Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Mjeshtrat që i dhanë jetë zemrës

Tempulli i Mjekësisë nuk u ngrit brenda një dite dhe as nga një njeri i vetëm. Themelet i hodhën etërit e saj, kolonat i ngritën mendjet gjeniale të shkencës, ndërsa kupolën e kurorëzuan ata që i dhanë zemrës një jetë të re.

Aty shkëlqen vepra e Christian Barnard dhe René Favaloro, mjeshtrave që i dhanë zemrës një horizont të ri jete.

Christian Barnard – Transplanti që ndryshoi historinë e mjekësisë

Christian Barnard (1922-2001) kardiokirurg nga Afrika e Jugut, studioi për Mjekësi në Universitetin e Cape Town Medical School në vitin 1945.

Barnardi punoi si mjek i përgjithshëm në Ceres, një qytet rural në Cape Province – Afrika e Jugut.

Në vitin 1956, mori një bursë dy vjeçare për trajnimin pasuniversitar në Universitetin e Minesotës në Shtetet e Bashkuara, ku punoi në zemër të hapur me pionierin e kardiokirurgjisë Lillehei Walt. Barnard kaloi dy vjet në SHBA dhe, ai i përshkruan si “momentet më interesante në jetën time”.

Pas kthimit në Afrikën e Jugut në vitin 1958, Barnard u emërua kirurg kardio-torakal në Spitalin Schuur Groote, ku krijoi repartin e parë të sëmundjeve të zemrës.

Me kalimin e kohës, Barnard u bë i njohur si një kirurg i shkëlqyer me kontribute të shumta për trajtimin e sëmundjeve të zemrës. 

Transplanti i parë i suksesshëm i zemrës

Pas suksesit të parë në transplantim e veshkave në vitin 1953 në Shtetet e Bashkuara, Barnard ka kryer transplantin e dytë të veshkave në Afrikën e Jugut në tetor të vitit 1967, në Johanesburg. 

Barnard eksperimentoi për disa vite transplantet e zemrës te kafshët.

Barnard, fillimisht, pati një pacient që ishte i gatshëm t’i nënshtrohesh procedurës së transplantit të zemrës. Pacienti ishte një 54 -vjeçar bakall, që vuante nga diabeti dhe nga sëmundje e zemrës kronike.

Barnard kishte nevojë për një donator të përshtatshëm. Zemra e donatorit erdhi nga një grua e re, të cilës i ishte dëmtuar truri gjatë një aksidenti në rrugë, në 2 dhjetor 1967.

Pasi siguroi lejen nga babai i gruas së aksidentuar për të përdorur zemrën e saj, Barnard kryen transplantin. 

Christian Barnard, më 3 dhjetor 1967, për herë të parë në historinë e Mjekësisë, kreu transplantin e parë të suksesshëm të zemrës nga njeriu te njeriu.

 Operacioni zgjati nëntë orë me ndihmën e një ekip prej tridhjetë njerëz, i ndihmuar edhe nga i vëllai i tij mjek, Marius Barnard.

Pacienti i mbijetoi operacionit dhe jetoi për 18 ditë dhe vdiq nga pneumonia.

Barnard u shndërruar brenda natës në një nga figurat më të famshme të mjekësisë botërore.

Pas çdo operacioni gazetarët e shumtë e prisnin dr. Barnardin për të dhënë intervistë. Ai gëzonte aftësi të veçanta komunikimi dhe, besonte se mjeku duhet të japë gjithmonë shpresë edhe në situatat më të vështira.

Barnard vazhdoi transplantet e zemrës si Shef i Departamentit të Kirurgjisë Kardio-torakale në Cape Town.

Përtej profilit të tij gjenial si mjek, jeta e tij u karakterizua nga një personalitet karizmatik, ambicie e jashtëzakonshme dhe pasione intensive për jetën mondane, udhëtimet dhe letërsinë.

Fama

Barnard, vetë e pranoi se e shijonte famën, duke u shprehur se “çdo njeri që thotë se nuk i pëlqen duartokitjet dhe njohja, është ose budalla ose gënjeshtar”.

Pasi kreu transplantin e parë të suksesshëm të zemrës nga njeriu te njeriu në vitin 1967, kirurgu afrikano-jugor u shndërrua brenda natës në një “celebrity” global. Pamja e tij tërheqëse, buzëqeshja e shndritshme dhe stili i jetesës si “playboy” bënë që ai të krahasohej shpesh me vetë aktorët e Hollivudit.

Dr. Christian Barnard u konsiderua si një nga figurat më fotogjenike dhe më karizmatike të shkencës botërore, duke krijuar lidhje të ngushta me yjet më të mëdhenj të Hollivudit dhe kinematografisë botërore si Gina Lollobrigida, Sophia Loren etj.

Barnard shoqërohej me emra të mëdhenj si: Audrey Hepburn, Sir Richard Burton dhe Peter Sellers, që ishin ndër personalitetet e njohura me të cilët ai ndante rregullisht festa, darka luksoze dhe udhëtime në jahte.

