Albspirit

Media/News/Publishing

Fotaq Andrea: Autorët francezë për Arbëreshët e Italisë (1413-2007)

Antologji me shkrime nga autorë francezë 

Astolphe DE CUSTINE

Markezi Astolphe Louis Léonor de Coustine (1790-1857), shkrimtar, ushtarak e diplomat, i mirënjohur për veprën “Rusia më 1839”, si dhe për esenë “Mbi demokracinë në Amerikë të Tokëvilit”, ka lënë një duzinë veprash të shkruara, ndër të cilat dy me kujtime, udhëpërshkrime e korrespondencë. Në vëllimin “Kujtime e Udhëpërshkrime, apo Letra të shkruara në periudha të ndryshme gjatë Udhëtimeve të tij në Kalabri, Angli e  Skoci, (vëll. 1, Louvain, 1830) përshkruan me hollësi e penë tepër realiste rrugëtimin e tij nëpër Kalabri, ku ndesh të papritura të hidhura dhe infeksion të rëndë nga Mal aria (ajri i keq, i molepsur i kënetave, i quajtur Aria Cattiva), si dhe popullatat mikëpritëse arbëreshe me gjuhën, doket dhe zakonet e tyre të lashta, deri edhe te veshjet e tyre karakteristike të ruajtura brez pas brezi për më shumë se pesë shekujsh.

NJË SHPATË E SKËNDERBEUT NË LUNGRO

Letër drejtuar *** [nënës së tij]

Lungro, këtë 25 maj.

Koha është e shkëlqyer, ajri është i freskët dhe i butë; një diell vezullues vesh detin me ngjyrimet më të gjalla dhe ndriçon gjelbërimin e kodrinave, bimësi e të cilave me gjethishtë të trashë e të lëmuar duket si e lustruar, kaq shumë është e shndritshme. Pozicioni i Lungros është i këndshëm; ndërtuar mbi faqen e një mali, ky qytet i vogël sundon një vazhdimësi kodrash të qeshura që vijnë e ulen ndjeshëm gjer tek fusha e Sibarisit. Dallohen rrethinat e Lungros, gryka e Kratisit në gjirin e Tarentes. Pikërisht te vendi ku ky lumë bie në det ndodhej, siç thuhet, porti i Sibarisit. Tregojnë ende aty një lloj lagune që e pandehin për vetë portin. Nuk shkuam të vizitojmë Sibarisin, sepse rruga që do marrim kur të kthehemi nga Rexhio do të na shpjerë aty, pa qenë kështu nevoja të bënim kthesë në çast.

Ka në Lungro miniera kripe që nuk m’u dukën dhe aq interesante; por banorët e qytetit janë interesantë. Krijojnë një racë më vete; janë Shqiptarë dhe ndjekin ritin grek [ortodoks]; kanë madje edhe një Peshkop vendosur në Santo-Demotino, në male.

Nuk dihet saktësisht se në cilën epokë këto popullata janë vendosur në Kalabri. Mendimi më i besueshëm është se ato erdhën aty në kohën e Skënderbeut*; dhe të tregojnë ende në Lungro një nga shpatat e shumta të këtij Heroi, i cili, pa dyshim, kishte po aq shpata sa kishte Madona shami për të mbuluar kryet. Tek Shqiptarët e shpërngulur, kostumi, gjuha, feja, zakonet, gjithçka është e ndryshme nga doket e popullit kalabrez. Këto nuanca, aq shumë të dallueshme dhe aq mirë të ruajtura për një kohë të gjatë, mes një kombi qeverisur në mënyrë uniforme, vërtetojnë se janë pikërisht zakonet shtëpiake shumë më tepër nga institucionet publike që u japin njerëzve karakterin e tyre. Këta më shfaqen më të butë, më të qetë nga italianët, dhe fizionomia e tyre shpreh qetësi e mirësi. Ka ndër ta shumë familje ku mbretëron një bashkim prekës dhe i rrallë në Itali; shtëpitë i kanë më të sistemuara, më të pastra nga ato të napolitanëve, dhe flas këtu për njerëz që nuk janë në gjendje.

