Kristaq Balli: Gjon Mili, bota e fëmijëve-një peng pasioni e dashurie
Edhe pse Gjon Mili nuk pati fëmijë, ai kishte një adhurim e dashuri të veçantë për ta. Jo dendur, por në mënyrë të shpërndarë e të vijueshme ai shfrytëzoi mundësitë që krijonin skenat natyrale, apo të improvizuara që lidheshin kryesisht me bukurinë lumurinë, çiltërsinë, natyrshmërinë, psikologjinë, karakteret, dëshirat, sinqeritetin, naivitetin, shpërthimet, pafajësinë, veçoritë e moshës, veprimet e tyre nga më të pabesueshmet e të paparashikuarat, sidomos talentet dhe, në veçanti, tiparet e tyre të larmishme e origjinale.

Herë – herë spontanisht, në të tjera situata të krijuara nga vetë Mili, apo të “rrëmbyera” në veprimtari fëminore si shfaqje, festa, lodra, në sheshe, apo veprimtari publike, ku afirmoheshin prirje të veçanta artistike, apo sportive të tyre, ai i shfrytëzonte me intuitën e tij artistike për të realizuar qindra foto interesante me teknikat e tij të bazuara në kombinime mjeshtërore të aparateve fotografike e talentit të tij, të shpërndara në kohra dhe hapësira të gjera. Vetëm botimet fëminore e adoleshente në revistën LIFE mbulojnë një hark kohor që nga viti 1938 e deri në vitin 1972, kur revista u rrallua e Mili po e kurorëzonte krijimtarinë e tij.
Në vitin 1938, kur sapo kishte filluar aktivitetin në revistën LIFE, ai fotografoi me teknikat “stop action” dhe shpejtësi të madhe në lëvizje një vajzë 13 vjeçare, patinatore angleze e talentuar – Hazel Franklin, e cila në atë kohë ishtë një nga tre patinatoret e vetme që realizonte salto të rrezikshme e sensacionale (Salchow). Kjo foto ka qenë nga botimet e para me shpejtësisë së lartë të fotografimit në lëvizje, që mahniti opinionin e revistës dhe më gjerë, e që do të paralajmëronte shtigje të reja profesionale me këtë sport në të ardhmen. Me një harmoni e qartësi, plot gëzim e lirizëm, me kontrast të thellë, si pothuaje të gjitha fotot që do të vinin më pas, kjo vepër është një shprehje e adhurueshme artistike e teknike e fillimeve të shpejtësisë dhe saktësisë së diafragmës. 1)

Në rrethana të një kurioziteti dhe padurimi fëminor, Gjon Mili ka krijuar një set shumë impresionues fotosh, në qendër të të cilave është vendosur vajza e vogël kineze Celestine Jay Ku, duke shfryrë e luajtur me flluskat e sapunit. Vetëm 28 muajshe, ajo është vajza e Konsullit kinez në Nju Jorkut…“Nën drejtimin e fotografit të LIFE, Gjon Mili, i cili këto foto i realizoi me aparat me shpejtësi të lartë, Celestine i frynte shkumbës së sapunit shumë shpejt, e paduruar. Ajo hidhej me gëzim kur Mili frynte me pipëzën e flluskave për t’i treguar asaj si duhej bërë, por një moment, ai e përmbysi enën e mbushur me ujë sapuni. Ajo vështronte me habi dhe e gëzuar tek flluskat e para shpërndaheshin, pastaj çaheshin e zhdukeshin në ajër.”…2)Gjon Mili i shfrytëzonte rastet e mbushura me humorin e habinë e vajzës për të shkrepur fotot e tij të mrekulluesme fëminore. Atë e udhëhiqte parimi për të mos e humbur çastin; sepse për të fotografia ishtë një rastësi e llogaritur. Ndaj shkrepi për vajzën Celestine dhjetra foto nga të cilat disa u botuan në revistën LIFE, të tjerat mbeten në arkiva e memorje. “Një fotografi nuk ka nevojë të ftojë aq shumë se sa të krijojë një tronditje dhe t’i shkaktojë shikuesit çuditshmërinë e pasazhit… Kjo mund t’i japë jetë gurit, apo të rrëmbejë mrekullinë e një fëmija që synon të kapë një flluskë sapuni.”3)
Gjimnastja e shkëlqyer 15 Vjeçare, Bonnie Nebelong, “e varur” përdisa çaste të shkurtëra në ajër në 8 foto nga dritat stroboskopike të Milit, është duke bërë rrotullime të vështira, plot fleksibilitet të tupit duke qeshur e sfiduar rrezikun, pasi ajo ka bërë një salto me rrotullime anash. Fotot e tjera të saj janë përdorur si modele studimi për gjimnastet e ekipit.4)

