Artan Xh. Duka: Peshk apo kallëm peshkimi!
Politikanë rrallë janë të rënë nga qielli ndaj dhe të protestosh tani në bulevard me ultimatume “ik ti të vijë ai… burri i “mirë”, pa asnjë lloj garancie filtrimi e kontrolli nga ana e sistemit por thjesht akoma me avazin e mirëbesimit e varjes së “mëlçive” në qafë deputetit e pushtetarit të rradhës, i bie ose të jesh UFO, ose t’a marrësh tjetrin për budalla! Se dhe e keqja nuk zuri fill në Zvërnec!
Qytetari nuk ka nevojë për “peshkun” e rradhës (deputetin e ri nga listat e partive) që bën burrin e mirë e premton dynjanë por “kallëmin” e peshkimit se pastaj e ka vetë në dorë të zgjedhë e pushojë nga puna kur të dojë e kë të dojë deputet a pushtetar që e bën baltë besimin me votë. E ky “kallëm” është sistemi zgjedhor MAZHORITAR.
Stërkëmbësh vetes!
Protesta duhet të dalë nga kurthi i lidhjes së fatit të saj me dorëheqjen e qeverisë. E jep nuk e jep ajo është në dorën e kryeministrit dhe nëse ai është ai që protesta thotë, nuk do e japë atë. E nëse kështu, koha më shumë punon për të sesa protestën sepse ajo vërtet po teston “burrështetësinë” e kryeministrit por dhe po teston edhe durimin e qëndresën qytetare që meriton më shumë se retorikë e monotoni të përditshme në bulevard. Revolucioni nuk mund të katandiset në “punë” të dytë, e papaguar e me orar “zyrtar” e “turne” mbasditeje, mbase edhe me “leje” vjetore e rikthim në vjeshtë! Vetëm revolucion nuk është dhe në demokraci, vetëm për një të tillë nuk kemi nevojë.
Dorëheqja nuk kërkohet por jepet përballë skandalit që merr dhenë, kur ka presion brënda partisë dhe kur drejtësi të troket në derë. E para varet nga individi, e dyta nga sistemi zgjedhor dhe e treta nga drejtësia e pavarur.
Përjashto drejtësinë, Rama, njëlloj si Berisha dikur, nuk është burrë shteti të bëjë një gjë të tillë kur del syri e nami bashkë dhe vetë sistemi zgjedhor u vjen për hosh. Mund të ndodhë në perëndim ku politikani ka aq cipë e faqe apo kur është vetë sistemi zgjedhor ai që e mundëson atë apo kur drejtësia bën të saj nëse pushtetari nuk ha pykë vetë.
Starmer dha dorëheqjen në MB jo se e ndjeu por u detyrua nga kundërshtitë në rritje brënda rradhëve të deputetëve laburistë sepse çdo deputet atje nuk varet nga partia por votuesi që e zgjedh drejtëpërsëdrejti në zonë me sistem mazhoritar dhe kur qytetari nuk e honeps më drejtuesin e partisë, deputeti rreshtohet kundër tij. Ndaj dhe rasti Starmer nuk ka lidhje me atë Rama sepse ndryshe nga deputetët laburistë, deputetët e partisë “social-ishte” nuk janë aty nga qytetari por vullneti i Ramës vetë dhe karriera e tyre politike nuk rrezikohet sa kohë zënë vënd në listat e partisë çdo katër vjet.
Dorëheqja është burrështetësi dhe mosdhënia kur mbushet kupa, dëshmon dobësi që është në dorën e votuesit të mbahet mënd kur votohet sërisht. Sa kohë do të vazhdohet me këtë sistem zgjedhor, apo edhe me “përmirësime” që përmënden edhe në protestë si ai proporcional kombëtar me lista të hapura, me shumë gjasa sërisht Rama e Berisha do të na mbeten në derë.
Një sistem që bazohet tek listat jo vetëm nuk respekton votuesin sepse deputetët “përfaqësojnë” të gjithë e askënd në Kuvënd por edhe denigrojnë integritetin e deputetit dhe çimentojnë autoritetin e drejtuesit që ka listat në dorë duke e zbehur edhe presionin për dorëheqje brënda rradhëve të partisë.
Lista partiake zgjedhore, qoftë edhe e hapur, krijon konfuzion mesazhi tek votuesi që vijnë prej së njëjtës parti, cënon vetë kohezionin partiak dhe në finale krijon katrahurë llogjistike si gjatë votimit me votuesin që shfleton një “enciklopedie” emrash apo numërimi më pas. Me BeRamën, me shumë gjasa, sërisht të mbetur në derë!
Ndaj, nëse protesta dëshiron që dorëheqja të mos mbetet “mit”, duhet të kërkojë rikthimin e mazhoritarit që i vë “kapistall” politikës që merr kot dhe e vë pushtetarin mes dy zjarresh – partia e qytetari njëkohësisht. Të vazhdosh me avazin e listave, i bie të synosh vetëm pushtet.
Evolucioni si mbijetesë
Gjithsesi thirrja për dorëheqje ka krijuar një çast fatlum për ndryshim në politikë. Që të mbijetojë ajo dhe fryma e saj, protesta nuk duhet të ketë më objektiv largimin e Ramës por krijimin e një partie apo aleance që merr përsipër ndryshimin tepër të vonuar në vënd. Nuk do të ishte dështim, përkundrazi lindja e një formacioni politik do të ishte kurorëzimi i frytshëm i saj sepse nuk është revolucioni por evolucioni ai që zë vënd dhe lë pas të keqen pakthim.
