Nga rrënjët e letërsisë te gazetaria globale: Një bisedë me gazetaren poliglote Rafaela Prifti
Bisedoi: Raimonda Moisiu –SADE
Kur je bija e Mjeshtrit të madh të tregimit shqiptar, dhe një kolosi të letrave shqipe si Naum Prifti, fjala e shkruar është pjesë e kodit tënd gjenetik.Të rritesh në një mjedis ku fjala ka peshën e historisë dhe artit është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Vajza e shkrimtarit tonë të shquar, Naum Prifti, mbart me vete jo vetëm trashëgiminë e vyer të të atit, por edhe një profil të spikatur intelektual që shkëlqen me dritën e vet. Gazetare poliglote, eseiste dhe analiste me një penë të mprehtë, Rafaela Prifti lëviz me lehtësi dhe elegancë absolute midis gjuhës shqipe dhe asaj angleze, duke shkruar artikuj, kolona dhe analiza që prekin thellësisht çështjet tona kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Rafaela Prifti ka ditur të gdhendë profilin e saj unik në botën e medias, si një gazetare poliglote e profileve të larta, ajo reflekton një kulturë të gjerë perëndimore dhe një zotërim brilant të ligjërimit në të dyja anët e Atlantikut. Artikujt dhe kolonat e saj në anglisht dhe shqip janë dëshmi e një mendjeje analitike që analizon me saktësi realitetet tona. Përmes një komunikimi që kapërcen kufijtë kulturorë, sfidat e gazetarisë dygjuhëshe dhe kujtimet e vyera që ushqejnë rrugëtimin e saj professional, -Rafaela Prifti mbetet një zë i fuqishëm dhe i respektuar i Diasporës shqiptare në SHBA.
Në këtë bisedë, Rafaela ndalet veçanërisht te burrat e shquar të familjes Prifti — Peter dhe Naum Prifti. Përmes kujtimeve të saj, ajo shpërfaq arkivën e tyre të pasur krijuese, të mbushur me dorëshkrime të rralla, letra historike dhe libra specifikë, duke e ndriçuar atë si një thesar me vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Njëkohësisht, ajo sjell në dritë profilet e personaliteteve të mëdha historike që kanë përfaqësuar ndër vite Federatën “Vatra” dhe gazetën “Dielli”. Ne dhe ju do të njihemi me Rafaelën përtej rreshtave të saj mediatikë: pasionin për të vërtetën, sfidat e të shkruarit në dy gjuhë dhe amanetin kulturor që mbron çdo ditë.
Si ka filluar rrugëtimi yt në gazetari?
Rafaela Prifti: Po të kthehem pas tek studimet universitare në Fakultetin Gjuhë Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës në 1986-1990, them se ishte vijimësi e pritshme të shkoje në fushën e gazetarisë. Ashtu ndodhi edhe për mua, veçse me disa “zig-zage”. Për një kohë të shkurtër, hyra në gazetën e sapo hapur 24 orë. Megjithatë ‘gravitacioni’ duhet te ketë anuar nga sfera krijuese për shkak se shumë shpejt, pas shpalljes së një konkursi nga Kinostudio 1991, hyra në kursin e skenaristëve, ku kishte edhe të sapo-diplomuar nga dega e anglishtes, bashkë me talente të rinj të studios. Sipas gjasave pritej prurje e freskët e reformuar me skenaristë, regjisorë, drejtorë fotografie etj. Por era e ndryshimeve, që kishte nisur të frynte ishte sa shpresëdhënëse, aq edhe çorientuese për Shqipërinë sepse ndërsa e vjetra po binte, e reja e shumëpritur nuk dinte nga të shkonte. Fondet e Kinostudios të kishin qenë shterur dhe ato të një reje që nuk dihej nga do vinin, sollën që kursi disamujor të shkrihej pa filluar kurrë.
Ndërkohë hapeshin mundësi të tjera, gjë që ndodh në çdo kohë, por, për atëherë, ishte një kapërcim i madh. Xhaxhai im nga Amerika Peter Prifti më njoftoi për mundësinë e arsimimit pasuniversitar me bursën prestigjioze Fulbright, të ofruar për studentët e diplomuar shqiptarë përmes Ambasadës Amerikane, të rihapur atëherë në Tiranë. Bashkë me dhjetë kandidatët e parë ndiqnim kurse për provimet e kërkuara të gjuhës TOEFL dhe diplomimit GRE (Graduate Record of Examination), dy kërkesat e Universiteteve amerikane për studimet pasuniversitare. Unë zgjodha të studioj për titullin shkencor Master në Antropologji Sociale ose Kulturore, degë që nuk e kisha studiuar dhe aso kohe nuk ekzistonte në Shqipëri. Ishte fushë që hapte dhe lejonte hapësirë për të studiuar shoqëritë dhe kulturat pa dallim dhe rast për të fituar njohuri më të thella humane, të cilat besoj i konsideroja si kundra-peshë të edukimit shkollor të deriatëhershëm.
