Eden Babani: Nga e vërteta te e pavërteta dhe anasjelltas
(Fragment nga libri në proces)
KREU I
Lisparosë, në festën e përvitshme për Kajo Karafilin, “Hero i Popullit”
1.
Nuk e mbaj mend vitin saktësisht. Them se do të ketë qenë koha kur kooperativistëve nuk u lejohej të mbanin në oborrin e tyre privat më tepër sesa dy qengja, një femër e një mashkull, ose dy keca, gjithashtu një femër e një mashkull. Kooperativistët ishin të detyruar që, kur të rriteshin, femrat t’i dorëzonin në kopetë përkatëse të kooperativës, kurse meshkujt t’i hanin. Duhet të dorëzonin vetëm kokën pasi të kishin ngrënë mishin. Kjo si provë se nuk do të mbarështronin më tej bagëti në oborrin e tyre privat.
Kaq e vërtetë ka pas qenë kjo narrativë politiko-ideologjike e kohës, sa që si propagandë për të ndikuar në psikologjinë e fëmijëve, altoparlantët e Radio Tiranës buçisnin kohë e pakohë nga një këngë që e interpretonte një vogëlushe me zë të bukur dhe tepër e intonuar me muzikën.
Po citoj disa nga vargjet e këngës:
“Qengj i vogël pse mendueshëm be-e, be-e ban / pse më sheh ashtu trishtueshëm be-e, be-e, be-e… / Baba mu më ka premtue be-e, be-e, be-e / në kooperativë me të çue… be-e, be-e, be-e… / Do bëhem bareshë e fshatit tring-tring-tring / ta kullos gjithë grigjën shpatit tring-tring tring…”.
2.
Në Lispatrosë, fshat malor i Kooperativës Bujqësore të Bashkuar Helmas Kavajë, do të mbahej festa e përvitshme në përkujtim të Kajo Karafilit, “Hero i Popullit”, vrarë së largu me snajper nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave të zonës duhet të ishin të pranishëm në Lispatrosë. Pra edhe tetëvjeçarja jonë, e Kryeziut.
Për të celebruar festën dhe për të hapur siparin e saj, Komiteti i Partisë i Rrethit kishte dërguat një nga instruktorët e vet.
Ajo pak fushore e fshatit ishte zbukuruar me flamurë e lloj-lloj shirita ngjyra-ngjyra. Altoparlantët e vendosur poshtë e lart buçisnin nga këngët revolucionare dhe nga duartokijet. Thuhej sikur ato qenkëshin dëgjuar deri në Pezë, nga njëri krah, dhe deri në Kavajë e Golem, nga krahu tjetër.
Në këto e sipër një mësues i një shkolle andejpari doli pa pritur e pakujuar me një tufë nxënësish të këndonin së bashku një këngë. Dukej ashiqare se grupi i vogël “artistik” rrihte t’i bënin jehonë narrativës politiko-ideologjike të kohës, por jo sikudër kënga “be-e, be-e, be-e…” e Radio Tiranës. Ata, mësuesi dhe nxënësit, në vend që të këndonin, recitonin vargje të sajuar kushedi nga kush.
Citoj:
“Mësuesi, Hopa!… / Nxënësit: Hopa! Hopa! Hopa!… / Mësuesi: Na ka kërkuar lopa… / Nxënësit: Hopa! Hopa! Hopa!… / Mësuesi: do na bëjë një viç të bukur / Nxënësit: Hopa! Hopa! Hopa! / Mësuesi: Do ta çojmë në kooperativë. / Nënësit: Hopa! Hopa! Hopa!…”.
Sa herë bënin “Hopa”, aq herë hidheshin përpjetë dhe hapnin krahët, thua se do të fluturonin.
3.
Pa u larguar ende “hopa-hopa-hopat” doli një tjetër mëues, i cili ia filloi me prezantimin e vetvetes, ndonëse e njihnin të gjithë:
– Dhe nashti, – tha – nga Samiu, mësonjës i shkollës me katër klasë kolektive Lispatrosë, do të dëgjoni këngën “Moj dashnore, t’gjykoftë Perëndia”!
Muli, drejtori i shkollës sonë, u nxi… Edhe ne, mësuesit e tjerë, bashkë me të. Përkundrazi, i deleguari i Komiteit të Partisë i Rrethit, u ngrit dhe e zuri këngëtarin përqafe.
