Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: “Protezë” në bulevard!

Protestë në test!

Kaloi muaji dhe protesta në bulevard ende nuk po ngjiz identitetin frymëzues e të shumëpritur, në emra e platformë, që duhet të ngjitë në popull pa të arrijë ato që pretendon.  

U nis si protestë kundër BeRamës e trashëgimisë politike të tranzicionit, por ironikisht tani po rrezikon të degradojë në “protezë” e “serum” për të vjetrën – qoftë kur kalohet “nga shiu në breshër” apo kur forcohet më tej nga ajo që nuk e mposht dot.

Kauza mbresëlënëse e protestës nuk po nxjerr misionarë po të atillë me një platformë bindëse e bashkuese për të ardhmen e “telenovela” e repeteja ditore rrezikon të jetë humbje kohe e vyer për të renë që shpie ujë në mullirin e së vjetrës.

“Metri” i fitores

Nisja pa e menduar “bitisjen” normalisht tregon zanafillën e shpirtin qytetar e idealist të protestës, por qasja thjesht kundërshtuese që po tejzgjatet në kohë e pa shoqëruar nga një ofertë pohuese bindëse për më tej, nuk është ogur i mirë për objektivat e saj. 

Dështimi nuk është opsion për këtë protestë; interesi qytetar, kombëtar e demokratik e do që ajo të arrijë objektivin e saj që mbetet largimi i BeRamës e futja e demokracisë në hulli.

Kjo protestë do të quhej e suksesshme jo domosdoshmërisht duke larguar me ultimatum sheshi BeRamën (do të ndodhë herët e vonë me votë) se kjo mund të jetë boomerang për të, por duke krijuar parti të re apo grupim partish që shpalosin një program demokratik frymëzues për të gjithë.

Dialogu me pushtetin nuk duhet të refuzohet ndryshe protesta humb pikë me qasjen refraktare sikurse edhe humb një shans për imazh publik.

Paralelisht ajo duhet të “imunizohet” nga të “tretë” që e rrezikojnë imazhin e aksionin e saj. Dalja publike e PD në përkrahje të saj është realisht nëpërkëmbje e saj. I jep alibi qeverisë e provon interesin e përbashkët BeRama ndaj saj. Edhe distancimi nga dhuna ndaj forcave të rendit, intimidimet ndaj medias, qytetarëve në punë të vet etj, është jetik për mbijetesën, imazhin e suksesin e saj.

Me “zë” e “figurë”

Protesta e çliruar nga “shkopinjtë nën rrota” të BeRamës duhet me urgjencë të krijojë një grupim ad-hoc politik me rrotacion drejtimi ku të pranishëm të jenë si partitë që distancohen prej abuzimit në tranzicion ashtu edhe përfaqësues të segmentëve qytetare në shesh. Nuk ka struktura të përsosura që të jetë kjo e tillë; boll të krijohet se koha e përsos.

Pa humbur kohë, ky grupim duhet të hartojë një program politik bazë që bashkon mbarë shoqërinë se hallet nuk bëjnë dallim. Nuk do shpikim “rrotën” në demokraci e nisma nga shorti si në Athinën e lashtë, Mbledhjet e popullit etj, vetëm pështjellojnë.

Problem nuk është sistemi demokratik, por deformimi i tij ndaj dhe thelbi i programit politik në bulevard duhet të jetë rikthimi i votës në identitet si “ADN”  e demokracisë që pastaj e gërshetuar me drejtësinë e meritën e pronës, ndarjen e pushteteve, kauzën kombëtare etj, rizgjon besimin qytetar tek e ardhmja në vend.

Burra të “mirë” apo sistem të mirë!

Ndonëse politikanët rëndom na dalin vezë “kllufe” kur i pandehnim për burra të mirë, kjo nuk do të thotë as të biem në fatalitetin se “të gjithë janë njëlloj” apo të bëjmë naivin se mbase ai i rradhës “vë dorën në zëmër e del i mirë”. Sytë e shpresën nuk kemi pse t’i mbajmë nga politikani por sistemi. Një sistem i mirë nxjerr herët a vonë burra të mirë ndërkohë që e kundërta nuk qëndron.

Retorika e protestës nuk ka pse anatemon sot për ndershmëri dikë në pushtet e premtojë se të “mirët” po vijnë! Në mos naivitet është maskaradë sepse ndershmëria politike është gjë e rrallë ndaj nëse duhet vënë “bast”, duhet vënë tek sistemi dhe jo njeriu.

Një sistem që korrekton e pastrohet vetvetiu nga politikanët abuzues e që gërshetohet edhe me drejtësinë korrekte, krijon paskëtaj edhe preçedentin e premisat për sjelljen korrekte në politikë.

Boll besuam tek burrat e mirë në politikë; janë përjashtim e kot nuk thuhet se “Edhe ëngjëlli edhe djalli janë brenda tek i gjalli”!  

Sistemin nga “brirët”

Nëse problemet u përkeqësuan pas ujdisë zgjedhore të 2008, atëhere edhe zgjidhja është rikthimi i sistemit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional kombëtar duke përmirësuar ligjin zgjedhor në funksion të integritetit politik – mosfinancim nga buxheti për partitë, numërues apolitik, kufizim mandatesh, heqja e privilegjeve e imunitetit për deputetët etj.

