Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: SI E KAM NJOHUR ALI PODRIMJEN?

“Po qe se nuk të shkruaj

miku im i dashur dhe

Po qe se nuk ma dëgjon zërin

Merr një karafil

E ma kërko varrin

Diku në botë

Se vajta pas Lumit…”

Këto janë vargje të poezisë “Diku në botë”, shkruar nga Ali Podrimja, pak kohë para se të ikte në amëshim. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Mendohet se ai kish vdekur në 19 korrik, në rrethana të pasqaruara.

***

Janë të rrallë në historinë e letërsisë shqipe poetë si Ali Podrimja, që mbeten në kujtesën kombëtare dhe i mbijetojnë rrjedhës së kohërave, duke vazhduar të komunikojnë, në mënyre thuajse sistematike, me të gjallët, në çdo gjë që është njerëzore. Podrimja vjen te lexuesi i gjithkohshem thjesht si një poet i plotë, me asht kombëtar, që e ka peshuar mirë çdo fjalë të thënë, çdo varg e figurë të krijuar, dhe vetëm pasi është bindur çfarë është më e mirë nga ajo që krijoi, la pas një pasuri poetike monumentale, të përmbledhur në disa vepra.

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si një nga përfaqësuesit më tipikë të poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare.

Që në fillimet e krijimtarisë së tij Podrimja tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve të kujdeshëm. Dukej që po vinte një “uragan letrar”, me një stil madhështor e profetik.

Po çfarë është ajo gjë e veçantë, që na bën të mos i ndahemi poezive të Podrimjes? Përgjigjet janë nga më të ndryshmet, nga më naivet e deri te më thelbësoret. Mendoj se çdo diskutim për vlerën e poezisë së Podrimjes do të ishte i tepërt. Një poezi që edhe pas 60 vjetësh arrin të depërtojë në lexues gjuhësh të ndryshme, të përpihet, të stërlexohet, të bëhet pjesë e pandarë e shpirtit të njerëzve, i ka siguruar prej kohësh një vend të lakmuar autorit të saj. Vlera e Podrimjes si poet nuk qëndron aq në teknikat artistike që zgjodhi, se sa në mënyrën e përcjelljes së kumtimeve të veta poetike. Ajo që duhet pranuar nga të gjithë është unikaliteti i rrallë i personalitetit të tij poetik.

“Toka ime digjet, toka ime e dashur,

balli im i ngrysur,

pishë…

Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,

Kosovë, përrallë e lashtë!

Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,

vuajtje e vdekje…

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë”

(Ankthi)

***

E kam njohur nga afër Podrimjen, për shumë vite. Shpesh takoheshin në hollin e pritjes te shtëpia e mikut tonë Dritëro Agolli, së bashku me Moikom Zeqon, dhe pastaj rrinim me orë të tëra te kafet afër Hotel- Tiranës. Për disa kohë Aliu shoqërohej dhe bashkëpunonte për disa antologji poetike edhe me mikun dhe profesorin tim të fakultetit, Bashkim Kuçuku, dhe të tre bashkë merrnim “arratinë” deri në Durrës, apo Sarandë. Në vitet 2004-2005 e kishim mysafir te Gazeta “Ballkan”, ku shkruante editoriale dhe shkrime për letërsinë.

Në biseda Aliu të krijonte përshtypjen e një njeriu me karakter kontradiktor, që dukej i mashtruar nga ndjenjat e tij. Po kështu dukej edhe në personalitetin e tij poetik. Krejt jeta dhe vepra e tij përshkohet nga konradiktat. Por, në të vërtetë ishte një njeri krejt i çiltër, me një “naivitet” fëmije dhe me një pasion të pazakontë. Ishte si i dalldisur…Rrëfente e rrëfente me zjarr. Si një vegim dhe realitet, e mundonte shëmbëlltyra e poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj që nuk jetonin më, Lasgushit, Petro Markos, Azem Shkrelit, Din Mehmetit etj.

