NJË LIBËR I RRALLË DHE NJË PORTRET I PANJOHUR I GJON MILIT
Kristaq BALLI
Gjatë gjurmimeve për jetën dhe veprimtarinë artistike fotografike të Gjon Milit kam ndeshur së fundmi edhe në një libër të rrallë, të panjohur, për të cilin nuk është shkruar ndonjëherë në shtypin e huaj apo atë shqiptar.
Ky libër katalog, me dimensione 29,5 cm x 21cm dhe me 122 faqe, me letër të përshtatshme fotografike, ka në brendinë e tij 81 fotografi të dimensioneve të mëdha e të një printimi ekstracilësor nga prodhimtaria fotografike e zgjedhur e Gjon Milit, me tematikë e teknika të ndryshme, kryesisht stroboskopike, pa ngjyra dhe të kontrasteve të thella bardh’ e zi. Ai përmban, gjithashtu edhe 4 shkrime prezantuese një parathënie, një pasthënie dhe një intervistë të Gjon Milit, si dhe disa kujtime mbi Gjon Milin të shkruara nga artistë të shquar amerikanë e japonezë . Të gjitha shkrimet e librit janë në gjuhën japoneze dhe absolutisht të një vlerësimi superior dhe eternal për figurën artistike dhe humane botërore të Gjon Milit.
Ballina e librit është e bardhë, minimaliste në gjuhën angleze “ The Photographer Gjon Mili” (Fotogfrafi Gjon Mili), edhe prapshtina po ashtu me stampën e vogël ngjyrë gri në qendër “nikkor club”. Libri ka një mbështjellje me këmishë plastike të hollë transparente.
Ndërkohë titulli i librit në japonisht (f. 3) është “Gjon Mili- Ky Fotograf i Madh”. Katalogu është botuar në Mars të vitit 1982. Por vepra merr vlera të veçanta historike e kulturore, pasi ai është botim special i “Nikkor Club”1), më specifikisht i serisë së botimeve të tij ekskluzive “Librat e Nikkon Salon” në Tokio, Japoni. Ky botim mban numurin 8 të kësaj serie botimesh.
Kur flasim për fotografinë duhet të përmendim se Japonia në vitet 70-80 të shekullit të kaluar ( ashtu si edhe sot) ishte një nga qendrat kryesore të fotografisë botërore. Nikkor Club është një shoqatë ndërkombëtare e krijuar më 1953 për entusiastët e fotografisë dhe profesionistët që përdornin lente NIKKOR me lidhje historike me Tokion, të bazuara edhe në historinë e korporatës Nikon. Ndërkohë që klubi lehtësonte shkëmbimin global, Muzeu Nikon që ndodhej pranë zyrave qendrore (Shinagawa) shërbente si një vendtakim për të parë kamera, lente e pajisje të gjithanshme fotografike, por edhe për konkurse, sesione fotografimi kolektive dhe botime revistash e albumesh (Photo books, annuals), ekspozita, etj. Ajo përfshinte fotografë të njohur japonezë dhe ndërkombëtarë (psh. nga revista LIFE dhe Magnum Photos). Këtu do ta gjejmë edhe origjinën e katalogut të Gjon Milit.
Dihet tashmë se Gjon Mili ishte një prej figurave qendrore të fotografisë botërore, jo vetëm në aspektin artistik dhe talentin e tij gjenuin, por edhe në zbatimin krijues shkencor të nivelit të lartë e origjinal të krijimtarisë së tij, që bazohej në profesionin e tij si inxhinier ndriçimi, produkt ekselent i universitetit të famshëm MIT (Instituti Teknologjik i Massachusets). Kështu që, lidhja dhe bashkëpunimi me kompaninë Nikon (Nikkor) në fushën e pajisjeve fotografike, kamerave, ato të ndriçimit, filmat dhe eksperimentimin e teknologjive avangarde të Japonisë, edhe në kuadrin e përfshirjes së tij si fotograf (e fotoreporter) në një prej revistave amerikane më të rëndësishme të kohës në ShBA, pra revistën “LIFE”, e obligonin atë të ishte në kontakt e lidhje valencash me firmën e njohur japoneze. “Nikon”.
Në kuadrin e këtij bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar vepronte edhe Shoqata “Nikkor” e cila përfshinte si anëtarë në gjirin e saj të personaliteteve artistike shkencorë edhe duke kryer aktivitete të ndryshme në favor të tyre. Nuk e dimë saktësisht nëse Gjon Mili ka qenë anëtar i këtij klubi, sidoqoftë prezenca e tij me famën artistike e autoritetin e lartë shkencor duhet të ketë mbetur e gjithëpranishme. Këto duhet të kenë qenë arsyet pse, kundrejt tij, Nikkor Club i ka kushtuar botimin e katalogut cilësor me një numur të madh të fotografive të tij të zgjedhura.
