SKËNDER QEMAL XHIXHO, DËSHMOR I POLICISË, KRENARI E KAGJINASIT
(Në kuadrin e përvjetorit të lindjes së Skënder Qemal Xhixho (4.4.1965, Kagjinas – 13.6.1994, Starje, Kolonjë), dëshmor i Policisë së Shtetit, krenari dhe frymëzim për brezat e rinj të Policisë së Shtetit Shqiptar, nder dhe krenari edhe për vendlindjen e tij, Kagjinasin e Ersekës, ku në lapidarin e dëshmorëve emri i Skënder Xhixhos është shkruar me shkronja gjaku, simbol i vlerave të misionit për rendin e sigurinë publike në shërbim të shtetit).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Gjaku i policisë, themeli i rendit, sigurisë publike dhe autoritetit të shtetit
Sikurse gjithë historikët e policisë së çdo shteti, edhe rendi dhe siguria publike në Shqipëri kanë historikun e vet të lindjes dhe të zhvillimit. Policia nuk është vetëm një strukturë institucionale, por një mision i mbështetur mbi sakrificën njerëzore të atyre që zgjedhin të shërbejnë nën uniformën blu, në mbrojtje të ligjit, rendit dhe sigurisë së qytetarëve. Policia e Shtetit është një nga institucionet që përballet çdo ditë me rreziqe konkrete, sepse në vijën e parë të përballjes me paligjshmërinë janë punonjësit e saj, bij të denjë të këtij populli. Për këtë arsye, gjaku i policisë së rënë në krye të detyrës është gjaku i shtetit, një dëshmi e çmimit që paguhet për rendin, sigurinë dhe funksionimin e qetë të shoqërisë shqiptare. Në dekadat e fundit të historisë shqiptare, veçanërisht në periudhat e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe institucionale, shumë punonjës policie kanë humbur jetën duke kryer detyrën. Ata janë bërë pjesë e kujtesës kombëtare si dëshmorë të shtetit shqiptar, sepse u përballën me rrezikun në emër të një parimi themelor: mbrojtjen e jetës, ligjit dhe rendit publik. Një prej këtyre figurave është polici Skënder Qemal Xhixho, bir i fshatit Kagjinas të Kolonjës, një njeri i thjeshtë në origjinë, por i madh në misionin për sigurinë rrugore. Historia e tij është historia e një polici që jetoi pak vite në uniformë, por la pas një emër të gdhendur në kujtesën e Policisë së Shtetit dhe të komunitetit kolonjar ku lindi. Emri i tij sot qëndron në mesin e dëshmorëve të policisë shqiptare, si simbol i përkushtimit dhe i sakrificës në mbrojtje të ligjit. Skënder Qemal Xhixho bën pjesë në elitën policore që jetën e popullit e ka mbrojtur me përkushtimin dhe gjakun e tij.
Nga Kagjinasi në uniformën e Policisë së Shtetit, rrugëtimi i një shërbëtori të ligjit
Skënder Qemal Xhixho u lind më 4 prill 1965 në fshatin Kagjinas të Kolonjës. Fëmijërinë dhe vitet e para të formimit i kaloi në vendlindje, duke ndjekur më pas arsimin tetëvjeçar në Novoselë dhe shkollën e mesme në qytetin e Ersekës, ku u diplomua në degën “Zooteknikë”. Megjithëse përgatitja e tij ishte në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, rruga e jetës do ta çonte drejt një tjetër misioni, atij të shërbimit publik. Deri në vitin 1991 ai punoi si bujk në kooperativën e vendlindjes. Ishte një periudhë ndryshimesh të mëdha për shoqërinë shqiptare, kur institucionet e shtetit po përballeshin me sfida të reja dhe nevoja për rend e siguri ishte e jashtëzakonshme. Në këtë realitet, Skënder Xhixho zgjodhi t’i bashkohej Policisë së Shtetit. Më 16 tetor 1991 ai u emërua polic në Degën e Rendit Publik në Ersekë. Brenda një kohe të shkurtër ai u përfshi në detyrat e përditshme të ruajtjes së rendit, duke shërbyer me përkushtim dhe korrektësi profesionale. Për rreth dy vjet e tetë muaj ai mbajti uniformën e policit, një periudhë jo të gjatë në kohë, por të mjaftueshme për të treguar vlerat e një profesionisti që e shihte detyrën si përgjegjësi ndaj komunitetit.
