Ramiz Lushaj: KOSOVA DARDANE NUK KA KOHË PËR TË HUMBUR
(Analizë dhe Platformë për Stabilitetin Institucional, Sigurinë, Unitetin Politik dhe të Ardhmen Euroatlantike të Republikës së Kosovës)
Republika e Kosovës dardane ndodhet në një moment tejet të vështirë që kërkon përgjegjësi të jashtëzakonshme politike, institucionale dhe kombëtare, edhe nga faktorët shtetërorë, politik, juridik e të sigurisë së përgjithshme të vet Kosovës, edhe nga faktorët ndërkombëtarë: OKB, BE, NATO, etj.
Vërtetë nuk është koha për panik, por, po aq, nuk është koha për të nënvlerësuar rreziqet.
Kosova po përballet njëkohësisht me dy sfida që, nëse vazhdojnë të ushqejnë njëra-tjetrën, mund të krijojnë pasoja shumë më serioze se secila prej tyre veçmas: 1.- Krizën e zgjatur të funksionimit instituional të brendshëm dhe 2:- pasigurinë e vazhdueshme strategjike në raport me Serbinë dhe zhvillimet rajonale.
Në tetëmbëdhjetë muajt e fundit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë thirrur tri herë në zgjedhje parlamentare: në shkurt 2025, në dhjetor 2025 dhe më 7 qershor 2026. Vetë Bashkimi Europian ka nënvizuar se proceset zgjedhore kanë qenë paqësore dhe konkurruese, por se zgjedhjet e përsëritura nuk kanë arritur ende të prodhojnë qëndrueshmërinë institucionale që qytetarët presin nga dhënia e votës së tyre, nga institucionet e larta të Republikës së Kosovës: Presidenca-Parlamenti-Qeveria, Gjykata Kushtetuese etj.; nga partitë politike të Pozitës dhe të Opozitës etj.
Kjo duhet të jetë kambanë alarmi për të gjithë në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj:
1.- Sepse Demokracia nuk matet vetëm me aftësinë për të organizuar zgjedhje. Demokracia matet edhe me aftësinë për të prodhuar institucione, përgjegjësi, qeverisje, kompromis dhe stabilitet.
2.- Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht në një cikël: Zgjedhje – Bllokim – Krizë – Zgjedhje të reja – Bllokim të ri. Ky cikël duhet të marrë fund në Republikën e Kosovës. Sa ma shpejt edhe ma mirë. Sa ma vonë edhe ma keq.
Partitë politike të Republikës së Kosovës nuk kanë pse të kthehen në armik të vetvetes, as të krijojnë armiqësi politike me njëra-tjetren, as të përbëjnë rrezik institucional për aktualitetet e ardhmëritë e Republikës së Kosovës, as të krijojnë e të prodhojnë kriza të tilla të ztërgjatura antidemokratike, antiekonomike, antishtetërore, kundërshqiptare, duke e rrezikuar vetveten dhe paraqitë terrene për veprimtarime kërcenuese e shantazuese të shumllojshme për shtete e forca/faktorë kundërshqiptarë në Beograd, Moskë, etj.; për të krijuar probleme për rajonin ballkanik, euroatlantik, paqen e sigurinë globale.
I.- KRIZA INSTITUCIONALE NË KOSOVË
NUK ËSHTË MË VETËM PROBLEM PARTIAK
Këto që po ndodhin për një periudhë të gjatë kohore në Republikën e Kosovës, me bllokimet politike, mund të perceptohen si pjesë e konkurrencës së zakonshme demokratike. Por kur një vend kalon nga një proces zgjedhor në tjetrin për pa arritë të krijojnë stabilitet funksional, problemi ndryshon natyrë.
Ai fillon të prekë vet shtetin.
