Jani Malo: VAJ PËR MENDJE TË NDRYSHKURA
Në një nga kodrat e Zvërnecit, nga ato që investitorët strategjikë po i matin me sy që sot për t’u vënë nesër pllakat e resorteve, ndryshken dy topa të vjetër. Kanë mbetur aty që nga Italia e Parë, të braktisur mes ferrash. Sot, funksioni i tyre i vetëm është të shërbejnë si hije për hardhucat ose si strehë për gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën në pritje të turistëve të Ivankës. Janë dy mjeranë të heshtur, të cilët asnjë lloj grasoje apo vaji nuk i kthen dot më në jetë. Nuk kanë më as mision, as ushtarë.
Ironia është se këta dy topa të ndryshkur m’i sollën në mendje Sali Berisha dhe Edi Rama. Të dy patën fatin të jetonin dy revolucione të rinisë. Në të parin, atë të vitit 1990, që të dy gjetën mënyrën për t’u rreshtuar në anën e duhur të historisë, ndonëse me dëshira të ndryshme: Berisha për të hipur në kalin e pushtetit që nuk do ta lëshonte më, dhe Rama si arrivis për të krijuar mitin e rebelit që më vonë do t’i shërbente për të njëjtin qëllim.
Sot, pas më shumë se tri dekadash, teatri i tyre absurd vazhdon, por me role të përmbysura. Konservatori i vjetër bën sikur udhëheq revolucionin nga kulla e harresës, duke e kthyer partinë në një ferrë personale ku herë pas here ndizet ndonjë zhurmë molotovi sa për të zgjuar militantët e përgjumur. Ndërsa ish-rebelit Rama, që sot kontrollon çdo metër katror të këtij vendi, i duhet të luajë rolin e stabilizatorit që mbron shtetin nga “kaosi”.
Por Rama ka mjaftueshëm nuhatje për të kuptuar se asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Ora e tij po troket dhe ai nxiton. E gënjen mendja se do të hyjë në histori si vizionari i madh, ndonëse ka shumë gjasa që fundi i tij politik ta gjejë si një top të tretë të harruar në kodrat e Zvërnecit. Nxitimi i tij duket nëpër sheshe. Përballë një opozite që përpjekjen e vetme e ka të mbajë radhët e veta të bashkuara nga frika e humbjes së radhës,
Rama përgjigjet me të njëjtën monedhë: mbush sheshet me autobusë për të treguar se edhe ai ka turmën e tij. Por fytyra e tij e vrerosur dhe e sikletosur dukshëm kohët e fundit zbulon të vërtetën. Ai e di se kjo turmë pagamarrësish nuk ushqehet me frymëzim, prandaj dhe makineria e tij e propagandës po punon me mbingarkesë, duke hedhur litra të tërë vaji të ricikluar mbi mendjet e ndryshkura të administratës dhe jo vetëm.
Dhe këtu qëndron tragjikomedia jonë. Ndërsa vaji i rafinuar i qeverisë derdhet gjithandej, qytetarit të shkretë i mbetet të zgjedhë midis dy iluzioneve: të pranojë narkozën e propagandës që i premton resorte luksoze, apo të rreshtohet pas ca zhurmuesve të vjetër politikë që me këmbët e thyera të karrigeve të pushtetin të humbur duan të riciklojnë karriget e pushtetit të nesërm. Në fund të ditës, të dyja palët ofrojnë të njëjtën gjë: ndryshk në trurin e turmave dhe tym në sy.