Albspirit

Media/News/Publishing

ZGJEDHJET NË KOSOVË — KUR RINIA HESHT, DEMOKRACIA DOBËSOHET

Nga Frank Shkreli/

Nga Prishtina në Tiranë e Shkup, mesazhi është i njëjtë: Mjaft me politikën e vjetër! Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, me një pjesëmarrje vetëm prej rreth 37 për qind të elektoratit, nuk janë, thjesht, një ngjarje politike e kufizuar brenda kufijve të Republikës së Kosovës. Ato janë pjesë e një fenomeni më të gjerë që po shfaqet gjithnjë e më qartë në mbarë hapësirën shqiptare: rritja e distancës midis qytetarëve, veçanërisht të rinjve, dhe klasës tradicionale politike.

Askush nuk mund ta shpërfillë faktin se shumica e qytetarëve të Kosovës zgjodhën të mos votojnë dje. Ky nuk është vetëm një problem elektoral. Është një sinjal politik, shoqëror dhe moral që kërkon vëmendje serioze nga klasa aktuale politike në Kosovë, Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Kur shumica hesht, demokracia humbet një pjesë të forcës së saj.

Por kjo heshtje nuk është vetëm e rinisë së Kosovës. Por në muajt e fundit, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë dëgjuar zëra të rinj proteste. Të rinj që nuk identifikohen domosdoshmërisht me partitë politike, tradicionale. Është një rini që kërkon mundësi më të mira ekonomike, institucione më të ndershme, drejtësi më funksionale dhe një politikë më pranë interesave të qytetarit shqiptar kudo. Në forma të ndryshme, edhe ata po shprehin të njëjtin zhgënjim ndaj një klase politike që, sipas tyre, ka vite që qarkullon brenda vetes, pa prodhuar pothuaj asnjë nga ndryshimet e premtuara.

Mesazhi i rinisë shqiptare në të tre qendrat kryesore të kombit është i ngjashëm: kauzat e qytetarëve nuk mund të mbeten peng i politikanëve të karrierës. Për të gjithë ata që duan të shohin, në Kosovë, ky mesazh u shpreh dje përmes mos-pjesëmarrjes masive në votime. Në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, ai po shfaqet nëpërmjet protestave, aktivizmit qytetar dhe mosbesimit në rritje ndaj institucioneve politike dhe politikanëve në përgjithsi. Format mund të jenë deri diku të ndryshme, por thelbi është i njëjtë.

Brezi i ri nuk po kërkon vetëm ndërrimin e qeverive. Ai po kërkon ndryshimin, njëherë e mirë, të mënyrës së të bërit politikë. Siç kam theksuar ditët e fundit në disa shkrime modeste, Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf, historia e Kombit shqiptar tregon se lëvizjet më të rëndësishme kombëtare kanë lindur kur rinia ka marrë përgjegjësi për fatet e vendit. Kështu ndodhi në kohën e Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit. Kështu ndodhi me lëvizjet studentore në Kosovë, fund shekullin e kaluar. Kështu ndodhi me studentët shqiptarë që sfiduan diktaturën komuniste në Shqipëri me 1990-91. Në çdo rast, energjia e ndryshimit erdhi nga brezat e rinj dhe jo nga establishmenti politik i kohës. Prandaj, klasa politike aktuale shqiptare kudo që ndodhet duhet ta lexojë drejtë e mirë mesazhin e ditëve tona. Nuk mjafton të fitosh zgjedhjet. Duhet të fitosh besimin e qytetarëve. Nuk mjafton të sigurosh mandate. Duhet të krijosh shpresë dhe legjitimitet.

Kosova nuk humbi dje vetëm se pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët. Humbja më e madhe do të ishte nëse politika nuk arrin të kuptojë arsyet e kësaj mos-pjesëmarrjeje në votime. Po kështu, Tirana dhe Shkupi zyrtar do të gabonin rëndë nëse protestat dhe pakënaqësitë e të rinjve do të trajtoheshin si episode kalimtare. Nuk janë të tilla! Sepse, në të gjithë hapësirën shqiptare po formësohet një brez i ri që kërkon përgjegjësi, meritokraci, transparencë dhe institucione që punojnë për qytetarin. Ky brez nuk kërkon privilegje. Kërkon të ardhme, shpresë dhe perspektivë për të ardhmen në vendin e tyre.

Dhe nëse politika shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Shkup –Frank Shkreli: Një gjuhë, një identitet, studentët dalin në mbrojtje të shqipes | Gazeta Telegraf, –vazhdon të mos e dëgjojë këtë zë, atëherë rreziku nuk është humbja e radhës në zgjedhje. Rreziku është humbja e besimit të një brezi të tërë, në të bërit politikë dhe në vet demokracinë e brishtë të shqiptarëve.

Demokracia jeton dhe forcohet nga pjesëmarrja e votuesve në proceset politike, sidomos pjesmarrja në zgjedhje. Kombi forcohet nga shpresa. Kur rinia largohet nga politika ose e sheh atë me mosbesim, atëherë asnjë parti nuk mund të quhet fituese. Të gjithë humbin.

Dhashtë Zoti që klasa aktuale shqiptare ta kuptojë mirë nivelin e zhgënjimit të votuesve shqiptarë, në këtë moment historik, 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit — nga Prishtina në Tiranë e deri në Shkup – se rinia shqiptare po jep shënja të qarta, (qoftë me mos-pjesëmarrje në votime si në Kosovë, ose me protesta sin ë Tiranë e Shkup) për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, se rinia e zhgënjyer deri tani nga politika, kërkon një kontratë të re morale me politikën. Ajo nuk po kërkon premtime të reja, por përgjegjësi. Nuk po kërkon parulla, por rezultate; nuk po kërkon liderë të përjetshëm, por institucione që funksionojnë për të gjithë, dhe pa dallim. Kjo është sfida e vërtetë e kohës sonë. Nëse politika do të ketë urtësinë ta dëgjojë këtë zë, demokracia shqiptare mund të dalë më e fortë.

Nëse jo, atëherë heshtja e kutive të votimit në Kosovë dhe zhurma e protestave në Tiranë dhe në Shkup, do të vazhdojnë të japin të njëjtin mesazh. Mjaft është mjaft me politikën e vjetër pseudo-komuniste të dështuar e konfliktuale, anë e mbanë trojeve shqipptare! Koha e politikës së vjetër e këtyre 35-viteve po perëndon, ndërsa koha e një brezi të ri po troket në derën e historisë. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf,

Sepse, në fund, kur rinia hesht, xiç ndodhi me këtë rast të zgjedhjeve në Kosovë, humbet vet demokracia dhe liria. Kur rinia largohet, humbet kombi. Shpëtimi i Kombit dhe “Shpëtimi i Shqipërisë është në duart e vetë shqiptarëve”, ka thënë, Abdyl Frashëri i Lidhjes së Prizrenit. Një mesazh që sot tingëllon po aq aktual për të rinjtë e këtij brezi të shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë e Shkup, ashtu siç ka qenë edhe në kohën e Rilindjes së vërtetë Kombëtare, mbarim shekullin e XIX e fillim shekullin XX.