Larmia tematike, kompozicionale dhe teknologjike është për Milin një motiv profesional që iu jep fotove një ekspresion dhe bukuri të veçantë estetike botës së tyre të pakufishme. Ndër teknikat e mëtejshme, ai ka aplikuar me shumë sukses atë që lidhet me veprimet lodruese dhe dritën stroboskopike të shumëfishtë, për të na dhuruar foto me impresione të veçanta vizive. Një fëmijë i sapolindur, një djalosh që vrapon duke zbërthuer stroboskopisht trokthin e tij , një vajzë e mitur kampione që kërcen pirueta në ajër, një vogëlushe me gërsheta që hidhet në litar duke krijuar një stroboskopi të përkryer lirike, pesë vajza që shkëputen nga toka dhe mbeten “të ngrira në ajër” (me teknikën “stop motion” që të kujtojnë “The Lindy Hop”), një djalë që mban të varur pas bishti një iguana, dy boksierë të vegjël me doreza të rriturish, një gjimnaste të vogël që luan me macen dhe një djalë e një vajzë që luajnë me qenin, një djalosh me ngjyrë që ha shalqi, dy fëmijët miturakë të piktorit ekspresionist Arshile Gorky, një tjetër vajzë me biçikletë duke komunikuar me piktorin e famshëm Marc Shagall në një foto të shpejtë e të rastësishme, Elizabeth Taylor – aktorja adoleshente e ulur në gjunjët e aktorit Richard Burton, disa foto fëmijësh të solarizuara, një grup djemsh irlandezë që luajnë futboll në rrugët e Dublinit, si dhe të tjera foto të fëmijëve në Irlandë; vajza Patricia me babain e vet Alfred Hitchock dhe aktoren e vogël Edna May Wonacott gjatë xhirimit të filmit “Shadow of a Doubt” (Hije Dyshimi, 1943), etj, etj…, dy miq të vegjël që shfaqen pas një dritareje, një vajzë që fshin shkallët e shtëpisë me një fshesë më të gjatë se vetja e saj, skena nga shfaqja muzikore Peter Pan, ku fëmijët flututojnë në skenë si engjëj5), vajza e mitur e skulptorit Jacques Lipchitz në një foto mbresëlënëse me çelsin e shtëpisë të varur në dorë duke “punuar” në studion e të atit, një vajzë e varfër e trishtuar me lotë në buzët që mban një kukull lecke në duar, të cilën Gjon Mili e ka ekspozuar në format të madh në disa ekspozita të rëndësishme të tij, varkëtari i vogël dhe shumë foto malli të rrugës (street photogaraphs), nga Rumania fëminore, si dhe fotografia gjithëpërfshirëse “Fëmijët e Botës”, etj. përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kontributit të tij artistik ndaj fëmijëve.

Më në fund, me shumë interes është një superfotografim me ngjyra i Gjon Milit i shfaqjes për fëmijë “The Me Nobody Knows” (Mua s’më Përfill Njeri) më 1970, jo vetëm për shprehjen e talentit të veçantë krijues e interpretues të fëmijëve, por sidomos për një teknikë të re fotografimit, që ai e emërtoi “Photography without shape” (fotografi pa formë), të cilën Mili e kishte shpikur e lëvruar nga fillimi i viteve ’80.


I thukët e protestues, i vendosur në një muzikal që vjen valë-valë, vajton ose gurgullon, “Mua askush s’më Përfill” është një evokim pasionant i një dite të të rinjve në jetën e getos, bazuar në një sërë fotografish dhe poezish të shkruara nga fëmijët e lagjeve të varfëra të qytetit të Nju Jorkut dhe të mbledhura në një libër nga mësuesi i shkollës, Stephen M. Joseph, shfaqja mahniti kritikët kur u dha në Nju Jork dhe fitoi menjëherë çmimin “Obie” në vitin 1970 për muzikalin më të mirë të Brodway-it. Dymbëdhjetë aktorë të rinj, tetë prej tyre me ngjyrë, këndojnë dhe imitojnë në një skenë të zhveshur përpara shembëllimit skeletor të një banese të djegur, ndërsa projeksioni filmik i rrugëve të getos reflektohet nëpër skenë. Për të kapur fuqinë dramatike të lojës, fotografi Gjon Mili punoi me një aparat fotografik në lëvizje nën ndriçimin e zbehtë të skenës për nëntë nga interpretimet. Në fotot e tij, dëshirat e vrazhda dhe të turbullta të getos gjejnë fytyrën e tyre të fëmijërisë. 6)