Ai pëlqehej jashtëzakonisht shumë nga fotografët për shkak të stilit të tij elegant dhe mënyrës artikuluese të të folurit. Portreti i tij fotogjenik pushtoi kopertinat e revistave më prestigjioze si Time.

Jeta e tij plot glamur dhe rivalitet mjekësor është pasqyruar në dokumentarë si “Hidden Heart”.

Barnard doli në pension në vitin 1983 ne moshen 61 vjeç, pas shfaqes të artritit reumatoid në duart e tij, që parandalonte karrierën e tij kirurgjikale.

Pasi la kirurgjinë, iu kushtua seriozisht shkrimit. Përveç autobiografisë së tij të famshme “One Life”, ai shkroi disa romane dhe thriller mjekësorë, që trajtonin tematika të transplantit të organeve.

Dr. Christian Barnard kishte lidhje të ngushta me Greqinë; ai kishte admirim të thellë për historinë e mjekësisë greke, për stilin e jetës dhe klimën mesdhetare.

Barnard drejtoi një klinikë në ishullin grek Kos, vendlindja e “Babait të Mjekësisë” – Hipokratit. Ai, jo rrallë herë, merrte pjesë aktive në jetën lokale të komunitetit në ishull: si, në pagëzimin e djalit të Aris Argyriou më 1985.

Në maj 1993 ai i dërgoi një kërkesë zyrtare qeverisë greke. Ai shkroi:

“Që kur bëra Betimin e Hipokratit si mjek në Afrikën e Jugut, kam ndjerë një tërheqje të jashtëzakonshme ndaj vendit ku lindi Hipokrati”.

Christian Barnard, nga qeveria greke e kohës, ju dha nënshtetësia greke.

Në vitin 1996 kaloi kohë në ishullin grek të Kefalonisë – Greqi, ku banorët e kujtojnë dr. Barnard me një pemë të mbjellë dhe një pllakë përkujtimore në nder të tij.

Christian Barnard vdiq në 2 shtator 2001, në moshën 79 vjeç, në ishullin Pafos – Qipro, nga një sulm i rëndë astme, buzë pishinës së hotelit ku pushonte.

***

René Favaloro – Ura që shpëtoi miliona zemra

René Favaloro (1923 – 2000) lindi më 12 korrik 1923 në La Plata, në Argjentinë, në një familje modeste me origjinë italiane.

Ka mbaruar studimet në Mjekësi në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Kombëtar të La Platës dhe u diplomua në vitin 1949.

Për 12 vjet ai punoi si mjek rural në qytetin e vogël Jacinto Aráuz në Provincën La Pampa. Nisur nga situata e rëndë shëndetësore me vdekshmëri të lartë foshnjore, me varfëri ekonomiko-sociale dhe me kulturë shëndetësore të ulët, ai, sëbashku me të vëllanë e tij mjek, u përpoqën të përmirësonin nivelin e përgjithshëm të shëndetit në atë komunitet.

Ata trajnuan dhe edukuan publikun e gjerë, mësuesit dhe infermierët dhe përmirësuan ofrimin e kujdesit shëndetësor. Ata e pajisën qytetin me një sallë operacioni dhe radiografi, përmirësuan laboratorin, duke siguruar kështu mjete thelbësore kirurgjikale dhe diagnostikuese. Vdekshmeria foshnjore u ul në shifra të konsiderueshme.

Favaloro ndjente ineteres për zhvillimet në ndërhyrjet kardiovaskulare. Gjatë një vizite në La Plata, ai takoi profesor José María Mainetti, i cili e orientoi drejt Klinikës së Cleveland, në SHBA .

Me pak burime financiare dhe me një anglishte rudimentare, ai vendosi të udhëtonte për në Cleveland – SHBA.

Fillimisht punoi si specialist dhe, më vonë, si anëtar i ekipit kirurgjikal, duke punuar me: Donald B. Effler, kreun e kirurgjisë kardiovaskulare, F. Mason Sones, i cili ishte përgjegjës për Laboratorin e Angiografisë dhe William L. Proudfit, kreun e Departamentit të Kardiologjisë.

Favaloro, pas punës në sallën e operacionit, kalonte orë të tëra duke shqyrtuar angiografitë koronare dhe duke studiuar arteriet koronare dhe lidhjen e tyre me muskulin kardiak. Laboratori i Sones, “babait” të angiografisë koronare, kishte koleksionin më të madh të angiografive në Shtetet e Bashkuara.

Favaloro filloi të shqyrtonte mundësinë e përdorimit të venës safene në kirurgjinë koronare.

Revolucioni në Mjekësi

René Favaloro, në vitin 1967, ndërsa punonte në Cleveland Clinic në SHBA, kreu me sukses bypass-in e parë të dokumentuar të rrugëve koronare. 

Standardizimi i kësaj teknike ishte vepra themelore e karrierës së tij, një “urë”, që ndryshoi rrënjësisht trajtimin e sëmundjes koronare.

Teknikë kirurgjikale, që bëri të mundur shpëtimin e jetës së miliona njerëzve në mbarë botën.

