Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Marko Boçari në kujtesën e Europës

—-

Shumë herë isha ndalur në imazhet e Katerinës dhe Dhimitrit, të vajzës dhe djalit të Marko Boçarit. Tablotë e dy piktorëve europianë i kishin bërë ata të njohur. Ishin fytyra simpatike, plot dritë, hijeshi, sikur akti heroik i atit të tyre t’i kishte përkryer dhe vetë pamjet e tyre. Katerina ishte pikturuar nga Joseph Stieler në vitin 1841, në një tablo vaji, në kohën kur ajo ishte pranë mbretëreshës, ndërkohë që Dhimitri ishte pikturuar nga Albert Riegel, në moshën fëminore, po në një tablo vaji të vitit 1829. Në ato dy portrete të pikturuara aq mjeshtërinjt, koha sikur kishte ecur me ritmin e legjendës. Në disa libra të udhëtarëve të huaj, veçanërisht francezë të shekullit XIX, të cilët kishin përshkuar Shqipërinë e Greqinë, në pasazhe të ndryshme flitej dhe për ata dhe tregonin për jetën e tyre në Perëndim dhe kthimin në Greqi. Linguisti Fauriel mblidhte këngët e Boçarëve dhe Xhavellave nëpër popull. Dora d’Istria, në udhëtimin e saj nëpër Rumeli e Greqi, tregonte se si kishte pikëtakuar në një anije në Piré, birin e Markos që tashmë ishte një oficer marine.

Piktakim me një nga pinjollët e Boçarëve

Të tjerë Boçarë, të Markos dhe Kosta Boçarit, u bënë referenca të trimërisë dhe të lavdisë greke, duke qenë shqiptarë. Por gjuha do të humbte dhe Greqia do të bëhej atdheu i tyre i dytë.

Takimi me Vangjelis Marko Boçari, në oborrin e tij, nën hijen e limonit, ishte gjithnjë një rikthim në histori, në vetë lavdinë. Një vit më parë i kisha dërguar fotografitë e Katerinës dhe të Dhimitrit dhe ato dy piktura e kishin mrekulluar. Ishte e habitshme se si mbiemër, ata dhe të tjerë të familjes së tij ata mbanin MarkoBoçari, pra si një fjalë të vetme.

Vangjeli jeton thjeshtë, pesë hapa nga deti. Valët që vijnë dhe shuhen në breg janë si vitet e tij: vitet e fëmijërisë, rinisë, vitet e emigracionit në Gjermani dhe koha që shkon nën gjurmët e një historie që nuk shuhet, sikur kjo lavdi të ishte parathënë s’dihet nga cila hyjni apo zot…

Atë çast që po shkruaja për ata, Vangjelis dhe Sofia po flinin, Leontina gjithashtu. Gjinkallat këndonin. Karriget në oborr ishin të heshtura… Ndërsa unë rihapa shënimet e mia të dikurshme shkruar për Boçarin, me dëshirën për të shkuar një ditë në Misolongj, për të prekur varrin e tij dhe dy hapa më tej monumentin e Bajronit, i cili atë vit lufte me osmanët vonoi ta takonte trimin suliot. Dy vite më vonë Bajroni erdhi, por i përpëlitur nga ethet edhe ai pikëtakoi vdekjen pranë varrit të Boçarit, si për t’i thënë se më së fundi kishte ardhur.

Duhej shkuar në Misolongj…

Marko Boçari, një hero i Europës

Të rralla janë figurat me origjinë shqiptare që janë kthyer në personalitete të historisë së gjithë Europës. Marko Boçari ishte një nga ata. Kishim menduar se ky suljot i jashtëzakonshëm dhe hero i Revolucionit Grek për pavarësi i përkiste një hapësire ballkanike, apo më tepër që kishte të bënte me Greqinë, si akt heroik, dhe me Shqipërinë si një pinjoll me gjak shqiptari. Ndër shqiptarët që i shërbyen me devotshmëri Revolucionit Grek ishin dhe Xhavellat, Karaiskaqi, Bubulina, Kondurioti, Miauli, Tombazi, Kriezi, e shumë e shumë të tjerë, por emrat e tyre nuk u kthyen në referenca të historisë europiane apo të krijimtarisë artistike në kulturën e gjithë Europës. Ndryshe ndodhi me Marko Boçarin vdekja e të cilit tronditi ndërgjegjen e një kontinenti të tërë. Njëzet vjet më parë, në një skenar filmi dokumentar për Marko Boçarin, «Marko Boçari, një hero i Europës», i ngacmuar nga mënyra tepër heroike dhe e veçantë e vrasjes së këtij heroit, isha përqëndruar veçse në ditët e fundit të jetës së tij, duke lënë në hije, një nga veçoritë më të mëdha të kësaj figure, dimensionin europian. Duke i lexuar përsëri ato rreshta dhe duke kërkuar më në thellësi të kësaj figure, e kuptova që kisha anashkaluar një nga gjërat themelore të tij: jehonën e vdekjes së tij në Europë dhe ngritja e një simboli, e një miti për të cilin kishin nevojë të gjithë, jo vetëm Greqia por dhe gjithë popujt e Ballkanit dhe po kështu Europa.

