Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: Treva shqiptare që u masakruan nga fashizmi
Ka plagë të përgjakshme që koha nuk i mbyll kurrë, sikurse ka ndodhur me masakrën çnjerëzore ndaj Borovës, Barmashit, Kagjinasit, Podës, Ersekës dhe mbarë trevës kolonjare. Ka ditë tmerri që nuk mbeten vetëm në kalendar, por nguliten përgjithmonë në ndërgjegjen e një kombi. Njëra prej tyre është padyshim 6 korriku 1943, dita kur Borova u shndërrua në një altar martirizimi, ku gjaku i njerëzve të pafajshëm u përzie me hirin e shtëpive të djegura dhe me britmat që jehuan nëpër malet e Kolonjës martire. Dhe jo vetëm në Ersekë, por edhe në dhjetëra masakra të tjera të ndodhura në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte koha kur Italia ishte në grahmat e fundit, ndërsa një divizion gjerman, me rreth 24.000 ushtarë, kaloi në Shqipëri, nga Mali i Zi drejt Janinës. Masakra e Borovës u krye nga nazifashistët, nga trupat e Divizionit Alpin Gjerman. Ajo nuk ishte thjesht një akt hakmarrjeje. Ajo ishte një krim i paramenduar kundër jetës, kundër njerëzimit, kundër popullatës së pafajshme, kundër vetë ndërgjegjes njerëzore. Ishte dita kur nazizmi tregoi fytyrën e tij më çnjerëzore, duke mos kursyer as foshnjat, as gratë, as pleqtë, as njerëzit që nuk kishin mbajtur kurrë armë në dorë. Ishte dita kur toka u mbulua me gjak dhe zi. Në Grykën e Barmashit, partizanët shqiptarë kishin goditur një autokolonë gjermane, duke i shkaktuar humbje dhe duke vonuar marshimin e saj. Të pafuqishëm për ta shuar menjëherë rezistencën, pushtuesit zgjodhën rrugën që kishin ndjekur në shumë vende të Evropës së pushtuar: të derdhnin zemërimin mbi popullsinë civile, mbi njerëzit më të pambrojtur. Kështu ndodhi në të vërtetë. Borova nuk u sulmua sepse përbënte një objektiv ushtarak. Ajo u dënua sepse ishte shqiptare; u dogj sepse duhej të shërbente si shembull terrori e tmerri. Treva kolonjare u mbulua me gjak, sepse nazizmi besonte se frika mund të mposhtte etjen e një populli për liri e pavarësi. Fakt është se ajo që ndodhi atë ditë korriku të vitit 1943 ishte përtej çdo përfytyrimi. Flakët përpinë shtëpitë njëra pas tjetrës. Tymi i zi mbuloi qiellin, ndërsa rrugët e fshatit u mbushën me britma nënash, me të qara fëmijësh dhe me ulërimat e njerëzve që kërkonin më kot të shpëtonin të dashurit e tyre. Brenda pak orësh, jeta u shndërrua në heshtje, në zi e në tmerr. Njëqind e shtatë zemra pushuan së rrahuri, njëqind e shtatë jetë u këputën mizorisht, njëqind e shtatë ëndrra mbetën përgjithmonë të pambaruara. Sot janë 107 dëshmorë të Atdheut, dëshmorë të lirisë. Mes tyre kishte foshnja katërmuajshe që nuk do ta mësonin kurrë të shqiptonin fjalën “nënë”; kishte fëmijë që nuk do të rriteshin kurrë; kishte vajza e djem të rinj me gjithë jetën përpara; kishte nëna që ranë duke mbrojtur fëmijët e tyre dhe pleq që panë për herë të fundit flakët të përpinin mundin e një jete të tërë. Atë ditë nuk u dogjën vetëm shtëpi. U dogjën familje, kujtime, ëndrra dhe një copëz e shpirtit të Shqipërisë. Borova u kthye në një varr të madh pa mure, ku në çdo gur, në çdo prag dere dhe në çdo pëllëmbë toke mbeti kujtimi i një jete të këputur padrejtësisht. Ndërkohë, pushtuesit gabuan rëndë në llogaritë e