Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Xheni Krypi

Ëndrra s’bindet

Ti hyn sërish,
jo si trup,
por si kufi.
Horizonti të mban formën,
deti ta harron emrin,
por jo zërin.
E ndjej hapin tënd
në heshtjen që më rrethon,
në ajrin që nuk më lejon të fle,
në kohën që nuk bën kthim pas.
Je pranë,
pa prekur,
dhe çdo gjë që kam thënë
më duket e vonuar.
Në ëndërr, nuk ka rrugëdalje,
vetëm kjo lëvizje e hollë,
e njëjta siç hyn,
e njëjta që mbetet.

Mos ik

Mos ik—
pëshpërit ëndrra.
Mos ik—
përderisa zgjohem.
Qëndro edhe një çast
në këtë mes,
ku drita s’është ende ditë
dhe emri yt
nuk më dhemb.
Nëse do të ikësh,
bëje ngadalë,
si gjumi nga trupi,
pa më trembur zemrën.
Sepse zgjimi
është gjithmonë humbje,
dhe unë ende
po mësohem
me mungesën.
vetëm për të të humbur prapë.

Në këtë botë

Në këtë botë të shtrydhur
deri në palcë,
ku balta quhet poezi
dhe katrama – paqe,
unë sërish
dua të mbetem e ndershme.
Ndoshta s’di sa gjatë.
Por sot—
le të mjaftojë.
Sepse ndershmëria ime
është një zë i vogël
në këtë rrëmujë,
por zëri që nuk do të fshihet,
qoftë edhe për një ditë të vetme.
Dhe në këtë ditë,
dua të jem e gjallë
në çdo frymëmarrje,
në çdo plagë,
në çdo mungesë.
Sot, mjafton që të jem unë.
Pa zbukuruar, pa fshehur,
vetëm unë, e ndershme,
dhe kjo më mban ende.

Lotit

Dhe ti, lot,
rri edhe pak.
Ma njom jastëkun,
ma zbardh agimin,
dhe nëse mundesh…
sillma lumturinë
si dhuratë të vogël,
pa zhurmë.
Le të vijë pa trokitur,
si drita që gjen çarjet,
si një frymë e butë
që nuk premton,
por mbetet.
Nëse s’është shumë,
le të rrijë vetëm një çast,
sa të më mësojë
se edhe gëzimi
di të qajë.