Roland Lami: Rektori Tonin Gjuraj kundër status quo-së
Dorëheqja e rektorit Tonin Gjuraj është një ngjarje e pazakontë në jetën publike shqiptare. Jo sepse një drejtues largohet nga detyra, por sepse ai zgjodhi të largohej në emër të disa parimeve që shumë të tjerë i përmendin në fjalime, por rrallë i manifestojnë me veprime. Në një kohë kur mbajtja e postit është kthyer shpesh në qëllim në vetvete, ai zgjodhi të sakrifikojë postin për të mbrojtur autonominë e institucionit. Midis rehatisë së detyrës dhe sfidës së ndryshimit, zgjodhi ndryshimin. Midis presionit politik dhe pavarësisë akademike, zgjodhi pavarësinë akademike. Midis logjikës së militantizmit dhe asaj të meritokracisë, zgjodhi meritokracin.Midis klaneve lokale dhe cilësisë akadenike zgjodhi këtë të fundit.
Kjo është arsyeja pse dorëheqja e tij ka një vlerë simbolike që shkon përtej Universitetit të Shkodrës. Ajo vendos përballë pasqyrës një pjesë të lidershipit të institucioneve publike, të mësuar prej vitesh të bashkëjetojë me ndërhyrjet politike, të heshtin përballë paaftësisë ose të përshtatet me to në emër të interesit personal.
Akti i tij nxjerr në pah kontrastin mes atyre që e shohin detyrën si përgjegjësi dhe atyre që e shohin si privilegj, mes atyre që janë të gatshëm të humbin një post për të mbrojtur një parim dhe atyre që janë të gatshëm të humbin çdo parim për të ruajtur postin.
Në fund, dorëheqja e Gjurajt nuk është thjesht një akt individual. Ajo është një kritikë e heshtur ndaj degradimit të jetës institucionale, ndaj politizimit të universiteteve dhe ndaj kulturës së konformizmit që ka zëvendësuar shpesh guximin qytetar dhe profesional. Pikërisht për këtë ajo ka ngjallur kaq shumë debat.Në një sistem ku kompromisi me pushtetin konsiderohet normalitet dhe bashkëjetesa me paaftësinë është kthyer në normë, refuzimi shfaqet si përjashtim. Ndonjëherë, një dorëheqje flet më shumë për gjendjen e një institucioni dhe sistemi sesa dhjetëra deklarata zyrtare.