tyre. Ata menduan e gjykuan se gjaku do të sillte frikë. Menduan se zjarri do ta shuante dëshirën për liri. Menduan se terrori do ta përkulte popullin shqiptar, por ndodhi e kundërta. Nga hiri i Borovës u ringrit një vendosmëri edhe më e madhe, edhe më solide, edhe më e fortë. Shumë të rinj morën rrugën e maleve dhe iu bashkuan formacioneve partizane, duke u betuar se gjaku i të pafajshmëve nuk do të mbetej pa kujtesë, pa drejtësi. Çdo viktimë u bë një thirrje e thellë, si amanet për rezistencë. Çdo shtëpi e djegur u bë një arsye më shumë për të luftuar deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë sonë të dashur. Masakra e Borovës rrëzoi përfundimisht çdo pretendim të propagandës naziste se pushtimi gjerman sillte rend apo çlirim. Përballë flakëve të Borovës, maska e pushtuesit ra. Toka u mbulua me gjak e zi, ndërsa breshëritë e automatikëve dhe mitralozëve, me plumbat e pamëshirshëm, binin si breshër mbi të pafajshmit shqiptarë. Mbeti vetëm e vërteta e hidhur: një regjim gjakatar që ndërtonte sundimin mbi terrorin, mbi djegien e fshatrave dhe mbi vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Nga pikëpamja ushtarake, ngjarja lidhet drejtpërdrejt me rëndësinë strategjike të aksit Korçë–Ersekë–Janinë dhe me goditjen që forcat partizane shqiptare u dhanë njësive gjermane në Grykën e Barmashit. Por, nga pikëpamja njerëzore, Borova nuk mund të matet me harta, me operacione apo me statistika. Borova matet me dhimbjen e një nëne që humbi fëmijën, me lotët e një populli dhe me heshtjen që mbeti pas britmave dhe tmerreve.
Masakra e Borovës ishte dhe mbeti në kujtesën historike një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, djegien e vendbanimeve dhe shfarosjen sistematike të një komuniteti të tërë. Njohja nga shteti shqiptar e 107 viktimave, duke u dhënë titullin“Dëshmorë të Atdheut”, nuk është vetëm një akt nderimi, por edhe një detyrim moral dhe historik ndaj njerëzve që u flijuan pa faj, pa armë dhe pa mbrojtje. Borova nuk është vetëm një emër në hartën shqiptare, por një plagë e madhe dhe e thellë që ende dhemb. Borova është një kambanë kujtese që bie për çdo brez dhe që trashëgohet brez pas brezi. Borova është dhimbja e madhe dhe dëshmia se liria ka një çmim të tmerrshëm dhe se ai çmim është paguar edhe me jetën e 107 njerëzve të pafajshëm. Ashtu si fshatrat martire të Evropës, si Lidice, Oradour-sur-Glane dhe Distomo, e shumë të tjerë, edhe Borova qëndron sot si një monument i gjallë i vuajtjes njerëzore dhe i barbarisë naziste. Përkujtimi i Borovës nuk është vetëm një homazh për të rënët, për Dëshmorët, por edhe një përbetim, një betim se emrat e 107 martirëve nuk do të mbulohen kurrë nga harresa; një betim se gjaku i tyre do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës kombëtare shqiptare. Borova kujton një ditë që nuk mbaron kurrë: 6 korrikun e përgjakshëm të vitit 1943, një kambanë turpi për nazifashistët gjermanë, të cilët, edhe pse pasardhësit e tyre kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në Borovë për të kërkuar falje për atë masakër çnjerëzore, nuk mund ta lajnë kurrë turpin dhe krimin që kryen në Borovë dhe në fshatrat përreth. Nuk ka lumë e as det që ta lajë atë krim. Nderim, respekt dhe mirënjohje