Arben Malaj: MOS PËRÇANI PROTESTËN!
MOS PËRÇANI PROTESTËN! Mos fyeni dhe denigroni popullin!
I vlerësoni që janë idealistë dhe jo xhepistë.
I vlerësoni për gjithë kontributet e tyre të ndershme dhe atdhedashëse.
Pasi i vlerësoni dhe i respektoni sinqerisht, i ftoni plot mirënjohje të bëhen pjesë e misionit për “Shqipërinë e Re”.
Mbrëmë një folës/”artist” i papërmbajtur denigronte socialistët e thjeshtë pse mbështesnin dhe votonin Rilindjen.
Të njëjtën gjë bëjnë të tjerë edhe për demokratët e thjeshtë e pa asnjë privilegj, pse mbështesin PD-në.
E para, populli shqiptar në 35 vite e ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin: ka votuar Berishën, Nanon; ka mbështetur Majkon, Metën; ka rivotuar Berishën e Metën; dhe ka votuar Ramën.
Rama e vrau besimin publik për një pushtet të babëzitur, deri edhe kriminal.
Pra, përgjegjësia nuk është tek mbështetësit e çdo partie politike, por tek liderët që kanë tradhtuar popullin e tyre dhe që janë pasuruar aq shpejt dhe në mënyrë aq kriminale, siç i përshkruan poeti i madh shqiptar, Ali Asllani, tek poezia e tij “Hakërim” – e cila mund dhe duhet të ishte himni i kësaj proteste.
Pse dështojnë protestat që denigrojnë popullin?
Humbja e fuqisë frymëzuese:
Një protestë që vetëm shan dhe denigron e humbet fuqinë inspiruese dhe gradualisht venitet.
Përçarja familjare dhe shoqërore:
Në protestë janë edhe fëmijët, nipërit e mbesat e atyre që disa prej folësve i denigrojnë publikisht dhe pa asnjë të drejtë morale.
Ata që i votojnë partitë e tyre nuk janë pjesa e kalbur e shoqërisë dhe politikës; ata nuk janë abuzuesit, sepse nuk kanë pasur kurrë pushtet real.
Kur liderët populistë tradhtojnë shpresën: Shembuj historikë
Historia botërore tregon se kur lëvizjet popullore kthehen në mjete denigrimi apo kur udhëhiqen nga liderë populistë, kauzat legjitime tradhtohen sapo këta liderë marrin ose mbajnë pushtetin:
Aung San Suu Kyi (Mianmar): Nga një simbol botëror i paqes, demokracisë dhe lirisë, e vlerësuar me Çmimin Nobel, sapo erdhi në pushtet bashkëpunoi me ushtrinë dhe u shndërrua në mbrojtëse të spastrimit etnik e krimeve ndaj komunitetit Rohingya. Besimi i popullit që sakrifikoi për të u tradhtua në mënyrën më makabre.
Lëvizja e “Këmishave të Kuqe” (Tajlandë):
Miliona qytetarë të thjeshtë e të varfër protestuan për vite me radhë duke kërkuar drejtësi sociale, bëshmërisht u përdorën thjesht si mish për top nga lideri i tyre populist, miliarderi Thaksin Shinawatra, për të mbrojtur pasurinë dhe interesat e tij oligarkike.
Tradhtia e Lëvizjeve Populiste në Amerikën Latine:
Në vende si Venezuela, lëvizjet që nisën në emër të popullit të thjeshtë kundër elitave të korruptuara, u kthyen në regjime ku liderët u pasuruan në mënyrë përrallore, ndërsa populli ra në varfëri ekstreme.
Mesazhi është i qartë:
Armiku nuk është votuesi i thjeshtë socialist, demokrat apo i çdo partie politike.
Armiku vrastar i shpresës dhe të ardhmes për një “Shqipëri të Re” është:
korrupsioni dhe babëzia
e liderëve që tradhtojnë besimin e popullit të tyre!
Ditë të mbarë dhe plot pozitivitet!