Duhet të spjegojmë, gjithashtu se botimi i veprave të tilla nga Nikkor Club (Nikon Salon) realizohej me tirazh jo dhe aq të madh e, veç të tjerash, ju dhuroheshin anëtarëve të klubit. Katalogu i Gjon Milit mban numurin 8 qysh nga themelimi i klubit (pra në rreth 50 vjet). Një dilemë tjetër është fakti nëse ky katalog ka qenë shoqërues apo pasqyrues i ndonjë ekspozite homonime, por kërkimet tona të thelluara pranë Nikon Salon nuk na dhanë ndonjë rezultat pozitiv, pasi një ekspozitë, zakonisht nuk shoqërohej me një guidë të këtij niveli superior, por edhe për faktin se një ekspozitë me punimet e katalogut përbënte një ndërmarrje shumë të kushtueshme për një shoqatë artistësh e teknicienësh.
Nga një këndvështrim tjetër, konstatojmë se gjatë kohës kur është përgatitur dhe botuar libri (1982), Gjon Mili jetonte vitet e fundit të jetës dhe, pas një aksidenti rrugor, ishte edhe i sëmurë nga pneumonia, pra ai nuk ka qenë në Japoni për ceremoninë e librit. Megjithatë, një vështrim i kujdesshëm tregon se katalogu është kompozuar e kuruar sipas ideve të tij, ashtu si ai ka vepruar edhe për veprat të tjera që bënë jehonë të gjerë.2)
Por le të futemi tani në brendinë e katalogut : Në fillim të tij – një e papritur surprizuese. Një portret i Gjon Milit i panjohur deri sot (faqe 4). Këtë fotoportret e ka realizuar David Douglas Duncan (1916-2018), një prej fotografëve dhe foto-reporterëve më të famshëm amerikan të terrenit, fillimisht në Luftën e Dytë Botërore në Japoni (Pearl Harbour, në Betejën në Okinawa), Luftën e Koresë, etj., ku u bë i famshëm nëpërmjet veprave të tij fotografike “This is War” (Kjo Është Lufta), 1951,” I Protest!” (Protestoj!), 1968, “War Without Heroes” (Luftë pa Heronj), 1970, si dhe rreth 20 veprave të tjera fotografike, apo kutimeve të tij. Gjatë viteve 1950-1970 ai ka punuar e ka botuar gjithashtu edhe në revistën “LIFE” ku, sigurisht, është njohur dhe miqësuar me Gjon Milin. Po ashtu Duncan është njëri nga fotografët që ka fotografuar më dendur Picasson, veçanërisht në jetën personale, intime e familjare të tij dhe ka botuar disa libra për të.3) Në këto rrethana ai është takuar edhe me Gjon Milin. Figurativisht ata kanë operuar në të njëjtin ekosistem fotografik në SHBA dhe Europë.
Produkt i këtyre marrëdhënieve kolegësh është edhe fotoja që ai i ka bërë Milit. Fotoja është marrë në një çast të pavëmendshëm të Gjon Milit, ndërkohë që Duncan ka shfrytëzuar intuitën e zhdërvjellët e të sprovuar në krijimtarinë e tij për të bërë një shkrepje, duke e rrëmbyer Gjon Milin në një çast domethënës (“stop action”). Duke iu referuar krijimtarisë së Duncan dhe fotove të tjera të Gjon Milit, nuk është rastësi që kjo foto të rezultojë, për mendimin tim, portreti jozyrtar më i realizuar për Gjon Milin gjatë gjithë jetës së tij, mbetur i panjohur edhe për publikun deri në ditët tona.
Koha e realizimit të fotos, sipas mendimit tim, duhet të jetë midis fillimit dhe mesit të viteve ’70, kur ai ishte në moshë madhore, por ende vital e aktiv, me performancë të lartë prodhimtarie artistike.
Elementët vizualë fizikë dhe ato shpirtërore e emocionalë kanë kapur në mënyrë perfekte esencën unike të Gjon Milit, ashtu si e kanë përshkruar edhe me fjalë, apo art edhe personalitete të tjerë, si Zhan Pol Sartri, Arthur Miller, Picasso, Sean O’Casey, Saul Steinberg, Pablo Casals, Henri Cartier- Bresson, John Leongard, etj.