Kriza e zgjatur institucionale në Republikën e Kosovës po krijon pasoja në shumë drejtime: dobësime të aftësisë vendimmarrëse; ngadalësime të reformave; dëmtim në rritje të besimit të qytetarëve; vështirësime të diplomacisë kosovare; ndikime të shumanshme mbi ekonominë; dobësime në pozitën negociuese ndërkombëtare; dhe, mbi të gjitha, po krijon në shtetin e vet dhe tek ndërkombëtarët perceptimin e një shteti që merret më shumë me vetveten sesa me sfidat që e rrethojnë sot shtetin e ri, të pavarur, euroatlantik të Kosovës dardane.
Bashkimi Europian e ka artikuluar tashmë shqetësimin në mënyrë të pazakontë për nga qartësia: qytetarët e Kosovës kanë votuar dhe tani është koha që politika të qeverisë.
Bashkimi Europian ka theksuar gjithashtu se gjykatat kushtetuese mund të zgjidhin mosmarrëveshje juridike, por nuk mund ta zëvendësojnë udhëheqjen politike dhe kompromisin ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.
Ky është mesazhi i qartë që duhet dëgjuar mirë në Prishtinë. Jo sepse e thotë Brukseli. Por sepse këtë e kërkon interesi i vetë Republikës së Kosovës.
II.- KOSOVA NUK DUHET TA SHOHË ÇDO MOSMARRËVESHJE
SI BETEJË EKZISTENCIALE
Një nga problemet e politikës ballkanike është se konfliktet partiake shpesh paraqiten si beteja për jetë a vdekje. Kjo kulturë politike duhet kapërcyer në Republikën e Kosovës.
Pozita nuk është armike e Opozitës.
Opozita nuk është armike e shtetit.
Ndërrimi i pushtetit është normalitet demokratik. Kompromisi nuk është tradhti. Dialogu nuk është dobësi.
Tërheqja nga një pozicion maksimalist, kur kjo i shërben funksionimit të shtetit, nuk është humbje.Përkundrazi, aftësia për të bërë kompromis kur kërkohet nga interesi publik është shenjë e pjekurisë demokratike.
Kosova sot ka nevojë për më pak ultimatum politik dhe më shumë shtetari.
III.- RREZIKU NGA SERBIA
DUHET VLERËSUAR ME MATURI, JO ME PANIK
Serbia e Vuçiçit vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve mbetet ende i pazgjidhur. Pak dritë po duket në horizont.
Bashkimi Europian vazhdon ta konsiderojë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kusht thelbësor për të ardhmen europiane të të dyja vendeve euro-ballkanike
Por analiza serioze kërkon që të bëjmë edhe një dallim thelbësor: Tensioni strategjik nga Serbia, në mes Serbisë e Kosovës, nuk do të thotë domosdoshmërisht se një sulm ushtarak prej Serbisë është i afërt ose i pashmangshëm.
Në qershor 2026, NATO deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë ishte përmirësuar në atë masë sa të lejonte një optimizim gradual të pranisë së KFOR-it gjatë vitit pasues. Njëkohësisht, NATO ka theksuar qartë se KFOR-i mbetet plotësisht i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Ky është një fakt pozitiv. Por nuk është arsye për vetëkënaqësi.
Siguria moderne nuk matet vetëm me probabilitetin e një lufte konvencionale. Ajo përfshin: presion politik; provokime; operacione hibride; dezinformim; sulme kibernetike; ndikim mbi komunitetet; financime të paligjshme; provokime lokale;
krim të organizuar; dhe përpjekje për të dëmtuar besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit.
Prandaj, Kosova, shteti i saj, politikanët e saj, duhet të jenë vigjilentë, po pa qenë alarmistë.
IV.- DOBËSIA E BRENDSHME ËSHTË GJITHMONË DHURATË PËR KUNDËRSHTARIN
Historia ndërkombëtare jep një mësim të thjeshtë: shtetet janë më të cenueshme kur institucionet e tyre janë të përçara. Prandaj, sfida më urgjente e Republikës së Kosovës nuk është vetëm se çfarë mund të bëjë Serbia.
Pyetja është gjithashtu: Sa e bashkuar, sa funksionale dhe sa e koordinuar është Republika e Kosovës përballë çdo skenari?