Brenda montazheve me foto të Gjon Milit janë vendosur krijime, poezi, esse të shkurtra dhe letra korrespondence, të cilat ishin krijuar dhe interpretoheshin në shfaqje nga vetë krijuesit e rinj. Ja disa fragmente nga një prej tyre:
Unë them në një iluzion
Unë flas por vetëm në një iluzion
Sepse shoh dhe jo.
Jam unë dhe nuk jam
Unë dëgjoj dhe nuk dëgjoj…
Kujdesem të kaloj një ditë në shtëpinë time të vdekjes,
Shikoni kopshtin tim, a jeni i mahnitur?
Pa pemë, pa lule, pa bar, pa kopshin vetët.
Dua dhe s’dua,
Unë urrej dhe nuk urrej,
Unë këndoj dhe nuk këndoj,
Unë jetoj dhe nuk jetoj.
Sepse unë jam në një dhomë me tym të turbullt
Dhe një ere të parfumuar
Askund nuk mund të shkoj dhe t’i thyej këto lidhje
Që më mbajnë në një iluzion…

Thuajse të gjitha krijimet poetike të vendosura mbi fotot e Milit kanë një përqasje të habitshme frekuencash estetike. Modeli poetik i nënvetëdijës, paradoksit dhe irracionalitetit, që ngërthejnë në vetvete përjashtimin, vuajtjen, diskriminimin, por edhe domosdoshmërinë për protestë, shpërthimet e tyre ekzistenciale, motivimin human nëpërmjet dëshirës për të interpretuar dhe për t’u promovuar në shoqëri me anë të ekzaltimeve të tyre metaforike, por shpesh herë abstrakte, pa “lidhje” të rrjedhshme të vargjeve e strofave, janë në sinkron të plotë me teknikën e modelin fotografik të Gjon Milit. Si rrallë herë, fotot me një spostim horizontal të aparatit kundër lëvizjes, diafragma e të cilit qëndron hapur për një kohë më të gjatë se zakonisht nën veprimin e ndriçimit mjeshtëror, krijon shtjellat, turbulencat, dallgëzimet, furtunat, një fushë magnetike ndriçimi asimetrik në qendrat e të cilave qëndrojnë njerëz të vegullt, që i krijojnë ato me lëvizjete e tyre demonstruese, kaotike, si reflekse të gjendjes së tyre të dëshpëruar, të mjerueshme, por e dëshirës, shpresës, besimit, guximit e afirmimit të dinjitetit e fuqisë së tyre njerëzore.

…Ishte viti 1937. Atë vit Mili do të mbushte 33 vjeç. Ai punonte ende si inxhinier kërkues në kompaninë Westinghouse Electric & Manufacturing Co. NY, por siç e kemi përmendur edhe më herët ai kishte filluar të mendonte edhe ndaj pasionit për fotografinë duke sprovuar aftësitë e tij me fotografinë. Le të kujtojmë që ai kishte kryer që kur ishte student në MIT kursin e fotografisë dhe, në vitin 1934 ai kishte çelur një ekspozitë vetiake fotografike për dashamirësit e tij.

Një vizitë e shumëpritur e nënës së tij pas 19 vitesh ndarjeje do ta shënonte atë vit. Si duket, krahas të tjerash, misioni kryesor i nënës së tij kishte të bënte me merakun e saj për të ardhmen familjare të të birit. Kështu në essenë e tij të gjatë “Her Legacy-A photographer’s Journey into the Memory of his Mother”, të botuar edhe në revistën LIFE7) Gjoni shkruan se si sytë e nënës, të vetmet që nuk kishin ndryshuar, reflektonin lutjet e saj në letërkëmbimin midis tyre, ku midis të tjerash ajo i thosh: “Vazhdimisht të pyes, kur do të kthehesh…? Eja, këtej ka vajza të mira e të përshtatshme… Për punën, mos u shqetëso…, fundja nuk jemi pa miq“.
Por Amerika ishte si një magnet i pamëshirshëm, të kapte fort në qerthullën e tij e nuk të lëshonte, madje, i vetëm, ndodhte që njeriu nuk mendonte të kujdesej as për fatin e vetes.
Gjatë një komunikimi verbal me ish redaktorin e fotografive të revistës “LIFE”, John Loengard, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta (2020), unë e pyeta edhe rreth jetës familjare e private të Gjon Milit. Midis të tjerash ai u shpreh se, “… Në përgjithësi Mili ka qenë një figurë shumë diskrete për jetën intime, ndryshe nga shumë artistë të tjerë të rrethit të tij. Ai la pas kryesisht trashëgiminë artistike dhe eksperimentet fotografike më shumë sesa rrëfime autobiografike, kujtime apo kronika familjare… Afërsia emocionale dhe intuitive me një botë njerëzore — në këtë rast me fëmijët — nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht me jetën familjare personale… Në fotografitë e tij me fëmijë shpesh ndihet jo sentimentalizëm paternal, por mahnitje estetike dhe humane për energjinë e jetës në formën e saj më embrionale…