Gëmusha e flokëve është rralluar, ato janë zbardhur e zbutur, balli i është shogur, çka i japin një pamje më fisnike. Syzet e vendosura në ballë përbëjnë një detaj shumë domethënës për një njeri që punon vazhdimisht me shikimin dhe vëzhgimin, por edhe me shplodhjen për disa çaste. Pra, fotoja është shkrepur në momente pushimi, a bisede. Fytyra ka rrudha të theksuara, sidomos rreth syve dhe ballit, të cilat dëshmojnë për përvojë të gjatë jetësore dhe intelektuale. Hunda e madhe me kurriz (që një gazetar në Francë e ka quajtur ”aerodinamike”) dhe mustaqet ngjyrë platini i japin një karakter individual klasik prej malësori mesdhetar. Dora e mbështetur pranë qafës dhe qëndrimi pak i përkulur krijojnë një ndjesi të lehtë tundimi, një tension të lehtë, meditim edhe reflektim të thellë. Në të njëjtën kohë, vërehet një intensitet i brendshëm: vetullat e mbledhura lehtë, që ia zvogëlojnë edhe më sytë e përqëndruar dhe depërtues, sugjerojnë një mendje kërkuese, kurioze dhe analitike. Ky është portreti i një njeriu që jo vetëm shikon botën, por përpiqet ta kuptojë dhe ta zbërthejë atë përmes artit të tij. Veshja e parapëlqyer e tij me këmishë të errët dhe kollare të me lule e një xhaketë sportive nuk ka ndryshuar shijen e tij gjithë jetën. Mungon vetëm cigarja e përhershme në buzët e tij.
Ky portret i Gjon Mili është intim, por edhe fuqimisht karakterial, duke na dhënë një ndjesi të thellë introspektive dhe reflektuese për personalitetin e tij si artist dhe si njeri. Ai sheh brenda vetes. Fotoja mund të konsiderohet edhe si “portret pjekurisë” profesionale e artitistike. Kjo përbën edhe narrativën e subjektit që, edhe pse i referohet spontanitetit, ngrirjes së një çasti kalimtar, kapjes në befasi, elementët e botës së brendshme, psikologjikë, emocionalë, i sinqertë e i paanshëm para kamerës, gjestikulacionet e befta e të pastisura, por edhe gatishmëri kolegësh, që shprehin natyrshmëri e dashamirësi profesionale, modestie dhe përulësie, tipike për artistë të mëdhenj që e kanë tejkaluar nevojën për vetëafirmim. Nga ana e tij, fotografi David D. Duncan e njeh mirë personazhin, ndaj nuk është munduar shumë për të gjetur çastin vendimtar, ndoshta pas disa sprovave gjatë komunikimit të tyre. Artistët e rregjur i ndjejnë momentet kur elementët vizualë dhe emocionalë të imazhit përputhen dhe janë në rezonancë në mënyrë të përsosur, duke rrëmbyer esencën subjektit. Ky portret karakteri e paraqet Gjon Milin si një figurë reflektuese, thellësisht njerëzore—një artist që mbart në fytyrë dhe në qëndrim të gjithë përvojën, ndjeshmërinë dhe inteligjencën e tij krijuese. Andaj kjo foto, mishërim i një figure humane e intelektuale të përmbushur mbetet ikonike.
Nga pikpamja teknike fotoja duhet të jetë realizuar në një mjedis pune të Gjon Milit, (edhe pse studioja i ishte djegur). Kompozimi minimalist në një hapësirë, apo sfond të errët, ku ndriçimi dramatik dhe i përqëndruar, ka krijuar kontrast të thellë dritë-hijesh bardh’ e zi, pra një mizansenë që edhe Mili e preferonte dhe e zbatonte shumë dendur në krijimtarinë e vet. Efekti është pothuajse skulpturor: fytyra duket si e gdhendur në dritë. Kontrasti i fortë mes të bardhës së flokëve dhe sfondit të zi krijon një aureolë vizuale rreth kokës—thuajse simbolike për figurën e tij si mjeshtër i dritës. Duket sikur një fotograf portretizon një tjetër fotograf — një akt reflektimi artistik. Portreti bëhet kështu jo vetëm imazh, por edhe interpretim i një mendjeje krijuese. Dhe së fundi, vetë fakti që Mili ka zgjedhur këtë foto si prezantuese në një album të rëndësishëm ndërkombëtar të krijimtarisë së tij, tregon që kjo foto e përfaqëson atë me dinjitet të plotë figurativ.
Fundi i pjesës 1.