Albspirit

Media/News/Publishing

 Albert Habazaj: POETI POPULLOR – BLETA MËMË PËR KËNGËN LABE

Albert HABAZAJ, poet, studiues i folklorit dhe i etnologjisë

Perëndesha e gëzimeve dhe hidhërimeve tona  – Kënga Labe na mblodhi sot në këtë kuvend në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ngaqë bijat dhe bijtë e saj ndien dhembjet e shqetësimeve të shëndetit artistik, moral, identitar dhe kombëtar, që asaj iu shfaqën.

Kujtoj se para një çerek shekulli, 25 vjet më parë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë zhvilloi konferencën shkencore “Vlora në rrjedhat e kohës”, në vitin 2001. Në atë kuvend diturie, etnomuzikologu Haxhi Dalipi “Artist i Merituar”, përdori emërtimin “kënga tradicionale shumëzërëshe labe”, duke dhënë ndihmesën e tij dhe për pastërtinë e gjuhës shqipe. Punimi i tij është dhurata më e mirë për poetët, këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët e Labërisë. Profesor Dalipi së bashku me ta, lartësuan vlerat më të mira të këngës labe. Nga ai gjurmues i shkëlqyer i folklorit kemi dhe një botim të rrallë, librin me studime “Duke jetuar këngën labe dhe këngën tradicionale vlonjate”, që është një visar për ne dhe brezat.

Jemi me fat që kemi pasur një folklorist të pasionuar si Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Lumit të Vlorës, që na ka lënë një visar të vërtetë, si librin e madh “Këngë popullore të Labërisë”, një koshere me mjaltë nga bletët e Labërisë në rrjedhat e kohës, qumësht blete e mjaltë zgjoi.

Teksti i arrirë i poetit popullor, vija e bukur melodike dhe interpretimi virtuoz i artistëve popullorë, në harmoni të këndshme me njëri-tjetrin janë trinia magjike, që e bëjnë këngën labe hyjneshën e shpirtit tonë. Labëria ka pasur njerëz me dhunti të veçanta që thurnin aty për aty vargje sa brilante, aq lakonike, madje shpesh herë i këndonin vetë. Pa mohuar shumë vlera shpirtërore, ku autori është anonim, kemi mjaft poetë popullorë të traditës, tekstet e të cilëve i rezistuan kohërave dhe janë të mjalta edhe sot e kësaj dite dhe shembull për autorët bashkëkohorë të teksteve të këngëve labe.

U heqim kapelen me nderim autorëve të traditës dhe vijuesve të tyre (ata janë shumë, por do të mundohem të përmend më përfaqësuesit) si Demir Ago Mystehaku, Qazim Ademi, Saliko Dalani, Abdul Ymeri në Smokthinë; Neço Muko në Himarë;  Thanas Beni në Vuno;  Muço Canaj në Velçë; Muço Sherifi e Halo Askushi në Gjorm; vëllëzërit Mato e Selim Hasani e Prënjo Koçi në Brataj; Sinan Abazi, Hyso Salati, Puçe Veliko, Sinan Mullahu, Arshi Xhelili, Hamdi Hodo e unikali Xhebro Gjika në Tërbaç; Osmën Çelo, Çelo Jonuzi, Tare Selmani, Rrapo Meto, Xhemil Veli Duka;  Myftar Shuaipi në Bolenë; Isa Sejdini Petanaj i Kallaratit (“Qaj moj Shqipëri/ ulër, moj e gjorë”- këto 2 vargje dhembin sa 4 tragjedi shekspiriane), Veliko Murati Breshanaj e Mehmet Karabolli po në Kallarat; Sino Xheli, Sejdi Peçi, Mustafa Luçi, Abaz Goxhi, Tartar Zeka e Shaho Luçi në Kuç; Ali Dino në Gusmar; Isuf Rustemi e Hekuran Dani në Mavrovë; Isuf Hoxha, Ymer Meto e Riza Sali Brahimi në Lapardha; Zenel Abdurrahmani e Malo Mersini në Drashovicë; Adem Mersini në Kaninë, Qazim Tosku në Armen;  Hasim Rakimi në Treblovë; Ramadan Xhezo, Ago Bleta e Hakie Alimuçi në Vërmik etj. Në Vërmik është dëgjuar shprehja: “Merrja Velo (Alimuçi), ktheja Shefo (Mëzuri), hidhja Zeqo (Zheku).

Me nderim kujtojmë edhe poetët dëshmorë Memo Meto, Mumin Selami e Shaban Seferi, vargjet e të cilëve këndohen nga populli.

Duke studiuar 5 almanakët folklorikë “Buçet kënga labe” (1968-1974) botime të Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Vlorë, mbledhur e përgatitur për botim nga Adem Osmani, Pavllo Gjidede, Hiqmet Meçaj, Fiqiri Goxhi e Fabit Beqiri, vërej të shkruhet saktë e qartë për këngët labe apo vallet e kënduara dhe poetët popullorë. Pikërisht, qysh në botimin e parë, në almanakun 1968-1969 shkruhet shqip: kënduar nga grupi popullor i Dukatit, grupi popullor i Smokthinës, grupi popullor i Kuçit, grupi popullor i Himarës, grupi popullor i Kaninës, grupi popullor i Drashovicës, grupi popullor i Dhërmiut, grupi popullor i Vranishtit, grupi popullor i Gjormit, grupi popullor i Tragjasit, grupi popullor i Mavrovës, grupi popullor i Kudhësit, grupi popullor i Bratit dhe grupi popullor i Tërbaçit. Kaq. Në këto botime të viteve 1970 u shfaqën poetët popullorë Dule Havari, Kujtim Mici, Meleq Kapllanaj, Lefter Çipa etj.