Mazhoritari do të sillte integritet në politikë e Kuvënd, bënte interesante e të prekshme fushatën zgjedhore etj. Votuesi nuk ka më kë fajëson përveçse vetes dhe ndroja se bën zgjedhjen e gabuar fashitet nga siguria se ka “gurin e arrën” në dorë dhe kur deputeti merr kot, i tregon derën me votë.

Ultimatumi i sheshit për dorëheqje merr kuptim në mazhoritar – Starmer në Angli humbi mbështetjen e deputetëve të tij sepse shqetësimi i votuesit vlen më shumë se pritshmëria e drejtuesit të partisë.  

Lehtësimi i procedurave për referendum do të ishte tjetër shtysë drejt integritetit në politik ndonse nuk duhet të idealizohet teksa reflekton emancipimin demokratik. Vullneti i shumicës nuk është gjithnjë e drejta dhe e vërteta (Mesinë e kryqëzoi turma!) dhe ai mund të cënojë interesa të brezave më tej ndaj dhe duhet të rishikohet në kohë.

Ndonse nocione si zëri i “sovranit”, “Mbledhja e popullit” etj tingëllojnë parimore, praktika tregon se tek ne “dy veta nuk bëhen bashkë”. Deri dhe një “Ansamble pronarësh” në pallate po rezulton grotesk – shteti e pushteti lokal lau duart me qytetarin e sot pallatet nuk merren vesh si administrohen ndaj dhe një rikthim i “Komunales” me taksë vendore administrimi e me tenderime privatësh do të ishte një zgjidhje dinjitoze, praktike (rasti i zëvëndësimit të ashensorit), harmonike etj për bashkëjetesën qytetare në pallate. “Turma” nuk administron dot një pallat, pale më një vënd!

Protesta duhet ketë prioritet respektimin e kompensimin e pronës historike duke kthyer shënjtërinë e tapisë të bërë leckë, të propozojë president nga populli, ndarje reale pushtetesh e zgjedhje nga populli të majave të piramidës gjyqësore, prioritet ndaj industrisë e bujqësisë, trajtim jo bardhë e zi të së shkuarës etj.

Dinjitet kombëtar

Kauza kombëtare përbashkon të gjithë ndaj dhe protesta duhet të artikulojë çështjet kombëtare të marra peng gjatë. Nga integrimi panshqiptar në gadishullin Iliro-Iperik, të drejtat historike të bashkëkombasve në rajon – çamët, arvanitasit, Lugina, Nishi, emigrantët, toponimet, e shkuara e historia pellazgo-iperike-ilirike, reflektimet në tekstet mësimore etj, të cilat nuk ndërlikojnë

 por i japin dinjitet integrimit e fqinjësisë duke testuar vullnetin demokratik të BE e Greqisë atje.

Nuk jemi të humburit e Europës por “muzeu” i saj nga gjuha, alfabeti pellazg, historia, besimi etj, që janë zanafilla e qytetërimit europian. Nuk pretendojmë të jemi sot europianët më të mirë por jemi europianët “origjinal” e historia e gjuha jonë si vazhduese e pellazgo-iperike-ilire-arbërores është historia e gjuha e të parëve të kujtdo në kontinent. Kur turisti viziton Shqipërinë, nuk ndjehet thjesht si në shtëpi por… vërtet në shtëpi të tij se duke parë, dëgjuar e  ndjerë “shpirtin” e të parëve të tij, “Mirësevini në Shqipëri” i tingëllon si “Mirësevini në shtëpi”.

Tranzicioni zullumqar e lëndoi gjatë dinjitetin kombëtar. Nuk është BE që na bën nder duke na dhënë një “stol” cepave në Bruksel por ne që i bëjmë nder atij duke plotësuar mozaikun europian me “fillin” që e lidh me lashtësinë.

Kauza kombëtare, së bashku me prioritetet e lartpërmëndura që numërohen me gishtat e dorës, dalin e teprojnë për të krijuar besimin e shpresën qytetare për të çuar përpara me dinjitet këtë vënd. Është një “fushë loje” që BeRama nuk e ha dot dhe vota do të bëjë të sajën dikur.   

Protesta nuk duhet të futet në “qorrsokak”ultimatumesh në bulevard! Zemërata e bulevardit duhet të transformohet në aksion normal politik që do të spikasë natyrshëm përballë anormalitetit BeRama.

Ta nisin se koha të mëson. Boll që bashkë me flamingot e sajesat me IA, të shpalosin si krye-parrullë thirrjen “Votë Mazhoritare”. Ndryshe llafet janë fukarallëk e në mos naivitet politik në pritje të të “rënëve nga qielli”, është djallëzia e rradhës “zbrit ti të hypi unë”. Nëse nuk synohet shteti por pushteti, atëhere nuk është protestë por “protezë” e së vjetrës dhe qytetari nuk ua ka borxh të tororiset në bulevard. Është protestë në test!