Albspirit

Media/News/Publishing

Vladimir Marku: KOMBI NË KRIZË BESIMI

Sot Shqipëria po përjeton një tjetër moment përplasjeje mes qytetarit dhe pushtetit. Protestat e fundit, të lidhura me projekte të mëdha zhvillimore si ato në Zvërnec apo në Sazan, nuk tregojnë domosdoshmërisht se qytetarët janë kundër investimeve. Përkundrazi, shumica e shqiptarëve e kuptojnë se vendi ka nevojë për zhvillim, investime dhe vende të reja pune.
Por pyetja që po ngrihet gjithnjë e më fort është një tjetër: a po informohet qytetari mjaftueshëm për atë që po ndodh me pasuritë publike dhe territorin e vendit? A po merren vendimet me transparencën e nevojshme dhe në interesin afatgjatë të shoqërisë?
Kur mungojnë shpjegimet e qarta, kur dokumentet nuk bëhen lehtësisht të aksesueshme dhe kur debati publik zëvendësohet nga propaganda politike, lind dyshimi. Dhe kur lind dyshimi, fillon të lëkundet besimi.
Në thelb, protestat e sotme nuk flasin vetëm për një ishull, një bregdet apo një investim të caktuar. Ato flasin për diçka më të thellë: për marrëdhënien e krisur mes qytetarit dhe institucioneve. Për ndjesinë se vendime të rëndësishme merren larg syve të publikut. Për bindjen se zëri i qytetarit dëgjohet vetëm në ditën e zgjedhjeve.
Dhe pikërisht këtu fillon kriza më e madhe e një shoqërie: kriza e besimit.
Ngjarjet e viteve të fundit tregojnë se ndoshta nuk kemi ecur në drejtimin e duhur që nga përmbysja e regjimit diktatorial. Me rënien e komunizmit, shqiptarët pritën me gëzim dhe shpresë demokracinë. Besuan se do të ndërtohej një shtet ku ligji do të ishte mbi të gjithë, ku vota do të kishte peshë dhe ku meritokracia do të zinte vendin e privilegjit.
Por vitet kaluan dhe zhgënjimi u rrit. Pati rotacione politike, pati premtime dhe reforma, por shumë prej tyre mbetën sipërfaqësore. Demokracia nuk arriti të funksionojë gjithmonë sipas parimeve të saj themelore. Mekanizmi i votës, meritokracia dhe institucionet shpesh nuk i shërbyen qytetarit ashtu siç duhej.
Çfarë besimi mund të ketë qytetari kur profesionalizmi zëvendësohet nga përkatësia politike? Kur pozicionet drejtuese trajtohen si shpërblime politike dhe jo si përgjegjësi profesionale?
Në një sistem të tillë nuk vlerësohet aftësia, por bindja. Nuk promovohet dija, por lidhja. Profesionisti me vite studimi dhe përvojë mbetet mënjanë, ndërsa mediokriteti shpërblehet. Kur profesionisti largohet ose hesht, humbet e gjithë shoqëria.
Nepotizmi, korrupsioni dhe mungesa e vizionit u bënë pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Pak nga pak erdhëm në këtë gjendje: shpopullim, mosbesim dhe korrupsion në shumë nivele të jetës publike. Në arsim. Në shëndetësi. Në ekonomi. Në administratë.
Besimi që qytetarët u dhanë përfaqësuesve të tyre është shpërdoruar shpesh. Ligjet elektorale janë ndërtuar kryesisht për të ruajtur pozitat e forcave politike, ndërsa interesat e qytetarëve kanë mbetur në plan të dytë. Shpesh duket sikur më e rëndësishme është të qëndrosh në pushtet sesa të qeverisësh mirë.
Harrohet se posti publik nuk është privilegj. Është shërbim.

