Auron Tare: “Mynxyra”
Përse vallë duhet të hedhim sytë nga Portugalia, Maldivet, Franca apo nga skajet e tjera të botës?
Përse ky zakon i vjetër për të kërkuar ngushëllim te krahasimet, kur pasqyra më e saktë gjendet përpara fytyrës sonë?
Mjafton të soditim me qetësi atë që kemi bërë vetë gjatë këtyre trembëdhjetë vjetëve. Mjafton të shikojmë frytin e politikave tona, të duartrokitura, të lëvduara e të shpallura si mrekulli kombëtare.
Ja ku është modeli ynë i turizmit. Një model i përkëdhelur nga qeveria, i stolisur me fjalë të mëdha dhe i paraqitur si kurora e zhvillimit shqiptar.
Shikojeni mirë.
A është ky vendi që dëshirojmë t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë?
A është kjo Shqipëria që ju premtuam atyre që na mbështetën dikur?
Le të mos lodhemi duke kërkuar fajtorë.
Këtë Mënxyrë nuk na e bënë as grekët, as serbët apo osmanët. Nuk na e sollën rusët, iranianët e Akshit apo komplotistët e natës dhe armiqtë e trilluar të ditës. Këtë vepër e kryem vetë, me një zell që do t’i bënte xhelozë edhe pushtuesit më të këqij.
Ky është monumenti më i sinqertë i modelit tonë të turizmit, një vend që po sakrifikon bukurinë e vet për hir të betonit.
Prandaj të rinjtë nuk besojnë më. Jo se u mungon dashuria për Atdheun, por sepse u mungojnë arsyet për t’u besuar atyre që, duke folur në emër të Shqipërisë, shpesh kanë vepruar kundër saj. Dhe kur besimi humbet, fjalët, sado të zhurmshme, mbeten vetëm jehonë.