Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Bisedë e shkurtër në aeroport

Ky shënim lindi nga një bisedë e shkurtër në aeroport me një zonjë simpatike, punonjëse e administratës, e cila, me dashamirësinë e njeriut që duket se është pajtuar disi me fatin e gjërave në Shqipëri, më sugjeroi të lija Task Force-n për një program me histori të bukura, pozitive shqiptarësh që ia kanë dalë në diasporë. “Mizerja do shoqëri”, më tha. “Ti ke tjetër frekuencë”. Madje më shpjegoi se kish diskutuar edhe me koleget e saj këtë temë, pasi kishin hequr dorë nga ndjekja e programeve politike dhe atyre me “energji negative”.

Nuk pata kohë t’i gjegjesha gjatë, sepse disa sqarime kërkojnë më shumë se një bisedë kalimtare. Kjo është përgjigjja që i mbeta borxh zonjës së këndshme, mikeshave dhe kolegeve të saj, si dhe disa intervistave të kohëve të fundit.

Kohët janë nazike.

Ka kohë kur optimizmi është virtyt, siç vijnë kohë kur “pozitiviteti” shndërrohet në mënyrë elegante e finoke për të shmangur atë që s’duhet shfaqur.

Historitë e bukura, të njerëzve pozitivë, të suksesshëm, të arrirë na duhen. Njerëzit që ia dalin në rrethana të pamundura na duhen edhe më shumë.

Mirëpo ekziston një ngasje për disa. Kur realiteti bëhet i vrazhdë, ngjiten një kat më lart dhe vështrojnë nga ai pozicion i epërm. Prej s’andejmi situata ngjan më e rregullt, më idilike, përzgjidhen njerëzit e arrirë, historitë frymëzuese, talenti që gjen rrugën, puna që shpërblehet. Të gjitha këto janë të vërteta. Patjetër janë.

Por e vërteta ka një ves të pakëndshëm dhe trazovaç pasi nuk pranon të tregohet veç nga këndi ku ngjan romantike, e hijshme, me sqimë.

Mu këtu zë fill përgjegjësia e gazetarit dhe intelektualit. Jo për të kultivuar zymtësinë, por për të mos e ngatërruar optimizmin dhe pozitivitetin me përzgjedhjen delikate e të porositur të copëzave të realitetit.

Shpresa është një e mirë publike.

Por shpresa nuk është anestezi.

Nuk është “shërim” as të kërkuarit e dritës dhe të kthyerit e shpinës nga errësira. Sidomos kur errësira nuk është humori i keq i ditës, por simptomë e gjatë e një shoqërie të lodhur, të polarizuar, të traumatizuar dhe me një raport gjithnjë e më të ndërlikuar me meritën, drejtësinë dhe mundësinë për t’ia dalë.

Na lumturojnë shqiptarët që ia dalin nëpër botë. Pas sakrificash, mundimesh, sforcosh për të kundërpeshuar avantazhet e vendasve. Por është një gjë të tregosh historinë e atyre që triumfojnë në një sistem ku konkurrenca është e fortë, ama rregullat janë të njohura…dhe krejt tjetër, shumë më e vështirë (ndoshta shumë më e nevojshme) të tregosh historinë e atyre që në të tjera kushte do kishin shkëlqyer, por zgjodhën të jetojnë në një vend ku distanca nga pushteti përcakton edhe distancën nga mundësia.

Largimi i qëllimshëm nga “energjia negative” e ditës mund të jetë një zgjedhje e shëndetshme për individin. Por për gazetarin dhe intelektualin e vërtetë ky është siklet, pështjellim, parehati, sepse e ka të pamundur t’i qendrojë tangent gjendjes shpirtërore të shoqërisë. Mezi pret të kalojë përmes saj, ta kuptojë, ta artikulojë, t’i japë emër asaj që njerëzit ndiejnë, por nuk dinë a s’duan ta thonë.

Pozitiviteti është i çmuar. Por kur lokalizohet vetëm aty ku jeta funksionon në mënyrë selektive, rrezikon të mos jetë më shpresë.

Në kohë të qeta mund të mjaftojë të tregosh çfarë funksionon.

Ama në kohë krize si këto që përjetojmë, zhytur në korrupsion, kriminalizim qelizor të shoqërisë, me konkurencë të përçudnuar, nën presion propagande, përçarje të siluruar, duhet të kesh kurajën të pyesësh pse kaq shumë gjëra nuk funksionojnë dhe pse shumë të talentuar e mendjendritur nuk ia dalin.

