Ruzhdi Gole: ZHEG, PAK DIMËR
Ndoshta
dashuron edhe vdekja
vdekjen ndoshta e dashurojnë.
Të gjithë përpiqemi tek e përpjeta,
tëposhtë përcjellim ata
që ikin të gjithë njësoj.
Pijmë cigare dhe kafe
ne edhe vet mbrëmja
vemë buzën në gaz
me një pikë loti,
ndoshta të gjithëve
na dashuron vdekja
nesër, pasnesër
jo sotmi.
*
Shtëpi më vete
kanë të vdekurit
jo të një gjaku
ndoshta
të një gjaku
të një qyteti…
me të vdekur të tjerë
ardhur
nga tjetër truall
matanë maleve
matanë valëve
besuar tjetër feje
besuar tjetër shenjti.
Këtu ata jetojnë bashkë
në të njëjtin truall
mesvedi shkëmbejnë
cigare
tymin secili
e mban për vete,
Toka e të gjallëve
e gjallë është
edhe
prej të vdekurve.
*
Të përjetshme varrezat
të përkohshim e hirtë
të përkohshëm,
vijnë të rinj
që të moçëm janë
të moçmit
me tespijet e hijes
janë edhe të sotshëm.
Ndonjëherë ata
i zë e qara
ngashërehen
duke mbyllur sytë
ata sytë here here
i mbajnë hapur,
jo sepse
s’janë vdekur
por sepse
s’janë mpakur.
*
Pres në varreza
të përcjell dikë
ende
s’ka ardhur
ndoshta ende ka zë.
Përhera dyshojmë
për të vdekurin
jo vdekjen,
pres në varreza
të përcjell dikë
është
duke ardhur
pas një shëtitjeje
me të tjerë
veç me veten.
Ende shëtitka?
Rruga
e përshpirtjeve
plot lutje, vetëm një
gjithë pritje të papritura.
*
Nuk jam i krishterë
po verën e pi
kryqin e shoh
edhe në terr.
Kryqi a më sheh mua?
Shembëlltyra ime
më afron me të tjerë
me kambana në duar.
Më fal gjysmëhënë
mëmë deri diku…
O kryq, ati im
pa asnjë
gjëmë!
*
Ngjitemi përpjetë
për të përcjell
Johanën
të mirën,
zhegu zheg
edhe pak dimër.
Johana
është nisur
para nesh,
shpejt më përpjetë
të na rrëfej rrugën
gjysma dimër
pak zheg.
*
Hëna
do zbres
edhe sonte
të përkëdhel
të vetët në varreza,
Hëna – mëma
e të gjithëve
për vdekjen
është njerka..