Bislim Ahmetaj: Aleanca e Vullnetit të Mirë
Nuk ka rëndësi se kush e kalon i pari vijën e finishit në kilometrin e fundit të një maratone.
Rëndësi ka që të arrihet në finish.
Për Shqipërinë, finishi nuk është fitorja e një partie mbi një tjetër, por dorëheqja e Edi Ramës, krijimi i një qeverie kalimtare dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të pranuara nga të gjithë faktorët politikë brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Pikërisht për këtë arsye, metafora e përdorur muaj më parë nga Sali Berisha se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” nuk duhet parë thjesht si një slogan politik.
Në një maratonë, kilometri i fundit është ai ku sprovohen karakteri, durimi dhe aftësia për të mos humbur objektivin.
Është momenti kur ambicia personale duhet t’i lërë vend përgjegjësisë ndaj qëllimit.
Është po aq e vërtetë se barra kryesore e përballjes me qeverinë ka rënë mbi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj.
Për vite me radhë ajo ka organizuar protesta, ka denoncuar në SPAK, ka ngritur çështje në Parlamentin Europian, në Komisionin Europian, në organizata politike ndërkombëtare dhe në çdo forum ku ka pasur mundësi.
Po kështu, Sali Berisha ka përsëritur prej vitesh bindjen se zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën nuk mund të ketë.
E pranoj se kam qenë ndër ata që nuk e kam ndarë plotësisht këtë tezë.
Kam besuar se një Parti Demokratike më e fortë, më e organizuar dhe me një ofensivë të fuqishme diplomatike mund ta detyronte qeverinë të pranonte rregulla demokratike të lojës. Zhvillimet e muajve të fundit më kanë bërë ta rishoh këtë bindje.
Partia Demokratike provoi të bashkonte shoqërinë civile, por nuk ia doli.
Jo vetëm për gabimet e saj, por edhe sepse shoqëria civile e mirëfilltë është e dobët, ndërsa një pjesë e asaj që paraqitet si e tillë perceptohet nga publiku si e varur nga fondet, projektet dhe interesat politike.
Më pas u tentua krijimi i një forumi qytetar me intelektualë të pavarur. Edhe ai nuk arriti të shndërrohej në urën që do të bashkonte opozitën politike me energjinë qytetare.
Ndërkohë, prej më shumë se dy muajsh ka lindur një revoltë qytetare që ka marrë në dorë barrën e kundërshtimit të qeverisë. Pavarësisht mbështetjes publike që Sali Berisha i ka dhënë protestës që në ditët e para, një pjesë e konsiderueshme e protestuesve vazhdon të mbajë një qëndrim refuzues ndaj Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj.
Kjo është një situatë paradoksale.
Dy forca që kërkojnë largimin e të njëjtit pushtet vazhdojnë të ecin paralelisht, pa arritur të ndërtojnë besim të ndërsjellë.
Nëse vazhdojmë të pyesim se kush e ka fajin, rrezikojmë të humbasim edhe këtë mundësi historike.
Ndoshta është koha të mendojmë si japonezët, të cilët kanë një filozofi të thjeshtë për zgjidhjen e problemeve:
“Fajin e kemi ne; le ta zgjidhim problemin.”
Këtu lind nevoja për atë që unë do ta quaja: Aleanca e Vullnetit të Mirë.
Nëse Edi Rama ndërtoi pushtetin duke mbledhur rreth vetes interesa politike, ekonomike dhe klienteliste, përgjigjja nuk mund të jetë krijimi i një aleance tjetër për pushtet.
Përgjigjja duhet të jetë një aleancë për shtetin.
Në këtë aleancë nuk duhet të ketë rëndësi flamuri partiak, egoja personale apo merita se kush e nisi i pari betejën.
Duhet të ketë vend për opozitën politike, protestën qytetare, intelektualët, profesionistët, studentët, diasporën dhe çdo qytetar që beson se Shqipëria meriton institucione funksionale dhe një demokraci normale.
Aleanca e Vullnetit të Mirë nuk duhet të ketë si mision ndarjen e pushtetit, por rivendosjen e rregullave të lojës demokratike.
Ajo duhet të synojë krijimin e një qeverie kalimtare, garantimin e zgjedhjeve të lira, shkëputjen e lidhjeve të politikës me oligarkinë dhe krimin e organizuar, profesionalizimin e administratës dhe forcimin e një drejtësie që i shërben ligjit e jo pushtetit.
Nuk kemi nevojë për politikanë që matin suksesin me kostume të shtrenjta, makina luksoze apo kortezhe.
Kemi nevojë për shërbëtorë publikë të ndershëm, të mirëpaguar dhe të përgjegjshëm.
Nuk kemi nevojë për hakmarrje politike, por për drejtësi.
Burgu nuk është program qeverisës; drejtësia është.
Po aq e rëndësishme është që të rishikohen marrëdhëniet e politikës me oligarkinë.
Jo për t’u marrë pasurinë kujtdo në emër të populizmit, por për të shkëputur lidhjet e biznesit me privilegjin politik dhe me krimin e organizuar.
Një ekonomi e lirë nuk mund të mbijetojë mbi klientelizmin.
Ndoshta ka ardhur momenti që secili politikan, secili aktivist dhe secili qytetar të bëjë një hap pas nga egoja dhe një hap përpara drejt interesit kombëtar.
Sepse kjo nuk është më një betejë për rotacion pushteti.
Është një betejë për ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe si duhet të funksionoj shteti shqiptar.
Në fund të fundit, historia nuk do të kujtojë se kush e preku i pari shiritin e finishit.
Do të kujtojë vetëm nëse Shqipëria arriti apo jo ta kalojë kilometrin e fundit.
Dhe për ta kaluar atë kilometër nuk mjafton forca e një partie, e një lideri apo e një proteste.
Duhet: Aleanca e Vullnetit të Mirë.
Tiranë me 30 Korrik 2026.