Sigurisht, në fillimin e dhjetvjeçarit të dytë të shekullit XIX, kishte vite që Europa i kishte kthyer sytë nga grekët dhe shqiptarët, të cilët po përpiqeshin të shkëputeshin nga sundimi osman. Me vrasjen e Ali Pashës, shpresat e pavarësisë shqiptare morën fund. Atëherë mbeti vetëm Greqia që sapo ishte ngritur për të dëbuar osmanët. Dhe suliotët, çamët si dhe shqiptarë të tjerë të jugut, iu drejtuan Greqisë për t’i shërbyer kauzës së saj, duke e ditur se pavarësia greke, shpejt apo vonë do të sillte dhe pavarësinë shqiptare. Pra Europa po ndiqte e shqetësuar ngjarjet e Greqisë dhe rrethimin e Misolongjit, ku të rrethuarit në kështjellën e qytetit, nën udhëheqjen e Boçarit, i rezistonin dyndjeve osmane. Atëherë kur Marko drejtonte ushtrinë e luftëtarëve të Akarnisë, europianët e parë po i drejtoheshin Greqisë duke ardhur nga Franca, Italia, Anglia, Gjermania, Zvicra, vendet nordike, etj. Të tillë ishin lordi Bajron, lord Cochrane koloneli Hastings, gjeneralët francezë Guys de Saint-Helene, Maison apo de Gaillard e de Chauvassaigne, kapitenët Baleste dhe Jourdin, koloneli i famshëm Fabvier që do të mbronte Athinën dhe Akropolin, shefi i eskadronit Regnaud de Saint-Jean-d’Angély apo gjenerali Maison, etj. Në prag të ardhjes së tij në Misolongj, ku e prisnin me padurim, Bajroni i kishte dërguar Markos një letër ku i tregonte për nisjen e tij drejt Misolongjit, itinerar ku do të pengohej nga ushtria osmane. Por sidoqoftë, një ditë para se të vritej Marko, i dërgon përgjigjen e tij, pra më 18 gusht të vitit 1823, ku i shkruante: «Letra tënde dhe ajo e të nderuarit Ignazio (Peshkopi i Artës, L.R.), më mbushëm me gëzim. Shkëlqesia juaj është njeriu për të cilin kemi nevojë. Uroj që asgjë të mos u pengojë të vini në këtë vend të Greqisë. Një armik i madh në numër na kërcënon, por me ndihmën e Zotit dhe të shkëlqesisë suaj, ai do të ndeshë një rezistencë të denjë. Diçka më duhet të bëj këtë mbrëmje… Pasnesër do të nisem me disa luftëtarë për të ardhur në drejtimin tuaj. Mos vononi. Ju falenderoj për mendimet e vyera që keni për bashkëpatriotët e mi dhe shpresoj se nuk do të zhgënjeheni».

Koloneli francez Pierre Gamba, në revistën franceze Revue des Deux Mondes, tregonte se kur mori vesh vdekjen e Markos, Bajroni derdhi lotë mbi varrin e tij dhe donte të shkruante një poemë të gjatë, por mjerisht, veç disa fragmente mbetën, të cilat vështirë t’i deshifrosh… Edward Blanquières, një nga anëtarët e Komitetit për Revolucionin Grek që ishte ngritur në Londër, si në shumë kryeqytete të Europës, i cili shumë herë kishte qenë në Greqi, për Markon kishte shkruar: «Përveç përparësive që atij i dha dituria dhe arësimi, Marko Boçari kishte dhuntinë e virtuteve më të mira që mund të ketë njeriu, me thjeshtësinë e karakterin e njerëzve të mëdhenj, siç i gjejmë tek Plutarku. Që në rini të tij, ai ishte shpresa e më vonë admirimi i vendit të tij, si qytetar, si patriot dhe si luftëtar». Nga ana e tij, shkrimtari i madh Jules Verne, autori i romaneve fantastiko-shkencore, i cili nuk mungoi të shkruante dhe për ngjarjet tronditëse gjatë Revolucionit grek, shkruan se «ai jetoi si një Aristid dhe vdiq si një Leonidha». Të shumtë ishin autorët europianë që Markon e krahasonin me Leonidhën e Greqisë së lashtë, siç ishte dhe J. J. Ampère që i këndonte Boçarit në Littérature, voyages et poesies apo koloneli francez Vautier që luftoi krah Boçarit. I frymëzuar nga akti i Boçarit ishte dhe poeti Lamartine, në poemën e tij të gjatë «Kënga e pestë e Çajld Harold».

