Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: “Mëngjes korriku në Shqipëri”

Ulur në një barangë të shtrembëruar nga stuhia e mbrëmjes, dëgjoj peshkatarët e mbledhur bashkë.

Rrëfejnë, kush me duar e kush me një hije të rëndë në fytyrë, dëmet që u la shtrëngata. Njëri tregon përhallin e varkës që iu këput. Një tjetër ka humbur çatinë. Dikujt i janë rrëzuar pemët në oborrin e shtëpisë.

Tek presin kafen, që zonja e barangës e përgatit me një xhezve të vjetër e primitiv, biseda mbushet me dialogë e dramatizime të netëve të tyre në det të hapur. Çdo rrëfim shoqërohet me gjeste, me duar që vizatojnë dallgët në ajër.

Pastaj krijohet një pauzë.

Kafeja mbërrin. Shkëmbehen cigare. Dikush porosit edhe një kupë raki.

Heshtje.

Më pas njëri mbushet me frymë dhe pyet:

I patë lajmet?

Filloi prapë në Iran.

Edhe në Dubai, shton një tjetër.

Të zestë njerës, ia pret një peshkatar më i moshuar. Mirë vapa, po edhe lufta…

Dhe, pa u kuptuar, biseda largohet nga hallet e vogla të mëngjesit e ndizet mbi hallet e botës. Lindja e Mesme. Trump. Nafta. Hamasi. Palestina. Izraeli. Lufta.

Baraka e shtrembër shndërrohet në një skenë të vogël të teatrit të madh të botës.

“Të zestë njerëz…” psherëtin më në fund një peshkatar që deri atëherë nuk kishte folur fare.

Ndëkohë mua mu kujtua një varg shumë i hershëm me shumë mundësi nga Labëria.

O të zestë Arapë

Lufta luftë e vapa vapë

Hidh një gur e ik me vrap.

Biseda vazhdon, filxhanët trokasin lehtë mbi tavolinë, ndërsa përtej barangës deti vazhdon të marrë frymë, si të mos kishte ndodhur asgjë.