Më në fund, kanë zakone rregulli, që sigurisht u është dashur t’i sjellin këtyre anëve. Mikpritësit tanë janë njerëzit më të mirë në botë. Bisedova ca kohë me gjyshen e kësaj familjeje patriarkale. Ajo nënoke  e mirë ka në tipare një shprehje trishtimi engjëllor. I mburra bukurinë e vendit, butësinë e ajrit, pastërtinë e qiellit dhe prehjen që mund të shijohet mes atij fshati aq të bukur; ju dhe bijtë tuaj, shtova, duhet të ndiheni të lumtur! “– Kemi qenë të tillë, ma ktheu e mira grua, por që prej tre vjetësh, nuk ka më lumturi për ne. Kemi humbur dy fëmijë, e im bir dhe e shoqja i donin aq shumë sa nuk arrijmë më të gjejmë ngushëllim për humbjen e tyre”. Duke thënë këto fjalë, plaka ishte gati të shpërthente në lot dhe shprehja e fytyrës së saj m’u duk aq prekëse, aq e lashtë, sa më shpinte në historitë e Biblës dhe tek shatorret e popujve të parë të botës!

Jean HOUEL

Zhan Huel (1735-1813), Piktor i Mbretit, i Akademisë së Arteve të Bukura të Parmës, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Ruenit si dhe i Muzeut të Parisit. Gravurist i talentuar, vizitoi dy herë Italinë, i mahnitur nga monumentet e Lashtësisë dhe bukuria e viseve. Pikturoi në guash me lehtësi e talent të rrallë. Gravuroi rreth 170 plansheta mbi bazën e vizatimeve të tij, duke i shoqëruar ato me tekst shpjegues. Pesë plansheta janë me tematikë arbëreshe dhe u blenë, krahas të tjerave, nga Katerina II e Rusisë. Sot ndodhen në Ermitage Muzeum, Shën Petersburg.

UDHËTIM PIKTORESK NË SICILI

[…] Që andej1, shkova në Kontesa, fshat me dy mijë a tre mijë shpirt, themeluar nga një koloni shqiptarësh, që erdhën e gjetën strehë në Sicili. Janë të ritit grek [ortodoks]; kanë ruajtur për një kohë të gjatë veshjen e atdheut të tyre të lashtë; sot janë vetëm ndoca gra që e mbajnë ende, të tjerat ndjekin mënyrën e veshjes të Sicilisë. Ky fshat ka tre kisha, një greke dhe dy latine. Kjo koloni arbëreshe kurrë nuk e ka parë veten të përvuajtur duke mos pasur në vend asnjë manastir të kurrfarë lloji; megjithatë, të sigurojnë se gratë ia dalin mbanë, falë modestisë e urtësisë në krahasim me ato të viseve të tjera ku hasen shumë manastire.[…]

Meqenëqë ky vend2 nuk paraqiste veçori të tjera për të vënë në dukje, kalova në Palazzo Adriano. Është një fshat shumë i këndshëm që ndodhet rrëzë malit të Trëndafilave, mal i madh, i famshëm për sasinë e trëndafilave që prodhon në mënyrë të natyrshme dhe për shumë bimë të tjera aromatike me të cilat bëhet tregti mjaft e madhe. Aty u prita mirë dhe u strehova tek Z. Ikdala kryeprift latin. Ky fshat është themeluar nga shqiptarët e ardhur këtu. Ka në Sicili katër fshatra apo qyteza që ia detyrojnë themelimin e tyre ortodoksve të pafatë, të cilët kërkuan aty një strehë për t’i shpëtuar persekutimit të turqve. Këto katër fshatra janë Mozzociuso [Mezzojuzo], Lapiana [La Piana], Contessa dhe Palazzo Adriano; sollën aty fenë e tyre; i mirëpritën, me kusht që të pranojnë midis tyre një kishë latine; por ata kundërshtuan kategorikisht të ngrinin kuvende, qoftë murgjish, qoftë murgeshash. Pashë dhe pikturova me shumë kënaqësi kostumin e

Jean Huel, 1785. “Martesë arbëreshe dhe zakone të tjera tek Arbëreshët”

grave të Shqipërisë. Ruajnë veshjen e atdheut të tyre të lashtë, ndërsa burrat kanë marrë veshjen siciliane, që u pëlqeu dhe është më e përshtatshme. Sapo mbërrita, mora pjesë në një martesë greke. Veçoria e ceremonisë dhe ajo e veshjeve më habitën, andaj dhe i vizatova.