Për Europën dhe Revolucionin grek nuk ishte e rëndësishme nëse Boçari ishte shqiptar apo grek. Studjuesit e hershëm e kishin përcaktuar prejardhjen e tij dhe të suljotëve, që nga përfaqësuesi i mbretërisë së Anglisë pranë Ali Pashës, Martin Leake apo konsulli francez François Pouqueville dhe autorë të tjerë europianë. Leake, i cili i vizitoi këto vende në vitet e para të shekullit XIX, shkruante se „Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare“. Në mesin e shekullit XIX, në librin e tij për Ali Pashën, shkrimtari francez Alexandre Dumas, lidhur me suliotët shkruante: „Pothuaj dy shekuj më parë, barinjtë e maleve afër Kardhiqit, Dodonës së lashtë, të keqtrajtuar nga turqit u tërhoqën bashkë me bagëtitë e tyre në malet më të ashpra të këtij cepi të Epirit që shtrihet përballë ishullit gjer në kanalin e Korfuzit. Kërkojeni Sulin në hartë: emri i tij është ende, por suljotët nuk janë më aty! Suli ishte një vendstrehim në këto male për të persekutuarit dhe të pakënaqurit që të gjithë kristianë, të cilët fillimthi u mblodhën në fshatin Suli, siç quhej dhe vetë mali. Sparta dhe Mesina kanë patur historitë e tyre prej 3000 vjetësh, por Sparta e Mesina nuk kanë bërë më shumë se Suli. Edhe Suli ka historianët e poetët e vet: Pouqueville dhe Fauvel kanë treguar për vuajtjet e tij.”

Eshtë mëse e vërtetë se jehona e vrasjes së Boçarit ra si një bombë në opinionin publik francez e europian. Vallë shpresa e ngjallur ishte shuar? Në vitet 20-të të shekullit XIX, emri i Marko Boçarit dëgjohej ngado në sallonet pariziane, mjediset politike e diplomatike, studjot e skulptorëve dhe piktorëve, duke u kthyer në sinonim të lavdisë dhe heroikës supreme. Francezi Lacratel e quante Markon „Spartak i tmerrshëm“. Figura e tij tashmë qe bërë legjendare, aq sa qarkullonte dhe legjenda se pas betejës së Misolongjit, ku ishte vrarë Boçari, turqit ia kishin prerë kokën dhe e kishin çuar në sarajet e sulltanit që ta shikonte njerëzia. I frymëzuar nga kjo legjendë, më 1826, Victor Hugo shkroi për herë të parë vargjet për betejën e Misolongjit të cilat u botuan më 1829 në vëllimin e tij poetik Orientales, në faqet e së cilës, që në fillim Hugo ka shkruar: “Malo periculasem libertatem” («Preferoj lirinë, edhe pse ajo është më e rrezikshmja»). Brenda këtij vëllimi, krahas një poezie për Ali Pashën botohej dhe poema Les tëtes du sérail (Kokat e sarajit), një poemë epike e ndarë në tri këngë apo «zëra», ku në «zërin» e dytë ishte kënga e suliotit trim, ku Boçari me kokën e prerë i tregon poetit për luftën dhe betejën e zhvilluar në Misolongj:

«Pa dëgjomë pak: – Në thellësinë e varrit po flija

Kur papritur një klithmë më zgjoi: Misolongji ra!

Në natën mortore përgjysmë ngrihem,

Duke dëgjuar gjëmimet e shurdhta të topave që qëllonin breshëri.

Britma dhe zhurma përzier, shpata dhe hapa që ndjekin njëra-tjetrën, nxitojnë…

Beteja qytetin kishte pushtuar dhe zërat thërrisnin:

O hije e Boçarit! Grekërit e tu janë të pafat!

