Iris Sojli Johan: Sepse Shqipëria do të rrojë…
LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Zoti Kryeministër,
Para se të nis këtë letër, më lejoni të prezantohem.
Unë quhem Iris Sojli, ju shkruaj nga Franca dhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit më përfaqëson populli më i bukur i dheut. Populli më i bukur i dheut, në dheun më të bukur të botës.
Janë fytyra të bukura, të ditura, të artikuluara dhe të vendosura, që juve ju duken të pavlera, të përdredhura, influencerë apo agjentë të huaj.
Po të kishit guximin t’i shihnit në sy, do të kuptonit se dëbimi që do të pësonin flamingot, fokat dhe breshkat nga Zvërneci u kujton këtyre njerëzve dhimbjen e tyre. Atë që ende e përjetojnë bij që ndahen nga nënat, fëmijë që ndahen nga gjyshërit dhe pleq që i marrin me vete në tokë të huaj, sepse nuk ka më kush të kujdeset për ta në tokën e tyre.
Unë këtë çrrënjosje e kam përjetuar që 11 vjeçe. Sot jam 46.
U ktheva në Shqipëri në vitin 2010, si një nga ata që quheshin “truri i kombit”, sepse e kisha ëndërruar prej vitesh. Doja që kur të më pyesnin: “Nga je?”, të mund të tregoja me gisht e të thosha: “Jam fiks nga atje, nga ai cepi i rrugës. Nga rruga Bardhyl.”
Doja të isha e rrethuar nga njerëz që kishin parë Tomkën dhe shokët e tij. Të mos më duhej t’i shpjegoja një të huaji gjithë jetën time vetëm sepse dëgjonte theksin tim.
Si erdha, ashtu ika sërish tre vjet më vonë.
Për vite me radhë fajësova veten. Pse rrënjët më ngelën në valixhe? Pse nuk këmbëngula pak më shumë?
Por sot faji mori një fytyrë tjetër.
Vetëm përmes këtij populli që ju këto ditë nuk po denjoni, ose nuk po guxoni, ta shihni në sy, kuptova se faji nuk ishte imi. Kisha bërë gjithçka për të qenë bijë e denjë e kësaj toke.
Me stërgjyshërit që lanë Vjenën dhe Romën për të ndërtuar një Shqipëri të re.
Me gjyshërit që u dergjën burgjeve për një Shqipëri të lirë.
Me gjyshet që hynë në grevë urie në vitin 1991 për një Shqipëri demokratike.
Kisha ngritur dy gishta mbi supet e babait në Qytetin Studenti.
Kisha sharë ushtarët grekë në kufi kur më shihnin si bagëti.
Kisha studiuar për t’u formuar sa më mirë në dobi të vendit tim. Isha kthyer në Shqipëri për të kontribuar në rindërtimin e saj.
Madje ju kisha votuar ju.
Sot jam para ekranit dhe shoh këta bija e bij të bukur, të zotë, të urtë e paqësorë dhe qaj.
Qaj nga dëshpërimi që nuk jam atje. Por qaj mbi të gjitha nga gëzimi për këtë brez të ri, të cilit i lëmë me gjithë zemër stafetën e ndryshimit.
Ata nuk janë më si ne.
Nuk janë, siç thotë im atë, qen të rrahur prej së vogli.
Nuk u plas për kushëririn ish-oficer apo të arratisur. Për gjyshin spiun apo të internuar. Nuk përfaqësojnë askënd veç vetes së tyre.
Dhe janë pikërisht ata që do ta mbyllin faqen 35-vjeçare të tranzicionit.
Sepse mjaft më me akuzat: është bija e filanit, është biri i fistekut.
Secili mban përgjegjësi për atë që bën vetë.
Dhe ju mbani përgjegjësi për gjendjen e popullit tonë sot.
Lyerja e një shtëpie të vjetër nuk ia ndreq problemet që ka në themel.
Resortet e bukura në dukje, çentro të hekurosura me niseshte të importuar nga Kolumbia mbi plazhet, kodrat, malet dhe fushat tona, nuk janë ndryshim.
Janë maskim.
Maskim që bëhet duke shitur copa toke.
