Ruzhdi Gole: PANDEHMË FTOHME
(poe-prozë)
Ftohma e beftë vërshoj nga shtjellat përqark ngrehinës.
Menjëherë nga çatitë po binin cikma. Ato përziheshin me
njera-tjetrën, treteshin tek balta, që rrëshqiste përreth.
Gjithçka nxitonte para syve të mi jashta nga dritarja e shkallëve.
Mos harro peshkun – dëgjova zërin e gruas, teksa kisha dalë
nga guva e shtëpisë.
Jashta, pashë disa frymorë të trembur nga kjo e beftë, që
dukej sikur po ngrinte krye ndaj frymorëve të tjerë,
xhveshur më shpejt se ç’duhej. Dikush duke ecur lehtas me trupin e tij
të rregjur e dikush me frymën e njomësht. Sa ia behu cikma
të tjerë frymorë u gëzuan dhe nisën të xhvisheshin edhe më
nga teshat e tyre duke vrapuar për në bregun e detit. Ajri,
gjithandej plot gulçe, vetëm tek bregu kthjellonte mushkëritë
e veta. Pandehma këqyrte gjithçka, numëronte Vijat
e Bardha, mbikalimet, shkundtte herë pas herë rrasat e saj.
Siç po dukej, simboli i rëndomtë i çdo dite të shkuar pak nga
pak ndoshta dhe njëherazi do të daravitej sëbashku sot
me tablotë, penelatat, kolltukët, kremrat, prezervativat
e… f’tyrës, stërvitjet e ligjërimit.
Ku ka peshk sot, moj grua – i thashë vetes. – Mbrëmë, pas atij
qameti, askush nuk është nisur për lundrim.
Gjithandej, përmes ngrehinës sa të zymtë e lozonjare, shihja
e dëgjoja që Fjala mbante përkrah fjalën. Një për të gjithë,
besuar të gjithëve. Tani siç ndjehej e po dukej, nuk i besohej më
askujt…
Në një parafytyrim të vetëtimtë para meje tundeshin,
shkundeshin rrjeta peshkimi, fenerë gjysma sysh, lëmyshqe
e ndonjë peshk i tymosur nën yje.
Ç’yje?- qesha me veten. – Eshtë mëngjes.
Ngrehina jetonte mikpritje. Shpesh, mikpritjet e besimet
fetare e detare, më shumë detare se fetare tek ajo,
n’përkëmbeshin qysh në lutjen e parë, qysh në lundrimin
e parë. Kërcinj e trungje, shkelje kurore, mbytje direku, rrahje,
gjakderdhje. Gjithë kjo rrëmuj’najë, o Zot! Atëhere gjithçka
gulçon keqas, gjithandej qante ngashërimi.
Shitoret e xhamta ndanë trotuareve më dukeshin si
akuariume dhe gjithçka aty sikur t’ishte mbi një pëllëmbë
të madhe lundruese plot guacka dhe peshq.
Ç’peshq? – u ftillova. Përpëlita sytë.
Përsëri, për mua, pas xhamllëkut notonin guacka dhe peshq.
Syve të mi a para syve të mi kërcente një peshk. Vetëm
një? Halat e tij shpërndaheshin, hynin e dilnin nga flegrat
e ajrit.
-Do të ta sjell peshkun, o grua… Në mos peshkun do të të sjell
një guackë.
Pashë qiellin. Aty nuk shquhej asnjë guackë, as peshk
e direkë. Më ftilloi qielli.
Ecja përkrah Pandehmës. Asaj s’i bëhej vonë se e shihnin
a nuk e shihnin frymorët e tjerë, ata që nuk i afroheshin ose që
pëshpërisnin n’për dhëmbë ndonjë mëdyshje, pakënaqësi
endacake. Pakënaqësitë ngriheshin lart, ecejaknin përkrah
njera-tjetrës, vraponin përpara. Të tjera pakënaqësi
tështinin, i zinte një kollë e paprerë. Çapiteshin dorakëmbas
e fshiheshin mbas supeve të njera-tjetrës. Ngrehina
mbushur plot me medaljone dikur tani dukej më së miri
e grabitur. Kjo mospërfillje e saj ndaj minares së rrëmujës
dukej paksa (ndoshta) dhe shumë tinëzare pasi lutjet nuk
këndoheshin nga kupola vetëm për besimtarët e thekur
herazi.
M’u fanit sikur përreth kërcenin peshq, që u largoheshin
grepave, grepa që nuk zinin as edhe një cironkë e k’puteshin
shpejt. Shtjellat e ngrehinës gogësinin gjatë
mëngjesit, çelnin sytë e tyre diçpak në mesditë. Në mbrëmjemesnatë
shtjellat dilnin nga errësirnaja e tyre e qarkonin gjithandej
gjithçka. Njera pas tjetrës, secila shtjellë ndizte llullën e vet,
tymoste hundë e buzë të ngrehinës. Ngrehina vet tingëllonte
fuqishëm. Mjegulla, e çarë, shtrihej si një rrjetë e stërmadhe
mbi ngrehinën dhe frymorët. Kjo rrjetë nuk zinte peshq, por
të bërtitura e drobitje, kanosje, premtime, gjyqe dhe gjyle,
vela të fishkura dhe një timon të hallakatur. Timoni bëhej gati
të rrotullohej, rrotullohej duke e çuar e plandos mjegullën
herë para doganës, gjykatës, policisë me bark e kapele yndyre.
