Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Aliaj: Shëndetësia shqiptare, prova e krizës së shtetit

Nuk jam specialist në fushën e shëndetësisë, por jam një vëzhgues i ndjeshëm i realitetit shoqëror dhe institucional. Përmes kësaj analize synoj të trajtoj mungesën e transparencës dhe problematikat e sistemit shëndetësor shqiptar, duke u mbështetur në fakte, të dhëna nga burime zyrtare, raporte ndërkombëtare, studime dhe raportime të ndryshme mediatike. Qëllimi nuk është të zëvendësoj analizën e specialistëve, por të ngre pyetje mbi një çështje që prek drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e çdo qytetari.

Në vijim të shkrimeve të mia të mëparshme mbi krizën e besimit mes qytetarëve dhe pushtetit, mbi pakënaqësitë ndaj një sistemi që nuk ka arritur të harmonizojë ligjin me premtimet, si edhe mbi problemet institucionale që kanë ushqyer korrupsionin dhe dobësimin e shërbimeve publike, kjo analizë synon të tregojë pse kriza në shëndetësi është bërë më e thellë dhe më e dukshme në jetën e përditshme.

Pas ndryshimit të sistemit politik, Shqipëria trashëgoi probleme të mëdha ekonomike dhe institucionale. Megjithëse janë ndërmarrë reforma dhe ndryshime të rëndësishme, shumë prej tyre kanë mbetur të papërfunduara, duke krijuar një hendek të vazhdueshëm mes premtimeve dhe realitetit.

Shëndetësia publike është një nga fushat ku ky hendek ndihet më shumë. Në dokumente, sistemi garanton kujdes, barazi dhe mbrojtje për qytetarin; në praktikë, një pjesë e madhe e shqiptarëve përballen me vështirësi për të marrë shërbime cilësore, me kosto të larta nga xhepi dhe me një humbje të dukshme besimi ndaj institucioneve.

Problemi nuk lidhet me mungesën e përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët shpesh punojnë në kushte të vështira, por me mënyrën se si është drejtuar dhe menaxhuar sistemi. Vitet e tëra të keqmenaxhimit, politizimit, korrupsionit dhe dobësimit institucional kanë ndikuar në funksionimin e tij dhe në cilësinë e shërbimit që merr qytetari.

Të dhënat nga studime dhe raportime të ndryshme tregojnë një nivel të lartë mosbesimi të qytetarëve ndaj shëndetësisë publike dhe shqetësime serioze për fenomenin e pagesave informale. Këto nuk janë vetëm probleme morale apo administrative; ato tregojnë një krizë të thellë të besimit te një sistem që duhet të garantojë siguri në momentet më të vështira të jetës.

Kriza nuk kufizohet vetëm te pagesat informale. Problemet me transparencën e prokurimeve, menaxhimin e fondeve publike dhe kontrollin institucional kanë ngritur vazhdimisht shqetësime. Kur qytetari paguan taksa, kontribute dhe më pas detyrohet të paguajë përsëri për të marrë shërbimin e nevojshëm, lind një pyetje e drejtë: a po funksionon sistemi në interes të qytetarit?

Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar shembuj konkretë se si shkelja e ligjit nuk mbetet vetëm një dyshim abstrakt, por një realitet i dokumentuar. Sipas një auditimi të KLSH-së, në kuadër të koncesioneve në shëndetësi janë konstatuar pagesa për shërbime të pafituara, konkretisht për kontrollin mjekësor bazë (check up), ku për mbi njëzet mijë raste u faturua dhe u pagua për shërbim që nuk ishte kryer, me një vlerë prej rreth 31 milionë lekësh pa TVSH. Një problematikë e ngjashme u vu re edhe te koncesioni i hemodializës, ku pagesat ndaj koncesionarit nuk përputheshin me shërbimin real të ofruar, por me atë të faturuar. Këto gjetje tregojnë se abuzimi me fondet publike në shëndetësi nuk është thjesht çështje administrative, por një formë e drejtpërdrejtë e shkeljes së parimeve ligjore mbi të cilat funksionon vetë sistemi shëndetësor. Kur pagesat bëhen për shërbime fiktive ose të pakryera, humbësi i vërtetë është qytetari, i cili financon me taksat e tij një sistem që dështon të japë llogari për mënyrën se si shpenzohen këto fonde.

Pasojat e kësaj gjendjeje ndihen çdo ditë. Vështirësitë për të siguruar vizita, analiza apo trajtime në kohë, mungesa e disa specialistëve dhe largimi i profesionistëve kanë dobësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor.

Për shumë familje, një sëmundje e rëndë nuk është vetëm një dramë shëndetësore, por edhe një barrë e madhe ekonomike. Shumë qytetarë detyrohen të marrin borxhe ose të kërkojnë trajtim në Turqi, Greqi, Itali apo vende të tjera, sepse nuk gjejnë sigurinë dhe besimin e nevojshëm brenda sistemit vendas.

Një nga shenjat më të rënda të krizës është largimi i mjekëve nga Shqipëria. Në vitet e fundit është evidentuar një prirje e vazhdueshme e emigrimit të profesionistëve të shëndetësisë, veçanërisht te brezat e rinj. Pagat, kushtet e punës, mungesa e perspektivës profesionale dhe dëshira për një sistem më funksional jashtë vendit janë ndër faktorët kryesorë që i shtyjnë ata të largohen.

Kjo do të thotë se kriza nuk është vetëm financiare apo administrative; ajo shndërrohet në një zbrazje të vetë sistemit nga kapitali njerëzor. Kur largohen mjekët dhe specialistët, rritet presioni mbi ata që mbeten dhe qytetari e ndjen menjëherë pasojën në cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit.

Por fenomeni nuk prek vetëm shëndetësinë. Shqipëria prej vitesh po përballet me largimin e shumë profesionistëve të kualifikuar: studiues, pedagogë, shkencëtarë dhe të rinj me arsim e aftësi profesionale. Humbja e kapitalit njerëzor dobëson aftësinë e vendit për të zhvilluar dije, inovacion dhe një ekonomi të qëndrueshme.

Edhe infermierët, një shtyllë themelore e sistemit shëndetësor, përballen me të njëjtat probleme. Largimi i tyre lidhet me kushtet e punës, pagat, ngarkesën profesionale dhe mundësitë më të mira që ofrohen jashtë vendit. Kjo e vështirëson edhe më shumë ruajtjen e një shërbimi cilësor.

Në raport me vendet e rajonit, sfida e Shqipërisë nuk është vetëm niveli i financimit, por edhe mënyra se si menaxhohen burimet, si mbahen profesionistët dhe sa besim kanë qytetarët te sistemi.

BE-ja i ka kërkuar prej vitesh Shqipërisë të thellojë reformat në sektorin e shëndetësisë, duke forcuar transparencën, qeverisjen, financimin e qëndrueshëm, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe cilësinë e shërbimeve. Raportet e Komisionit Europian theksojnë se vendi përballet ende me sfida të rëndësishme për garantimin e një sistemi shëndetësor efikas, të besueshëm dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.

Nëse këto probleme vazhdojnë, Shqipëria rrezikon të përballet me një paradoks të madh: të investojë në ndërtesa dhe pajisje, por të mos ketë mjaftueshëm profesionistë për t’i bërë ato funksionale sipas standardeve që kërkon qytetari.

Në fund, ajo që po ndodh me shëndetësinë shqiptare nuk është vetëm një dobësi sektoriale, por një tregues i vështirësive të shtetit për të mbajtur njerëzit e vet më të kualifikuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve me dinjitet. Kur largohen mjekë, infermierë, pedagogë dhe studiues, nuk humbet vetëm një profesionist; humbet një pjesë e kapitalit njerëzor dhe e së ardhmes së vendit.

Reforma e shëndetësisë nuk mund të mbetet vetëm në dokumente dhe premtime. Ajo duhet të matet me një pyetje të thjeshtë: a ndihet qytetari i sigurt kur sëmuret? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është prova më e rëndësishme e funksionimit të një shteti.