Arben Iliazi: “Shënpoeti” Petrit Ruka
Kur të vdes unë mbyll derën dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
(Uh, sa na mbeten, një kantinë e tërë)
Pi edhe shamë që të tradhëtova me vdekje
Burrë i pabesë… si uji në rërë…
Lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi dyshemese
(Pa pikë mëshire, pa lotë)
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
S’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjtë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhëtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën).
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’dihet,
Mund të bëj marrëveshje… e të vij
…Me vesën…
Poezia “Kur të vdes unë”.
Janë të rrallë në historinë e letërsisë shqipe poetë si Petrit Ruka, që mbeten në kujtesën kombëtare dhe i mbijetojnë rrjedhës së kohërave, duke vazhduar të komunikojnë, në mënyre thuajse sistematike, me të gjallët, në çdo gjë që është njerëzore. Ruka vjen te lexuesi i gjithkohshem thjesht si një poet i plotë, me asht kombëtar, që e ka peshuar mirë çdo fjalë të thënë, çdo varg e figurë të krijuar, dhe vetëm pasi është bindur çfarë është më e mirë nga ajo që krijoi, la pas një pasuri poetike monumentale, të përmbledhur në disa vepra.
Ruka është autor i disa vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si një nga përfaqësuesit më tipikë të poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare.
Që në fillimet e krijimtarisë së tij ai tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve të kujdeshëm.
Po çfarë është ajo gjë e veçantë, që na bën të mos i ndahemi poezive të Rukës? Përgjigjet janë nga më të ndryshmet, nga më naivet, e deri te më thelbësoret. Mendoj se çdo diskutim për vlerën e poezisë së Rukës do të ishte i tepërt. Një poezi që arrin të depërtojë thellë te lexuesit, të përpihet, të stërlexohet, të bëhet pjesë e pandarë e shpirtit të njerëzve, i ka siguruar prej kohësh një vend të lakmuar autorit të saj. Vlera e Rukës si poet nuk qëndron aq në teknikat artistike që zgjodhi, se sa në mënyrën e përcjelljes së kumteve të veta poetike. Ajo që duhet pranuar nga të gjithë është unikaliteti i rrallë i personalitetit të tij poetik. Ruka ishte një bohem i pazakontë, i çiltër, i qeshur, poet meditativ, me një ndjenjë të thellë humane.
Petrit Ruka ishte frymë. Një poet tribun. Ishte zë edhe i atyre që s’dinin të flisnin. Ishte ndjeshmëri e kthyer në varg, që qante dhe shihte thellë në shpirtin tonë kolektiv.
Në krijimtarinë e tij spikat metafora e ndritshme dhe shprehëse e identitetit kombëtar. Ruka ishte poet që nuk diti të heshtë asnjëherë, pa ego vetiake, sepse poetë të tillë bëhen alter egoja e popullit të vet. Petriti ishte një poet i Shqiptarësisë dhe Urtësisë njerëzore. Sipas konceptit të të lashtëve, Urtësia kishte tre sy: për të parë të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Këta tre sy duhet të jenë në qënien e çdo shqiptari, që nuk është tjetërsuar, as nga vdekja fizike, as nga më e neveritshmja vdekje – ajo morale. Në kuptimin semantik poetët janë si ëngjëjt e Tetramorfit, të piktorit tonë gjenial, Onufrit, të shekullit të XVI, me shumë krahë e shumë sy. Përveç të tre syve të Urtësisë na duhet edhe metafora piktorike onufriane e shumë syve për të parë qartë. Monumenti poetik i Rukës ka bebëza shqetësimi për dritë dhe zhvillim, për qytetërim dhe humanizëm, për ata që e duan Shqipërinë dhe kombin. Petrit Ruka, “Nderi i Kombit”, ishte nga ata krijues që i mjaftojnë vetvetes. Një sinkronizim i plleshëm i talentit të veçantë me ndjesitë kombëtare, me fuqi të pashtershme rrezatuese. Ishte emtafora vetiake e metaforës kolektive, që shqetëson ankthshëm ndërgjegjen shqiptare.
Petrit Ruka, poeti dhe kineasti i shquar, iku në amshim 5 vjet më parë, më 6 korrik 2021, në moshën 67-vjeçare, duke lënë pas një sërë veprash letrare, mbi 10 vëllime me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi.
Miku im, skulptori Ilmi Kasemi Beati, mjeshtri që transmeton vlera të thella kombëtare dhe estetike, të cilin e kam mbiquajtur “Mikelanxheloja shqiptar”, me shumë emocion dhe finesë, ka realizuar në bronx shtatoren e “shënpoetit” në Tepelenë, atje “Ku xhindoset era/ Ku pi ujë në Vjosë kështjella”, duke e bërë pjesë të rëndësishme e trashëgimisë kulturore lokale.
SHITËS ERE
Tani që kam kohë, i mbetur pa punë,
mendjen e ndava si të mbetem gjallë,
do hap një biznes të çuditshëm në rrugë,
me mallra që tatimet kurrë s’i kanë parë.
Do dal e do shes ca erë Tepelene,
nga ajo që faqen e ka ftohur në borë,
do t’jua lidh si shall pas kokës plot halle
t’i pushojnë ca dhembje kokës së gjorë.
Nuk doni për ca qindarka të shkreta, gjysmake,
t’ju vë tek veshët pak Vjosë shushurimash,
t’ju bie fëmijërinë që e humbët me nënën,
t’u largoj ca çaste nga kjo botë llamarinash?
Nuk doni t’ju shtoj ca mall për babanë,
nga ai që bën mirë për hollimin e gjakut,
pak brengë nga ndarja me vajzën e parë
që zemrën e zgjeron sa Kisha e Shën Markut?
Erë do t’ju shes, një erë të shenjtë,
se ç’janë poetët? veç shitës ere,
me lekët e mbledhura do pi e do dehem
dhe ju do kujtoj pas çdo gllënjke prej vere…
Vraponi tani, që e dini ku rron
një shitës i famshëm ere…
Veç mos u shtyni në radhë, se kam për të gjithë:
Mos bëni potere!
(Petrit Ruka, Tiranë, gusht 2010).