Dy poezi nga Bajame Hoxha-Çeliku
TREGU I URISË
Pensionistët zgjasin duart e tyre të dridhura,
jo drejt qiellit, por drejt rrugës,
aty ku kalojnë thërrimet e pushtetit.
Dinjiteti i tyre, dikur i drejtë si lis,
është përkulur nga pesha e viteve
dhe nga ftohtësia e akullt e shtetit.
Dhe sa herë vijnë zgjedhjet,
të mëdhenjtë shpërndajnë thërrime të arta.
Jo për të ushqyer, por për të blerë heshtjen,
jo për të shpëtuar, por për t’i lidhur më fort.
Një bukë e thyer në njëqind copëza,
hedhur siç i hedhin një kockë qeni të uritur,
dhe shpresa kthehet në monedhë,
e shkëmbyer për një votë.
E quajnë ndihmë,
por është lëmoshë e maskuar,
një tregti e turpshme ku uria është monedha
dhe pleqëria, një mall për shitje.
Populli im nuk jeton më, ai mbijeton.
Si një ushtri e zhveshur në mes të dimrit,
me stomakun bosh dhe shpresën e shtrydhur si limon,
ecën nëpër baltën e varfërisë,
duke kërkuar një kafshatë si kërkohet uji në shkretëtirë.
Në tregun e jetës, dinjiteti blihet lirë:
një thes miell, një bidon vaj,
një premtim i kalbur,
mjafton për të blerë një votë, një zë, një shpirt.
Uria ka bërë aleancë me pushtetin,
dhe bashkë kafshojnë mishin e popullit.
Ndërsa lart, në pallatet me mure prej mermeri,
politikanët numërojnë fitimet,
mbështjellë me rroba luksi dhe ora floriri.
Ata pinë verë të shtrenjtë,
ndërsa poshtë ne pimë lot.
Ata hanë si mbretër,
ndërsa ne kafshojmë heshtjen.
Kjo nuk është jetë,
është një luftë e gjatë, pa armë,
ku i vetmi plumb është uria
dhe i vetmi flamur, fleta e bardhë e dorëzuar.