Shumë ceremoni i paraprijnë martesës. Dhëndri, duke pasur babanë në krahun e djathtë dhe në krahun e majtë njeriun më të afërt, pasohet nga tërë farefisi dhe miqtë për të shkuar në shtëpi të nuses. Vetëm i ati hyn brenda; i jep bekimin nuses në gjuhën e vet kombëtare dhe e merr nga dora për ta çuar në kishë. Kur çifti i ri gjendet në pragun e derës, hedhin mbi ta nga dritaret e shtëpive grurë, bukë dhe kripë për të dëshmuar se u urojnë gjithë të mirat, gëzim e lumturi. E ëma e vajzës i vendos dhëndrit te vrima e jakës së setrës kapur me shirita një gimbletë, bërë me miell të përzgjedhur dhe pudrosur po me pluhur mielli; më pas, i jep uratën. Pasandaj, dhëndri merr për nga kisha; nusja e pason; shoqërohen nga prindërit e tyre dhe nga një kortezh i madh që ecën nën tingujt e instrumenteve muzikore.

Tek mbërrijnë në portën e kishës, dhëndri e vendos nusen në të djathtë; vjen prifti për t’i mirëpritur; shoqërohet nga dhjaku i tij dhe kandillonafti, që mban një temjanicë. Aty, prifti i bekon tri herë njëri pas tjetrit, duke u bërë kryqin mbi krye.

Hyjnë pastaj në kishë; aty ndizen qirinjtë, me të cilët pajisin edhe çiftin. Kur arrijnë në krye të kishës, i temjanisin njërin pas tjetrit, duke drejtuar para tyre në formë kryqi temjanicën. Dhjaku këndon në greqisht, dhe si mbaron, recitohet formula e martesës.

Prifti kthehet drejt altarit, merr dy unaza; njëra e artë që e mban në dorën e djathtë dhe tjetra e argjendtë që e mban në dorën e majtë; jep tri herë me radhë bekimin për çiftin, duke u bërë mbi krye shenjën e kryqit; pastaj vendos unazën e artë në gishtin tregues të dhëndrit dhe atë të argjendin në gishtin tregues të nuses.

I ati, ose njeriu i parë më i afërm, duke kryqëzuar krahët heq unazat nga gishtat dhe i kalon nga gishti tregues i njërit te gishti tregues i tjetrës. E bën këtë ceremoni tri herë radhazi, pa shqiptuar një fjalë. Nëse nuk ndodhet aty as babai, as njeriu më i afërt, atëherë ngarkohet për këtë veprim një i afërm tjetër. Një ceremoni e tillë është vetë emblema e pleksjes të mishit me gjakun, e intimes që duhet të sundojë tek bashkëshortët.

Por e gjithë kjo nuk merr fund me kaq: çifti drejtohet për nga mesi i kishës ku është vendosur një tryezë e rrumbullakët në formë altari. Celebruesi, me temjanicën në dorë, këndon një psalm në greqisht: pjesëmarrësit ia kthejnë me këngë për çdo paragraf të Biblës që thotë. Pastaj prifti merr dy kurora, thurur me degë dafine, ulliri, rozmarine dhe lule të ndryshme dhe kurorëzon çiftin e ri, duke i bekuar në greqisht. Më pas, afrohen dëshmitarët dhe zënë e këmbejnë tri herë kurorat nga kryet, duke e kaluar atë të dhëndrit mbi kokën e nuses, dhe atë të nuses mbi kokën e dhëndrit, gjithmonë me kryqëzim të krahëve, ashtu sikurse u veprua edhe për unazat.

Pasandaj, prifti dhe dëshmitarët vendosin një napë të bardhë përmbi dy kokat e kurorëzuara, ashtu siç mund të shihet e vizatuar në planshetë. Velloja varet në të majtë e në të djathtë të çiftit, të cilët janë të lidhur me shoshoq nëpërmjet gishtërinjve të vegjël të dy duarve që mbajnë së bashku qiririn e ndezur. Teksa mbahen kështu nëpërmjet gishtërinjve të vegjël të duarve të tyre të djathta, lidhur me shoshoq, prifti vijon t’u drejtojë urata pas uratash. Pasandaj, shkon në një altar aty pranë dhe merr një kanistër të vogël mbuluar me një shami të mëndafshtë, në të cilën ndodhen një kupë vere dhe një copë meshë. E thyen meshën në copa të vogla dhe si i fut në verë; i jep për të ngrënë dhëndrit tri copëza, si dhe kupën për të pirë tri herë; i njëjti veprim edhe për nusen tri herë radhazi, dhe më në fund, ai e thyen kupën duke e lëshuar të bjerë në tokë; një veprim ky që do të thotë, siç na e shpjeguan, se kurdoherë duhet pasur në mendje që mirësitë e kësaj bote janë po aq të brishta sa ajo gotë dhe se mjafton një goditje e lehtë për t’i zhdukur krejt.