Në korrik 1992 pasi u pranova nga New School University (atëherë New School for Social Research) (Shkolla e Re për Studime Sociale) u nisa nga Shqipëria për në Nju Jork. Vite me pas rrugët e fatit më kthyen në gazetari. Për një kohë tek Shërbimi i Gjuhës Shqipe, Zëri i Amerikës, në Uashington dhe më pas në Radio Televizionin e Kosovës, pas luftës, në 2001 dhe për herë të tretë, tek gazeta Dielli, në dhjetor 2011, ku jam edhe sot Editore për botimet anglisht. Të paktën në dy raste e kam ndërthur në trajtë të shtjelluar antropologjinë dhe gazetarinë: një ka qenë studimi im për librin “Përmes Mirditës në Dimër”, botim shqip dhe anglisht me një histori shumë të gjatë dhe të hatashme, që meriton të trajtohet më vete, dhe e dyta, studimi krahasimor për ritet japoneze dhe ato veriore shqiptare të studiuesit Kazuhiko Yamamoto nga Kyushu University.
A ka pasur ndonjë moment që ju ka ndryshuar mënyrën si e shihni profesionin e gazetarisë?
Rafaela Prifti: Largpamësia e themeluesve të Diellit, gazetë që daton nga viti 1909, e cila i parapriu themelimit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra më 1912, më mbush me admirim. Mendoj sesi idealet që frymëzuan kombësinë e një vendi që u shkëput nga një perandori e madhe si ajo britanike u patën ndjerë në shumë anë të globit. Në 1909, kur patriotët shqiptarë i dhanë emrin gazetës Dielli në Boston, Amerika ishte 133 vjeçare dhe kishte plot probleme por ishte vendi nga vinte shpresa për lirinë, zelli për aktivizëm politik dhe përkushtimi për t’ia dalë mbanë.
Së dyti, ndiej admirim kur mendoj se në kohën kur pjesa dërmuese e emigranteve ishin analfabetë, Dielli u bë abetare dhe libër leximi, përpara se të ishte dritare e mendjes dhe zëri i ndërgjegjes kombëtare për pavarësimin e Shqipërisë.
Sot e kësaj dite, më mrekullojnë shkrimet e gazetës Dielli të kronikave të periudhës së pavarësisë, të raporteve për takimet me përfaqësuesit e Lidhjes së Kombeve, reportazhet sukseset e sipërmarrësve shqiptare të kohës, artistët dhe mjeshtërit. Ne vijmë nga një trashëgimi vërtet shumë e madhe edhe në fushën e gazetarisë, dhe kjo, për mua, është përgjegjësia jonë sot. Në çfarëdo krize që ka kaluar gazeta, dhe ka kaluar plot të tilla, politike dhe financiare, unë besoj se Dielli është gazetë e Vatrës aq sa edhe e bashkësisë shqiptare të Amerikës. Sado të kërkojmë nga gazeta Dielli sot, si edhe nga vetja jonë, kam bindjen se institucione të tila të vetëdijes sonë kombëtare ne nuk i ndërtojmë dot më, prandaj na takon t’i mbajmë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që meritojnë.
A mendoni se publiku ka ende besim te mediat tradicionale?
Rafaela Prifti: Mendoj se besimi i publikut te mediat tradicionale ka hyrë në një pikë kthese kritike dhe komplekse. Nga njëra anë, në epokën e sotme të dezinformimit dhe pseudo-lajmit të amplifikuar në rrjetet sociale, ka një tendencë për t’u informuar nga burime te verifikuara. Por nga ana tjetër, ky besim është zbehur shpesh për shkak të ndikimeve politike, interesave financiare të pronarëve të mediave dhe njëanshmërisë në raportim. Si rrjedhojë publiku e ka humbur besimin. Audienca e sotme është me skeptike dhe kërkon më shumë transparence, llogaridhënie dhe pavarësi editoriale për ta fituar dhe konsoliduar besimin e saj tek mediat.
A ka pasur ndonjë moment që ju ndryshuat mënyrën si e shihni profesionin e gazetarisë?
Rafaela Prifti: Mendoj se kam pasur një trajektore që ka kaluar nga modeli i kronikës në një informim të fokusuar tek interesat dhe njohuritë për lexuesin. Por këtë mund ta gjykojë vetëm lexuesi.
Nëse do intervistonit sot babanë apo xhaxhanë tuaj, çfarë pyetjesh do dëshironit t’u bënit?
Rafaela Prifti: Të dy ishin Sekretarë të Vatrës, në kohë të ndryshme si edhe kontributorë të gazetës Dielli për vite të tëra, përveçse ishin autorë dhe studiues të mirënjohur. Natyrisht, Peter Prifti ishte ndihmës editor tek Dielli në fund të viteve 1950.
Më lejo të them këtu se intervistën tënde me babanë në kohën kur sapo kishte çuar hirin e të vëllait në Shqipëri e konsideroj një nga më të ndjerat dhe e vlerësoj nga shumë anë. Madje e ndiej kaq pranë vetes sa më duket se aty ka edhe diçka nga unë, prandaj të shpreh mirënjohjen time për të. Ajo, në të vërtetë, ka qenë pikënisja e kësaj bisede, e cila është e para dhe e vetmja që kam dhënë.