Dëshmorëve të Atdheut që ranë në Borovë: Venetija Thoma Toti, Koço Thoma Tota, Aleko Ngjelo, Zoica Totoni, Kristina Ilija Andon, Ilija Andon, Parako Andon, Stefani Peti Andrea, Vasiliqi Peti Andrea, Andronika Peti Andrea, Marija Koli Proko, Konstandin Ilija, Andronika Ilija, Nikolla Ilija, Eftali Pando Tota, Poliksen Pando, Sotir Petro Zoto, Afrovit Pilo, Sotir Taqe, Sotir Petro, Kleanthi Janaq, Mariko Janaq, Sofia Janaq, Ilia Janaq, Anastas Simoni, Maria Anastas, Josif Mingo, Dhimitro Josif, Aleksandra Pali, Lirika Pali, Pando Josif, Akondisa Mingo, Telo Jani, Vasillaq Llambi, Maria Stefan, Androniqi Kozma, Ksanthip Kozma, Dhevgjenia Kozma, Ollga Kozma, Paskal Kozma, Arqimandrit Grigor, Ollga Thoma, Piro Thoma, Taqi Thoma, Anastasi Thanas, Koço Thanas, Dhoksia Mikel, Dhimitrulla Vangjel, Mërtiro Thanas, Mihal Petro, Eftalia Mihal, Jane Aleks, Afrovit Lula, Sotiraq Lula, Aleks Lula, Fillareta Lula, Stefano Thoma, Eftalia Thoma, Dhora Thoma, Urani Thoma, Aleks Serafim, Jorgji Kristo, Spiro Jorgji, Afrivit Jorgji, Thoma Kondaku, Serafim Kuke, Eftalia Lani, Ollga Lani, Stefano Sokrat, Viktoria Sokrat, Gjergo Sokrat, Josif Pano, Katerina Pando, Katerina Stefan, Efthimia Koço, Josif Buzi, Vasil Anastas, Katerina Josif, Mitro Mihal, Llambi Vasil, Evgjeni Vasil, Koço Llambi, Theodhora Llambi, Vasiliqi Ilija, Gaqi Josif, Polikroni Josif, Evanthi Gaqi, Pali Gaqi, Josof Gaqi, Paravi Gaqi, Andronika Gaqi, Peti Sino, Katerina Peti, Sofia Peti, Dhimitri Peti, Simo Peti, Thomaidha Peti, Katerina Sotir, Marianthi Sotir, Polikron Sotir, Vesel Gaqe, Eleni Lazi, Thomaidha Lazi, Miço, Pilo Konioni, Zoga Punde, Perikli Zhuku, dhe (107) Poliksen Vasil. Por bazuar në dokumentacion titullin dhe përjetësinë dëshmorë e meritojnë dhe Efthim Petro Paskal rënë në Barmash, Sofia Vasil Hormova, Parashqevi Caci Pande, Zoica Stefan Prifti, Jan Dano, Koço Kono, Janaq Vangjel, dhe (115) Sofia Mitre, rënë në Barmash. (bazuar në dok e AQSH, fondi 152, viti 1943, dosja 834, fleta 15). Borova, më 6.7.1943, nuk ishte një shesh beteje, por vendi i një masakre mizore, jashtë kodeve dhe ligjeve të luftës. Vrasësi ka emër: ishin trupat e Divizionit Alpin Gjerman. Fakt është se Divizioni 104 “Jäger” transportohej në itinerarin Manastir–Follorinë–Kapshticë–Korçë–Ersekë–Leskovik–Tri Urat–Janinë. Fillimi i kolonës u godit nga njësi partizane të batalionit partizan të zonës dhe disa çeta vullnetare, duke i shkaktuar disa humbje, jo plotësisht të konfirmuara me numra dhe emra. Hakmarrja e komandës gjermane ishte një urdhër i prerë për masakrimin e fshatit Borovë. Dokumenti i Arkivit Qendror të Shtetit (AQSH), i hartuar më 21 korrik 1943 nga Nënprefektura e Kolonjës, është një listim i të masakruarve më 6 korrik 1943 dhe përbëhet nga 115 banorë. Masakra e Borovës lidhet me kohën kur transportoheshin trupat gjermane për në Janinë, pasi italianët ende nuk i kishin dorëzuar armët e luftës. Por, pas masakrës në Borovë, hakmarrja vijoi edhe në fshatra të tjerë. Nëse flasim për fshatin Kagjinas, atje u krye një masakër e dytë. Më konkretisht, u ekzekutuan 12 veta: kryetari dhe sekretari, por edhe anëtarë të Këshillit Nacionalçlirimtar, si dhe banorë të pafajshëm, ndër ta edhe një partizan i batalionit “Hakmarrja”.
