Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Yorku, vikingët dhe një çerekfinale që zgjon historinë

Në dimrin e vitit 1994 pata fatin të vizitoja Universitetin e Yorkut, në Angli. Ishte një udhëtim akademik pranë Health Economics Centre (Centre for Health Economics – CHE) i Universitetit të Yorkut, një nga institucionet më prestigjioze në botë në fushën e ekonomisë së shëndetësisë. E themeluar në vitin 1983 nga profesori Alan Maynard, kjo qender ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e metodave moderne për vlerësimin ekonomik të barnave, teknologjive mjekësore dhe politikave shëndetësore.

Por kjo vizite mbi të gjitha ishte edhe një takim me historinë…

Yorku nuk është thjesht një qytet i vjetër anglez; ai është ndoshta qyteti më “viking” i Britanisë së Madhe.

Në rrugicat e tij me kalldrëm, në muret mesjetare dhe sidomos në Muzeun Viking, e ndjeje se historia nuk kishte mbetur në libra, por vazhdonte të merrte frymë.

Vikingët pushtuan Yorkun në vitin 866, gjatë një fushate të të ashtuquajturës Great Heathen Army, një forcë e përbërë kryesisht nga danezë që zbarkoi në Angli për të pushtuar mbretëritë anglosaksone.

Ne vitin 867, Mbretërit e Northumbria, Ælla dhe Osberht, u përpoqën ta rimerrnin qytetin, por u vranë në betejë.

Pas pushtimit, vikingët e riemërtuan qytetin Jórvík, emër nga i cili rrjedh emri i sotëm York.

Sundimi viking në York zgjati deri në 954, kur mbreti anglez Eadred e riktheu qytetin nën kontrollin e Mbretërisë së Anglisë, duke i dhënë fund Mbretërisë Vikinge të Jórvíkut.

Për gati një shekull, Jórvíku ishte një port i madh tregtar, ku takoheshin rrugët detare të Skandinavisë me ato të Britanisë, Irlandës dhe Evropës kontinentale. Vikingët nuk sollën vetëm shpatën; ata sollën edhe tregtinë, mjeshtërinë, ndërtimin e anijeve dhe një kulturë që la gjurmë të thella në identitetin anglez.

Historia anglo-vikinge nuk është vetëm histori luftërash. Është histori përplasjesh që u shndërruan në bashkëjetesë. Me kalimin e kohës, pushtuesit u bënë banorë, u martuan me vendasit, ndërtuan qytete dhe lanë gjurmë në gjuhë, në ligje dhe në zakone. Shumë fjalë të anglishtes së sotme kanë origjinë nordike, ndërsa shumë qytete të Anglisë mbajnë ende emra të trashëguar nga vikingët.

Kur ecja nëpër Muzeun Viking të Yorkut, më dukej sikur dëgjoja zhurmën e çekiçëve të farkëtarëve, britmat e tregtarëve dhe kërcitjen e anijeve prej druri që lundronin drejt brigjeve britanike. Historia nuk ishte e ngrirë në vitrina; ajo ishte një botë e gjallë, që të ftonte ta përjetoje.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, çerekfinalja e Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë ngjall një emocion të veçantë. Nuk është vetëm një ndeshje futbolli. Është një takim simbolik mes pasardhësve të atyre që dikur u përballën në brigjet e Detit të Veriut.

Atëherë armët ishin shpatat dhe mburojat; sot janë topi, talenti dhe loja e ndershme.

Në fushën e blertë nuk do të zbresin më luftëtarët e Jórvíkut, por futbollistë si Harry Kane, Jude Bellingham, Erling Haaland dhe Martin Ødegaard.

Ata nuk luftojnë për territore, por për një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Megjithatë, ndeshja ruan një simbolikë të bukur: historia ka zëvendësuar betejën me sportin, pushtimin me respektin dhe rivalitetin me garën e ndershme.

Yorku më mësoi se historia nuk vdes kurrë; ajo vetëm ndryshon formë. Dikur vikingët mbërritën në brigjet angleze me anije prej lisi. Sot pasardhësit e tyre mbërrijnë në stadiume me fanella kuqe-blu, duke sjellë të njëjtin shpirt krenarie, por në një botë ku fitoret maten me gola dhe jo me beteja.

Ndoshta ky është qytetërimi në kuptimin më të bukur të fjalës. Historia nuk harrohet, por shndërrohet. Nga përplasja e shpatave te duartrokitjet e tifozëve, nga Jórvíku i shekullit IX te stadiumi modern i Kupës së Botës, rrjedh i njëjti lumë i kohës që na kujton se popujt mund të jenë rivalë në fushën e lojës dhe miq në historinë e qytetërimit.

Dhe sa herë kujtoj Yorkun dhe Muzeun Viking, bindem se disa qytete nuk ruhen vetëm me gurë, por edhe me kujtesë.

Sepse aty, mes historisë së vikingëve dhe Anglisë, kuptova se e kaluara nuk është kurrë larg; ajo ecën pranë nesh, madje edhe kur një top futbolli nis të rrotullohet në një çerekfinale botërore.