(Ku janë peshkatarët? – pyeta veten.- Asnjë, për be. Dehen
a gërhasin, kushedi. Asnjë kokërr peshku. Shtegtojnë
të shumohen, kushedi. A ia mbathin për ca kohë tutje
bregut, hyjnë në të tjera thellësira të mos shurdhohen nga
shkrepja e tinëzarëve).
Mjerisht, më shumë nga gjithçka, hallakatej ishulli, pas tij
laguna, vendlindja e Poetit Fatos, drurët, shpendët, vetë
shëndeti natyror.
Pandehma, asnjëherë, nuk qeshte pa derdhur lotë prej
pabesie e zhgënjimi a guximi të vonë njëherazi. Asnjë nga
pandehmat nuk qante pa bërtitur e u rrahur keq nga cikmat
brenda tyre. Era shkundtte nga supet e saj kripë dhe
shpërndante përreth aroma jodi.
M’u bë sikur para syve më ndrisnin luspa.
Ç’është kjo?- u habita.- Po më rrethojnë peshq dhe s’i shoh?
Cikmat, sa dilnin jashtapërjashta nga goja e errët shpellore
përgojoheshin gjithandej si të shthurrura, kërcënuese e të
padenja për të jetuar e përqafur grykas ngrehinën popullore.
Ftohma dhe shtjellat jetonin afër njera-tjetrës, ndonjëherë
nuk i shquaje veç-veç.Secila mbante përhera në krahë
torbën e vet me plot vegla të acarta
e të shpuzëta. Ushqeheshin mirë në gosti shkundulluese, shpesh
e më shpesh me heje e furtuna. Rrallë herë me thërrime.
Ngrehina, në të vërtetë, nuk qarkohej nga asnjë gojënate,
siç e quaj unë shtjellën, asnjë cikmërrëmujë. Ngrehina
qarkohej nga zinxhirë të padukshëm, plot gjemba, gropa
të plasura me erë myku e pjellash të pagroposura ende ose
të groposura atykëtu kalimthi. Fare kalimthi sa për të mos
ngrënë ndonjë ndëshkim të rëndë nga kontrolli më shkel e
shko sanitar.
Bregu po i ftonte peshqit t’i afroheshin atij.
Ftohma nuk ndëshkohej asnjëherë. Ftohma s’ishte
ndëshkuar as kur kishte ardh’ çakërrqejf e pa ftesë
në zjarrminë e gushtit, pale në gusht gunën që vinte pas. Për
hir të së vërtetës i takonte të krenohej se
po zaptonte gjithçka. Ftohmës, nuk dihej kush ia kishte marrë, rrëmbyer
e përlarë gunën që u duhej frymorëve. As tashmi nuk dihet se
kush ua kthen paqësisht jo aq paqësisht gunën njerëzore
frymorëve nga mesi i nëntorit tonë flakadan.
Frymorët aty xhvisheshin akoma, aty visheshin. Disa vishnin
vetëm njerën këmbë të pantollave e njerin krah të këmishës
duke gjykuar e dyshuar se Ftohma ia bënte gjithçkaje
me hile dhe zjarrmia nuk mund ta përzinte e përcëllonte ftohmën
pa dëshirimin e saj.
Përqark shihja këpucë të zbathura, që tërhiqnin zvarrë
plehurina. Ato endeshin andej-këndej, poshtëpërpjetë
të gjenin këmbët e frymorëve. Frymorët sa gjenin këmbët
e tyre (këta argatë kokulur të baltës e të llohës, të nxehtësisë
e të pllaquritjeve) dhe sa i rehatonin gishtrinjtë
e mbufatur me kallo brenda këpucëve, u arratiseshin krahët.
Donin t’ia prisnin krahët? Kujt? Njeriut?
Njeriut të dikurshëm, të këtushëm, të nesërm?
Mjaft, mjaft, mjaft!…
Jetojmë mjaftueshëm për të mos u arratisur nga ky vend,
për të mos e mallkuar.
Kë të mallkojmë? Cipën tonë të ndritur e të zbërdhylët,
fenerin sy lundrues?
I ktheva kryet Pandehmës së ngrohtë mëngjesore. Ajo
ia ngrohu pak paksa duart ftohmës sime.
Moli belbëzonte nga anijet e peshkimit.
Dalldia po harliste frymorë e rrugë. Dalldia më e urtë e më
e ngrohtë gjer tani. Frika, prej kohësh, s’dukej gjëkundi.
Shpejti nxorri majën e hundës, nxitoj të gjente një hendek
për t’u fshehur. Si besimtar i thekur herazi po kthehesha
për në shtëpi duke këqyrur me njerin sy Frymorët më buzagaz
e më të urtë të kësaj bote dhe me syrin tjetër minaren, kishën.
Ç’të shoh?
Pas, mua, po më ndiqte një peshk, jo peshk, por një guackë
për gruan. Asnjëherë nuk jam kthyer bosh duarsh në shtëpi
edhe kur gishtat i kam lenë diku dikund dikur…