Një shtet me institucione funksionale, partneritete të forta ndërkombëtare, polici profesionale, sistem të besueshëm të drejtësisë, ekonomi të qëndrueshme dhe konsensus politik për çështjet themelore kombëtare është shumë më i vështirë për t’u destabilizuar.
Për këtë arsye, funksionalizimi i institucioneve në Republikën e Kosovës nuk është vetëm çështje kushtetuese. Është edhe çështje sigurie kombëtare.
V.- DUHET NJË PAKT MINIMAL SHTETËROR POZITË–OPOZITË
Kosova nuk ka nevojë që partitë të bien dakord për gjithçka.
Një demokraci pa dallime nuk është demokraci.
Por Kosovës i duhet urgjentisht një minimum kombëtar i përbashkët.
Pozita dhe opozita duhet të arrijnë marrëveshje për disa çështje që nuk duhet të ndryshojnë me rotacionin politik: sovraniteti; integriteti territorial; rendi kushtetues; partneriteti me SHBA-në; marrëdhënia strategjike me NATO-n; procesi i integrimit në Bashkimin Evropian; mbrojtja e komuniteteve; dialogu me Serbinë; politika kombëtare e sigurisë; dhe kundërshtimi i çdo tentative për destabilizimin e Republikës.
Për këto çështje Kosova duhet të ketë politikë shtetërore, jo thjesht politikë qeveritare.
VI.- NJË TRYEZË E PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE
Ne propozojmë që Presidentja e Republikës së Kosovës, ose një institucion tjetër me legjitimitet kushtetues gjithëpërfshirës, të nxisin një: TRYEZË TË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE PËR KOSOVËN.
Në të duhet të marrin pjesë drejtuesit e forcave kryesore parlamentare. Jo për të krijuar medoemos një qeveri uniteti. Jo për të fshirë opozitën. Jo për të mbyllur debatin.
Por për të përcaktuar se cilat janë vijat që asnjë qeveri dhe asnjë opozitë nuk duhet t’i kalojë kur bëhet fjalë për interesin e Republikës.
Një dokument prej pesë apo dhjetë pikash, që do e publikojë edhe më poshtë, në vijim të analizës tonë, i nënshkruar nga drejtuesit kryesorë politikë të Republikës së Kosovës, do të kishte ndikim jashtëzakonisht pozitiv edhe jashtë Kosovës.
Do t’iu tregonte partnerëve perëndimorë se, pavarësisht përplasjeve politike, Kosova di të bashkohet kur preket interesi kombëtar i saj.
VII.- SHBA, NATO dhe BE:
TRI SHTYLLA QË DUHET TË FORCOHEN
Republika e Kosovës duhet ta ruajë me shumë kujdes kapitalin më të rëndësishëm ndërkombëtar që ka ndërtuar që nga çlirimi (1999) dhe pavarësia e saj (2008): aleancat e saj.
1.- Raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të trajtohet si pasuri strategjike kombëtare.
2.- Marrëdhënia me NATO-n duhet të thellohet.
3.- Procesi i integrimit europian duhet të kthehet në një objektiv mbi-partiak.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka theksuar në Prishtinë se Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, dhe se integrimi europian duhet të jetë prioritet përtej ndarjeve politike.
Ky orientim përputhet plotësisht me interesin strategjik të Republikës së Kosovës, e cila duhet të sillet gjithmonë si një aleat i parashikueshëm dhe i besueshëm.
Çka, kjo nuk do të thotë të mos mbrojë interesat e saj. Përkundrazi: Do të thotë t’i mbrojë ato me inteligjencë të lartë e të qartë diplomatike.
VIII.- DIALOGU ME SERBINË DUHET TË JETË ÇËSHTJE SHTETI
Një nga dobësitë më të mëdha që mund të ketë Kosova është që dialogu me Serbinë të shndërrohet në një luftë të brendshme shqiptare.
Qeveria dhe Opozita mund të kenë pikëpamje të ndryshme për taktikat, por duhet të ndërtojnë konsensus për objektivat.