Poezia e tij përfaqëson jo vetëm Kosovën, por gjithë Shqipërinë natyrale, dhe është një nyjë lidhëse mes aktualitetit dhe historisë. Trojet etnike zgjonin në kujtesën e poetit mendime nga më të ndryshmet. Parga, Preveza, Dodona, ashtu si Shkupi, Ulqini, Prishtina, Presheva, nxisnin fantazinë e tij. Shumë gjëra që historia i kish mohuar apo fshirë, për poetin merrnin një rëndësi të veçantë. Ai jetonte me jehonën e lavdive të dikurshme, jo si një ëndërrimtar i sëmurë, por si njeri dhe atdhetar i shqetësuar, në kuptimin më të thellë. E përjetonte thellë tragjedinë e trojeve, të Kosovës dhe Çamërisë, por në asnjë varg të veprës së tij nuk ndihet fryma e nacionalizmit, por fryma e drejtësisë dhe ajo e pajtimit të popujve. Ai ishte kundër romantizmit dhe retorizmit poetik:

“Në tokën tende/ të qosh jetë refugjati/mallkim gjaku”. poezia“Biblike”

E shqetësonte në mënyrë të veçantë rënia dhe bjerrja e vlerave kombëtare, e idealeve të shqiptarësisë, si faktor universal politik, kulturor dhe human. Kjo është arsyeja që në disa raste bëhej ironik, sarkastik dhe i pamëshirshëm, kur merr në shqyrtim momente kyçe të historisë së lashtë të kombit shqiptar. Podrimja është përpjekur t’i japë një përmasë njerëzore historisë kombëtare, duke u bërë kësisoj interpretuesi estetik humanist i saj. Por poeti ynë në çdo rast është shprehur poetikisht edhe për aktualitetin e kohës që jetoi, duke dhënë mesazhe poetike universale.

Poezitë e Podrimjes karakterizohen nga shumëkuptimësia dhe, rrjedhimisht, edhe nga komunikueshmëria. Njëra e pangjashme me tjetrën, ato përmbajnë të përqëndruara, në mënyrë të papërsëritshme, kumtime jo vetëm poetike, por edhe historike – shoqërore, të gjitha të mbështetura mbi ndjenja të thella njerëzore.

“Trimëria ime më e madhe:

Dashurinë ta shpëtoj nga Fjalët

Dhëmbët duhet t’ia ndërroj

Dhe t’i krijoj kohë tjetër”.

(Dashuria, fjalët)

Poezitë e tij e shfaqin universialitetin në mënyrë krejt origjinale, ku secila përbën një ngjarje të vogël, atë më tipiken në llojin e vet, prej së cilës mund të nxirren mësime të vlefshme për të jetuar jetën më bukur e në mënyrë më të kuptimshme.

“Nëse vdes i dashuruar

varrosmëni n’zemër t’ulkojës,

biri i saj thonë jam.

Nëse vdes urrejtur

varrosmëni n’shkëmbin e nemur

vdekje të reja kurrë mos t’lindë

gjaku im e i fisit”.

(Fillimi)

Podrimja ishte një poet që guxonte, një poet i veçantë në botën letrare shqipe, me karakteristika që dallohen, si në rrafshin e ideve, ashtu edhe në strukturën e vargut të vargut. Vargu i Podrimjes karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Megjithëse lirik, vargu i Podrimjes mbetet thellësisht racional. Janë të rralla thirrjet e tij patetike. Edhe në rastet e ekslamacioneve ai tregohet shumë i përmbajtur.

Ai shëtit në hapësirë e në kohë, në lartësi e në zgafella, dhe gjithmonë me po atë kthjelltësi mendimi di të japë gjykimin e vet poetiko-filozofik. Poezitë e tij prekin ide sublime. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

“Kthehu në vargun e Homerit

kthehu atje prej nga erdhe

koha jote s’është kjo, kthehu

liroji njerëzit prej vetvetes

e hijeve liroji prej maskave

e ikjeve liroji prej pagjumësisë

e heshtjeve liroji prej etheve

e shirave koha jote s’është kjo

kthehu në vargun e Homerit

Troja ra e Marsejezën

kahmot s’e këndojnë njerëzit”.