Mbroji nga kjo hordhi e poshtër!

Kështu për të dalë nga dheu, me errësirën luftova

Eshtrat e mia i bëra hi

Mbi mermerët e kobshëm.

Papritmas si një vullkan toka digjet e gumëzhin.

E pastaj heshtje: sytë e mij në botën tjetër u hapën,

Asnjë nga të gjallët e mëparshëm nuk pa më.

Nga dheu, nga valët, nga thellësia e flakëve,

Vorbuj shpirtrash shkonin vërtik,

Binin në humnerë apo ngriheshin të kapnin qiellin…”

Vdekja e Markos frymëzoi një sërë artistësh europianë dhe së pari një nga figurat më në zë të pikturës franceze: Eugène Delacroix. Në studion e tij pranë kishës së Saint-Germain në zemër të Parisit, ai filloi punën për të pikturuar Boçarin, i cili tashmë kishte hyrë në legjendë. “Duhet bërë një vizatim i fuqishëm për Boçarin, – shkruante ai në ditar, më prill të 1824, disa muaj pas rënies së heroit, – një vizatim, ku turqit të tmerruar e të befasuar hidhen mbi njeri-tjetrin”. Siç kujton edhe Théophile Silvestre, një kritik i kohës së tij, “për dy javë punë, skica e Boçarit u kthye në një tabllo të mrekullueshme”. Ai kishte bërë edhe disa etude tipash, kuajsh e skena për një tablo tjetër, ngjarje nga Revolucioni grek. Në një akuarel me deçituren Studim arvanitas duket figura e një shqiptari. Po kështu është një tjetër etud, me një suljot në këmbë, me dorën e pështetur mbi pushkën që zgjatet gjer në tokë. Linja elegante, përsosmëri, vitalitet, pështjellim në një atmosferë romantike. Për sallonin e pikturës të vitit 1824 që do të hapej në Paris, Delacroix mendoi fillimisht për një tablo që kishte nisur para ca kohësh, të titulluar Boçari në sulm mbi kampin turk, por në maj të vitit 1823, ai hezitoi ta prezantonte atë dhe iu përvesh një pune tjetër: përgatitjes së tablosë Masakra e Hios, dedikuar Bajronit të madh që kish vdekur në krah të kryengritësve heroikë, të cilën e punoi paralelisht me tablonë për Boçarin. Në tablonë për Boçarin ka një dinamikë të jashtëzakonshme, ku me një dritë okër në qendër shpalosen suljotët në luftë e sipër.

Krahas Delacroix, ishte skulptori i dëgjuar David d’Angers që bëri varrin monumental të Boçarit me figurën e një vajze që qante mbi varr vdekjen e heroit, monument i quajtur “Vajza që lexon emrin e Boçarit mbi varr”. Shumë interesante është dhe tabloja e italianit Filippo Marsigli e vitit 1836, e cila gjendet sot në “Muzeun Benaki” të Athinës, apo tabloja tjetër e piktorit Ludovico Lipari, që na rikrijon atmosferën dhe imazhin e plagosjes për vdekje të Boçarit, kur shokët e tij luftëtarë e tërheqin për ta shpëtuar. Më 1826, tre vjet pas vdekjes së heroit, Giovanni Bogi na ka lënë një portret të jashtëzakonshëm, ashtu si shumë vite më vonë, do të na e paraqesë atë francezi Léon Gérôme, i cili një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij ia kushtoi arvanitasve. Kësaj radhe Marko Boçari, i ulur në një poltron të madh, ndryshon nga figurat e mëparshme. Kështu, Boçari u bë një nga figurat më të njohura, për të cilin u shkruan pjesë teatrale, tragjedi, poema të shumta siç ishte dhe një poemë e gjatë e zviceranit Juste Olivier me titullin “Marco Boçari në malin Aracint”, më 1826. Madje në parathënien e atij botimi shkruhej dhe një detaj nga jeta e Markos, kur të prekur nga lufta për pavarësi, nxënësit e një kolezhi zviceran i kishin shkruar një letër Markos duke ishprehur dëshirën, duke se “fëmijët e tij ishin të mirëpritur në kolezhin e tyre për të bërë studimet, me shpenzimet e tyre”. “Kur e mori vesh këtë, i prekur, sytë e Markos u njomën nga lotët. Ai mori mandolinën që kishte vite pa e prekur dhe filloi të këndonte. Fliste shpesh për Leonidhën…».