Republika e Kosovës duhet të hyjë në çdo fazë të dialogut me një platformë të qartë: çfarë mund të negociohet; çfarë nuk mund të negociohet; cilat janë garancitë kushtetuese; cilat janë interesat e komuniteteve; cilat janë objektivat ndërkombëtare; dhe cili është rezultati që kërkon Republika e Kosovës.
Një ekip negociator që ka mbështetje të gjerë kombëtare është shumë më i fuqishëm se një ekip që negociohet njëkohësisht edhe në Bruksel, edhe në Prishtinë, kundër opozitës së vet.
IX.- VERIU DUHET FITUAR EDHE ME SHTET, EDHE ME BESIM
Sovraniteti ushtrohet me ligj. Por stabiliteti afatgjatë fitohet edhe me besimin e qytetarëve.
Në komunat me shumicë serbe, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të pranishme, profesionale dhe të barabarta për të gjithë. Çdo qytetar serb i Kosovës që pranon rendin kushtetues duhet ta ndjejë se Republika e Kosovës është edhe shteti i tij. Ky nuk është lëshim. Është forcë shtetërore.
Republika e Kosovës fiton shumë më tepër kur komuniteti serb lokal e sheh Prishtinën si institucion që garanton të drejtat dhe sigurinë e tij sesa kur Beogradi arrin ta monopolizojë përfaqësimin e këtij komuniteti.
X.- SIGURIA KIBERNETIKE DHE LUFTA KUNDËR DEZINFORMIMIT
Republika e Kosovës duhet të ndërtojë një strukturë shumë më të fuqishme kundër luftës hibride.
Në shekullin XXI, një shtet mund të destabilizohet pa kaluar asnjë tank kufirin.
Mjafton: një sulm i madh kibernetik; një fushatë dezinformimi; një lajm i rremë për konflikt ndëretnik; një video e manipuluar; një operacion për të shkaktuar panik;
ose një ndërhyrje në sistemet kritike.
Prandaj, siguria kibernetike, edukimi mediatik dhe komunikimi strategjik shtetëror duhet të trajtohen si pjesë e mbrojtjes kombëtare.
XI.- SHQIPËRIA KA NJË PËRGJEGJËSI TË VEÇANTË
Republika e Shqipërisë nuk duhet të ndërhyjë në politikën partiake të Kosovës.
Por Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një prej mbështetësve më të rëndësishëm natyrorë të Kosovës.
Tirana dhe Prishtina duhet të kenë konsultime të rregullta dhe të institucionalizuara për: 1.- sigurinë rajonale; 2.- diplomacinë; 3.- mbrojtjen civile; 4.- infrastrukturën strategjike; 5.- energjinë; 6.- sulmet kibernetike; 7.- integrimin euroatlantik; dhe koordinimin në organizatat ndërkombëtare.
Dy shtetet shqiptare duhet të tregojnë se koordinimi i tyre nuk drejtohet kundër askujt.
Ai drejtohet në favor të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit.
XII. DIASPORA,
NJË FUQI QË ENDE NUK SHFRYTËZOHET SA DUHET
Kosova dhe Shqipëria kanë një diasporë të jashtëzakonshme.
Në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Zvicër, Austri, Mbretëri të Bashkuar, Itali, Francë, Belgjikë, dhe vende të tjera jetojnë qindra mijëra shqiptarë me ndikim ekonomik, akademik, politik dhe shoqëror.
Kjo fuqi duhet të organizohet më mirë.
Republikës së Kosovës i duhet një Diplomaci e Dytë: Diplomacia Qytetare.
Akademikët, biznesmenët, shoqatat, personalitetet kulturore, juristët, gazetarët dhe të rinjtë shqiptarë në botë mund të komunikojnë drejtpërdrejt me parlamentet, universitetet, mediat dhe opinionin publik të vendeve ku jetojnë prej vitesh, dekadash, shekujsh.
XIII.- EKONOMIA ËSHTË PJESË E SIGURISË KOMBËTARE
Një shtet i dobët ekonomikisht është më i cenueshëm politikisht.
Prandaj siguria e Republikës së Kosovës nuk mund të reduktohet vetëm te policia dhe ushtria.
