Albspirit

Media/News/Publishing

Asllan Dibrani: NGRITU, NËNË TEREZË!

Asllan Dibrani – Luani

Ngritu, moj Nënë Terezë, nga heshtja e dheut,
se ca gojë të liga po i bëjnë gjyq njerëzimit.
Ngritu jo me grusht, jo me zjarr,
por me atë buzëqeshjen tënde që i turpëron më keq se shpata.

Ngritu,
dhe pështyj mbi shpifjen,
mbi baltën që hedhin ata
që s’dinë të ndërtojnë as një urë,
por dinë të shembin emra.

Ti u dhe bukë të uriturve,
ata sot ushqehen me helm.
Ti ua lidhe plagët fëmijëve,
ata sot hapin plagë në kujtesë.

Çfarë trimërie!
Çfarë burrërie!
Të luftosh një grua të vdekur
kur s’ke guxim të luftosh injorancën brenda vetes!

Ngritu, Nënë,
dhe mbushi zemrat tona
me pak nga humanizmi yt,
se këta të mjerë
i ka tharë padituria si acari hardhinë.

Lëri të ecin kalldrëmeve të mosdijes,
me këpucë prej krenarie boshe,
duke menduar se bëjnë histori,
kur historia vetëm i sheh
dhe buzëqesh me keqardhje.

Lëri të plagosur në zemër
nga plagët që ua ka hapur mendja e mbyllur.
Mos ua shëro menjëherë, Nënë,
se disa plagë duhet të dhembin
derisa njeriu ta kuptojë
se baltën që hedh mbi tjetrin
e mban së pari në duart e veta.

Lëri ashtu,
të mbytur në rrugët pa dalje të paditurisë,
pa busull, pa drejtim, pa kujtesë,
duke kërkuar identitet
nëpër xhepat e ideologjive të huaja.

Se toka e Dardanisë nuk lind vetëm trima;
nganjëherë lind edhe bij
që harrojnë nga cili gur u ngrit shtëpia.

Ata flasin për “pastërti”,
por mendimin e kanë të turbullt.
Flasin për “nder”,
por fjalën e kanë baltë.
Flasin për “komb”,
por kombit ia presin damarët
sa herë që e përçajnë.

O ironi e zezë!

Ata që s’kanë ndarë një copë bukë
u japin leksione humanistëve.

Ata që s’kanë fshirë një lot
gjykojnë gruan
që jetën ia dha të varfrit.

Ata që s’kanë ngritur një fëmijë nga toka
duan ta rrëzojnë nga piedestali
një emër që e njeh bota.

Ngritu, Nënë Terezë,
por mos i mallko.

Mallkimi më i madh për ta
është vetë padituria e tyre.

Mos i ndiq.

Lëri të vrapojnë pas hijes së vet
derisa të kuptojnë
se hija nuk bëhet flamur.

Mos u përgjigj.

Heshtja jote është kambanë
që bie më fort
se një mijë britma të tyre.

Dhe kur të vijnë sërish
me baltë në duar,
mos e fshi fytyrën.

Lëri ta hedhin.

Sepse balta mbi një figurë të madhe
thahet dhe bie.

Por balta në ndërgjegje
mbetet.

Ti vazhdo të ecësh
në kujtesën e atyre
që morën bukë, ilaç, veshmbathje, shpresë.

Ndërsa ata
le të mbeten duke luftuar
me statuja, me emra, me varre—

se vetëm njeriu pa betejë të vërtetë
shpall luftë kundër të vdekurve.

Ngritu, Nënë Terezë,
dhe na fal një buzëqeshje.

Një të vetme.

Sepse përballë saj
maskat bien vetë.

Dhe lëri ata
të bëjnë vetëvrasjen e tyre morale
jo me armë,
por me çdo fjalë të pamend
që nxjerrin nga goja.

Se fundi i injorancës
nuk vjen kur e mbyt dikush—

vjen kur ajo e demaskon vetveten.

Asllan Dibrani – Luani
Gjermani, shtator 2026