E gjitha kjo prodhon energji negstive, ndaj “të qëndrosh larg saj” është një këshillë e mirë për meditim a argëtim fundjave. Jo domosdoshmërisht një filozofi e mirë publike, sepse përzgjedhja e bisedave të bukura, frymëzuese në kohë kolere nuk “shëron”. Na qetëson e argëton sigurisht. Qetësimi është i çmuar. Por qetësimi dhe shërimi nuk janë e njëjta gjë, i pari mund ta ulë dhimbjen, por nuk e kuron dot shkakun e saj si i dyti.

Gazetari nuk është i detyruar ta mbajë shoqërinë pareshtur para pasqyrës së plagëve të veta. Por as nuk mund ta zhvendosë gjithnjë pasqyrën aty ku reflektimi është më i bukur, më entuziast, steril ndaj “ndotjes” morale, ekonomike e politike të shoqërisë vënë përfund nga një pushtet i krimbur në bashkëpunim me të pashtyllët kurrizorë.

E njoh edhe argumentin tundues se e gjithë bota është në krizë, se ne nuk kemi gjithçka në dorë, se njerëzit janë lodhur e u duhet dhënë pak qetësi. Le të “shqyhen” me politikë ata që duan, por të tjerët le të qeshin. Le të dëgjojnë një rrëfim të bukur suksesi, një bisedë që nuk ua shton ankthin.

Patjetër na duhen të gjitha këto. Njeriu nuk mund të jetojë njëzet e katër orë nën peshën e diagnozës së vendit të vet. Shpirti ka nevojë për një shteg drite. Ama ai shteg nuk mund të vlejë edhe si dalje emergjence nga rrënimi shoqëror e intelektual.

Bota mund të ndajë të njëjtën stuhi krizash me ne, por jo të gjitha shtëpitë kanë të njëjtën çati. Ka kriza globale, ka kriza brezash, siç ka edhe shformime krejt lokale, institucione që nuk funksionojnë njësoj për të gjithë, meritë që përplaset me klientelizmin, mundësi që varen nga aftësia patronazhuese, një popull që humbet me ritme të egra njerëz të mençur e të talentuar dhe bashkë me ta edhe besimin se mund t’ia dalësh këtu.

Madje vetë pozitiviteti mund të krijojë pabarazinë e vet, nëse tregojmë vetëm ata/ato që ia dolën jashtë vendit, ata që patën kushtet, rrjetin, mundësinë apo fatin të konkurrojnë në sisteme ku rregullat funksionojnë.

Por çfarë po u themi atyre që mbetën këtu duke u përplasur çdo ditë me rregulla që ndryshojnë sipas emrit, njohjes, afërsisë me epiqendrën e pushtetit, filozofisë bukë e cirk? Që problemi i tyre është se nuk mendojnë mjaftueshëm pozitivisht? Se nuk meditojnë sa duhet? Se janë përtacë? Se nuk janë praktikë, lojtarë, oportunistë, servilë? Se duhet të mësojnë të jenë të padëmshëm për pushtetin?

Njerëzit kanë nevojë edhe për zëra që i kuptojnë, që i ndihmojnë të dallojnë pesimizmin nga dëshpërimi, negativitetin nga denoncimi, ankesën nga simptoma.

Imagjinoni një mjek që refuzon të shohë radiografinë për të ruajtur energjinë pozitive të pacientit! Mund të ngjajë njeri shumë i këndshëm, popullor e pozitiv. Veçse po e merr në qafë pacientin e vet.

Shqipërisë sot i duhen edhe rrëfimet nga ata që kanë kurajën të tregojnë pse ka kaq shumë histori që nuk po dhezin, të talentuar që nuk po ia dalin, mendje të ndritura që nuk kanë dot qasje në sukses, intelektualë të shkurajuar, të rinj të shkëlqyer, që duan të largohen me çdo kusht.

Lum kush e kupton. Lum kush nuk mashtron veten. Lum kush ia del të ulet në katin ku gjallon jeta e vërtetë e shqiptarëve jashtë rrethit të influencës, sepse e vërteta që kërkon pa u stepur rrugëdalje është shërim si për atë që e thotë, si për atë që e dëgjon.