***

Çfarë besimi duhet të kemi kur, pas më shumë se tre dekadash pluralizëm, ende nuk kemi një minimum jetik që t’i garantojë çdo qytetari një jetë me dinjitet? Çfarë besimi duhet të kemi kur pensionistët shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për medikamente, ndërsa dëgjojnë vazhdimisht se shëndetësia është falas? Çfarë besimi duhet të kemi kur pasuritë kombëtare kalojnë në duar private, por përfitimet për qytetarët mbeten të pakta?
Dhe mbi të gjitha, çfarë besimi duhet të kemi kur për dekada me radhë kemi parë gabime, skandale dhe dështime, por rrallë kemi dëgjuar një ndjesë të sinqertë?
Një pranim gabimi nuk e dobëson një lider. Përkundrazi, e bën më njerëzor dhe më të besueshëm. Por në politikën tonë, shpesh duket sikur pushteti nuk gabon kurrë.
Qytetari kërkon drejtësi, por mbi të gjitha kërkon përgjegjësi. Kërkon që dëmi i shkaktuar të pranohet dhe të korrigjohet. Pushteti nuk duhet të jetë rruga drejt pasurisë. Ai duhet të jetë rruga drejt shërbimit.
Në jetën reale përgjegjësia ka peshë. Mua më është ofruar dikur një punë që kërkonte garanci për 25 vjet. I bëra llogaritë. Isha 55 vjeç dhe kontrata do të përfundonte kur të isha 80. Hoqa dorë. Jo sepse nuk doja të punoja, por sepse nuk isha i bindur se mund ta garantoja atë përgjegjësi. Kur nuk je i sigurt se mund ta mbash një premtim, nuk e jep.
Po në politikë? Premtime shumë më të mëdha jepen çdo ditë pa asnjë garanci dhe pa asnjë përgjegjësi kur nuk mbahen.
Më revolton një pyetje e thjeshtë: si mund të ulet i qetë në tavolinë një pushtetar me privilegje të shumta, kur sheh qytetarë që enden dyerve të institucioneve pa gjetur zgjidhje për hallet e tyre?
Të njëjtin ajër thithim. Të njëjtën tokë ndajmë. Të njëjtin treg frekuentojmë. Nuk kërkoj barazi absolute, por kërkoj drejtësi të barabartë për të gjithë.
Si mund të besojmë te drejtësia kur një qytetar ndëshkohet për një shkelje të vogël, ndërsa abuzime shumë më të mëdha shpesh mbeten pa pasoja?
Besimi nuk është dhuratë që qytetari ua detyron pushtetarëve. Besimi fitohet. Dhe fitohet çdo ditë me transparencë, përgjegjësi dhe respekt ndaj ligjit. Asnjë propagandë, asnjë slogan dhe asnjë premtim elektoral nuk mund ta zëvendësojë atë.
Kjo është kriza më e madhe e kohës sonë. Kur mungon përgjegjësia, mungon besimi. Kur mungon besimi, zbehet shpresa. Dhe kur zbehet shpresa, një komb fillon të largohet nga vetja, derisa një ditë kupton se ka humbur jo vetëm njerëzit e tij, por edhe besimin se mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Unë ende e dua atdheun tim. Prandaj kritikoj. Prandaj ngre pyetje. Prandaj kërkoj më shumë përgjegjësi nga ata që na përfaqësojnë. Dhe prandaj vazhdoj të besoj se mund të bëhemi më të mirë.
Shqipëria ka gjithçka për të ecur përpara: njerëz të aftë, pasuri natyrore, histori, kulturë dhe energjinë e një populli që ka ditur të mbijetojë në kohët më të vështira. Ajo që na mungon më shumë sot nuk janë mundësitë, por besimi se institucionet ekzistojnë për t’i shërbyer qytetarit.
Ky besim mund të rikthehet. Jo me fjalë, por me vepra. Jo me privilegje për pak njerëz, por me drejtësi për të gjithë.
Sepse, pavarësisht gjithçkaje, kafenë më të mirë në botë ende e pi këtu, në Shqipërinë time të bukur.