Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: SHOTË GALICA, SIMBOL I LUFTËTARES SË LIRISË KOMBËTARE

(Në kuadrin e 99-vjetorit të shuarjes së Shotë Galica (4.10.1895-20.7.1927), simboli i luftëtares së lirisë kombëtare, patriotizmit, guximit, sakrificës dhe shqiptarizmës, gruas së paepur, bashkëshortes së trimit Azem Galica, që ngeli flamur lirie e frymëzim për brezat)

Historia e kombit shqiptar është ndërtuar mbi veprën e shumë grave dhe burrave që sakrifikuan jetën për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ndër figurat më të shquara të kësaj historie qëndron Qerime Halil Radisheva, e njohur me emrin e famshëm Shotë Galica, nga komuna e Skënderajt, në rajonin e Mitrovicës, në veri të Kosovës. Ajo ishte një nga luftëtaret më të vendosura të rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë fillimit të shekullit XX dhe mbetet një simbol i patriotizmit, guximit, sakrificës dhe shqiptarizmës. Veprimtaria e saj lidhet ngushtë me lëvizjen kaçake, me luftën kundër pushtimit serb dhe me përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Për më shumë se një dekadë ajo luftoi krah për krah me bashkëshortin e saj Azem Galica dhe, pas vdekjes së tij, mori drejtimin e çetës, duke vazhduar rezistencën deri në fund të jetës. Shotë Galica zë një vend të rëndësishëm në historiografinë shqiptare, jo vetëm për kontributin e saj në luftë, por edhe sepse ajo sfidoi normat shoqërore të kohës, duke dëshmuar se edhe gratë mund të merrnin përgjegjësi të mëdha në mbrojtje të atdheut dhe të kombit në periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare. Çetë më çetë dhe mal më mal ku shkeli këmba e Shotës, “burrat e dheut”, që më parë nuk donin as të dinin ç’ishte gruaja dhe që fillimisht kishin ulur kryet kur kishin një grua në mes të tyre, por kur panë trimërinë e saj i kënduan edhe këngë trimërie, këngë që thuren vetëm për trimat.

Qerime Halil Radisheva një jetë në luftë për çështjen kombëtare

Qerime Halil Radisheva (Shotë Galica) lindi në fshatin Radishevë të Drenicës Mitrovicë, në një familje me tradita të forta atdhetare. Në burimet historike hasen disa mospërputhje për datën e saktë të lindjes, por shumica e studiuesve e vendosin atë të 4 tetorit 1895. Që në fëmijëri u rrit në një mjedis ku mbrojtja e vendit dhe ruajtja e identitetit kombëtar ishin pjesë e jetës së përditshme. Ajo ishte motra e vogël e gjashtë vëllezërve dhe që herët u njoh me frymën e kuvendeve dhe të rezistencës që karakterizonte Drenicën. Ajo u lind dhe u rrit, u burrërua në prehrin e atdhedashurisë. Në moshën 20 vjeçare në vitin 1915 u martua me Azem Galicën, një nga prijësit më të njohur të lëvizjes kaçake shqiptare. Martesa e tyre nuk ishte vetëm një lidhje familjare, por edhe një bashkim idealësh. Shumë shpejt, Shotë Galica u bë pjesë aktive e çetës së Azemit dhe mori pjesë në aksione të armatosura kundër forcave pushtuese. Ndryshe nga roli tradicional që shoqëria e kohës u rezervonte grave, ajo zgjodhi jetën e luftës dhe të sakrificës, duke u shndërruar në një shembull të rrallë të emancipimit dhe të përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Fillimisht Shota mori pjesë në qëndresën kundër pushtimit serb dhe më pas në luftimet kundër forcave bullgare dhe austro hungareze gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Në vitet 1916 dhe 1917 u dallua në përleshjet e zhvilluara në Obri, Bajë dhe zona të tjera të Drenicës, ku tregoi trimëri dhe aftësi të veçanta organizative. Burimet historike përmendin se në disa raste ajo shpëtoi jetën e Azem Galicës, duke u kujdesur për të pas plagosjeve të rënda dhe duke siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë së çetës.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, situata politike në Kosovë u rëndua edhe më shumë. Politika e Mbretërisë Serbo Kroato Sllovene synonte shpronësimin, kolonizimin dhe asimilimin e popullsisë shqiptare. Përballë kësaj gjendjeje, Shotë Galica dhe Azem Galica vazhduan rezistencën e armatosur, duke marrë pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Drenicës në vitin 1919, si dhe në mbrojtjen e Zonës së Junikut gjatë viteve 1921 deri në 1923. Këto ngjarje përbëjnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së rezistencës shqiptare në Kosovë. Në historiografinë shqiptare, Shotë Galica vlerësohet si një figurë që bashkoi trimërinë me idealin kombëtar. Ajo nuk u kufizua vetëm në pjesëmarrjen në beteja, por u bë një nga drejtueset më të rëndësishme të rezistencës, duke fituar respektin e bashkëluftëtarëve dhe të popullsisë shqiptare. Për këtë arsye, emri i saj mbetet i lidhur ngushtë me përpjekjet për liri dhe me historinë e qëndresës shqiptare në Kosovë.

Veprimtaria luftarake, atdhetare e patriotike dhe lufta për lirinë e Kosovës

Veprimtaria e Shotë Galicës përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Ajo mori pjesë në kryengritjet e viteve 1909–1912 kundër Perandorisë Osmane dhe më pas në luftën kundër pushtimit serb pas vitit 1912. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur Kosova mbeti nën administrimin e Mbretërisë Serbo Kroato Sllovene, rezistenca shqiptare u organizua në formën e çetave kaçake. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte Azem Galica, ndërsa Shotë Galica u shqua si bashkëluftëtarja dhe bashkëorganizatorja e tij më e afërt dhe më besnike. Në vitin 1919 ajo mori pjesë në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Drenicës, një nga përpjekjet më të mëdha të shqiptarëve për t’i bërë ballë politikës së dhunshme të autoriteteve serbe. Më pas, gjatë viteve 1921 deri në 1923, luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, ndërsa në vitet 1923 deri në 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, e njohur si Arbëria e Vogël. Kjo zonë përfaqësonte një territor ku luftëtarët shqiptarë kishin arritur të organizonin një administrim të pavarur nga autoritetet serbe, duke u kthyer në simbol të rezistencës kombëtare.

Në korrik të vitit 1924 forcat serbe ndërmorën një ofensivë të madhe kundër Arbërisë së Vogël. Pas luftimeve të ashpra, Azem Galica u plagos rëndë dhe ndërroi jetë nga plagët e shumta. Humbja e tij ishte një goditje e rëndë për lëvizjen shqiptare në veri të vendit, por nuk e ndërpreu rezistencën. Shotë Galica mori drejtimin e çetës së bashku me Mehmet Delinë dhe Faslli Beranin, duke dëshmuar aftësi të larta drejtuese dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Në këtë periudhë ajo u shndërrua në figurën më përfaqësuese të rezistencës shqiptare në Kosovë.

Në fund të vitit 1924 ajo u bashkua me luftëtarët e Bajram Currit dhe mori pjesë në përpjekjet për t’i bërë ballë forcave që mbështetën rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet. Pas këtyre zhvillimeve u rikthye në Kosovë, ku vazhdoi të organizonte rezistencën kundër politikës së kolonizimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve. Sipas burimeve historike, gjatë gjithë veprimtarisë së saj ajo mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme luftarake. Në këto përballje humbi 22 anëtarë të familjes së saj, një sakrificë që dëshmon përmasën e çmimit të paguar në emër të lirisë. Në fund të vitit 1926, e plagosur rëndë dhe me shëndet të përkeqësuar nga vitet e gjata të luftës, Shotë Galica u detyrua të largohej në Shqipëri. Fillimisht u vendos në Shullaz pranë Milotit dhe më pas në Derven të Fushë Krujës. Edhe pse jetonte në varfëri dhe në kushte shumë të vështira, ajo vazhdoi të kujdesej për fëmijët jetimë të bashkëluftëtarëve të rënë. Kjo dëshmon se përkushtimi i saj nuk kufizohej vetëm në fushën e betejës, por shtrihej edhe në kujdesin ndaj familjeve që kishin sakrifikuar për çështjen kombëtare. Jeta e Shotë Galicës u shua më 20 korrik 1927 në Derven të Fushë Krujës. Para vdekjes ajo i drejtoi një letër Mbretit Zog, ku përshkruante gjendjen e rëndë ekonomike dhe kërkonte ndihmë për veten dhe për jetimët që kishte marrë nën kujdes dhe më konkretisht shkruante: ”…jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes kaçake të Kosovës. Kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi, janë fëmijët e luftarëve të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetim”. Shota në fakt pati lindur edhe një djalë të vetin në vitin 1916, një vit pas martese, por djali jetoi vetëm pak javë (Ajet Haxhiu, Shota dhe Azem Galica, fq 263). Kjo letër mbetet një dokument prekës që dëshmon fundin tragjik të një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare. Pavarësisht apelit të saj, asnjë ndihmë nuk erdhi nga regjimi i kohës i Republikës së Parë shqiptare (1925-1928). Shote Galica vdiq nga uria, mungesa e kujdesit shëndetësor, plagët e shumta të luftës, helmimi që e përndoqën armiqtë e kauzës së kombit shqiptar në moshën 32 vjeçare.

Trashëgimia e jashtëzakonshme historike e gruas së pamposhtur Shotë Galicës

Figura legjendare e Shotë Galicës zë një vend të veçantë në historinë kombëtare shqiptare këtej Drinit dhe matanë Drinit. Ajo nuk mbahet mend vetëm si bashkëluftëtare e Azem Galicës, por si një udhëheqëse që vazhdoi rezistencën edhe pas vdekjes së tij. Guximi, vendosmëria dhe sakrifica e saj e shndërruan në një simbol të luftës për liri dhe të qëndresës kundër pushtimit. Për më shumë se dymbëdhjetë vjet ajo mori pjesë në mbi dyzet aksione të rëndësishme luftarake, duke përballuar plagë, humbje familjare dhe vështirësi të mëdha, pa u larguar asnjëherë nga ideali për çlirimin e Kosovës.

Pas vdekjes së saj, kujtimi i Shotë Galicës u ruajt në këngët popullore, në rrëfimet historike dhe në studimet shkencore dhe në mjaft vepra të tjera. Emri i saj iu dha shkollave, rrugëve, institucioneve dhe monumenteve në Kosovë dhe Shqipëri. Në vitin 1962 në Fushë Krujë u ngrit një lapidar në nder të saj, ndërsa më vonë ajo u dekorua me titullin e lartë “Heroinë e Popullit”, si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm në luftën për liri. Strukturat e pushtetit vendor dhe qendror të kohës në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Qerime Halil Radisheva (Shote Galica) e lindur më datën 4.10.1895 në Drenicë (Kosovë) dhe që është shuar nga plagët e luftës, por dhe helmimi që i kanë bërë armiqtë e kombit shqiptar (vdekur më 20.7.1927 në moshën 32 vjeçare në Derven të Fushë Krujës) është shpallur me titullin e lartë Heroinë e Popullit dhe me Vendim nr. 154 datë 25.11.1978 (sipas librit: Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi dhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Botim i MM, Tiranë, 2012, faqe 41, rreshti 37, që janë publikuar në 36 blloqe, por dëshmorja e Atdheut Qerime Halil Radisheva (Shote Galica) është përfshirë tek prefektura Durrës, dëshmorët e Atdheut deri më 7 prill 1939, pasi lapidari dhe eshtrat e saj janë në Derven të Fushë Krujës). Figura e saj ka zënë vend edhe në historiografinë moderne shqiptare dhe ndërkombëtare, ndërkohë që studiues si Ajet Haxhia, Marenglen Verli, Robert Elsie, Mehmet Bislimi dhe autorë të tjerë e kanë trajtuar Shotë Galicën si një nga personalitetet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare të shekullit XX. Në shumë botime ajo krahasohet me heroina të njohura të historisë botërore për shkak të vendosmërisë, trimërisë dhe rolit të saj udhëheqës në luftë. Trashëgimia e Shotë Galicës është e jashtëzakonshme ka edhe një dimension shoqëror. Ajo konsiderohet një nga gratë shqiptare që mori një rol drejtues në luftë, duke dëshmuar se pjesëmarrja e grave në çështjet kombëtare ishte vendimtare. Për këtë arsye, ajo është kthyer në një simbol të barazisë, të emancipimit dhe të fuqisë së gruas shqiptare. Në Kosovë, në përvjetorët e jetës dhe veprës së saj organizohen aktivitete përkujtimore, ndërsa emri i saj vazhdon të frymëzojë brezat e rinj me idealet e lirisë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj Atdheut dhe kombit shqiptar. Qerime Halil Radisheva, e njohur si Shotë Galica, mbetet një nga figurat më të ndritura të historisë shqiptare. Ajo ia kushtoi jetën mbrojtjes së popullit dhe të drejtave kombëtare, duke marrë pjesë në luftërat më të rëndësishme të kohës dhe duke udhëhequr rezistencën edhe në momentet më të vështira. Sakrifica e saj personale, humbja e 22 familjarëve, plagët e luftës dhe fundi tragjik nuk e zbehën idealin për të cilin luftoi.

