Albspirit

Media/News/Publishing

Julika Prifti: Nga Tirana në Kukaj për të parë “Lahuta e Malësisë”

“Lahuta e Malësisë” e At Gjergj Fishtës u bë aq e dashur për toskët siç ishte edhe për gegët megjithëse u ndalua dhe u hoq nga tekstet shkollore në kohën e Enver Hoxhës kur ndërtohej socializmi dhe njeriu i ri. Me të mësuar se “Lahuta e Malësisë” do të interpretohej në Etno Fest në Kukaj, një fshat 20 km larg Prishtinës, me shoqen e gjimnazit vendosëm të shkonim ta shihnim pa asnjë hezitim. Nuk na trembi as vapa, as rruga e gjatë.

Vepra që e kishim lexuar që në fëmijëri na kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe na bënte të ndiheshim krenare për Fishtën, ashtu si grekët për Homerin. Tani na dukej sikur do të takonim një mik të vjetër sepse shumë vargje të poemës na ishin skalitur në kujtesë nga recitimet e gjyshërve e prindërve tanë. Shumë shoferë taksish nuk e dinin ku binte Kukaj, po falë GPS nuk patëm shumë vështirësi për të gjetur vendin e Etno Fest.

Perëndimi i bukur i një dielli të madh portokall në qiellin e kaltër, rrezet vezulluese që dukej se përqafonin fushat e kodrat për t’u përshëndetur në fund të ditës e bënte ngjitjen gjarpëruese më të këndshme. Nuk ishte rruga e Kërrabës, por gjithë ato kthesa ta kujtonin atë.

Në mjediset e shumta e të ngrohta te Etno Fest ishin hapur ekspozita skulpture, pikture, fotografi, etnografi etj. të gjitha të lidhura me temën “Kujtesa”. Ato të sillnin ndër mend krimet e vuajtjet që edhe sot të rrëqethin. Ashtu si “Lahuta e Malësisë” edhe këtu para syve shpalosej historia e dhimbshme dhe qëndresa e shqiptareve në trojet e tyre.

Pak pas orës 20.00 në amfiteatrin e Kukaj, spektatorët u ftuan të zinin vend. Ai ishte një ndërtim i ri në një stil antik. Në dyshemenë rrethore vërehej një mozaik i bukur me figura të stilizuara, po ku dallohej lehtësisht përkrenarja e Skënderbeut. Shumë shpejt shkallët e amfiteatrit u mbushën plot me të rinj, prindër e fëmijë. Dritat u errësuan e në ekranin e vendosur në fund të skenës doli titulli i këngës së Lahutës që do të hapte shfaqjen dhe disa shënime shpjeguese për të. Ne ishim shumë kurioze se si një aktor i vetëm do sillte në jetë kryeveprën e Fishtës.

Armend Baloku, aktori, regjisori e zgjedhësi i muzikës kishte bërë një punë të mrekullueshme. Përzgjedhja e pjesëve të tij lidheshin natyrshëm me njëra-tjetrën dhe rrëfenin historinë, trimërinë, karakterin dhe fatin e figurave të shquara shqiptare: Çun Mulën, Oso Kukën, Ali Pashe Gucinë, Tringën. Po ashtu edhe ngjarje të rëndësishme në Plavë e Guci apo në Konferencën e Londrës. Aq i fuqishëm ishte interpretimi i Armend Balokut sa të dukej sikur në skenë nuk ishte një aktor i vetëm i veshur thjeshtë në të zeza. Aty të dukej se ishte vetë Fishta që rrëfente ngjarjet. Aty shfaqeshin heronjtë e këngëve, armiqtë, zanat, kafshët, pyjet e malet e vendit dhe e gjithë bota epike e Lahutës. Muzika, dritat, lëvizjet, gjestet po mbi të gjitha zëri kumbues, i fuqishëm e melodioz i Armend Balokut të bënin të harroje se kishe përballë një interpretues të vetëm. Të krijohej përshtypja se shihje një trupë të terë aktorësh. Percepsione të tilla janë tiparet e një aktori të vërtetë që e njeh në thellësi veprën që interpreton, e zbërthen atë me mençuri dhe e sjell përpara publikut me gjithë madhështinë e saj, në mënyrë që edhe ai të përjetojë e ta kuptojë atë.

Kënga e fundit, kushtuar Konferencës së Londrës na mbushi sytë me lot dhe zemrën me shpresë.

“Edhe kshtu, mbas sa mjerimesh/

Mbas sa gjakut e shëmtimit/

E për inat t’Shkhevet t’Ballkanit/

Për gazep t’atij Sulltanit/

Si premtue kishte perëndija:/

Prap zojë m’vedi duel Shqypnija!”

Mbyllja e poemës ngriti në këmbë çdo spektator që duartrokisnin pa pushim me entuziazëm e kënaqësi e nuk e lejonin Armend Balokun të largohej nga skena.

Çfarë natë e mrekullueshme! Çfarë ndjenjë krenarie e besimi të ngjall arti kur interpretohet përsosmërisht.

Urime për këtë realizim të jashtëzakonshëm dhe punë të mbarë në projekte të tjera në çfarëdo fushe që të paraqiten!