Jean Huel, “Procesioni i priftit,  dhjakut,  çiftit, dëshmitarëve dhe prindërve”

Pasi është thyer kupa, prifti, dhjaku, çifti i ri dhe krejt të pranishmit i bien qark tri herë radhazi altarit, vendosur mes kishës enkas për ceremoninë martesore. Gjithkush mban nga një qiri në dorë. Tek Grekët dhe tek Orientalët gjithçka është simbolike; dhe tërë ky procesion, siç thuhet, shpalos gëzimin dhe lumturinë që duhet të shoqërojnë martesën. Prifti u heq më pas vellon të sapomartuarve si dhe kurorat; pasandaj, me anë të një lutje që u këndon, i uron për një jetë të lumtur, i bekon dhe këtu, merr fund ceremonia e shenjtë e martesës.

Të sapomartuarit dalin nga kisha; duke u shoqëruar gjithnjë nga kortezhi i tyre, kthehen në shtëpi. Tek mbërrijnë te konaku i dhëndrit, i presin të afërmit, duke kënduar në shqip këngë që u urojnë mirëseardhjen. E ëma e dhëndrit i ndal te pragu i portës dhe u jep të dyve të hanë një lugë mjaltë; ky veprim simbolizon ëmbëlsitë e martesës që ata duhet të shijojnë së bashku.

Të nesërmen, të ftuarit që qenë të pranishëm në martesë, sjellin dhurata për çiftin e ri dhe tri ditë me radhë vijojnë dëfrimet.[…]3

Për t’i bërë sa më mirë të njohura veshjet e arbëresheve, po i jap ato të zmadhuara në dy pamje: një nga përpara, dhe tjetrën nga pas; dallohen kështu më mirë hollësitë e kostumeve. Këto gra nuk kanë flokë me krela; i mbajnë leshrat  të mbledhura në një biçim qeske, që shtrëngohet nga një kordele apo gjalmë, të cilin e lidhin përsipër dhe e lënë të varet deri në fund të fustanit, sikundër shihet në figurë.

Kjo qeskë vjen e varet nga pas, dhe brenda saj flokët derdhen në krejt gjatësinë e tyre; pjesa fundore e qeskës mblidhet nga poshtë dhe lidhet. Një qeskë e tillë përbëhet nga cohë e praruar kur vasha që e mban është disi e kamur; edhe kordelet janë nga cohë e praruar; jaka e këmishës së grave është gjithë pala, sikurse mund të vihet re. Tek ato më të hijshmet, palat janë të mbledhura në mënyrë të tillë që krijojnë si një lloj qëndisme. Përsipër jakës vihet një dantellë. Mëngët e korsesë janë të mbajtura në supe me anë shiritash që lënë të shihet e të fryhet këmisha.

Luks i madh për gratë është kur kanë një brez krejt të argjendtë dhe gjithë thurima, siç e kam paraqitur në vizatim. Është një objekt i kushtueshëm që kërkon të kesh njëfarë pasurie.

Kam paraqitur edhe një figurë të tretë, të parë nga pjesa e kurrizit; është një Arbëreshe jo nga Palazzo Adriano, si dy të tjerat; e hasa në Palermo dhe e vizatova. Kordelet e përparëses së saj varen deri poshtë fustanit; ka flokë të mbledhur gërshetë e të lidhur me një fjongo shiriti të gjerë. […]

Kjo veshje e grave të popullit mu duk me një elegancë tepër të denjë, sa nuk mund të mos e jepja të pasqyruar këtu; e për më tepër, po ia paraqes lexuesit sepse tepër rrallë mund të haset në ndonjë vend eleganca në veshjen e të varfërit.

Jean Huel, 1785. “Veshje e grave greke shqiptare në Palazzo Adriano”

Në figurën e dhënë këtu nga pas, shihet kordelja e qeskës që e quajnë sheza4, shpalosur në krejt gjatësinë dhe zbukuruar në skaj me një ornament të vogël.

Mëngët e fustanit të grave janë tepër të gjera në dy anët e tyre dhe përfundojnë të mbledhura majë. Janë aq të gjata, sa i përveshin dhe i lidhin nga pas shpatullave; gjë që krijon një zbukurim me shumë hijeshi. Fustani i tyre është gjithnjë pakëz i ngritur, gjë që u jep këtyre grave një ecje të lehtë tërë lezet. Me hijeshinë dhe bukurinë e kësaj veshjeje, kurrë nuk do besoje se të tre gratë që gravurova këtu, tek mbanin një dëng mbi krye, nuk ishin tjetër veçse amvisa që po shkonin të lanin teshat.