Republkika e Kosovës duhet të luftojë largimin e të rinjve. Duhet të krijojë vende pune. Duhet të nxisë investimet e Diasporës. Duhet të forcojë energjinë. Duhet të investojë në arsim dhe teknologji. Duhet të krijojë një administratë efikase.
Një qytetar që sheh perspektivë në vendin e vet është pjesë e qëndrueshmërisë kombëtare.
XIV.- ROLI I PRESIDENTIT, KUVENDIT DHE I PARTIVE
Institucionet kushtetuese duhet të bëjnë çdo përpjekje që situata të mos kalojë nga krizë politike në krizë besimi.
1.- Presidentja duhet të jetë pikë takimi institucional.
2.- Kuvendi duhet të jetë vendi i kompromisit demokratik.
3.- Qeveria duhet të qeverisë.
4.- Opozita duhet të kontrollojë.
5.- Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë Kushtetutën.
Asnjë prej këtyre institucioneve nuk duhet të përpiqet të zëvendësojë tjetrin.
Kjo është Demokracia Funksionale.
Kjo është ajo çka po i duhet ma së shumti Republikës së Kosovës në këto vitet e fundit, drejt ardhmërisë së saj.
XV.- NJË MOMENT I RI DIPLOMATIK, MË 1 SHTATOR 2026
Pikërisht, më 1 shtator 2026, detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian për Kosovën do ta marrin diplomati gjerman Dirk Schübel, i emëruar nga Këshilli i BE-së, më 13 korrik 2026, për një mandat fillestar dyvjeçar.
Mandati i tij përfshin stabilitetin demokratik, prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e komuniteteve dhe mbështetjen e dialogut Beograd-Prishtinë.
Ky është një moment që Republika e Kosovës duhet ta shfrytëzojë. Jo duke pritur që diplomati i huaj të zgjidhë problemet e brendshme. Por duke i paraqitur atij një Kosovë që di çfarë kërkon.
XVI.- DHJETË VEPRIME QË DUHET TË NDËRMERREN NGA REPUBLIKA E KOSOVÇS PA HUMBUR KOHË
1.- Funksionalizimi sa më i shpejtë kushtetues i institucioneve të Republikës së Kosovës.
2.- Thirrja e një Tryeze të Përgjegjësisë Shtetërore pozitë–opozitë.
3.- Miratimi i një Platforme të Përbashkët Kombëtare për çështjet e sovranitetit dhe sigurisë.
4.- Koordinim i përhershëm institucional me SHBA-në, NATO-n, KFOR-in dhe BE-në.
5.- Hartimi i një platforme shtetërore për dialogun me Serbinë.
6.- Fuqizimi i sigurisë kibernetike dhe mekanizmave kundër dezinformimit.
7.- Intensifikimi i koordinimit strategjik Kosovë–Shqipëri.
8.- Aktivizimi diplomatik i diasporës shqiptare.
9.- Një strategji e posaçme ekonomike dhe sociale për komunat veriore dhe komunitetet jo-shumicë.
10.- Vendosja e interesit të Republikës mbi interesin elektoral të çdo partie.
XVII.- ÇFARË NUK DUHET BËRË
Republika e Kosovës nuk duhet: 1.- të izolohet nga aleatët; 2.- të përdorë retorikë që krijon panik; 3.- të shndërrojë kundërshtarin politik në armik kombëtar; 4.-të çojë pafund vendin drejt zgjedhjeve pa perspektivë kompromisi; 5.- të zhvillojë politika të sigurisë për konsum elektoral; 6.- të krijojë përplasje të panevojshme me partnerët ndërkombëtarë; 7.- ose t’i japë Beogradit mundësinë që dobësitë e brendshme të Prishtinës t’i përdorë në favor të vet.
XVIII.- MESAZH PËR SERBINË
Republika e Kosovës duhet të jetë e qartë: ajo kërkon paqe. Kërkon normalizim. Kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore.
Por paqja nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e realitetit të Kosovës, mbi destabilizimin, frikësimin apo ndërhyrjen në rendin e saj kushtetues.