I ndjeri Sami kishte mbaruar Mendresenë e Tiranës. Kishte zë tenori dhe këndonte shumë bukur. Në kohën e Mbretërisë, programet e Radio Tiranës hapeshin me Himnin e Flamurit. Pas kësaj Samiu këdonte pjesë nga kurani për myrslimanët, kurse një prift korçar, nëse s’gaboj, ligjëronte pjesë nga ungjilli për ortodoksët dhe katolikët.
KREU II
Karakas – Venezuela…
1.
Do të ketë qenë viti mësimor 1961 – 1962.
Njëzetetë – njëzetenëntë vjeç asohere, sapo kisha mbaruar shkollën e lartë ngase e drejta e studimit më doli tepër me vonesë. Shkak, ka pas qenë pushkatimi më 1948 i tim gjyshi, Mehmet Babani, si armik i popullit. E drejta e studimit më doli për Matematikë – Fizikë.
Por ja që hë!… Edhe pas kësaj, kusuret e ma s’kishin të sosur.
Hasan Duma, Zv – Rektor dhe Sekretar i Komitetit të Partisë i Universitetit, pasi lexoi të dhënat e mia biografike, nguli këmbë të përjashtohesha, me gjithë mbrojtjen që më bënë Profesor Petraq (Pepi) Pilika, Profesor Osman Kraja, si student që kisha marrë pjesë në të gjitha kolokiumet dhe i kisha fituar të githa provimet me rezultate të kënaqshme. Megjithatë Hasan Duma ia arriti qëllimit, ndonëse e pësoi edhe vetë më pas. Madje më keq sesa unë. E gjetsh nga mos e pandefsh, i thonë kësaj, qofë për mua, qoftë për atë.
Nejse…
Pas një ecejaku nga Universiteti Dega Matematikë-Fizikë, në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar Dega Gjuhë Letërsi Shqipe – Histori, si i papëlqyer nga rregjimi, u emërova në shkollën shtatëvjeçare të Dhëmblanit, shumë larg Skelës së Vlorës, ku banonte familja ime.
Larg vërtet, madje tepër larg familjes sime, ama me të shkelur në kryeqendrën e trevës, u miqësova me fshatin dhe me nxënësit e mi. I doja dhe më donin të gjithë, aq sa, i frymëzuar prej tyre, shkrova poezinë me titull “Poemë për vete e për të tjerë’’, tashmë botuar në disa nga librat e mi, përfshi edhe në “Buzëqeshje në dy kohë – poezi’’.
Përmes një meditimi autobiografik, jam përpjekur të përshkruaj vitet e para të mia si mësimdhënës fshatrave, por edhe qyteteve anekënd Shqipërisë. “A mund të mos i hapej shkolla fshatit”? Ky ishte thelbi i dilemës që po përjetoja.
Por jo!…
“Orfeu në këto më pat rrëmbyer / në krahët e tij të lehtë e më çoi / mu pranë një çunaku rrobashqyer / e syverbuar që ashpër më qortoi: / Ti s’do t’i çelësh sytë e mi verbuar e ndoshta një sy tjetër do për vete… / Hapmi, pa njërin sish ta kam dhuruar, / të rrosh ti me tre sy nëpër qytete…”.
2.
Bëhej një darkë në Matohasanaj, pjesë e trevës etnografike të Lopësit, Tepelenë. Treva përmblidhte Dhëmblanin si kryeqendër, Matohasanajn, Sinanajn, Dorëzin dhe Lab Martallosin. Sikurse në Dhëmblan, shkolla shtatëvjeçare a fillore, kishte edhe gjetkë, fjala vjen, në Sinanaj, por jo në Matohasanaj i cili shihej vëngër nga regjimi me që, siç besohej, ishte fshat ballist.
Dreka bëhej në shtëpinë e të ndjerit Servet. Me ç’rast, nuk më kujtohet.
Serveti ishte mësues në skollën tonë, në Dhëmblan. I duhet të vinte domosdo çdo mëngjes nga Matohasanaj, një orë e ca larg, madje edhe në mot të keq, duke rëshqitur baltovinave, duke ngjitur e zbritur rrëpira e gërxhe shkëmbore. Përndryshe i pritej rroga, në mos po largohej fare nga arsimi si pasardhës i një familjeje balliste. Kështu, deri që e veshën ushtar.
