroni!