Vasil Muka: Ad infinitium – sprova & studime nga Sadik Bejko
Vërtet në Pafundësi më çove miku im, në Pafundësi mendimesh e ndjenjash, përjetimesh e refleksionesh. Ku e gjete, si e gjete, pse e gjete këtë titull?
Vallë mendimi juaj i thellë, ishte i strukur atje thellë Pafundësisë? Apo vallë ato që do të na shkruash shkojnë drejt saj?
Ç’ më bëre miku im? Më rrëmbeve, më bëre rob, më zhyte thellë, më mbajte alert, më bëre të reflektoj, të kthehem pas, të shikoj përpara e prapë të pyes: Ku është? Ku ishte? Ku ishe? Çfarë të presim?
Vërtet Pafundësi studimi, sprova dhe kritike letrare. Ajo shkon nga thellësitë e Magjisë së Baladave, nga Ajkuna e bukur e lozonjare, te Çirçia shqiptare, tek Burri që vjen nga stani e fër, fër ja bën fustani, nga Kënga për Geraldinën tek Princi i Polifonisë L. Çipa, nga Budi te Milosao, nga Qerbelaja te Shiroka, Mjeda, Fishta, Noli me Shekspirin, nga Poradeci te Kuteli me Tolstoin, nga Migjeni te Pseja e Spasses, gjithkund e ngado, herët e vonë në letrat shqipe.
Çfarë njohje e thellë, e gjerë e Pafund e historisë e letërsisë botërore, filozofisë e njerëzve të saj, fesë e veprave të saj që u referohesh si me qenë misionar e teolog i të gjitha feve tek ne e në europë, sot e dje, këtu e atje. Një Apostull i vërtetë. Çfarë qasjeje e vënie krah për krah e artit e filozofisë, fesë e mesazheve letrare e gjuhësore, me një stil krejt rrëmbyes me dashje a pa dashje, duke të futur thellë po shumë thellë galerive të autorëve, personazheve, jetës së Pafundme. Tani e në jetë të jetëve, përgjithmonë.
Pafundësi kritikash e vlerësimesh e shpesh analogji për Dushko Vetmo i Arbërisë deri te Lluka Perrone, nga Camaj te Letërsia dhe globalizmi, nga Qiriazi te Gjeniu Kadare, miku yt i veçantë, nga Koreshi te Rreshpja më tej te bohemi shqiptar Ali Podrimja, me hymne e lavde për Ballkaniken e Mesdhetaren te minoritari grek Kacalidhi e deri te Bashkim Shehu.
Sa shumë sekrete jetësore të poetëve, shkrimtarëve, sa shumë sekrete të jetës Tuaj, mësova, të hedhura si rastësisht aty këtu. Sa i thellë e i Pafund paskëshe qenë or miku im. Tani e kuptoj më mirë e më shumë atë që kam thënë herë pas here me mburje e krenari, që ishim kolegë mësimdhënës në Gjimnazin e Gjirokastrës e sa herë më duhej një kritikë a referencë, Ju, fët e fët nxirrnit nga Pafundësia Juaj e memorjes arkiv bibliografije :
-Në Revistën Nëntori, a Gazetën Drita, në filan numër a vit, ke këtë kritikë letrare. Habitesha me njohjen tuaj thellë e Pafundësisht të kritikës letare, e malli sot mu kthye të ishim dhe njëherë krah më krah si mësues e tani do dija të të shfrytëzoja e të të shtrydhja, e shkundja Pafundësisht.
Nën trysninë e ideologjisë së diktaturës, tani kuptoj dhe reflektoj për analizat e komentet e cunguara që bëja si mësues letërsie, ku mundoheshim të gjenim vijën e kuqe ideologjike të partisë që përshkruanin veprat, e cunguara, të thara, të prera, sakatuara nga mesazhet fetare, të jetës së lirë, të erotizmit, të romantizmit a kriticizmit, duke i thurur hymne letërsisë së realizmit socialist, madje duke përçmuar Letërsinë Botërore, duke e quajtur Letërsia e huaj. E huaj, për kë ? Pse ? Si? Na duhej të flisnim për kufizimet ideore të autorëve. O mare o tempora, sa turp ndjej.
Shpesh mendoj miku im, si ia bëje Ti, që vije nga persekutimi, nga zgëfellat e nëntokës së minierës së qymyrgurit në Memaliaj, ku duhej të shtyje vagonat me tonelata peshë e të udhëtoje çdo ditë nga Gjirokastra në Memaliaj e sa herë kaloje para portës time, çdo ditë i urtë e i qetë me peshën e ‘cenit ‘ në shpinë.
Si mund të bëje komente, analiza, të recitoje e rekomandoje hartime e libra nën trysninë komuniste. Të kuptoj, sa shumë përpjekje intelektuale të duheshin, për të thënë atë që nuk ishte shpesh bindja Juaj, të anashkalonit shumë por shumë gjëra që nga vështrimi vëngër i ndonjë kolegeje ngarkuar me pushtet deri te njëfarë largësie nga njerëzit sikur kishe zgjeben.Gjithësesi lum ata nxënës që dëgjonin zërin tuaj të shtruar e të qetë, plot vibracion e elokuencë, thjesht e bukur, mbushur me mendim letrar.
Sa shumë, tepër shumë, vargje e poezi, sa shumë emra autorësh e veprash letrar, sa shumë emra filozofësh që nga Konfuci e deri sot, mban ajo mendja Juaj e ‘’ shkretë’’
Më zbulove një tjetër gjuhë shqipe, të mbarsur me shumë, po shumë fjalë, shumë frazeologjizma, metafora, epitete, krahasime, digresione, simbolika. Sa e pasur bëhet gjuha jonë në mendjen e pafundme, e shprehur natyrshëm me gojën e penën e Pafundme të Sadik Bejkos. Ajo brilante e diamant që mund ta kthesh siç e keni kthyer Ju në shumë e shumë drejtime e prapë shkëlqen, bëhet vitale, e re, shprehëse, rrëmbyese, lozonjare e bukur dhe e brishtë, por dhe e fortë, sfiduese, e rëndë, e paanë, e Pafund.
Një gjuhë shpesh e thjeshtë, befasuse, me fjali një fjalë, fjali të shkurtra, me rimarrje fjalësh, me fjalë të reja, me fjalë të dialektit aty këtu të Gjirokastrës, shumë shprehëse, e bukur e lozonjare, delikate por dhe mushkë xanxare, e ëmbël si molla por dhe e thartë si limoni. Sa natyrshëm mplekset teksti popullor me gjuhën e letrave, me gjuhën e Sadikut. Një gurgullimë ujrash në Alpet e Mujit e Ajkunës me shtojzavalle me dallgët plot furi. Një diell i bukur mbi pemnajë shkrirë me vesën e lëndinave, një fyell dyjar me tumpanin gjëmues të malsisë, një gajde e një curle, një mandolinatë e një violinë, apo kaba me klarinetë. Ashtu e ashtu më vjen kjo gjuhë nga pena e mjeshtrit Sadik.
Atij s’ju la e drejta e karierës akademike me tituj e grada shkencorë, por ama të gjithë e thërrasim me të drejtë Profesor. Po, vërtet, Ai është Profesori i Letërsisë. Titull që ja ka dhënë jeta, vepra, shoqëria.
Kritiku i vetëm letrar i sotëm e i djeshëm me këmbë në tokë, që na duhet e na bën krenar.
Kur e pyeta : – Ku ishe Profesor, kur i shkrove këto xhevahire të historisë së letërsisë.
-Janë shkrime e studime ndër vite të kapërndara andej e këndej, në revista e gazeta. E tash i mblodha me inkurajimin e miqve, jo në një por në tre vepra : Ad Infinitium, Kompleksi i Klitemestrës, Te hiri i fjalës.
Lum e lum mësuesit e letërsisë, studenetët e kolegët pedagogë, njerëzit e letrave, historianët e artit, kritikët, studiuesit që i kanë këto vepra. Por ato lexohen mirë e me dashuri, lehtësi e mendjehapur nga çdo lexues i thjeshtë.
Një lutje për Ministren e Arsimt. Si ish mësues letërsie, ju lutem merrni përsipër ribotimin e këtyre veprave me fondet Tuaja dhe dërgojuani bibliotekave të shkollave sidomos gjimnazeve. Do bënit një shërbim të mirë dhe të domosdoshëm për arsimin dhe letërsinë tonë. Ato janë vepra të rëndësishme e të domosdoshme për shkollat tona. Lum ata që do t’i kenë.
Faleminderit miku im Profesor Sadik Bejko që më lumturove e më ktheve në mon e shkuar. Ah sa do doja të jepja letërsinë tash nën ndikimin plotësues të kritikave Tuaja të arrira.
Urime e suksese Profesor Sadik Bejko!