Pastaj, duhet pasur parasysh edhe konteksti i brezit të tij. Shumë fotografë e artistë të shekullit XX — sidomos ata të lidhur me ritmin modernist të Nju Jorkut, revistave si LIFE dhe jetës nomade profesionale — jetonin në mënyrë tepër intensive e të paqëndrueshme për jetën tradicionale familjare. Udhëtimet, laboratorët, netët e gjata të punës dhe përqendrimi ekstrem te krijimtaria shpesh e zëvendësonin jetën private. Si duket, Gjon Mili ishte një nga këta”.
Pra, edhe pse Mili nuk mundi të krijojë familjen e vet, megjthatë ai kishte një ndjeshmëri intuitive e subkoshiente për fëmijët dhe tiparet e çiltërsinë e tyre shpirtërore.
Ndaj edhe fotot dedikuar fëmijëveqë janë të shumta dhe mbeten një fragment i dëlirë e i qashtër i krijimtarisë së tij. Ndjesia kryesore e krijimit të tyre ka qenë dashuria dhe dhe shpirti emotiv i Gjon Milit.
Gjon Mili, ka patur aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në botën e fëmijëve, sepse ata rrezatonin sinqeritet, spontanitet dhe naivitet “fëminor”. Fotografia e Milit — sidomos ajo në lëvizje, e çastit vendimtar, e lojës së dritës — ka diçka shumë të afërt me ta: impulsin, energjinë.

Së dyti, Mili ishte një eksperimentues obsesiv i teknikës fotografike. Fëmijët, me lëvizjet e tyre të paparashikueshme, lojën, gjestet e pakontrolluara dhe shprehjet autentike, ishin subjekte ideale për kërkimet e tij mbi lëvizjen dhe ritmin vizual. Ai nuk i trajtonte si “objekte sentimentale”, por si qenie plot energji jetësore.
Së fundmi, ndoshta tek Gjon Mili mund të ketë ekzistuar edhe një dimension sublimimi artistik. Shpesh artistët projektojnë në art atë që nuk e ndërtojnë dot në jetën private. Në vend që energjia emocionale të kanalizohet në familje, ajo mund të jetë transformuar në krijimtari. Kjo nuk do të thotë “neglizhencë”, por një mënyrë tjetër jetese, ku arti bëhet qendra absolute e ekzistencës.

Pra, “paradoksi” që vemë re tek raporti i fotove të fëmijëve me Milin pa familje mund të jetë, ndoshta, shumë human: ai mund të ketë pasur një aftësi të rrallë për të kuptuar botën emocionale të fëmijëve, pa zgjedhur domosdoshmërisht rolin e prindit. Në disa raste, madje, kjo distancë personale i jep artistit një lloj lirie vrojtimi dhe ndjeshmërie që nuk filtrohet nga rutina familjare. Sidoqoftë, fëmijët mbeten për Milin një peng pasioni e dashurie e përjetshme.
□ □ □
Referenca:
- A Young English Skater is Sonja Henie’s Rival: LIFE November 28, 1938. pp 32,33.
- Celestine Ku Blows First Soap Bubbles: LIFE: July 14, 1941, pp. 6-8
- Gjon MIli: Photography in the Humanity, p. 46
- LIFE: June 14, 1943 pp: 64 -69
- Peter Pan: LIFE Magazine, May 22, 1950 pp.38-42
- “The Me Nobody Knows.” A Glamorous Cry from the Getto Becomes An off- Brodway Hit. Photographed by Gjon Mili : LIFE September 4, 1970, pp 34-38
- Gj.Mili: Her Legacy, LIFE magazine, May 26, 1972, p.58