Një nga letrarët në zë të kohës, Eugène Yemenez, në revistën më prestigjioze franceze Revue des deux Mondes, botoi një studim të gjatë rreth figurës së Marko Boçarit, duke përshkruar gjithashtu, në bazë të burimeve jetësore dhe disa nga çastet e fundit të Marko Boçarit. «Para se të drejtohej për në Karpenisi, – shkruante ai, – që pa gdhirë, Marko kaloi bashkë me një grup luftëtarësh nga fshati Silica, ku banorët e saj ende flinin. Duke kaluar në shapelën e një kishe, Marko hyri dhe shkoi të lutej, ashtu si dikur kalorësit e Mesjetës. Dy priftërinj këndonin. Kur mbaruan, Marko u afrua tek ata dhe u dha disa monedha floriri, duke u thënë: «Këto i keni për të ndihmuar të varfërit!… Lutu për shpirtin e Boçarit! – Vallë ka vdekur? – klithi njëri nga ata që e njihte këtë hero nga ato që fliteshin në popull. – Jo! – u përgjigj Boçari, – por ai do të vdesë!..» Por veç tyre, edhe Dora d’Istria na ka lënë shënime prekëse rreth heroit, pasi gjatë udhëtimit të saj në Greqi, një nga dëshirat e saj ishte të shkonte në varrin e Boçarit. Dhe ajo shkoi. Aty ajo kërkoi të njihte bashkëluftëtarët e tij, të cilët i folën për ato ditë heroike kur udhëhiqeshin nga i famshmi Marko dhe për vdekjen e tij: “Kur trupi i tij hyri në qytet, – shkruante Dora D’Istria, – të gjithë rendën drejt tij. I mbështjellë me një mantel të kuq të luftëtarëve krenarë të Shqipërisë, duke mbajtur anash shpatën e tij, Boçari ishte shtrirë mbi një vig që mbahej nga gjashtë palikarë të Sulit. Para tij çuan të ecnin të burgosurit e lidhur me zinxhirë, flamujt e kapur armikut si dhe mushka me pushkë, pistoleta e municione kapur armikut në betejë. Trupin e vunë në shtëpinë e kryebashkiakut të Misolongjit dhe në mbrëmje sollën vajtojcat që t’i këndonin. Sipas zakonit ato ishin të veshura me të bardha dhe flokët e gjata u ndereshin mbi supe. Ato u vunë në rreth rrotull Boçarit dhe me dhembjen që kishin në shpirt kënduan vlerat e tij më bukur se asnjëherë tjetër në vdekjet e zakonshme. Në mesnatë, gjithçka ra në qetësi. Qyteti i heshtur e i dëshpëruar përgatitej për ceremoninë e nesërme… Kur mbrojtësi i Misolongjit doli në rrugë në një arkivol druri qiparizësh, me fytyrë të zbuluar, me krahët e kryqëzuar mbi një zemër që kurrë nuk ishte dridhur, u dëgjuan tingujt e këmbanores së kishës dhe gjëmimet e artilerisë nga brigjet e detit gjer në luginat e Aracintës. Nga dritaret, gratë hidhnin lule, zambakë… Dhe kështu, kortezhi shkoi drejt kishës. Pas shërbesës së vdekjes, i mbështetur mbi spektrin e tij, prelati ortodoks tha: «Që shpirti i martirit të pushojë në paqen e Zotit!» Dhe gjithë populli ra në gjunjë duke pëshpëritur: Amin!»

Këto shënime, Dora d’Istria, e cila në ato kohë ishte një personalitet në zë në botën intelektuale franceze e europiane, i bëri të njohura jo vetëm në librin e saj Udhëtim në Rumeli e Greqi por dhe në shkrime të tjera publiçistike.

Bajroni dhe Boçari nuk arritën të takoheshin. Lordi anglez u shfaq në Misolongj një vit në vonë, por i sëmurë u dergj në shtratin e vdekjes. Atë erdhi ta shikonte dhe Lukas Vaja, doktorin e Ali Pashës, të cilin e kishte njohur dikur në oborrin e pashait të Janinës. Ato çaste, Bajroni ishte në delir… Më 19 prill të vitit 1824, zemra e tij pushoi. Atij i bënë homazhet ushtarake, siç i kishin bërë më parë dhe Marko Boçarit. Madje e vendosën në të njëjtën kishë ku kishin vendosur Boçarin. Siç shkruante ato kohë Yemeniz, «Boçari dhe Bajroni nuk duhej të ndaheshin. Ato dy varre të mëdhenj, që i bashkonte një lloj romantizmi, do të mbeteshin në sytë e historisë e së ardhmes si një emblemë e fortë dhe poetike e kësaj ndjenje misterioze që tërheq gjeniun drejt heroizmit».