Nuk kemi nevojë për preçedentin e revolucionit por atë të evolucionit në demokraci. Nuk na lipset rrotacioni i rrugës por rrotacioni i votës që nuk lë vënd për komente më tej. Nuk na duhet tensioni por qetësia se boll trazira tranzicioni kemi vuajtur deri tani.
Sfida e protestës, sesa largimi i Ramës, është gjetja e vetvetes. Të mirët e të urtët nuk para kapin mikrofona e flasin kamerave por ndërkohë nuk i pengon kush të gjejnë njëri-tjetrin e të ftojnë popullin t’u bashkohet për një fillim të ri. Boll të jenë të besueshëm e t’u ngjisë fjala tek qytetari jo duke u përbetuar se janë burra të mirë por se flasin pa doreza për një reformim të sistemit zgjedhor duke rikthyer mazhoritarin si i vetmi që ndan shapin nga sheqeri në politikë dhe e bën zot të votës qytetarin shqiptar.
Shtet apo pushtet!
Në parim klasa politike është në konflikt interesi me sistemin zgjedhor ndaj edhe miratimi përfundimtar i tij duhet të bëhet në referendum. Kur flasim për reformë zgjedhore, mazhoritari mbetet test jo vetëm për qytetarinë në shesh që është pajtuar kaq gjatë me shpërfytyrimin e votës pas 2008 por edhe për politikanin që pretendon se kërkon të bëjë shtet. Çdo sistem tjetër zgjedhor në kushtet tona është luftë për pushtet, vetëm mazhoritari është përkushtim për shtet.
Mazhoritari nuk krijon mbretërime e plane “Files” dekadash që nuk i di as Kuvëndi por një rreth i ngushtë në karshillëk të qytetarit e favor të klientelizmit. Mazhoritari dhe vetëm ai elektrizon elektoratin e shndërron politikën në hobi e “sport” qytetar. Ai dhe vetëm ai shmang alibira si të “mandatuar” nga populli kur përfliten për zullum gjë që nxorri kokën dhe u pranua së fundi nga vetë politika kur deputetja e malësisë la PS e doli pavarur – nëse ajo nuk ka mandat të vërtetë se ishte nga lista e sigurtë, atëhere askush nuk ka mandat nga kjo listë në Kuvënd. E nëse kështu, ajo nuk ka mandat dhe duhet të dorëhiqet por duhet të ndiqet edhe nga shumica e deputetëve nga listat e sigurta atje. Por, ja që pushteti e privilegjet të ëmbëlsojnë – rrogat, pensionet, nami etj dhe ata që pranuan të ishin në lista pa garë nuk janë nga ai “brum” që të bëjnë pucarakun tani.
Nëse e kanë seriozisht!
Sot nuk është vetëm momenti i së vërtetës rreth qeverisë por edhe i protestës vetë. Që të ngjallë shpresë e besim e shtojë rradhët e saj me qytetari ajo duhet të zotohet publikisht për ato që qytetari meriton.
Së pari, protesta duhet të synojë si objektiv parësor të saj reformimin e sistemit zgjedhor me mazhoritarin si i vetmi në kushtet aktuale që vë politikën nën kontroll.
Së dyti, protesta duhet të evoluojë në grupim politik duke bashkuar të gjithë faktorët që synojnë pushtet për të bërë shtet dhe jo garantuar privilegje, në mos abuzojë me të.
Së treti, ky grupim politik duhet të theksojë respektimin e parimeve bazë të qeverisjes së mirë – vota, prona historike, ekuilibret ekonomike, mbrojtja sociale, shërbimet publike, ruajta e natyrës etj.
Së kartërti, protesta duhet të heqë dorë nga ultimatumet që njëlloj si grevat e urisë mbeten arkaizëm në politikë. Mirë, keq, vota sikurse edhe prona, është e shënjtë dhe duhet të respektohet dhe kryeministri ikën nëse e ndjen, kur drejtësia e ndjek apo qytetari e heq me votë. Shënjtëria e pronës dhe e votës, të dyja janë cënuar rëndë në tranzicion dhe politika e re duhet të zotohet se do të respektojë njëlloj ato.
Së pesti, kauza kombëtare duhet të jetë parësore për politikën e re. Integrimi në BE duhet të jetë dinjitoz dhe atë e garanton e vërteta historike për zanafillën e kombit e gjuhës sonë nga rrënjët pellazgjike e deri më sot. Ia vlen edhe ndonjë vonesë dhe nëse Greqia vë veto, është rasti më i mirë që të hapet “kutia e Pandorës” e gjithë bota të marrë vesh lëmshin që është bërë qëllimisht për të shtrëmbëruar e mohuar historinë e gjuhën në libra, zyra të botës e deri në Hollivud në rajonin iperiko-ilir ku dhe vetë europianët kanë pjesë. Nuk jemi vënd dosido por “muzeu” i kontinentit dhe turisti, më shumë se mikpritja e bukuria e natyrës, duhet të surprizohet me “shtëpinë” e të parëve të tij.
Këto pika të politikës së re do e pastrojnë automatikisht atë edhe prej shkopinjve nën rrota të BeRamës që kërkon t’a diskretitojë këtë protestë. Nuk mund të pajtohen me këto pika ndaj dhe do të sprapsen vetvetiu prej së resë në politikë dhe qytetari e di kë po mbështet. Nuk është vonë por nuk ka pse të humbet më kohë. T’a nisin me “kallëmin” qytetarit që të “peshkojë” vetë!