Edhe në ditët e sotme Shotë Galica përfaqëson jo vetëm heroinën e rezistencës shqiptare, por edhe modelin e gruas që sfidoi kufijtë e kohës së saj dhe u bë pjesë e historisë kombëtare. Ajo ngeli përjetësisht në këngë: “Me kangë në gojë, me allti në shoke,/u rrit cika me emrin Shote,/Luftoi rreptë me austriakë, Hem me pushkë, hem me shpatë..”. Veprimtaria e saj dëshmon se liria fitohet me përkushtim, guxim dhe sakrificë, ndërsa kujtimi i saj mbetet një frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Edhe bashkëshorti i saj Azem Bejta (Galicë, 10.12.1889 – Junik,17.7.1924), që ra trimërisht në Junik dhe që trupin ja lëshuan në shpellën historike të Perçevës 92 metra në thellësi, qëndroi 47 vite aty që armiku mos të keqpërdorte eshtrat e tij. Bashkëluftëtarët, Shota, Kamer Llausha, Bek Galica, Rexh Isufi, Zenel Ujkani, Halim Perçeva nuk e qanë kryetrimin por vijuan betejat për liri. Thirrja “O prite Azem Galicën” do të jetë gjallë deri sa të ketë  kërcënimne mbi Kosovën dhe shqiptarinë. E drejta e shqiptarisë nuk shuhet kurrë. Bijtë e Drenicës nën drejtimin e mësuesit Abdyl Krasniqi në prag të ditës së rënies së heroit, në korrik 1971 nxorrën eshtrat dhe varrimi i tij u bë në fshatin Galicë. Gratë dhe burrat e Kosovës kreshnike kanë luftuar me shumë pushtues dhe ja kanë ngritur lartë emrin Dardanisë sonë. Krahas trinmëreshës heroinë Shote Galica trojet arbërore kosovare kanë lindur edhe shumë luftëtare si Ikbale Prishtina gruaja e Hasan Prishtinës, që nuk e hoqi revolen nga dora. Ashtyi si Shota ajo mbeti bashkëlutëtare besnike e të shoqit deri sa ka ndërruar jetë në mërgim në Paris para vrasjes së Hasan Prishtinës. Ajo la amanet prehjen në truallin e Kosovës dhe gjithë atdhetarët me palcë arbërore kanë pkërkuar prehje vetëm në truallin shqiptar. Shqiptarët e nderojnë dhe do ta nderojnë gjithmonë Shotë Galicën për mbrojtjen e kauzës kombëtare, duke e përkujtuar atë sikurse është në të vërtetë heroinë dhe Dëshmore e Atdheut dhe e kombit. Në 90-vjetorin e vdekjes nga plagët e luftës dhe helmimi të Shote Galicës, më 10 nëntor 2017, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, themeloi urdhrin “Shote Galica” për të vlerësuar e lavdëruar njerëzit që kanë “mbrojtur, kryer akte trimërie ose akte guximi për barazi gjinore”, ku tetë gra u njohën me këtë çmim në vitin 2021. Shote Galica është një nga subjektet kryesore të përmbledhjes së eseve “Toka e Askujt: tetë gra të jashtëzakonshme në Historinë e Ballkanit”, nga shkrimtaret anglo-kosovare Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton, por për të ka shumë libra, këngë, tregime, drama, filma, dokumentarë, studime historike, emra rrugësh, piktura, buste, pasi Shote Galica me luftrat dhe veprën e saj shkroi pavdekësinë, duke dëshmuar rëndësinë që vazhdon të ketë në kujtesën kombëtare.

Burimet e studimit: AQSH, Fondi KMKK, dosja, 50, dokumenti 80 letër e datës 1.1.1919 dhe letër e dt.22.12.1918 (dok.461); Gazeta “Kosova”, dt 28 maj 1933; Gazeta “Populli”, dt 7 dhe 15.7.1919 si dhe 24.8.1919; Haxhia, Ajet. Shotë dhe Azem Galica, Tiranë, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, 1976 botimi II (Shtupshkronja Mihal Duri), Tiranë, 1982; Elsie, Robert. Historical Dictionary of Kosova. Scarecroë Press, 2004; Elsie, Robert. A Biographical Dictionary of Albanian History. Bloomsbury Academic, 2013; Verli, Marenglen. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008; Bislimi, Mehmet. Shotë Galica (Qerime Halili 1895–1927); Qeriqi, Ahmet. “Feride Papleka: Shotë Galica (1895–1927), rast unik, monumental, shembulli i luftës dhe i martirizimit për liri kombëtare”;. Radio Kosova e Lirë, 2020; Këngë popullore të mbledhura në Kukës në vitin 1969; Zejneli, Xhelal. “Shotë Galica, luftëtare për bashkim kombëtar”, Bota Sot, 2022; Gazeta “Zeri i Popullit”, datë 18 janar 1968; Gazeta “Flaka e vëllazërimit”, Shkup më datë 8 gusht 1971; A. Gjakova, “Këngë për Kosovaren” (Shotën), këngët e Drinit të Bardhë, Vjertsha e poema, 1967; Revista “Afrimi”, gusht 1924; Golemi, Zaho & Zotaj, Bernard. Dëshmorët e Atdheut. Ministria e Mbrojtjes, Tiranë, 2012 (publikuar në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar); Periodiku i gazetës “Ushtria” dhe Revistës “Mbrojtja” organe të Ministrisë së Mbrojtjes.