(Kthehu në vargun e Homerit)

Edhe në lirikat dashurore heroi lirik lëviz me një stoicizëm krenar. I bindur se shoqëria që e rrethon nuk do ta kuptojë, mbyllet në veten e vet, si në rastet e shfrimit të ndjenjave, ashtu edhe në rastet e brengave të thella.

“Diellin ta shikosh nga hija e plepit

Dhe ta matësh

Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më

Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake

Besnik i madh i Njeriut

Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh

Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi

Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe

Femrës)

(Ti dhe uji)

Podrimja solli në poezinë bashkëkohëse shqipe një ndjeshmëri dhe intonacion të ri poetik, një tip të poezisë që kërkon esencat dhe i manifeston përmes gjuhës së goditur e figurave të përpunuara. Në ngrehinën poetike të Podrimjes vargjet shquhen për ritëm të brendshëm, duke mos i përfillur teknikat tardicionale. Por në asnjë rast poezia e tij nuk është deklamuese.

“Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,

Plepi im i kallur

Qiellin e humbur majë një shpate”.

(Rënkimi)

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Biografia:

Lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filo¬zofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976, në Edicionin e Botimeve “Rilin¬dja”, udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Është anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar.

Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.

Me shkrime filloi të merret qysh si gjimnazist. Poezinë e pa-rë Arabja e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë Thirrje. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua, me plotësime, edhe në gjuhën serbokroate (1968). Përmbledh¬ja Thirrje në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, për shkak të disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.

Pos poezive, Podrimja shkroi ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me çmimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare.

Vdiq më 21.07.2012 në Lodève të Francës ku merrte pjesë në festivalin e poezisë Voix de la Méditerranée.

Libra të botuar:

Thirrje, poezi, Jeta e Re, Prishtinë,1961 ; Naim Frashëri, Tiranë, 1972, zgjodhi Pandeli Koçi. Botimi i parë i këtij libri u bë karton.

Loja nën diell, tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1967.

Dhimbë e bukur, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1967.

Sampo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1969; Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1980.

Hija e tokës, Bota e Re, Prishtinë, 1971.

Torzo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1971; Botimi i dytë, pasthënia Ibrahim Rugova, 1979.

Folja, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1973.

Credo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976.

Poezi, lektyrë shkollore, Prishtinë, 1978, 1985.

Drejtpeshimi, poezi e zgjedhur, parathënia Ibrahim Rugova, Rilindja, Prishtinë, 1981.

Lum-lumi, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1982,1986,1990; Toena, Tiranë, 2003, botimi IV dhe V, parathënia prof. dr. B. Kuçuku; Rozafa, Prishtinë, 2003 ; Libri Shkollor, Prishtinë, 2012.

Fundi i gëzuar, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1988.

Zari, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Në bisht të sorrës, poezi, Art-Pena, Prishtinë, 1994.

Buzëqeshja në kafaz, Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1994 ; Dukagjini, Pejë, 1995.

Tkurrja e Atdheut, ese dhe të paharruarat, Konica 95, Tetovë, 1996; Toena, Tiranë, 2004.

Libri që nuk mbyllet, ese, Rilindja, Prishtinë, 1997.

Ishulli Albania, Rilindja, Prishtinë, 1998; poezi e zgjedhur, parathënia Visar Zhiti, Onufri, 2004 ; botimi plotësuar, AIKID, Prishtinë, 2006.

Burgu i hapur, Rilindja, Prishtinë, 1998.

Harakiri, ese, shënime nga esnafi dhe një miniroman, Rilindja, Prishtinë, 1999.

Dielli i zi, ese, Rilindja, Prishtinë, 2000.

Poema, Enti i Teksteve, Prishtinë, 1979, parathënia Hysni Hoxha.