Në vitet e para të tranzicionit shqiptar, Policia e Shtetit përballej me forma të ndryshme kriminaliteti, kontrabande dhe shkeljesh të ligjit. Punonjësit e rendit shpesh vepronin në kushte të vështira, me mjete të kufizuara dhe me rrezik të vazhdueshëm për jetën. Pikërisht në këtë realitet u formësua edhe sakrifica e Skënder Xhixhos. Jeta e tij familjare ishte një tjetër dimension i rëndësishëm i figurës së tij. Më 23 gusht 1992 ai u martua me znj. Natasha Xhixho dhe nga kjo martesë lindi vajza e tyre, Eduina. Pas humbjes së tij, familja mbajti mbi supe dhimbjen e një humbjeje të madhe, por edhe krenarinë e të qenit pjesë e familjeve të dëshmorëve të shtetit shqiptar.
Top of Form
Bottom of Form
13 qeshori 1994, nata e fundit e shërbimit, kur detyra u pagua me jetën sublime
Ngjarja që do ta shënonte përgjithmonë emrin e Skënder Xhixhos ndodhi më 13 qershor 1994, në aksin rrugor pranë Ersekës. Në atë periudhë, strukturat e policisë po përballeshin me raste të shumta të kontrabandës dhe veprimtarive kriminale, që shfrytëzonin pasigurinë e kohës.
Sipas dokumentacionit zyrtar të kohës, patrulla e policisë së Ersekës mori informacion për dy automjete që transportonin persona dhe mallra të paligjshme. Përballë kësaj situate, policia organizoi shërbimin për ndalimin dhe kontrollin e mjeteve. Në orët e para të mëngjesit, patrulla e policisë vendosi një pikë kontrolli në dalje të qytetit të Ersekës. Kur automjeti i tipit “Benz” iu afrua postbllokut, drejtuesi i tij nuk iu bind urdhrit për ndalim. Përkundrazi, automjeti vazhdoi me shpejtësi të madhe dhe goditi policin Skënder Xhixho, i cili ndodhej në krye të detyrës. Përplasja ishte tepër e rëndë. Polici u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku mjekët luftuan për t’i shpëtuar jetën, por pas tri ditësh ai ndërroi jetë. Në moshën 29-vjeçare, Skënder Xhixho u nda nga jeta, duke lënë pas familjen, kolegët dhe një vend bosh në radhët e Policisë së Shtetit. Pas ngjarjes, strukturat e policisë zhvilluan një operacion për kapjen e autorëve. Automjeti u gjet i braktisur pranë Urës së Floqit dhe, pas hetimeve, u arrestuan personat përgjegjës për ngjarjen. Rasti i Skënder Xhixhos ishte një tjetër dëshmi e rrezikut me të cilin përballeshin punonjësit e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Ai nuk humbi jetën në një përplasje të zakonshme, por gjatë një operacioni për zbatimin e ligjit, duke mbrojtur autoritetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve. Për këtë arsye, humbja e tij nuk ishte vetëm një tragjedi familjare apo institucionale. Ajo ishte një humbje për vetë shtetin, sepse çdo polic i rënë në krye të detyrës përfaqëson një sakrificë të bërë në emër të shërbimit publik, në emër të shtetit.
