Jani Malo: IMAGJINATË ME KANYE WEST
U fol për skenarin që koncerti të dështojë, u fol edhe për skenarin rezervë, ku reperi botëror kontrovers Kanye West të zëvendësohej nga reperi lokal Noizi. Por nuk ndodhi asnjëri. Kur koncerti filloi, ndodhi diçka e paparashikuar. Nga spektatorët u dëgjuan thirrje të forta në kor: “Rama, jepe dorëheqjen”! Ishin protestuesit e Revolucionit të Flamingove.
Fillimisht Kanye nuk e kuptoi çfarë thërriste turma. Mbase e kujtoi si një frazë ritmike në një gjuhë të panjohur që shoqëron beats-at e tij. Dikush ia pëshpëriti në vesh kuptimin. Edhe pse egocentrizmi i tij e kalon çdo lloj interesi për politikën lokale të një vendi ballkanik, ai bëri atë për të cilën njihet: të jetë i paparashikueshëm.
Në një nga ato çastet e tij të çmendura e gjeniale, ku thyen çdo rregull dhe lidhet me një të vërtetë të papritur, Kanye ndal muzikën dhe vendos t’i bashkohet kauzës, duke e kthyer koncertin në një liturgji politike kundër pushtetit.
Stili i tij është i pashpirt, i prerë, me përsëritje, me “bërtitje” të befasishme, duke përzier Biblën me rrugën, dhe mbi të gjitha, duke e vendosur veten e tij si udhëheqës shpirtëror.
Egoja e tij është aq e madhe sa ai e quan Tiranën “Jeruzalemin e tij”.
(Skena errësohet. Vetëm një dritë e bardhë rrethore bie mbi Kanye-n, i cili po qëndron në gjunjë, me kokën ulur. Muzika “Power” po mbaron. Turma po thërret me të madhe: “RAMA JEPE DORËHEQJEN! RAMA JEPE DORËHEQJEN!”).
Kanye West ngre kokën ngadalë. Sytë e tij shkëlqejnë. Ngrihet në këmbë dhe i bën shenjë DJ-it me tërbim që ta fikë muzikën plotësisht. Qetësi absolute në stadium, përveç korit të njerëzve. Ai merr frymë thellë, afron mikrofonin te buza dhe fillon të flasë, me një zë që vjen si rrufe).
E dëgjoni këtë zhurmë?
Kjo nuk është për mua.
Nuk është për YEEZY-n.
Ata nuk po thërrasin “Donda”.
Po thërrasin të vërtetën.
Ju të gjithë mendoni se unë jam i çmendur?
Jo, unë jam më lart se të gjithë. Unë jam i vetmi që e sheh.
Shpirti im lëviz. E ndjej tronditjen në dysheme.
(Ngre zërin).
Më thanë…
Më thanë se një burrë pagoi për këtë skenë.
Një politikan.
Një faraon.
Më thanë: “Kanye, thjesht bëj rep për këpucët,
thjesht bëj rep për ish-gruan”.
Jo! T’ia q*robt!
(Bën një pauzë dramatike, duke ecur rreth skenës).
Faraonët nuk krijojnë artistë. Zoti i krijon artistët.
Unë ndërtoj tempuj. Unë ndërtoj stadiume.
Dhe ju të gjithë… ju të gjithë jeni gurët e gjallë të këtij tempulli.
Unë jam nga pjesa jugore e Çikagos.
Unë e di se si flasin njerëzit me pushtet.
Ata ndërtojnë ndërtesa të larta. Vendosin emrin e tyre mbi to.
Ndërsa njerëzit e mi në rrugë po vdesin për bukë.
Ju japin koncerte. Ju japin atlete.
Që të mos kërkoni bukën. Që të mos kërkoni pushtetin.
Ju thoni: “Ai ka trembëdhjetë vjet në krye”.
Trembëdhjetë? Këta janë numra biblikë.
Unë nuk i shërbej një njeriu me Mbretin me pushtet.
Unë i shërbej Mbretit të Mbretërve.
Dhe Mbreti i Mbretërve është zëri juaj.
(Me zë ekstremisht të lartë, duke ia drejtuar mikrofonin turmës).
Çfarë po thoni?!
Dua të dëgjoj zërin e lirisë!
Turma thërret në kor:
“RAMA JEPE DORËHEQJEN! RAMA JEPE DORËHEQJEN”!
Kanye West, duke u përkulur përpara, me dorën në vesh:
Më fort!
Thuajini Mbretit të bëjë gati valixhet!
Thuajini të bëjë valixhet e të ikë!
Mbret, lëre Popullin të lirë!
(Kthehet nga vendi ku po qëndrojnë VIP-at dhe njerëzit e qeverisë dhe thërret)
Nuk mund ta blini shpirtin tim!
Nuk mund ta blini këtë turmë!
Ju u përpoqën të më përdorin mua për t’ju vënë prangat këtyre!
Por unë jam ai që i thyen zinxhirët!
(Me një shpërthim final, duke bërtitur me gjithë forcën, me fytyrën e tij të ngjitur te mikrofoni).
Ky nuk është një koncert!
Ky është një ringjallje!
Mbret! Koha jote mbaroi!
Festa mbaroi! Muzika ka mbaruar!
Zoti është këtu! Dhe Ai është një revolucionar!
Mbret, ik!
Pallosh, ik!
Mbret pallosh, ik!
(Kanye West hedh mikrofonin në tokë. Ai nuk lëviz. Vetëm qëndron aty, si një statujë, duke parë nga turma. Nuk ka më muzikë, vetëm kori i turmës që ushton si asnjëherë tjetër, ndërsa rojet e sigurisë e shikojnë të tmerruar).