Një këngë popullore për vrasjen e Boçarit, që mban titullin Vaj për Marko Boçarin na e sjell dhe konti Marcellus, të botuar në Francë në vitin 1860. Në të shkruhej:

“Një shqiponjë vjen nga mali me flatra të mjera. Një tjetër shqiponjë e pyet dhe një tjetër shton:

– Atëherë na thuaj ti shqiponjë princore, ç’bëjnë tanët andej?

– Ti më sheh si një shqiponjë princore? A nuk i sheh krahët e mia?

– Kështu janë bijtë e nënave dhe vëllezërit e motrave, kështu janë zogjtë e vegjël të shqiponjave të aq të pafatëve.

– Pa prisni, qetësohuni, heshtni dhe le të shohim se kush mungon.

– Na mungon më i miri i shtëpisë, pronari i parë. Ai ishte një flamur në dhé të vet dhe një fanar i kishës. Sa keq për të që ra në luftë dhe akoma më keq për ata që mbetën pas tij.”

Europa e identifikoi Boçarin me Greqinë pa e njohur mirë prejardhjen e tij, edhe pse Pouqueville dhe historianë, linguistë e studjues të tjerë francezë e kishin vënë në dukje në studimet e tyre se Suli ishte një vendbanim shqiptarësh, se ata flisnin shqip dhe se ajo çka i ndryshonte ata nga shqiptarë të tjerë të jugut, ishte se ishin ortodoksë dhe atëherë të gjithë ortodoksët, grekët i quanin grekë, pa bërë dallim origjinat, pasi për ta e rëndësishme ishte feja pastaj kombësia.

Pas vdekjes së Markos, biri i tij, Dhimitri, hyri në shkollë në Athinë nën kujdesin e mbretit Othon, kur Greqia fitoi pavarësinë. Me pas ai u bë adjutanti i mbretit. Vajza e Markos ishte Katerina, e cila u bë e njohur për emrin e bukurinë e saj në Ankona, ku tashmë e quanin Roza. Më pas, ajo u bë shoqëruesja e mbretëreshës Amalia të Bovarisë… Për vite me radhë, emri i Boçarit do të bëhej referencë e lirisë. Po përse Marko Boçari u kthye në një mit dhe hyri në kujtesën e Europës», aq sa emri i tij gjëndet dhe sot në metronë e Parisit, në rrugët e Parisit apo të Strasburgut e qyteteve të tjera të Europës. Përse emri i tij ka mbetur ende në kujtesën e Europës përmes librave të historisë, dramave, poezive, tablove, muzikës dhe arteve të shumta që i dhanë këtij heroi statusin e një heroi europian? Përgjigja është se kjo gjë ka ndodhur jo vetëm nga forca e aktit të tij, por dhe sepse, kjo vdekje e ndërgjegjësoi Europën se Ballkani, djepi i lashtë i kulturës europiane, nuk mund të lihej e robëruar, sepse pas Revolucionit Francez, duhej që revolucione të tjera të ngrinin peshë ndërgjegjen e botës drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor, drejt atij humanizmi internacional, për të cilën do të trondiste më vonë tribunat i madhi Victor Hugo.