Dëshmori i Policisë dhe kujtesa institucionale, emër që jeton në breza si frymëzim për brezat
Pas vdekjes së tij, figura e Skënder Qemal Xhixhos u vlerësua si shembull i përkushtimit dhe sakrificës. Shefi i Komisariatit të Policisë Kolonjë, kolonel Arben Zylyftari (sot dëshmor i Atdheut), propozoi shpalljen e tij Dëshmor i Atdheut, me motivacionin se ai “ra në krye të detyrës në përpjekje me elementin terrorist-kontrabandist”. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin nr. 52, datë 04.05.2005, e shpalli Skënder Qemal Xhixhon Dëshmor të Atdheut dhe i dha familjes simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Ky vlerësim nuk ishte vetëm një akt administrativ, por edhe ligjor. Ai ishte një njohje morale e një sakrifice që i përkiste gjithë shoqërisë shqiptare. Dëshmorët e Policisë janë pjesë e historisë së shtetit, sepse nëpërmjet jetëve të tyre kuptohet vlera reale e sigurisë publike dhe e respektimit të ligjit në Shqipëri. Emri i Skënder Qemal Xhixhos është trupëzuar dhe shpirtëzuar në lapidarin e vendlindjes së tij. Lapidari ka 13 emra të shkruar me shkronja gjaku, ndër të cilët: (1).Skënder Qemal Xhixho (lindur më 1965 në Kagjinas dhe rënë në Starje), i shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 52, datë 04.05.2005, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” (sipas librit zyrtar të dëshmorëve të Ministrisë së Mbrojtjes, botim i vitit 2012, faqe 126, rreshti nr. 65). (2).Jemin Halim Hamdiu, i lindur më 1908 në Kagjinas, ish-kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Kagjinas, u ekzekutua me pushkatim nga forcat naziste gjermane në korrik 1943, në moshën 35-vjeçare, menjëherë pas masakrës së Borovës. Ai është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 60, datë 23.12.2005 (faqe 122, rreshti nr. 10). (3).Abedin Islam Nuke, i lindur më 1898 në Kagjinas, ish-sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Kagjinas, u ekzekutua me pushkatim nga forcat naziste gjermane në korrik 1943, në moshën 45-vjeçare, menjëherë pas masakrës së Borovës. Ai është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 56, datë 16.06.2005 (faqe 121, rreshti nr. 29). Në lapidar, me shumë të drejtë, janë shkruar gjithashtu me shkronja gjaku edhe emrat e dhjetë të ekzekutuarve me pushkatim nga nazistët gjermanë më 11 korrik 1943, konkretisht: (4).Avni Ismail Skënderi-Frashëri, (5).Fejzi Rasip Kapo, ish-partizan i batalionit “Hakmarrja”, i cili kishte shkuar me leje për disa ditë në Kagjinas, (6).Muharrem Rasip Kapo, (7).Mehmet Halim Hamdiu, (8).Sadik Tela Hamdiu, (9).Safet Myrteza Hamdiu, (10).Shyqyri Sali Bahollari, (11).Sali Shyqyri Bahollari, (12).Muhamet Ali Tare dhe (13).Teko Ramo Ferhati. Por në masakrën e Kagjinasit ranë edhe dy të tjerë: (14)Doke Barmashi (nga Bënjë), (15). Zeni Ismolli (nga Bënjë), që kishin shkuar aty për miqësi, në Kagjinas. Ligji nr. 109/2018 për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, flet qartë për ekzekutimet nazifashiste gjatë LANÇ-it. Të gjithë ata që u ekzekutuan dhe ranë nën breshërinë e plumbave fashistë meritojnë të shpallen me titullin “Dëshmor i Atdheut”. Kështu, lapidari i Kagjinasit, në Ersekë, meriton të ketë të shkruar me shkronja të arta dymbëdhjetë dëshmorët e rënë në verën e vitit 1943, si edhe dëshmorin e rendit dhe të sigurisë publike, Skënder Qemal Xhixho. Po kështu, në bazë të ligjit, ata duhet të prehen përfundimisht në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës. Ky është detyrim ligjor për pushtetin vendor dhe atë qendror në Shqipëri. Nderimi dhe respektimi i dëshmorëve në përjetësi bëhet zyrtarisht në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Për rastin e dëshmorëve të Kagjinasit, të gjithë dëshmorët dhe të rënët nga ekzekutimi me plumbat e armikut kanë vetëm një vendprehje ligjore: Varrezat e Dëshmorëve. Për t’u rikthyer te polici i vrarë në krye të detyrës, Skënder Xhixho mbetet edhe sot krenari dhe nder për Kagjinasin, Kolonjën dhe Policinë e Shtetit. Emri i tij është shkruar në lapidarin e kujtesës publike, me shkronja gjaku në lapidarin e Kagjinasit, por edhe në memorialin e ngritur në ambientet e Policisë së Shtetit. Mbi të gjitha, ai është ruajtur në ndërgjegjen e kolegëve të Policisë, të brezave të rinj që vijojnë të mbajnë uniformën me dinjitet.