Ju thoni se investimi do të ndryshojë jetën e shqiptarëve dhe do të sjellë begati.
Por unë jetoj në Francë, ku rrugët janë shtruar me bitumin e minierave shqiptare që iu dhanë asaj për një grusht para, ndërsa rrugët tona çahen çdo ditë.
Kam parë djem të rinj që punojnë në turizëm të hanë kokrrën e grushtit për një gotë ujë, nga horra me shpatulla të ngrohta politikisht.
Kam parë si u dha Gjadri pa pyetur askënd.
Kam parë si u shkatërruan brigje të tëra nga etja për fitim të shpejtë.
Kam parë miq të ngrënë fonde në gofundme për të financuar disa seanca kemioterapi.
Dhe i kam parë të gjitha këto të ndodhin sepse strategjia juaj ka qenë gjithmonë e njëjta: pasurimi i shpejtë i një grushti njerëzish.
Sot na kërkoni t’ju besojmë Sazanin, Zvërnecin, Rjollin.
Po mbi çfarë bilanci?
Mbi çfarë shembujsh?
Mbi zëvendëskryeministra në arrati apo nën hetim?
Mbi ministra e kryebashkiakë në burg?
Mbi oligarkë që po plasin nga pasuritë?
Pas gjithë kësaj, si mund të mendoni se do t’ju besojmë?
Mendoni se nga këto investime do të bëhemi më në fund me hekurudhë?
Se bujqit do të prekin një qindarkë?
Se ky lloj turizmi do të na pasurojë?
Nuk e dini ju se ky lloj turizmi vetëm e përdor tokën dhe nuk kontribuon?
Nuk i keni shembujt e vendeve ku vendasit mbeten jashtë gardheve të resorteve, duke parë nga larg pasurinë që kalon para syve të tyre?
Jo.
Nuk do ta lejojmë Shqipërinë të bëhet e tillë.
Në qeverinë tuaj ka njerëz të zotë.
Në partinë tuaj ka njerëz të aftë.
Në administratën tuaj ka njerëz që do të donin të punonin ndryshe dhe që po e ndjekin këtë protestë nga larg, nga frika se humbasin vendin e punës.
Ju, që pretendoni se jeni lider evropian dhe demokrat, lërini të lirë.
Lërini të shprehin mendimin e tyre.
Lërini të zgjedhin vetë.
Dhe atëherë do të shohim ku janë njerëzit që ju dhanë mandatin e fundit.
Do të shohim nëse, pa presion, pa kërcënime, pa premtime dhe pa interesa të fshehura, do t’ju votonin sërish.
Kur isha 11 vjeçe, kujtova se bëra revolucion mbi supet e tim eti në Qytetin Studenti.
Pastaj Ramiz Alia nxori ushtarët të votonin me detyrim dhe fitoi sërish.
Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën mënyrë, por arroganca e pushtetit ka një zakon të vjetër: nuk e sheh fundin kur po i vjen.
Kur morët mandatin e parë thatë se donit të mbeteshit në histori për ndryshimin që do t’i sillnit Shqipërisë.
Pas trembëdhjetë vitesh, ndryshimi fryu llogaritë bankare të oligarkëve dhe zbrazi Shqipërinë nga shqiptarët.
Tani çfarë do të bëni?
Çfarë do të bëni përveç stand up-it?
Ju dridhet trupi nga tmerri i një rinie më të zonjë se ajo e juaja.
Zoti Kryeministër, mjaft u bëtë qesharak me argumente agjentureske, seksiste, përçudnuese dhe të pavlera.
Ne e dimë cila është e vërteta.
Të vërtetën e kanë njerëzit që më përfaqësojnë sot.
Ata do dinë ta kthejnë revoltën në propozim.
Do japin më të mirën e tyre.
Do të të heqin ty, ndaj bëji gati dimiqet Yamamoto, se kjo rini me pantallona të lara nga djersa e protestës zgjedh një të ardhme që do të të ruajë në qitape si turp të historisë.
Dhe ata fëmijë që sot buzëqeshin dhe vizatojnë në bulevard do të jenë rojet më të denja të lirisë dhe barazisë në vendin tonë.
Sepse Shqipëria do të rrojë.
Për të, për të luftojmë ne!