Më konkretisht, u ekzekutuan me breshëri zjarri 12 (dymbëdhjetë) banorë: Jemin Halim Amdiu, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Kagjinas; Abedin Islam Nuke, sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Avni Ismail Skënderi-Frashëri; Fejzi Rasip Kapo, ish-partizan i batalionit “Hakmarrja”, i cili kishte shkuar me leje për disa ditë në Kagjinas; Muharrem Rasip Kapo; Shyqyri Sali Bahollari; Sali Shyqyri Bahollari; Mehmet Alim Hamdiu; Sadik Tela Amdiu; Safet Myrteza Amdiu; Muhamet Ali Tare dhe Teko Ramo Ferhati. Ndërkohë, strukturat kompetente vendimmarrëse për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” janë treguar të padrejta. Pse? Në librin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, me titull “Dëshmorët e Atdheut” (Tiranë, 2012), shkruar nga Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi dhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, bazuar vetëm në dokumentet juridike të gjetura në arkivat e Republikës së Shqipërisë dhe botuar në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, në faqen 121, rreshti nr. 29, dhe në faqen 122, rreshti nr. 10, rezulton se: Jemin Alim Hamdi, i vitlindjes 1908, nga Kagjinasi, ish-kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Kagjinas, është ekzekutuar me pushkatim nga forcat naziste gjermane në korrik 1943 (në moshën 35-vjeçare), menjëherë pas masakrës së Borovës, dhe është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin nr. 60, datë 23.12.2005 (faqe 122, rreshti nr. 10). Po kështu, Abedin Islam Nuke, i vitlindjes 1898, nga Kagjinasi, ish-sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Kagjinas, është ekzekutuar me pushkatim nga forcat naziste gjermane në korrik 1943 (në moshën 45-vjeçare), menjëherë pas masakrës së Borovës, dhe është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin nr. 56, datë 16.6.2005 (faqe 121, rreshti nr. 29). Pra, në vitin 2005 është vepruar drejt me shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të dy bijve të fshatit Kagjinas: Jemin Alim Hamdi dhe Abedin Islam Nuke. Por janë lënë padrejtësisht jashtë këtij vlerësimi shumica e të ekzekutuarve nga forcat gjermane në Kagjinas, konkretisht: Avni Ismail Skënderi-Frashëri, Fejzi Rasip Kapo, ish-partizan i batalionit “Hakmarrja”, i cili kishte shkuar me leje për disa ditë në Kagjinas, Muharrem Rasip Kapo, Shyqyri Sali Bahollari, Sali Shyqyri Bahollari, Mehmet Alim Hamdiu, Sadik Tela Amdiu, Safet Myrteza Amdiu, Muhamet Ali Tare dhe Teko Ramo Ferhati. Ligji nr. 109/2018 flet qartë për kriteret e shpalljes me titullin “Dëshmor i Atdheut”. E drejta vonon, por nuk harron, thotë një maksimë popullore. Është një e drejtë që duhet t’i kujtojë edhe aktorët e faktorët e pushtetit vendor e qendror, të cilëve ligji u ka dhënë kompetenca për zbatimin e tij. Është koha për ta zbatuar me përpikëri këtë ligj të shenjtë për Dëshmorët e Atdheut. Të gjithë ata që ranë nga breshëritë e plumbave të nazifashistëve shkruan me gjakun e tyre pavdekësinë dhe fjalën Lirinë altarin e kombit shqiptar.