Në Labëri është kënduar labçe edhe familjarisht. Pa u futur në thellësi të kohërave dhe pa dalë nga Vlora, po përmend vetëm grupin e familjes së Feti Brahimit, i cili përveçse ngriti grupin e mirënjohur të Lapardhasë në vitet 1980, ishte poet popullor, këngëtar e kompozitor popullor dhe mbante mend përmendësh 10 mijë vargje, prandaj dhe i thoshnin Homeri i Labërisë.

      Sigurisht që Labëria ndihet fatlume për poetët popullorë, që vijuan e pasuruan tekstet popullore edhe për nga niveli i lartë artistik i përmbajtjes së tyre, si të mëdhenjtë e paharruar Kujtim Mici, Maliq Lila, Hamdi Pulo e Lefter Çipa, që përbëjnë katër male të krijimit të këtyre këngëve labe për të cilët Kadareja shprehet se do t’i kishin zili edhe poetët më të mirë të vendit. Këta krijues popullorë ishin edhe kompozitorët, edhe udhëheqësit artistikë të grupeve të fshatrave të tyre dhe ç’emër të bukur që lanë pas, të cilin e vijuan Muhamet Tartari, Feti Brahimi, Llambro Hysi, Pelivan Bajramaj, Namik Jahaj, Meleq Kapllani, Hysen Ruka, Lefter Haxhiraj, Teno Leno, Zaho Balili, Nertesi Asllani, Kastriot Muçaj, Arap Mero, Nexhip Sera, Leonard Malaj, Shezai Seiti, Xhevit Zeneli, Sejmen Gjokoli, Tomorr Lelo, Kristo Çipa, që po e ngre në lartësi të reja grupin e Pilurit, në gjurmët e Vëllait të madh, apo Felek Bleta, Bubuqe Jahaj Guçaj, Nazmi Kola, Lulzim Lekdushi, Arap Caushaj, Festim Skëndaj, Astrit Zogaj, Apostol Bashoj, Sofokli Bega, Përparim Çunaj, Ëngjëllush Tahiri, Maliq Beqaj, Albjon Halo, Engjëll Dapaj, Ilirjan Grabova, Shqiponja Pazaj Veshaj etj.

Qoftë folklori burimor i traditës, qoftë folklori i ri, që lind edhe sot, ka në karakteristikë shembullore – lakonizmin. Sot vërehen edhe këngë, që në fillim dalin më të gjata, sidomos kur ato ngrihen mbi narracionin, por populli i shkurton me kalimin e kohës, gojë më gojë, në të kënduar e sipër, dhe mbetet më e bukura, më e skalitura. Na i thotë vjerështori popullor, ustai i madh nuk humbet shumë fjalë, dy-tri fjalë mjaftojnë për të. Dhe janë shumë këngë të vjetra, që i kanë rezistuar kohës, por nuk janë shumë të gjata, rrallë i kalojnë 10 apo 12 vargje. Pikërisht këngë të tilla, që e kanë bërë “stazhin” 30 apo 50 vjeçar e kanë fituar vulën folklorike, janë ngritur si fortesa shpirti, që s’i shemb më dot asnjë furtunë. 

Këto ditë botova librin “Buçet Kënga labe: Festivali Folkorik Drashovicë, 2018”, që përbëhet nga dy pjesa, e para është një sprovë studimore për këngën labe, e dyta almanaku i vetëm njërit festival zonal të këngës labe, pikërisht të festivalit të Drashovicës, ku përfshihet historiku i 19 grupeve labe që morën pjesë dhe 2 këngët/ vallet që u interpretuan tek Monumenti me lule.

Me mallëngjim kujtojmë 4 poetët e shquar të teksteve të këngëve labe që kanë kontribuar shumë në dy festivalet e këngës labe në Drashovicë:

– poetin e teksteve të pikuara, marrësin epiko – lirik dhe thurësin e melodive Nertesi Asllan Bolena;

– homerikun e baladave labe Feti Brahimin e Lapardhasë;

– poetin kombëtar të këngës Lefter Çipa Pilurioti;

– poetin e këngës lirike, këngëtarin dhe kompozitorin saj Pelivan Barjamaj e Drashovicës me rrënjë Tërbaçi.

Poetët popullorë janë pushtet i shpirtit, këngëtorët – shpirti në dorë.

Kam besim se kënga dhe vallja labe, e cila ka lindur qysh me labin e laben e parë, do të rrojë gjatë, shumë gjatë, sa të ketë labë e labëresha mbi këtë dhè e këto troje. Pikërisht, Hirësia e Saj, E Pastra Virgjëreshë, Kënga labe do të rrojë sa mosha e kësaj toke, me emrin që i ka vënë nëna.