Një vit pas tij, më veshën edhe mua, bash në pikun e moshës. Ushtar u ngrita nga dega ushtrake e Tepelenës.
Histori më vete, edhe kjo.
3.
Studentët që mbaronin Universitetin, bënin një të ashtuquajtur stazh ushtrie gjashtëmujor dhe me aq mbaronte gjithçka, pasi merrnin edhe një lloj grade oficeri, siç besoj. Deri atëherë, unë i isha shmangur ushtrisë.
Kolegët e tim eti në Degën Ushtarake të Vlorës, të cilët kontrollonin gjendjen shëndetësore të rekrutëve përpera se këta të rekrutoheshin, ma patën shtyrë ushtrinë vit pas viti me raport mjekësor, si i paaftë shëndetërisht. Në tepelenë, kjo nuk funksionoi. Time atë, nuk e njihte kush atje. Pastaj atje i thoshin Tepelenë, jo Vlorë. Me ngritën ushtar dy-tre muaj përpara se të përjashtohesha përundimisht nga ushtria, për shkak se kaloja pikun e moshës.
Servetin, kolegun dhe mikun tim nga Matohasanaj, e gjeta në Repartin e Punës në Vorë, ku ndërtohej Fabrika e Tullave. S’do mend, edhe ai, edhe unë nuk mund ta kryenim shërbimin ushtarak me pushkë. Do ta kryenim me kazmë e me lopatë. Me opinga e çizme, jo me këkucë.
4.
Darka, siç e thashë aty më lart, bëhej në shtëpinë e Servetit a të ndonjërit nga farefisi i tij, nuk e mbaj mend saktësisht. Ama mbaj med refrenin e një kënge labçe të improvizuar aty për aty. Tëpkë si kënga “Qengj i vogël pse mendueshëm be-e, be-e ba…“, por në përshtatje me narativën e situatës politiko-ideologjike të çastit.
Ishin dy goxha sofra përdhese, rreth e qark të cilave nguceshin plot të ftuar që ia merrnin këngës. Sa mbaronin ata të sofrës së majtë, ia merrnin të së djathtës. Njëra palë i jepte kohë tjetrës, që të gëlltiste një gotë raki koçimareje. V-u-u… rrakia e koçimares, ngase pylli andejpari është plot e përplot koçimare.
Meze?… Meze u thënçin!… Ndonjë lëkurë qepe a preshi, më rrallë ndonë kokërr ulliri e aq. Edhe ato në copa azetash. Për pjata, as që mund të bëhej fjalë.
Në këto e sipër, paritur e pakujtuar, dikush hodhi sytë te copa e letrës me meze, i tregoi me gisht shokut atë çka shkruhej mbi të dhe ia mori këngës:
“Karakas… “
Ia prit i dyti:
“Ë-ë-ë… Karaka-a-s…”
Vazhdoi i pari:
“Karakas – Venezuela”
I dyti:
“Ë-ë-ë, Venezuela… ë-ë-ë… “
Vetëm aq. Nuk dihet sa do të vazhdonte kjo “Karakas – Venezuela”, sikur të mos ia kishte marrë këngës sofra tjetër përdhese, e cila e shpëtoi simotrën e vet nga sikleti.
5.
Sot e kësaj dite nuk dihet çfarë i kishte pas lidhur gazetat Zëri i Popullit e Bashkimi me Karakasin dhe Venezuelën. Ndonjë tërmet sikundër ky i kohëve të fundit?
Kush pyeste për të dhëna t’atilla asokohe?!…
Çfarë, pra?! Trafik droge?
Bah!… Enver Hoxha trafikant droge?!… Kije mëri, po jepi hakun. Nuk merrej ai me droga e trafiqe drogash sikurse ky spurdhjaku i sotëm, pasardhës i tij politik e shpirtëror, i cili po s’thithi dy a tri viza, nuk është në gjendje të hapë gojën e të lidhë dy-tri fjali për të qenë.
Pse, pra?!
Unë do të thosha se, si shtet i Amerikës Latine konsideruar ndoshta kundër kapitalizmit, sidomos kundër SHBA-së, armikut tonë të përhershëm të përtej Atlantikut, të përditshmet Zëri i Popullit ose Bashkimi do të kenë pas përthithur ndonjë lajm në përshtatje me platformën politike-ideologjike të kohës.