Në vitin 1970, ai botoi një nga vëllimet e tij më të njohura, “Trajtimi Kirurgjikal i Arteriosklerozës Koronare” .

Favaloro refuzoi kontratat milionere për të qëndruar në SHBA dhe u kthye në Argjentinë në vitin 1971 me ëndrrën për të zhvilluar një qendër të shkëlqyer të ngjashme me Klinikën e Clevelandit, që kombinonte kujdesin mjekësor, kërkimin dhe arsimin. 

Duke pasur parasysh këtë, ai themeloi Fondacionin Favaloro në vitin 1975 sëbashku me disa bashkëpunëtorë.

Favaloro kontribuoi në rritjen e nivelit standard të specialitetit të tij në dobi të pacientëve përmes kurseve, seminareve dhe konferencave të panumërta të organizuara nga Fondacioni. Ai krenohej që kishte trajnuar me këtë teknikë kirurgjikale më shumë se 450 specialistë nga e gjithë Argjentina dhe Amerika .

Në vitin 1980 Favaloro themeloi “Laboratorin e Hetimit Bazë”, i cili financohej prej kohësh me paratë e tij.

Në vitin 1992, në Buenos Aires u hap organizata jofitimprurëse Fondacioni Favaloro, Instituti i Kardiologjisë dhe Kirurgjisë Kardiovaskulare.

Me moton “teknologji e përparuar në shërbim të humanizmit mjekësor”, ky institut ofron shërbime shumë të specializuara të kardiologjisë, kirurgjisë kardiovaskulare transplanteve të zemrës, mushkërive , mëlçisë e veshkave .

Ai besonte se një mjek duhet të ushqejë vazhdimisht dhe kulturën e tij humaniste, sepse vetëm kështu mund ta kuptojë plotësisht njeriun.

Duhet përmendur se, pavarësisht kostove të mëdha të kirurgjisë bypass-it, Favaloro operonte çdo ditë pacientë të varfër,që nuk kishin mundësi financiare për operacionin, por ata ndihmoshin nga Fondacionin Favaloro , diçka, që ai e ndjente si një domosdoshmëri dhe mision të tij në shërbim të pacientit.

Ai, gjithmonë e vinte theksin në sistemin shëndetësor, në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e rregullave themelore të higjienës për të ulur shkallën e vdekshmërisë .

Favaloro mori pjesë në programe edukative për publikun dhe në konferenca të shumta në Argjentinë dhe në të gjithë botën mbi tema të tilla si: mjekësia, arsimi dhe shoqëria moderne.

Jeta e René Favoloro nuk u kufizua vetëm në sallën e operacionit. Krahas pasionit të jashtëzakonshëm për mjekësinë, ai kishte një dashuri të thellë për letërsinë, historinë dhe librin.

Për René Favoloro, bisturia dhe pena nuk ishin dy botë të ndara. Njera shëronte zemrën e sëmurë, tjetra ushqente shpirtin dhe ndërgjegjen njerëzore.

Ai besonte se personaliteti i mjekut të madh nuk ndërtohet vetëm mbi shkencën, por, edhe mbi kulturën, historinë, letërsinë dhe humanizmin.

Prandaj,krahas sallës së operacionit, biblioteka ishte tempulli tij i dytë.

Favaloro botoi mbi 300 punime shkencore por, la dhe disa libra me vlerë të veçantë si: “ Kujtime të një mjeku rural” –libër autobiografik ku rrëfen vitet e shërbimit si mjek në fshatrat e Pampes argjentinase.

“Nga Pampa në Shtetet e Bashkuara”- autobiografia e tij mbi rrugëtimin drejt Cleveland Clinic, ku përshkruan vitet e kërkimit shkencor, që çuan në zhvillimin e bypass-it koronar.

Si dhe disa libra historik rreth personaliteteve të Argjentinës.

Fundi tragjik

Deri në vitin 2000, Argjentina ishte zhytur në një krizë ekonomike dhe politike dhe Fondacioni Favaloro kishte 18 milionë dollarë amerikanë në borxhe.

Favaloro, në raste të përsëritura, i kërkoi qeverisë argjentinase dhe institucioneve përkatëse të ndihmonin Fondacionin, por nuk mori kurrë një përgjigje zyrtare prej tyre.

Më 29 korrik 2000, në moshën 77 vjeç, i gjendur nën depresion të rëndë për shkak të krizës ekonomike dhe borxheve, që kërcënonin fondacionin e tij mjekësor, René Favaloro kreu vetëvrasje duke qëlluar veten në zemër në shtëpinë e tij në lagjen Palermo

Pas vetëvrasjes së tij, u zbulua se, ai i kishte shkruar një letër Presidentit të Argjentinës Fernando de la Rúa, e cila nuk ishte lexuar kurrë, në të cilën ai shprehte lodhje nga “të qenit lypës në vendin e tij”!

 Në letër, ai i referohet vetes si “Don Kishoti” në betejën e tij të vetmuar kundër gjigantëve.

 Mesazhi: Madhështia e një mjeku matet edhe me shërbimin ndaj njerëzve.