Jani Malo: LESHTERIKËT E PROTESTËS DHE LESHQEVERISJA
Ditët e fundi ka një shqetësim se protesta ka mbledhur çdo gjë që ka gjetur rrugës: njerëz me interesa thjesht personale, pragmatistë, grupime politike që kërkojnë të përfitojnë nga rasti, oportunistë që e përdorin revoltën për të pastruar figurën e tyre, të korruptuar që përpiqen t’i bëjnë pritë dallgës për interesat e tyre të ngushta apo edhe radikalë e të dhunshëm që thjesht duan kaos.
Këtij shqetësimi aq sa real edhe të justifikuar i janë turrur analistët e kanaleve. Ata që ditët e para qenë fshehur si lepuj veshngritur, dolën nga ushëzat e tyre si gjahtarë me çiftet ngritur dhe derdhin saçmat pafund në drejtim të protestuesve për të siguruar lejen e gjuetisë nga pronari i televizionit. Tamam si atëherë kur gjahtarët e gjorë duhet të dorëzonin këmbët e zogjve a laraskave të vrara se ndryshe nuk merrnin lejen e gjahut.
Këta janë pjesa me qesharake e problemit dhe është e kotë të merresh me ta. Ata korr mos lidh janë tërë kohën. Por, për të qetësuar njerëzit që shqetësimin e kanë real, përfshi edhe veten, mësova se në sociologji njihet parimi se për të arritur një masë kritike, një lëvizje nuk mund të jetë selektive. Nëse një protestë pranon vetëm njerëz të pastër e të kulluar, ajo mbetet e vogël, elitare dhe e pafuqishme për të sjellë ndryshim. Që të bëhet dallgë, ajo ka nevojë për numra, dhe numrat sjellin me vete të gjithë spektrin e shoqërisë – me të mirat dhe të këqijat e saj.
Për ndonjë që e do më shkoqur, them se, për mua, dallga popullore që ngriti protesta i ngjan detit, i cili furnizohet nga lumenjtë. Ata kuptohet që derdhin aty edhe mbetjet e tyre, gjer edhe kërcunj pa jetë. Shtoju këtyre edhe leshterikët që vetë deti ka. Është e pamundur që dallga të mbetet sterile. Steriliteti e vdes protestën. Një protestë sterile është si uji i distiluar: është i pastër në laborator, por nuk mban dot jetë dhe nuk ka forcë të lëvizë mullinjtë e historisë. Që një lëvizje të jetë organike, ajo duhet të ketë lëndë, duhet të ketë peshë, madje edhe mbetje që vijnë nga realiteti i gjallë, do të përzihet edhe me llumin ekzistues të sistemit që po tenton të ndryshojë.
Nuk mund t’u kërkosh njerëzve “certifikatë pastërtie” te hyrja e sheshit, sepse kjo do ta bënte lëvizjen një sekt të mbyllur. Një protestë bëhet e pastër jo kur është “e virgjër”, por kur ka një etikë të brendshme aq të fortë, saqë çdo element i huaj që hyn brenda saj, ose detyrohet të ndjekë rrjedhën e pastër, ose nxirret jashtë nga vetë forca e dallgës. E rëndësishme është që protesta të mbetet e pastër në qëllimin e saj dhe imune nga infektimi i lidershipit. Ajo është një lëvizje që edhe pse ka mbeturina, forca e lëvizjes dhe oksigjeni i ideve të reja bëjnë që ato të mos zënë vend, por të mbeten periferike. Në sitë duhet të jetë kauza dhe jo personat.
Në fund të fundit, historia na mëson se ndryshimet e mëdha nuk i kanë bërë “shenjtorët” në dhoma sterile, por masat e popullit me gjithë kaosin dhe papastërtitë e tyre, por të bashkuar nën një busull të qartë morale. Prandaj mendoj se shqetësimi me tepricë dëmton më shumë shëndetin e atyre që e kanë.
Ndryshe është puna me kënetën ku ushqehet politika. Pastrimi i saj është sa i vështirë aq edhe problematik. Nuk mund t’i bësh bashkë leshterikët natyralë të detit me lesh e linë, apo leshin e arapit që ka bërë politika e 36 viteve në këtë vend. Thënë ndryshe një leshpolitikë ka prodhuar një leshqeverisje që nuk vetëpastrohet, pjella të saj janë një moral e drejtësi leshi, një mjekësi e arsim leshi e lesh pafund që u mblodh si një lëmsh i kokolepsur. Qeveritë e Leshit në vend që të shtronin për popullin “Rrugën e Mëndafshit”, siç premtuan, ndërtuan “Autostradën e Leshit”.
Në mbyllje do doja të thërrisja në ndihmë cinikët e Athinës së lashtë për t’i dhënë dum siç dinë ata kësaj punës me leshterikë e leshqeverisje, ata që zgjodhën të jetonin si qentë e rrugës: pa prona, pa luks, pa ndyrësinë e hipokrizisë shoqërore, duke u lehur në fytyrë politikanëve dhe duke urinuar mbi normat e salloneve të kohës. Nëse do ta sillja, bie fjala, Diogjenin në mes të protestës së Tiranës, është e vërtetë se ai mund të mos mbante pankartë, por kur të shihte ca të rinj e të reja që nxitojnë të bëjë selfije për të dëshmuar prezencën e për të shtuar liket, do i qesëndiste duke i quajtur shkuma e protestës dhe jo dallga, sepse shkuma zhduket sa hap e mbyll sytë, deti mbetet i njëjti. Ama po i njëjti Diogjen nëse do ulej në shkallët prapa kryeministrisë, – kryeministri nuk guxon të hyjë nga ana e përparme e godinës – do të hante një kokërr qepë dhe kur Edi Rama të afrohej për t’i shtrënguar dorën para kamerave, ai do t’i kthente shpinën ose do të lehte si qen për ta larguar si infeksion.