Kosova duhet t’i përgjigjet çdo sfide me ligj, diplomaci, aleanca dhe institucione të forta.
Jo me aventurizëm. Jo me frikë.
XIX.- MESAZH PËR PARTNERËT NDËRKOMBËTARË
Republika e Kosovës ka nevojë për një angazhim të vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Por edhe partnerët ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë se stabiliteti afatgjatë i Ballkanit nuk mund të ndërtohet duke trajtuar çdo krizë vetëm pasi ajo shpërthen.
Prandaj:
1.- Duhet diplomaci parandaluese.
2.- Duhet luftë kundër dezinformimit.
3.- Duhet mbështetje për zhvillimin ekonomik.
4.- Duhet perspektivë e besueshme euroatlantike.
5.- Dhe duhet një proces normalizimi që prodhon siguri reale për qytetarët, jo thjesht dokumente diplomatike.
XX.- NJË THIRRJE PËR KLASËN POLITIKE TË KOSOVËS
Me patjetër, Politikanët e Republikës së Kosovës, duhet ta pyesin veten: Çfarë do të thotë historia për ne nëse, për shkak të pamundësisë për kompromis, e humbëm një periudhë të çmuar për forcimin e shtetit?
1.- Asnjë post nuk është më i madh se Republika.
2.-Asnjë parti nuk është më e madhe se Kosova.
3.- Asnjë mandat nuk është më i rëndësishëm se siguria dhe e ardhmja e qytetarëve.
Kosova, shteti i saj, rrugëtimi e ardhmëria e saj, është ndërtuar me shumë sakrifica. 1.- Ajo ka miq. 2.- Ka institucione. 3.- Ka një shoqëri demokratike. 4.- Ka një diasporë të fuqishme. 5.- Ka partneritet me botën euroatlantike. 6.- Ka potencial të madh njerëzor.
Prandaj Republika e Kosovës nuk është shtet pa rrugëdalje. Përkundrazi. Por duhet të përdorë me mençuri atë/ato që ka në truallin e vet shqiptar, ballkanik, euroatlantik; në përvojat e shtetbërjes së saj, në rrugëtimin e vet nga pushtimi në liri, nga lufta në paqe, nga e djeshmja drejt të sotmes, drejt të ardhmes.
PËRFUNDIM:
KOSOVA NUK KA KOHË PËR TË HUMBUR
Problemi më i madh i Republikës së Kosovës sot nuk është se nuk ka zgjedhje. Përkundrazi. Ka pasur mjaft zgjedhje.
Problemi është që:
1.- Vota duhet të shndërrohet në institucione.
2.- Institucionet duhet të shndërrohen në qeverisje.
3.- Qeverisja duhet të shndërrohet në zhvillim. 4.-Dhe politika duhet të shndërrohet në shtetari.
4.- Nuk duhet të presim që kriza të bëhet më e madhe për të kërkuar unitet, prandaj duhet që uniteti duhet ndërtuar përpara krizës.
5.- Nuk duhet të presim që një kërcënim të bëhet realitet për të forcuar sigurinë, prandaj duhet që Siguria të ndërtohet përpara kërcënimit.
6.- Nuk duhet të presim që aleatët të na kërkojnë kompromis, por duhet ta bëjmë kompromisin kur ai i shërben Republikës.
Republika e Kosovës ka nevojë sot për mendje të ftohtë, zemër të fortë dhe përgjegjësi kombëtare.
Pozita dhe opozita do të vazhdojnë të konkurrojnë.
Kështu duhet të jetë. Por mbi to duhet të qëndrojë diçka që nuk ndryshon me zgjedhjet: REPUBLIKA E KOSOVËS.
Prandaj thirrja jonë është e mbetet e thjeshtë: Bashkohuni kur është fjala për shtetin. Debatoni për mënyrën e qeverisjes. Konkurroni për votën. Por mos konkuroni me sigurinë dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Kosova dardane nuk ka kohë për të humbur. Koha për shtetari është tani. Pikërisht tani. Nesër është vonë.
Tiranë, 11 gusht 2026.