Poezi, Naim Frashëri, Tiranë,1986, zgjodhën Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, parathënia D. Agolli.

Litari i ankthit, poezi e zgjedhur, parathënia Bashkim Kuçuku, Toena, Tiranë 2002.

Antologji personale, Ora, Tiranë, 2002.

Kush do ta vrasë ujkun, Alba-Ass, Tiranë, 2002. Zgjedhjen dhe parathënien Ali Aliu.

Te guri i Prevezës, parathënia Bashkim Kuçuku, Arbëria, Tiranë, 2003.

Letra nga të vdekurit, ese dhe persiatje, Toena, Tiranë 2004.

Pikë e zezë në blu, poezi, Onufri, 2005.

Sfidë harrimit, ese, parathënia Bashkim Kuçuku, Onufri, Tiranë, 2006.

Gjumi i tokës, poezi e zgjedhur, Ideart, Tiranë, 2007.

Fundi i mitit, tregime, parathënia Sadik Bejko, Onufri, 2007.

Libri mbi të qenit, poezi e zgjedhur, Brezi 9, Tetovë, 2008 ; PEN Qendra, Prishtinë, 2009, parathënia Fatos Arapi;

Vepra 1-9, Vepra e plotë, parathënia Ali Aliu, ASHAK, Prishtinë, 2013.

***

Ka bërë përzgjedhje dhe botuar, me parathënie e pasthënie – ese për shkrimtarët e veprat:

Vorea Ujko, Ankthi, 1979.

Fatos Arapit, tre libra, Fatet, Kaltërsina dhe Dafina në shi (1971, 1979 dhe 1985).

Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botën, 1980.

Dritëro Agolli, Të pagjumët, 1982.

Sulejman Mato, Jeta në dy kohë, 1982.

Abdylazis Islami, Maje malësh, 1983.

Xhevahir Spahiu,Tek rrënja e fjalës, 1988, etj.

Eqrem Basha Brymë në zemër, 1989.

Agim Ramadani, Një jetë tjetër, 2000.

Azem Shkreli, Zjarr i fjetur, Toena, Tiranë, 2001.

Fatos Arapi, Eklipsi i ëndrrës, Toena, Tiranë, 2002.

Lëre dritarën hapur, Rozafa, Prishtinë, 2002 (zgjedhje e poetëve të viteve 80).

E frikshme dhe e bukur, Rozafa, Prishtinë, 2003 (zgjedhje e poetëve të viteve 80).

I kujt je, Atdhe? Rozafa, Prishtinë, 2003 (zgjedhje e poetëve të viteve 90).

Sadik Bejko, Perëndim me pak natë, Toena, Tiranë, 2004.

Mihal Hanxhari, Gdhend një statujë, Toena, Tiranë, 2005.

Një gur i çarë, antologji për Kosovën, Rozafa, 2005.

Shpërblimet:

I Dhjetorit, i Nëntorit, (i qytetit të Prishtinës), i Rilindjes, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Fjalës etj.

Çmimi ndërkombëtar për poezi “Nikolaus Lenau”, Shtutgart, Gjermani, 1999,.

Çmimi ndërkombëtar “Liburna”, Durrës, 2005.

Çmimi Azem Shkreli.

Çmimi i Organizatës Kulturore Ndërkombëtare “Kafeneja e Ideve”, Salaminë, Greqi, 2011.

Poezitë e tij janë përkthyer edhe në hebraisht, danisht, norvegjisht, holandisht, greqisht, çekisht, bullgarisht etj. Po ashtu janë botuar në revista si Poesis 93, Mediteran (Paris), Neue Sirene (Mynhen), Neue literatur (Ofefenbach), Literatur und kritik (Salzburg), Hid (Novi Sad), Slobodnost (Lubjanë), Impegnio 80 (Itali, Mazara del Vallo, Frapani), Literatura na sëiecie (Varshavë), Život (Sarajevë), Nëntori dhe Letërsia shqipe (Tiranë), Književnost (Beograd) etj.