Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Anatomia e Shenjtë e Kombit


Që nga koha e Aristotelit dhe gjatë gjithë historisë njerëzore na dëshmohet se shumë filozofë, sociologë, teoricienë e shihnin kombin e shoqërinë njerëzore si një organizëm të gjallë ku individët veprojnë si qeliza dhe institucionet si organe.
Në konceptin Judeo-Kristian ky koncept thellohet edhe më tej. Në Bibël kombi përshkruhet si një familje, si një organizëm i gjallë. Na theksohet se Zoti i ka krijuar kombet dhe ka caktuar që kombi të jetë familja madhe e çdo individi. Drejtuesit politikë dhe fetarë kanë rol dhe detyra prindërore, të marrin masat e duhura që pjestarët e kombit të kenë qetësinë, begatinë materiale, drejtësi dhe gjithka që ju duhet për zhvillimin e përparimin e tyre në jetë; por nga ana tjetër dhe çdo person ka detyrimet e tij për mbarëvajtjen e përparimin e Kombit. Si drejtuesit ashtu edhe njerëzit e thjeshtë janë përgjegjës para kombit, por edhe para Zotit për përmbushjen e detyrimeve të tyre. Në Dhjatën e Vjetër na thuhet:
Psalmi 14:
31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë Krijuesin e tij, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
Fjalët e Urta 19:
17 Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.
(Lexo gjithashtu Psalmi 41, Fjalët e Urta 28).
Bibla paralajmëron rreptë kundër hipokrizisë së drejtuesve politikë dhe fetarë sidomos kur ata keqpërdorin terminologjinë, ritualet dhe emrin e Zotit:
Isaia 58:
6 Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?
7 A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?
8 Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.
Në Dhjatën e Re ky koncept thellohet edhe më tej. Gjon Pagëzori, që paralajmëronte ardhjen e Jezu Krishtit u thoshte turmave se mirësia ndaj të varfërve ishte prova e pendesës së vërtetë dhe dera nga një njeri mund të futej në Mbretërinë e Perëndisë: Luka 3:
10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ”Dhe ne, pra, ç’të bëjmë”?
11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu”.
Në Djatën e Re na theksohet se Zoti u ka caktuar si mision hyjnor drejtuesve politikë dhe fetarë të luftojnë e të shkatërrojnë të keqen dhe të mbështesin të mirën.
Romakëve 13:
4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
Jezu Krishti na thotë se çfarë do të ndodhë me personat në pushtet të cilët nuk luftojnë si duhet të keqen. Për ata pushtetarë që bëhen fajtorë dhe i hapin derën të keqes të prekë shoqërinë, sidomos ata pushtetarë që hapin rrugën që e keqja të prekë pjesën më të shenjtë e më të pambrojtur të kombit:Fëmijët. Jezu Krishti thotë se këta persona para se të bënin një krim të tillë:” …do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit”. (Mateu 18).
Tek 1 Korinthasve 12 Apostull Pal e përdor përsëri analogjinë me organizmin e gjallë dhe shprehet:
2 “Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm,
26 Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të”.
Ashtu si trupi, edhe kombi ka armiqtë e tij që duan ta dëmtojnë e ta shkatërrojnë. Armiqtë që duan ta dëmtojnë një trup një organizëm njerëzor janë parazitët, viruset etj. Por armiku më i rrezikshëm si për organiznmin njerëzor ashtu edhe për Kombin është kanceri.
Në një organizëm të gjallë qelizat kanceroze janë qeliza të degjeneruara të cilat e kanë ndryshuar ADN dhe natyrën e tyre fillestare.
Në një komb qeliza kancerogjene janë ata persona që e kanë ndryshuar ADN kombëtare, janë ata persona e politikanë të cilët janë anti-patriotë, në vend që ta duan, e urrejnë popullin dhe Atdheun e tyre, në vend të punojnë për ndërtimin e Atdheut dhe Kombit punojnë për shkatërrimin e tij.
Në një organizëm të gjallë qelizat kancerogjene luftojnë të ndikojnë dhe të transformojnë qelizat e tjera për ti kthyer edhe këto në qeliza kancerogjene.
Këtë bëjnë dhe personat kancerogjenë të kombit: Mundohet të shkatërrojnë ADN patriotike në rradhët e shoqërisë, në rradhët e kombit.
Qelizat kancerogjene janë agresive dhe duan të gllabërojnë ushqimin dhe gjithshka tjetër që organizmi ka nevojë për rritjen, ushqimin dhe funksionimin e tij normal. Kështu në vend të ushqehen organet jetësore, ushqehet dhe rritet kanceri.
Kështu ndodh edhe në një shoqëri që është prekur nga kanceri. Fondet që i takojnë institucioneve jetësore kombëtare: spitalet, shkollat, sistemi rrugor, etj, vidhen dhe në vend të tyre ndërtohen vila për pushtetarët kancerogjenë, organizohen festa e orgji, etj, etj.
A është prekur organizmi i Kombit Shqiptar nga kanceri? Shumë veta përgjigjen: Po!
Arben Ahmetaj madje del deklaron dhe jep argumenta të shumta dhe thotë se qeliza kryesore kancerogjene që po mundohet të shkatërrojë kombin shqiptar është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë!
Këtu nuk duam të bëjmë as komente e as sugjerime. Sejcili ka mundësi të shikojë e të gjykojë se si është e vërteta.
Mateu 12:
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
33 ”Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
Kur një organizëm preket nga kanceri si qelizat e shëndetshme ashtu dhe ato kancerogjene fillojnë dhe japin sinjale të forta. Dhe kështu qelizat, ashtu si ushtarët që dëgjojnë sinjalin e borizanit që jep kushtrimin, rreshtohen ose në njërën ose në tjetrën palë.
Në Shqipëri, në diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarët po jehon kushtrimi për t’u rreshtuar. Secili nga ne dashur, padashur do të bëhet pjestar i njërës palë: Ose do t’i bindet thirrjes së ADN të Shqiptarisë; apo do të lejojë të mashtrohet nga kënga e sirenave të qelizave kancerogjene, do të lejojë t`ia degjenerojnë ADN dhe kështu të kthehet edhe ai vetë në një qelizë kancerogjene, pjesë integrale e kancerit shkatërrues, vrasësit të kombit.