I hasa në të dalë të fshatit, duke vajtur tek vendi që e quajnë kroi i madh, për shkak të sasisë së mahnitshme të ujit që haset gjithandej rrethinës e që gulfon nga rrëza e malit të famshëm të Trëndafilave: mal i madh e i bukur, për të cilin do flasim në kreun pasues.[…] Këto Arbëreshe vishen gjithë madhështi e shkëlqim ditët e festave. Ajo që i karakterizon më shumë është ajo kezika a keiola, në të cilën ato fshehin leshrat e tyre të gjata dhe që e përshkrova tashmë duke folur për gratë e popullit; sepse ky zbukurim është në fakt i përbashkët për gratë e të tëra rangjeve dhe ndryshon vetëm në cilësinë e cohës që e përbën. Zonjat i shtojnë zbukurimit të flokëve një vello të garztë apo të tyltë tre rrathore të gjatë, domethënë rreth katërmbëdhjetë këmbë.

Jean Huel, 1785. “Veshje e grave të popullit tek Arbëreshet e Palazzo Adrianos”

Kapet në një cep të saj përmbi krye, i bie rrotull duke kaluar poshtë mjekrës, pastaj zbret për herë të dytë deri në gjoks dhe më në fund kalon nga pas dhe shkon e kapet rreth dhjetë puliçe poshtë këllkut të majtë. Skaji tjetër, i zbukuruar gjithashtu me thekë të praruar vjen përmbi krah, dhe lëshohet poshtë tij rreth dhjetë puliçe, duke nxjerrë në pah nga jashtë pjesën me thekë. Veshja e poshtme është një fustan shumë i gjerë me cohë të mrekullueshme dhe që vjen e ngjitet në bel e lidhet nga pas; por vetëm gjysma e mëngëve janë të përbëra nga e njëjta cohë si e fustanit. Kjo pjesë kapet me anë shiritash që shtrëngojnë nga poshtë në katër vende

Jean Huel, 1785. “Kostum cilësor i grave të Palazzo Adrianos”

mëngën e fustanit dhe që e bëjnë të fryhet në intervale. Supet mbulohen nga një jakë tepër e gjerë dhe tepër e zbukuruar në qëndisma, si dhe nga një dantellë e mrekullueshme që i kalohet përsipër dhe që zbret përmbi gjoks,

ku mbulohet nga velloja. Këto zonja mbajnë freskore. Të rejat nuk kanë vello, por mbajnë karfica të sermta dhe një kezë. Grupi i parë i kësaj planshete paraqet gra me veshje ceremonie. Më tej, në të majtë, kam dhënë gra që nuk kanë vello të kaluar poshtë mjekrës si të tjerat; është një variant modeli i mbajtjes së flokëve. Kam dhënë edhe një grua të parë nga pas për të treguar efektin e vellos nga kjo anë.

Grupi që është në krahun e djathtë nxjerr në pah elitën e grave që ndjekin ritin latin; janë Siciliane dhe veshja e tyre ndryshon nga ajo e Sicilianeve të tjera që i kam dhënë në kapitullin e parë. Përbëhet nga një copë e gjerë taftaje të zezë, me të cilën mbështjellin kryet dhe krahët. Është më piktoresk nga ato që kam përshkruar, për faktin se nuk kapet me trupin, gjë që e bën më të lehtë të paloset me hijeshi. I kam paraqitur këto gra, nga pas e nga përpara, me qëllim që të krijohet një ide e qartë për efektin që shkakton. Fundi i këtyre grave është gjithashtu me cohë të zezë, gjë që nuk i pengon të mbajnë potina me lidhëse dhe gjithë ngjyra.

Vogëlushja që kam vendosur këtu është e mbuluar me një mantelinë stofi të leshtë, tepër bardhëllor. Veshje tjetër fëmijët nuk kanë.

Duke ikur nga Palazzo-Adriano, i rashë qark malit të Trëndafilave, mal që bollëku i këtyre luleve dhe i kundërmimeve që lëshojnë e kanë bërë të famshëm në krejt Sicilinë.

Udhëtim piktoresk  në ishujt e Sicilisë,

Maltës e të Liparit, v. III, Paris, 1785.

https://www.zemrashqiptare.net/fotaq-andrea-arbereshet-e-italise-1413-2007-71874.html

https://www.zemrashqiptare.net/fotaq-andrea-arbereshet-e-italise-14132007-ii-71910.html