Arben Braçe: Ora e sprovës sapo ka filluar!
Një anëtar i PS në një takim me kryetarin përmendi pa e njohur realitetin mirë, ose për shkak të përfitimeve shumë të ngushta personale faktin se kohët e fundit Tirana, por edhe i gjithë bregdeti janë mbushur me ndërtime moderne shumëkatëshe, si edhe që edhe qytetet e tjera nuk mbeten mbrapa.
Për hir të realitetit kjo është shumë e vërtetë. Arkitektë shumë të famshëm madje kanë ardhur këtu për të projektuar forma të shumta ndërtimesh nga më të çuditshmet.
Por problem nuk qëndron aspak këtu, të rinjtë e sotëm me vizion europian që kanë kurajon t’i bien d.p.d problemit sikurse edhe ata që nuk kanë se çfarë humbin, sot kërkojnë të dijnë se si i shpërndan pushteti politik këto përfitime ekonomike të shumta?!
Për botën europiane ku kërkojmë të hyjmë nga këndvështrimi i drejtësisë distributive, një pushtet politik që nuk i shpërndan përfitimet ekonomike, pasuritë dhe mundësitë në mënyrë të drejtë, por i përqendron ato vetëm në duartë e një grupi shumë të vogël oligarkësh që qëndrojnë në prapanicë të pushtetit konsiderohet një regjim që cenon parimet themelore të barazisë, drejtësisë sociale dhe interesit publik.
Ajo që duhet të shqetësojë pushtetin e ardhshëm duhet të jetë fakti kuptimplotë se si duhet të shpërndahen pasuria, të ardhurat, pushteti dhe mundësitë brenda një shoqërie?
Duke iu referuar dokrinës, Aristoteli ishte filozofi i parë që formuloi teorinë klasike të drejtësisë distributive. Ai argumentonte se të mirat publike duhet të shpërndahen sipas meritës dhe kontributit në komunitet, jo sipas privilegjit, apo afërsisë me pushtetin.
Për Aristotelin, oligarkia është forma më e degjeneruar e qeverisjes së pakicës, ku sunduesit qeverisin për interesin e tyre privat dhe jo për të mirën e përbashkët.
Për John Rawls i cili konsiderohet si filozofi më i rëndësishëm modern i drejtësisë distributive, pabarazitë ekonomike lejohen vetëm nëse ato përmirësojnë gjendjen e shtresave më të pafavorizuara.
Nëse një qeveri pasuron vetëm një grup të vogël njerëzish, sikur po ndodh për më shumë se 35-vjet në Shqipëri dhe shumica e popullsisë mbetet në varfëri të skajshme, ose pa mundësi zhvillimi dhe per kete ka gjetur si zgjidhje t’ia mbathe, atëherë shteti dhe institucionet nuk funksionojnë për të gjithë, por vetëm për ata persona që sot kanë bërë pasuri për 700 breza.
Natyrish protesta duhet t’i thotë me force Ramës se një vend i vogël sikurse yni nuk zhvillohet sepse ai jep leje pa fund dhe ndërton rrokaqiej ku t’i hajë dora korrupsionit, por ai zhvillohet drejt vetëm kur qytetarët fitojnë më shumë mundësi, më shumë dinjitet dhe më shumë kontroll mbi jetën e tyre.
Nga ana tjetër, Rama numëron me mburrje neper takime, se po ndërton autostrada, kulla, aeroporte, resorte turistike dhe qendra tregtare, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se po zhvillohet në kuptimin e vërtetë njerëzor dhe politik. Historia ka njohur shumë shoqëri që janë pasuruar ekonomikisht, por janë varfëruar moralisht, institucionalisht dhe demokratikisht. Filozofikisht për jetën moderne të ditëve të sotme problemi nuk është shpejtësia e lëvizjes, por destinacioni.
Sepse një shoqëri mund të bëhet edhe më e pasur, por pa u bërë më e mirë. Mund të bëhet më moderne, por pa u bërë më e drejtë. Mund të bëhet edhe më e madhe ekonomikisht, por shumë më e vogël moralisht, sikurse po bëhet çdo ditë shoqëria e jonë që ka qënë e mbushur me virtyte dhe tradita të shkëlqyera. Dhe pikërisht në atë çast, zhvillimi pushon së qeni progres dhe kthehet në të kundërtën e misionit të tij.
Përsa i përket kulmit të revoltës rinore, pra guximit për të dhuruar, ose shitur tokë shqiptare pa asnjëlloj trasparencë në zona të mbrojtura, sikurse në Zvernec, Sazan etj, jam i mendimit se për këtë në parlament dhe në forumet politike pozitë dhe opozitë duhet të kishte një debat të tërë.
Pyetja nëse toka duhet, apo nuk duhet të shitet është një nga debatet më të vjetra të filozofisë politike, ekonomisë dhe së drejtës. Vërtet nuk ekziston një përgjigje unike, por shumë filozofë, ekonomistë dhe studiues kanë argumentuar se “toka nuk është një mall i zakonshëm”, të cilin ulemi dhe e prodhojmë përsëri, sepse ajo nuk është prodhuar nga njeriu. Ndryshe nga një fabrikë, një makinë, apo një produkt tregtar, toka është një pasuri natyrore, që ekzistonte para çdo brezi dhe do të vazhdojë të ekzistojë pas tij.
Nëse shitja e tokës cenon sigurinë ekonomike të komuniteteve vlonjate sikurse po ndodh, ose privon brezat e ardhshëm nga mundësitë e zhvillimit, atëherë këtu lind një problem i tërë i shkeljeve të të drejtave sociale.
Toka dhe për më tepër ajo e zonave të mbrojtura nuk është thjesht një pasuri ekonomike, ajo është bazë e identitetit shqiptar, sovranitetit, sigurisë ushqimore, kulturës dhe vazhdimësisë së një kombi duam apo nuk duam.
Një makinë mund të prodhohet sërish. Një fabrikë mund të rindërtohet. Një aksion mund të blihet e shitet pafundësisht. Por toka është e kufizuar. Askush nuk mund të krijojë tokë të re, Zvërnec të ri, Sazan të ri. As Elon Musk, Jeff Bezos, Warren Buffett, Bill Gates, Bernard Arnault, madje as Shefqet Kastrati dhe Samir Mane nuk kanë arritur deri tani të prodhojnë tokë.
Prandaj shumë filozofë dhe studiues kanë mbrojtur idenë se toka mund të përdoret, të trashëgohet dhe të administrohet privatisht, por nuk duhet parë thjesht si një mall tregu, sepse ajo përfaqëson një pasuri që i përket jo vetëm pronarit aktual, por edhe komunitetit, brezave të ardhshëm dhe vetë historisë së një vendi.
Në këtë kuptim, toka nuk është vetëm pronë, ajo është një përgjegjësi morale dhe shoqërore.
Kujdes! Ora e sprovës sapo ka filluar!