Suljotët mes shqiptarëve të sotëm dhe grekëve

Një historiani grek të ditëve tona, do të mjaftonte të lexonte veçse një libër historik apo më mirë një dëshmi historike të Konstantin Metaksa, një figurë e luftës për Pavarësinë e Greqisë, bashkëkohës i Boçarit, për të shpërndarë atë mjegull të kaq kohëshme mbi historinë gati dy shekullore të origjinës së suljotëve dhe së pari të Marko Boçarit: ishte shqiptar apo grek? Çfarë ishin suljotët? Konstantin Metaksa, një personalitet i asaj kohe, dhe përfaqësues i qeverisë provizore greke i dërguar në Misolongj, kishte takuar atje Marko Boçarin dhe kishte qëndruar disa kohë në qytet, kur forcat suljote ishin të përçarë, në një kohë që kështjella e Misiolongjit bashkë me qytetin rrezikohej të rrethohej dhe të shkatërrohej, çka do të ndodhte pak vite më vonë. Ishte viti 1822-1823 dhe Metaksa përshkruan grindjet e mëdha midis partizanëve të Marko Boçarit, atyre të Xhavellës si dhe të mbështetësve të arvanitasit tjetër Teodor Grivas. Emri i Marko Boçarit atë kohë ishte bërë legjendar dhe madje pikërisht ato ditë lord Bajroni kishte kërkuar ta takonte. Marko tashmë ishte komandant i Përgjithshëm por kjo kishte krijuar përçarje mes suljotëve. Ajo që është e rëndësishme në librin dëshmi të Konstantin Metaksa, Kujtime lufte për Pavarësinë e Greqisë, të cilën ia përktheu në frëngjisht dhe e botoi në Paris, miku i tij francez Jules Brancard, nën titullin Souvenirs de la guerre de l’Independance de la Grèce, ishte konstatimi historik i tij për Boçarin si shqiptar. Ja çfarë ka shkruar ndër të tjera ai:

«Të nesërmen e bisedës me Boçarin në Misolongj, Marko thirri gjithë kapitenët, oficerët dhe ushtarët suliotë në hyrjen e një shtëpie të madhe turke, duke u folur atyre në gjuhën e tyre shqipe dhe u mbajti një fjalim patriotik dhe shumë entusiazt. Ja një pjesë e fjalimit të tij: «Zemra po më plas kur shoh që bashkëpatriotët e mi më dyshojnë padrejtësisht dhe më largohen sikur unë dua t’i komandoj të gjithë. Përçarjet tona do të sjellin shkatërrimin e suljotëve dhe pikërisht këtë duan dhe armiqtë tanë. Ne e humbën atdheun tonë dhe duam të ndërtojmë një tjetër jetë, por duke qenë të përçarë ne s’do mund ta realizojmë këtë. Ne duhet ta ruajmë famën tonë ushtarake, por a mund ta ruajmë atë duke qenë të përçarë? Ne jemi të pakët në numur, por për shkak të famës që kemi, shumë të huaj po bashkohen me ne dhe lavdia e betejave tona na përket veçse neve. Kur të jemi të bashkuar ne do të krijojmë një trupë të vetme ushtarake: do të jemi suljotë! Ndërsa të përçarë ne do të detyrohemi të bashkohemi me të tjerë dhe emri suljot do të shuhet, duke qenë pastaj ndjekës të Iskos, Rhangos, e të tjerëve. Ne duhet të kujtohemi për atë që i detyrohemi tokës sonë dhe që mbajmë emrin e Sulit, emër që do ta ruajmë veç po të jemi të bashkuar. Ne mbajmë emrin e etërve tanë të vjetër që kanë luftuar gjithnjë kundër tiranëve për lirinë e tyre: unë emrin e Boçareve, ti, emrin e Xhavellave, ti tjetri atë të Zervës, të Fotomarës, të Danglis, dhe nëse jemi të përçarë dhe të shkruar në radhët e Plaputos, Kolokotroni, Iskos e të tjerë, nuk do arrijmë asgjë… Vëllezër, ne kemi detyrime ndaj vetvetes, ndaj nderit tonë, ndaj familjeve tona, ndaj famës ushtarake. Ç’dobi mund të kemi me përçarjet tona? Pra piksëpari duhet vllazërimi, besa mes nesh, çka është mënyra e vetme përmes të cilës ne mund të nderojmë atdheun tonë dhe të na bëjë njëkohësisht të dobishëm për lirinë e Greqisë. Bashkëpatriotët e mi! Unë nuk i kam kërkuar grada qeverisë dhe as jam emëruar kryekomandant, e megjithatë ju të gjithë, ashtu si dhe unë kjo gjë u është akorduar, pasi edhe ju e meritoni ashtu si dhe unë. Pra, për të provuar se unë nuk kam ndjenja egoizmi e ambicje, dhe se jam po ai Marko që ju e keni parë në luftë krah jush, unë po e gris para të gjithëve këtë diplomë të gjeneralit dhe ju betohem se nuk dua asnjë ofiq tjetër veç atë të të parëve të mi, çka e keni edhe ju. Ne jemi vëllezër dhe e kemi një gjë të përbashkët: Lavdinë dhe Nderin! Ja armiku që na pret! Ai është në fushën e betejës dhe ne duhet ta nderojmë veten me trimërinë tonë».

