Albspirit

Media/News/Publishing

Aladin Stafa: Jo në emrin tim!

Në ndërkohë që koha kalon, brezat ndërrohen dhe e kaluara sa vjen dhe bëhet më e largët, ka ende momente kur historia nuk duket si dicka që e kemi lënë pas. Ajo kthehet me emra, fotografi, flamuj, kujtime e madje, dhe me një vendim gjykate. E pikërisht dje në Hagë, historia na foli sërish. Kosova u gjend edhe një herë në bankën e ë akuzuarve.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan përkatësisht me 25, 18, 13 dhe 25 vite burg. Gjykata i gjeti përgjegjës për ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturë dhe vrasje në raste të vecuara, ndërsa nga ana tjetër i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit për mungesë provash të qenësishme. Këtu nis dhe kontradikta e kësaj gjykate speciale duke qenë se të gjitha këto akuza ndërlidhen me njëra-tjetrën brenda këtij konteksti.

Si është e mundur të shpallesh i pafajshëm për krime kundër njerëzimit por ndërkaq të dënohesh për vrasje e torturë?

Nëse faktet apo provat nuk mjaftojnë, nuk është e mundur që vendimet të merren nëpërmjet perceptimit, hamendësisë apo dhe lobimit. E aq më tepër të gjykohet në mënyrë kaq indirekte historia e një populli.

Sepse pas këtij vendimi, qëndron një luftë, një brez, qindra- mijra familje që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur e të tjerë që ranë dëshmorë në beteja të përgjakshme. Qëndron vetë Kosova. E asesi nuk mund të jetë një kapitull i mbyllur i një libri, por pjese e identitetit të saj.

Drejtësia ushqehet me prova. Historia ka nevojë për kontekst ndërsa kujtesa lyp identitet.

Dhe nëse ky trinom ngec diku, atëherë padrejtësia zë vend.

Historia e Kosovës nuk nisi dje në Hagë e as nuk mbaron aty. Ajo mbart mbi vete historinë shumë vjecare të një populli që jetoi nën represionin torturues të regjimit të Beogradit, vijoi me rezistencen e përgjatë viteve ’90, e më pas mori udhë me përshkallëzimin e konfliktit deri në krijimin e UCK-së. Ndërhyrja e NATO-s ishte ndërmarrja e fundit që i dha një definicion politiko- historik, mbarë luftës deri sa u kulmua me clirimin e një Kosove që do të merrte rrugën drejt shtetësisë.

Në këtë rrugëtim, UCK-ja ishte rezistenca fizikisht më kryesore ndaj agresorit, andaj vendimi i Hagës shkon përtej katër individëve duke cënuar ndjeshëm vetë historinë. Një histori jo aq triumfuese e një populli, por e denjë për të kërkuar të mos zhdukej nga ku kish lindur.

E këtu na lind pyetja që duket se është më e madhe se një aktgjykim.

Cfarë ndodh kur drejtësia dhe kujtesa e një kombi përplasen?

Kosova është fakt, me një popullsi të përhershme, territor të përcaktuar, qeveri dhe institucione moderne të gatshme për raporte ndërkombëtare. Andaj nuk mundet asnjë aktgjykim apo gjykatë të mund të baltosë sakrificat apo të lëkundë pavarësinë e saj.

E megjithatë realiteti i djeshëm na u shfaq ndryshe sepse ne nuk dimë se cili do të jetë hapi i rradhës.

Në këtë botë dinamike, ku vlojnë interesat, drejtësia mungon. Gjithmonë e më shumë po e kuptojmë se udhëhiqemi nga raporti i forcave. Ndaj shqiptarët do të duhet të maksimalizojnë që këtej e tutje rëndësinë e tyre. Dhe kjo bëhet nëpërmjet një qëndrimi të tyre “unison“.

Përtej folklorizmave apo dëshirës për bashkim kombëtar, është pikërisht politika që duhet të bëjë politikën.

Nëpërmjet diplomacisë, investimeve në mbrojtje, rritjes në ekonomi dhe ndërtimin e një shoqërie të stabilizuar, shteti rrit prestigjin e tij për t‘u bërë faktor në tryezat ndërkombëtare e jo vetëm si pjesmarrës.

E ndoshta nga kjo ditë negative për ne si ajo e djeshmja, mund te nxjerrim dicka pozitive. Një mesazh që peshon më shumë se fjalët e z. Smith. Që bashkimi e uniteti të na bëjnë më të fortë.

Sëmundja jonë e madhe është kujtesa, e ndoshta kjo është lufta që duhet të fitojmë tani.

Jo kundër njëri-tjetrit, por kundër harresës. Prandaj sot, duhet të mendojmë për një komb, i cili ende nuk ka mësuar si të jetojë me paqen pas një lufte.

Lufta është e thjeshtë sepse armiku që ke përballë shihet qartë. Por në paqe shpesh ai nuk ka uniforme, sepse vjen nëpërmjet ndarjes politike, algoritmit në rrjete sociale apo manipulimit ndaj shoqërisë për përcarje.

Asnjë parti, gjykatë apo qeveri nuk është një komb. Sepse kombi mbetet kur të gjitha këto largohen. E ndoshta pyetja më e rëndësishme pas shumë vitesh nuk do të jetë kush fitoi dje në Hagë, por se si shqiptarët luftuan për të ruajtur historinë e tyre pa e kthyer atë në urrejtje.

Sepse mund të të gjykojë historia, mund të të gjykojë drejtësia, mund të na gjykojnë të tjerët- por ne nuk duhet të gjykojmë njëri-tjetrin deri në pikën sa të harrojme se jemi i njëjti popull, i njëjti komb.

Ndaj dhe beteja vazhdon.