Një shtet nuk matet vetëm me institucionet që ndërton, por edhe me respektin që tregon ndaj atyre që kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur atë. Polici i rënë në krye të detyrës është simbol i këtij respekti. Ai kujton se pas uniformës qëndron një njeri, një familje dhe një jetë e dhënë për një mision më të madh se vetja. Skënder Qemal Xhixho është një prej këtyre emrave të nderit, respektit dhe lavdisë. Ai mbetet dëshmitar i heshtur i një të vërtete të madhe: siguria e një kombi ka gjithmonë një çmim dhe shpesh atë çmim e paguajnë bijtë më të devotshëm të tij.
Dëshmorët e Policisë së Shtetit nuk harrohen, sepse sakrifica e tyre është pjesë e themelit mbi të cilin qëndron shteti shqiptar. Nuk është definicion, por një realitet se “Gjaku i policisë është gjak i shtetit” është mesazh që vlerëson sakrificën sublime të punonjësve të Policisë së Shtetit. Goditja, dhuna ose humbja e jetës së një polici gjatë kryerjes së detyrës nuk është thjesht një ngjarje kriminale ndaj një individi, por një sulm i drejtpërdrejtë kundër vetë themeleve të shtetit. Në 114 vjet të shtetit shqiptar janë disa qindra punonjës policie të rënë në krye të detyrës, sepse kanë mbrojtur jetën e qytetarëve të Republikës me jetën dhe gjakun e tyre. Prandaj, nderimi për dëshmorët është i përjetshëm. Skënder Qemal Xhixho mbetet një hero i demokracisë dhe i zhvillimit, pasi jeta e tij në shërbim të ligjit dhe sakrifica e shkruar me gjak në historinë e rendit publik dhe të sigurisë shqiptare nuk janë vetëm një emër në lapidar, por mbi të gjitha një emër i pavdekshëm në zemrat tona.
Burimet e studimit: Të dhëna nga arkivi familjar nga babai i dëshmorit Skënder Qemal Xhixho me banim në fshatin Kagjinas të Ersekës; Të dhëna nga dosja e dëshmorit Skënder Qemal Xhixho që gjendet në Bibliotekën e Akademisë së Sigurisë dhe është vartuar nga student të AS-së përgjatë vitit akademik 2025-2026; Hilë Lushaku, Bajram Ibraj, “Të rënët”, Tiranë, 2023, (në dy vëllime); Dokumente të marra nga referencat e librit “Të rënët”; Informacion nr.2245, datë 16.06.2009, i prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë, dërguar DVP Korçë; Referuar shkresës nr. S-11, datë 23.05.2009, të Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë, rezulton se “Skënder Qemal Xhixho është vrarë në krye të detyrës”; Komunikatë operative ditore nr.168, datë 17.06.1994, e Ministrisë së Brendshme, fq.117. Gazeta e përditshme e pavarur “Koha Jonë”, e shtunë, 18 qershor 1994, fq.4; Komunikatë operative ditore nr.165, datë 14.06.1994, e Ministrisë së Brendshme, fq.93; Komunikatë operative ditore nr.167, datë 16.06.1994, e Ministrisë së Brendshme, fq.107., Portali Ballkanëeb, Zaho Golemi Gjaku i Policisë është gjaku i shtetit, Tiranë, 5.5.2020. Prof. Asoc Zaho Golemi “Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012, faqe faqe 126, rreshti nr.65.