Duke folur kështu, Marko e grisi diplomën e gjeneralit. Fjalimi dhe akti i tij i bëri të tjerët të ngrijnë, duke iu mbushur sytë me lot. Të gjithë u ngritën menjëherë dhe përqafuan njëri-tjetrin. Duke marrë Xhavellën me vete, si dhe kapitenët e tjerë suljotë, Marko erdhi tek unë. Në sytë e mia kisha lotë gëzimi!…”

Më tej, Metaksa shkruante: «Kampi osman përbëhej nga turq dhe shqiptarë të Shkodrës, nga mirditasit. Gjuha, veshja dhe armët e tyre nuk ndryshonin fare nga ato të suljotëve. Marko Boçari dërgoi drejt kampit turk Nuçi Boçarin që të informoheshin për pozicionet e tyre. Dhe turqit nuk e kuptuan atë. Ai qëndroi mes tyre në datën 6 dhe 7 gusht. Kur e pyesnin, herë u thoshte se ishte thjeshtë shqiptar e herë se ishte çam. Në datën 8 gusht erdhi tek Marko dhe i tregoi për pozicionet e tyre. Marko më tha se do të sulmonte në datën 9 që pa u gdhirë… Ishte e pabesueshme kur pashë Vasil Gudhën, sekretarin e Markos, që erdhi dhe më dha lajmin e vrasjes së tij…»

Konstantin Metaksa përshkruan gjithashtu funeralin e Markos si dhe çastin kur Vasil Gudha kishte sjellë trupin e Markos, të cilin ai e kishte marrë në krahë. E motra e Markos, Maro, që ishte e martuar atje me një nga Agrafa, kërkoi që trupin e Markos ta vendosnin në shtëpinë e saj, që t’i bëheshin ritet e Sulit dhe më pas të çohej në kishën e madhe të qytetit për përshpirtjen e rastit. «Ne jemi mësuar me vdekje të tilla të mëdha, – i kishte thënë Maro, – sepse sapo kemi ardhur në këtë botë ne kemi dëgjuar nga etërit dhe vëllezërit tanë veç për luftra dhe vdekje. Sa keq! Ky ishte dhe fati i të mjerit Marko! – dhe ajo ishte shembur me lot mbi trupin e tij. Metaksa kishte dhënë urdhër të qëllonin topat me 37 të shtëna, një për çdo vit të jetës së heroit suljot… Vdekja e Markos kishte prekur gjithë Greqinë dhe tronditi Europën humaniste që priste çlirimin e Greqisë.

Siç del nga teksti i këtij libri, pra nga dëshmia e një personaliteti të Greqisë së re të asaj kohe, është se në fjalimin e tij, Marko fliste për atdheun e tij dhe se lufta e tyre do të kontribuonte njëkohësisht dhe për lirinë e Greqisë. Përkatësinë shqiptare të Sulit e thekson dhe konsulli francez Pouqueville ku ndër të tjera ai shkruante: “Republika e Sulit rreth vitit 1660 përbëhej nga katër fshatra: Suli ose Kakosuli, Qafa, Avariko dhe Samoniva, fshatra këto me regjime të veçanta që ndiqnin traditat e lashta të shqiptarëve, duke u ndarë në klane apo në fise. Në fillim, Suli përbëhej nga 19 fise, Qafa nga 5 fise, Avariko nga 3 dhe po aq edhe Samoniva. Gjatë dyzet vjetëve popullsia u shtua me 7 fshatra të reja… Shqiptari kristian i Sulit ka shtat mesatar, zë të fortë si të shqipes, ecje të prerë e të shkathët…. Tuqididhi thotë se epirotët e mësuan gjuhën greke nga ambrasiotët që ishin fqinj të tyre, provë kjo që dikur këtu jetonin në Epir…”

Përfaqësuesi i Anglisë pranë Ali Pashës, koloneli Martin Leake, i cili i vizitoi këto vende në vitet e para të shekullit XIX shkruante se „Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare“. Vallë, këto dëshmi të hershme të para dy shekujve a janë shkruar apo referuar në tekstet e historisë që përdoren sot në shkollat dhe universitetet greke? Diçka të tillë ende nuk e kemi parë. Por sidoqoftë, siç mund të pikasim nga historia e kësaj periudhe, historia suljote por dhe ajo e arvanitasve të ngulitur prej shekujsh në Greqi, është një histori që duhet të na bashkojë me grekët e sotëm si partnerë të një historie të re në rrjedhat e proçeseve integruese europiane dhe të një ardhmërie të përbashkët.